Familjet e dëshmorëve dalin garant për Supermenin

Familjet e dëshmorëve dalin garant për Supermenin

Andi Kananaj

Nuk ka ndodhur këto ditë asgjë e jashtëzakonshme... të paktën asgjë që nuk ka ndodhur në mënyrë përsëritëse prej të gjithë kohërave të kolerës në vendin e shqipeve. Sa për të qenë të qartë përmbledhim idenë duke përdorur logjikën popullore të sinkronizuar me vitin ku jetojmë:

Trimat i dalin gjithmonë për zot trimave, të së njëjtës parti dhe të njëjtës "besë" (parave). Trimat e mirë dhe kur vriten, shokët më shumë bëjnë çmos që mollët dhe dekoratat të shkojnë tek i zoti. Kjo histori ka filluar që kur Muji u vra (s'ka ndodhur në fakt në legjendë), dhe Ajkuna (grua zonjë) vendosi të bëhej gjykatëse e grua heroi njëkohësisht... Po të ngjallej Muji, ndoshta do mbetej keq emocionalisht ngaqë do të përdorej si karte krediti nga fisnia e tij..... por Muji vetë nuk ia doli të kthehej mbrapsht pas një farë viti të papërcaktuar mirë. Po të kthehej ndoshta do tregonim për bëma të tjera, por si duket zemërthyer ose jo, respektoi disa rregulla të biologjisë nga ato që njohim dhe sot. Ai vdiq fizikisht, me bujë për të mos u kthyer më. Heroi vetë, si rrallë herë iu bind rregullave, po kjo nuk vlente për dekoratat dhe familjarët e tij. Kjo histori, siç dhe mund të jeni në dijeni, nuk mbaron ashtu siç ish' shkruar në folklorin e shkollës së mesme. Muskul-mëdhenjtë e legjendave u futen në shpellë atë mot, kur u shpik karabina, pushka që gjëmonte si kob për këngët me çifteli, por firma u shkonte njëlloj, e nëse donin... dilnin vërdallë për shtatë palë qejfe për të shijuar pasaportën diplomatike.

Superheroi, që nga ana e vet është hero që nuk i hyn gjemb në këmbë, dhe nëse ish futur në shpellë për disa vjet (e pa vërtetuar shkencërisht), u kthye mbrapsht nga urrejtja për komunizmin e dashuria për atdheun. Superheroin tonë ndoshta e nxori nga shpella kontrata e rrugës patriotike që kaloi si për dreq nga zona e tij. Shpërthimet e firmës Bektel e bënë që të dilte në dritaren e gurtë e të kuptonte që koha e tij kish ardhur përsëri. Ose ndoshta Superheroi pati vegim, dhe shpërthimet i para-pa në kohën e zgjedhjeve të vitit 05.

....

Dy ngjarjet me prekëse të korrupsionit u mbyllen pa një pa dy, nga Gjykata e Tiranës (shkalla e parë e gjykimit) ashtu siç i ka hije një gjykate të vërtete. Nderi i Zotit Fazlliç dhe Ministrit të Jashtëm Basha u vunë në vend. Të dy si persona që bashkëpunojnë ngushtë me Kryeministrin Berisha, nuk mund të jenë kurrën e kurrës të korruptuar. Nuk ka rëndësi nëse u thye Kushtetuta e Shqipërisë. (Neni 141 i Kushtetutës, i cili sanksionon se Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore të anëtarëve të Këshillit të Ministrave). Nuk u çudit asnjëri, si gjithmonë. Kushtetuta, ligji themelor në letër i shqiptarëve, e ka humbur autoritetin me kohë, apo më mirë të themi nuk e ka pasur asnjëherë më shumë se një barcaletë për policë. Lufta behet mos humbasë autoritetin "burri Trim" se pastaj na merr lumi. Dukshëm aty janë përqendruar shpenzimet monetare, dhe logjikat shtet-formuese. Nuk e them me ironi, me besoni. Për ta argumentuar do kujtoj se shqiptari mashkull ka qenë gjithmonë ushtar mercenar. Ai jetën dhe vdekjen e priste dhe respektonte vetëm nga i Pari (nga primus). Dhe tani sa here na qan zemra për komandant, e meqë nuk ngjallim dot Enverin, shpallim unanimisht Trim mbi Trimat doktorin e tij të zemrës që kujton me përpikëri çdo rrahje aorte të diktatit. Na thoni dhe do t’i ulim antenat nga çatitë me më shumë kate se atëherë. Do t’i djegim si kryqet e kishave të gjithë gazetat që shkruajnë ndonjë mendim kundër (siç bëjmë çdo ditë në fakt). Jemi të ndërgjegjshëm që po kërkojmë nën zë, të kthehet dhe një herë autoriteti i një Pater Familias (ligji i Dodecima Tabulae ku Pater Familias, vendos si për jetën ashtu dhe për vdekjen) që të kthehet dhe njëherë rregulli i natyrshëm i këtij populli. Tentoni të imagjinoni një fushatë elektorale pa baballarët e partive.... dhe sa hap e mbyll sytë do të rrëzohej shteti-kasolle që hidhte valle mes neuroneve të fantazisë. Vetë do të ndjeni ankthin e të qenurit vetëm në mes të shkretëtirës ku tartarët i ke të gjithë kundër.

Jo pa faj, Prokuroria, luan ekuilibristin në këtë garë pushtetesh, (ku dihet që fitoren e ka qeveria që pa nisur gara). Asnjë nga shqiptarët nuk për t’u interesuar nëse ligji procedural u zbatua me përpikëri. Nëse provat e sjella në gjykim kanë vlerën e duhur dhe nëse janë të përdorshme. Duke bere rolin e Ponc Pilatit, Prokuroria lan duart duke gabuar kohët dhe formatin e sjelljes se provave në gjykim. Sidoqoftë ligji për prokurorinë, i miratuar pak ditë me parë, tregoi që politika e do të dobët institucionin e prokurorisë, dhe kjo kështu do të jete aq kohë sa në këtë vend ka hapësirë për korrupsion shtetëror. Prokurori (njeriu jo funksioni) me gjithë autoritetin dhe garancitë që i jep ligji, di se mjafton një telefonatë nga numri i duhur, që të mbetet i papunë, deri kur s'dihet. Praktikisht...

....

Familjet e dëshmorëve, dhe veteranët e luftës janë filli direkt që lidh logjikën për shtet militar që kemi në zemër tash sa mot, e që na hedh nga traktati i Varshavës tek Nato.

Veterani i luftës (i vjetër sipas fjalës latine Vetus) ka qenë gjithmonë prologu i festave të mia në shkollat tetëvjeçare. Në atë kohë nuk e kuptoja arsyen pse na rraskapitnin me histori gjyshërish që gjithmonë e nisnin me "do të flas pak" e me pas harronin të mbaronin. Kur sistemi komunist u rrezua nga kali (e shoh në fakt si pushteti i dikujt sesa si shtet social në tentativë), besova se skena e tregimit me partizanë, ishte kohë -"shtesë" për narcizë të plakur, që të mbushin orët bosh nga një ndeshje shahu tek tjetra. Nderrova opinion me kalimin e kohës. Besoj se në një kohë të balancuar kjo mënyrë të treguari do ish' e frytshme për të mësuar për historinë e këtij vendi... vetëm se, kjo nuk ishte e vërtete në qëllimin parësor për të cilin përdorej.

Tani besoj se koha mediatike ish' e ndërtuar e tillë për të justifikuar në mënyrë mediatike (propaganda tete a tete) çdo diferencim dhe çdo vektor dhune që drejtohej kundër armiqve të klasës. Familjet e dëshmorëve në çdo çast na tregonin që ligji i përkiste atyre, sepse ata kishin fituar luftën. Fituesi i merr të gjitha. Fituesi përcakton rregullat veta. Socializmi ynë ishte me i çuditshmi, dhe i vetmi në format natyral, që mund të aplikohej në këtë zonë të botës që të futej në mendjet e ish luftëtarëve mercenare të perandorisë duhet të kishte medoemos luftë. Kur lufta mbaron, fituesi nuk kujdeset që të jete delikat në zgjidhjet dhe përzgjedhjen e plaçkës së luftës.

....

Nëse ata që luftuan për një shtet demokratik e dinin se çfarë donin do të ndiheshin keq që familjet e tyre janë fitueset dhe ndarëset e plaçkës se luftës, që ju mor' me force nga komunistet. Dhe nëse nuk dinin se çfarë ishte demokracia në përshkrimet e veta teknike, kishin ndjesinë se kjo dhunë e përditshme ishte pa sens. Lufta e tyre që lufta (e klasave) të mbaronte një herë e përgjithmonë ka dështuar. Bijtë e heronjve demokratë po kapardisen njëlloj si fëmijët e Pilo Peristerit (ndjesë që e nxora nga grupi) me shokë, duke u fryre dhunshëm medaljeve si trumbetë, me pandërgjegjie po lajmërojnë që ngërçi institucional ka filluar të trokasë njëlloj në derën e sistemit, si më parë.

E nëse heronjtë e djeshëm, nuk do të shqetësoheshin që ligji i më të fortit (lex talionis) po përdoret duke u hedhur dhe me short në një gjykatë të vendit për të cilin u vranë, do të thotë se do na duhet ta formalizojmë luftën e klasave, si tekniken antagoniste që vret në emër të garës së lirë, e që shqiptarët e përqafojnë në çdo rast pa mirëfilli-kundërshti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).