Eposi i KRESHNIKEVE

Prof.Dr. SHABAN SINANI

Eposi shqiptar i veriut, ose cikli i kreshnikëve, erdhi në vëmendjen e studiuesve para një shekulli. Ai u shfaq pikërisht në përmbyllje të epokës së Rilindjes Kombëtare, që me të drejtë është quajtur shekulli i “kultit të epopesë”.
Letërsia shqiptare lindi e u zhvillua për një kohë të gjatë si letërsi heronjsh. Ata që nuk e dinin se ekzistonte në formën tradicionale gojore eposi i kreshnikëve u përpoqën të krijojnë vetë “epope imagjinare” dhe t’i paraqitnin si trashëgime orale. Më pas pati përpjekje për rikrijimin e një epopeje integrale, sipas modeleve të poemave antike.
Në eposin shqiptar, si në çdo epos tjetër, koha vjen e shkon sipas një kalendari të ndryshëm nga kalendari njerëzor, që të kujton mendësinë e “Epit të Gilgameshit”, ku një ditë në kohën e hyjnive është sa njëmijë vjet në kohën e njerëzve. Heronjtë mitologjikë të eposit shqiptar mbeten të vdekur në mejdan për njëqind vjet dhe kur zgjohen thonë: “paskam marrë nji sy gjumë”. Kur Muji mendohet, “sheh barin kah rritet”. Në epos ka vetëm të shkuar të largët dhe të papërcaktuar. Koha në përfytyrimin mitologjik nuk i bindet orës njerëzore.
Hershmërinë e thellë të eposit shqiptar e dëshmojnë dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri e tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë - gjegjësisht aloktonisë - së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Ato bashkëjetojnë e ndeshen, fitojnë e mposhten, kërkojnë parësinë dhe e mbrojnë atë. Cikli i Artridëve përmbyllet me dilemën tragjike të Orestit, që duhet të thyejë një traditë e të themelojë një të re: të mbrojë të drejtën e atësisë kundër asaj të mëmësisë.
Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Ndryshe nga cikli i baladave, ku "nji plak i urtë" që këshillon flijimin e nuses në urë të kujton patriarkun, në epos nuk ka patriark. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit, në raport me Omerin (ose "shtatë Omerat"). Në njërën prej këngëve Omeri duhet të lirojë "babë e axhë" nga burgu i krajlit. Këngën rapsodi e quan "Omeri prej Mujit" dhe ky është rasti i vetëm kur shfaqet një hije patriarku. Figurë qendrore dhe rol autoritativ mban Ajkuna. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave. Pas Omerit nuk ka më kreshnikë. Fuqia dhe lavdia e tyre nuk trashëgohet.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Zakonisht është thënë se në këtë këngë maten fuqitë tokësore me ato detare ("një bajloz i zi ka dalë prej detit"). Janë gjurmuar e gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi "tim për tim", ashtu siç ishin ligjet e administratës së perandorisë. Në fakt, burimi themelor i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia ngrihet nga shtrati i vdekjes për të shpëtuar një epokë nga morali i trashëguar prej qëmoti se njeriu mund të flijohej i gjallë - siç ndodh me nusen e murosur në baladat ballkanike. Ai mund bajlozin, që kërkon natë për natë "ka 'i dash t'pjekun", natë për natë "ka 'i vashë të re". Mundja e bajlozit shënon fundin e asaj konvente që e përligjte flijimin e gruas. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore, gjysmëtokësore - Persefoni e kalon gjysmën e vitit nën tokë dhe gjysmën mbi tokë- ktonike dhe uranike - qiellore), në eposin shqiptar kjo hierarki nuk ekziston. Figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë epin dhe përrallat, nuk ekziston "e bukura e qiellit". Krahas me "të bukurën e dheut" (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i "shtojua zot vallet"), shtojzorreshtat ("shtojua zot rreshtat"), "ato të lumet", shita.
Tipari ktonik i figurave mitologjike të eposit shqiptar përkon me atë stad të mendimit, kur në letërsinë antike helene "perënditë zbritën nga Olimpi", por, megjithatë, mbetën figura të rëndësishme të ndërgjegjes së besimit. Kjo është më e vonët se shtresa uranike (qiellore) e figurave mitologjike, por, gjithsesi, më e hershme se ajo kohë kur perënditë greke u bënë për t'u përqeshur në komeditë e Aristofanit.
"Dy kalendarët" e kohës (jashtëkohësisë) në epos dhe në historinë e jetës njerëzore lidhen me dallimet ndërmjet përfytyrimit mitologjik për kohën në mendësinë e lashtë dhe në mendësinë moderne. Një prej fakteve folklorikë interesantë për këtë është përdorimi i kohës për hapësirën dhe anasjelltas, që shihet si tipar universal i eposit. Në eposin shqiptar, për të treguar largësi, zakonisht thuhet “nantë konaqe larg” ose "nantë vjet udhë". Kjo ngjan me idiomën letrare të eposit të shumerëve, ku largësia tregohet jo me njësi të hapësirës, por me njësi të kohës: "Më zuri shqiponja me kthetra të hekurta,/ Dhe katër orë në lartësi më ngriti". Ose: "Shkuan më tej, dy herë nga njëzet orë,/ Derisa nga larg dalluan një cep toke". Përdorimi i kohës për hapësirën dhe anasjelltas ka lidhje me atë shkallë të zhvillimit mendor të botës njerëzore, kur ende procesi i lëvizjes prej së shkuarës në të ardhmen përfytyrohej si njëdimensional. Në këtë përmasë njësoheshin deri në padallim koha dhe hapësira.
Këto mendësi të një stadi të lashtë antik përbëjnë argumente artistikë parësorë për debatin mbi burimin kohor të eposit shqiptar. Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antikë dhe atyre europianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antikë se të atyre mesjetarë. Ekzistojnë një varg argumentesh folklorikë në favor të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve tek shqiptarët, prej ilirishtes tek shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
Në shkencën sllave cikli verior konsiderohet rikrijim i motiveve të eposit serbo-boshnjak pas muslimanizimit masiv të shqiptarëve, dikur nga shekulli i 18-të e këndej. Disa nga dijetarët vendës janë bashkuar në mendimin se eposi shqiptar është "i periudhës bizantine" dhe burimi i tij duhet lidhur me kohën e krijimit të "Digenis Akritas" tek grekët. Këto pikëpamje, herë hapur e herë tërthorazi, herë me qëllime të caktuara e herë nga mosbesimi tek faktet, duke e kushtëzuar burimin e tij me lindjen e eposit sllav ose të atij bizantin, e vonojnë mjaft kronologjikisht formimin e eposit shqiptar.

Të dhënat e zhvillimit të përgjithshëm kulturor të shqiptarëve tregojnë se eposi verior është krijuar në një periudhë zhvillimi divergjent. Kjo është periudha e ndarjes më të madhe etno-krahinore të viseve shqiptare (Gegëri e Toskëri) - fakti është se nuk gjenden gjurmë të eposit në jug të Shkumbinit. Kjo është periudha e ndarjes së polifonisë në jug prej homofonisë në veri. Kjo është periudha e rotacizmit në jug dhe e nazalitetit në veri. Kjo është periudha e ruajtjes së a-së në gegërishte dhe e kthimit të saj në "ë" në toskërishte. Nga pikëpamja kulturore eposi ka lindur në kohën kur u vërtetuan ndryshimet më të rëndësishme dydegëshe të kulturës shqiptare - gege dhe toske. Kjo nuk do të thotë se eposi është një traditë e mbyllur folklorike në veri. Ka shumë të dhëna që provojnë se cikli verior nuk është aq verior, sa të mbetet i vetëveçuar. Motive themelore të tij gjenden të zhvilluara në folklorin e viseve jugore në formën e rrëfimeve, përrallave apo legjendave.
Nga pikëpamja historike, eposi nuk mund të lindë në çdo kohë dhe nga çdo ngjarje. Vetë eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar e përjashton krijimin qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur, duke paralajmëruar audiencën se të tjera gjëra ndodhnin “kur kem’ pas’ besë me krajli”. Nga një kërkim në një mënyrë pak tendencioze mund të hetohen edhe të dhëna që shfaqen si dëshmi të një rreziku që vjen nga deti dhe që në nënshtrat mund të lidhet edhe me jehonën e një kohe të pushtimeve romake. Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me shek. 7-8-të, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrime cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja tek shqipja, konsolidimi i dy koineve gege dhe toske (në vend të të folmeve të ngushta të fiseve). Ky proces divergjence ishte përparimtar, sepse, duke ndarë koinenë kulturore veriore nga ajo jugore, zhvilloi konvergjencën brenda tyre, njësoj si kishte ndodhur në antikitet me katër dialektet e greqishtes. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Edhe të dhënat rreth nocionit të një hapësire mitologjike në epos janë favorizuese për kushtëzimin e burimit të tij me periudhën e këtyre shndërrimeve të mëdha. Nëse studiuesi do të vihej në kërkim të një “habitat-i” prehistorik të botës së personazheve dhe ngjarjeve të eposit, të një "atdheu shpirtëror", të një "patria poesis", kjo do të gjendej në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë "land". Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna të tilla me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin “të vetët - të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ka të ngjarë që në opozicionin “kreshnikë - shkje” është po ai opozicion që gjendej tek grekët e vjetër në formën “helenë - barbarë”. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, për një Itakë shqiptare, sikurse është Moreja tek arbëreshët (në këngët historike, se për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre "të vetët" del aty-këtu. Eshtë me vend të kujtohet se edhe në eposin antik helen kishte dy kuptime mbi atdheun: Odiseu ishte bir i Eladhës, por ai nuk gjen prehje pa mbërritur "atdheun e ngushtë", Itakën.
Dëshmitë e pranisë së kulturave të vjetra antike në lëndën shqiptare, sidomos të kulturës greko-romake, janë edhe dëshmi hershmërie dhe fqinjësie prej antikitetit. Lamberci argumenton se në eposin verior ka "mbi 40 tema të ngjashme" me ato të këngëve akritike. Zgjedhja e Mujit ("a don forcë a don gja") është si zgjedhja e Heraklitit. Në një këngë të njohur shqiptare Omeri i vogël duhet të lirojë "babë e axhë" nga burgu, sikurse Armuropulos (Armuri i vogël) tek këngët akritike. Këto gjurmë janë inkurajuese për të shkuar drejt përfundimit se eposi shqiptar, i mbiquajtur “cikli verior”, duke e parë në lidhjet e tij artistike me gjithë folklorin e vendit, nuk është dhe aq verior dhe i kufizuar sa është paraqitur nëpërmjet termit. Këtu edhe gjeografia historike pak hyn në punë.
Veçohet për nga rëndësia shtresëzimi i eposit mbi bazën e tipeve të personazheve. Më në hollësi duan vëmendje personazhet mitologjikë, duke theksuar karakterin e tyre polistadial, prej fëmijërisë së njerëzimit. Heronjtë kryesorë të eposit (Muji) përfaqësojnë kultin e fuqisë, sikurse Akili në veprat homerike; kurse kalimi në stadin e kultit të diturisë - dinakërisë (kulti i Odiseut) nuk është aq i vërtetuar. Eposi shqiptar ka në qendër heroin e luftës, ndërsa heroi i paqes, "heroi i dytë" - Halili - më shumë anon nga kulti i bukurisë. Në eposin helen Odiseu duhej të mposhtte joshjet e aventurës dhe të arratisë, duke qenë larg atdheut, prandaj duhej t'i zgjidhte situatat mençurisht, kurse në eposin shqiptar Halili është në atdheun e tij dhe duhet t'ua fitojë zemrat "devojkave" me hijeshinë burrërore

Bibliografi:
1. Albert Lord, "The Singler of Tales", 1962.
2. Maximillian Lambertz, "Die Volksepik der Albaner", Leipzig, East Germany, 1958.
3. "Epi i Gilgameshit", 1999.
4. "Shah Name", përkthim i Vexhi Buharasë, dorëshkrim.
5. "Çështje të Folklorit Shqiptar", 1-6.
6. Fatos Arapi, "Këngë të moçme shqiptare", 1986.
7. Berndardin Palaj - Donart Kurti, "Visaret e Kombit"-2, 1937.
8. Gjergj Zheji, "Vargu i këngëve të kreshnikëve”, 1987.
9. Eqrem Çabej, “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emrave të vendeve”, 1958/2.
10. Faik Konica: "Shqipëria -kopësht shkëmbor në Europën Juglindore", 1993.
11. Stavro Skëndi, “Albanian and South Slavic Oral Poetry”, Philadelphia 1954.
12. Vladimir Propp, "Morfologija skaskih",1958.
13. Shaban Sinani, "Mitologji në eposin e kreshnikëve", 1998.
14. “Bernardin Palaj - opere”, Roma 1969.
15. Celentano. L. “Letteratura greca”, Napoli 1995.
16. Clarotti-Crussi, “Viaggio nell’epos”, Torino 1996.
17. Robert Elsie, “Albanian folktales and legends”, Tiranë 1994.
18. Vladimir Propp, “Ruskij geroiçeskij epos”, M. 1958.
19. Sigmund Freud, “Psicoanalisi dell’arte e della letteratura”, Roma 1993.

24 Komente

Interesant, si studim. Nuk e njoh mire kete fushe, megjithese kam kujtime femijerie. Psh, nje kujtim qe s'me shqitet eshte se kam besuar deri vone ne qenesine e zanave te malit. Mbase deri nga gjimnazi. Kur me kapte nata ne mal, perfytyroja gjithmone se do te me dilte perpara zana e malit dhe do te me jepte gji. E do te rritesha e forcohesha dhe do te vendosja drejtesine mbi toke. Do t'i blija nje pale kepuce te mira Zylfiut, nje fanelle pambuku Dashuries, dhe do te mbroja gjithmone Mediun, te cilin e ngacmonin te gjithe. Nuk eshte aq keq, sepse njerezia ne bote besojne ne Plakun e Vitit te Ri, e une kisha Zanen time. Zane e cila vjen shume rralle dhe thote nga nje fjale dhe iken.

Nje tjeter gje qe duhet vene ne dukje eshte koncepti i beses. Flitet per besen e shqiptarit, dhe me gjeresisht per besen e malesorit. Ky i fundit, jo se eshte me i zgjuar apo me i bukur se ai qe banon ne pallat apo ne breg te detit, por ka qene pothuaj vazhdimisht ne kontakt me kenget epike. Psh, nje nder gjerat qe me eshte ngulitur ne femijeri eshte kjo :

Musai dylufton me nje krajl. (Ia kam harruar emrin ketij). Dhe ne nje kohe, krajli i thote : a nuk ulemi e pushojme pak se u lodhem, dielli po hyn. Dhe Musai pranon (gjithmone naiv - heronjte shqiptare, NE PERGJITHESI, jane gjithmone naive.), mirepo krajli nxjerr nje thike tinez dhe e ther Musain. Ia pret zemren te shohe çfare ka aty qe eshte kaq i forte. Dhe gjen tre gjarperinj, njeri zgjuar, tjetri duke u zgjuar, dhe tjetri ne gjume. Musai ishte veçse ne gjysme te forcave, dhe po te kishte vazhduar dyluftimi, do ta kishte mundur krajlin.

Kjo histori, po te rrefehet bukur, le shume gjurme ne mendjen e nje femije, psh 6-7 vjeç. Dhe ketu shtresezohen ca tipare qe do te na ndjekin tere jeten.

Edhe me vone, ne kenget heroike te periudhes se Turqise, po permend vetem dy : kenga e Corr Iljazit dhe kenga e Dan Daroshit, ka histori qe mbeshteten mbi denimin e tradhtise, te shkeljes se beses se dhene.

Ne dallim nga balada e Lenores (Gjermani) ku dashnori ngrihet nga varri per te gjetur te dashuren dhe per ta marre bashke ne varr, heronjte shqiptare ngrihen nga varri (apo nga shtrati) vetem per te sjelle shpetim : Konstandini (Pali, me duket, ne Veri), si dhe Gjergj Elez Alia, nga shtrati.

Edhe diçka tjeter : ne kenget epike serbe ze shume vend thika (dhe jo shpata) si vegel vrasese, si dhe mizoria. Ne pothuaj te gjitha keto kenge, kendohet heroizmi i nje serbi qe shkon te hakmerret per diçka - psh, per fyerjen qe ia ka bere dikush duke mos ia dhene vajzen per grua -, ose per motive fetare (te shkojme ne Jeruzalem dhe te rrafshojme tempullin çifut). Ne keto kenge, ka nje pershkrim te imtesishem (çka kjo mungon gjithmone, dhe per fat te mire, ne baladat dhe kenget epike shqiptare) te masakrimit. Psh, serbet kendojne gjymtimin e kraheve, prerjen e gjuhes, nxjerrjen e syve, dhe te gjitha keto duke i levduar si diçka heroike.

Kaq, pak a shume.

E kam thene edhe gjetke, por ketu eshte pikersiht vendi per ta thene edhe nje here. Vajtimi i Ajkunes per nga forca artikstike paralelizon skenen e Priamit te Akili. Vargu "se ty vorrin t'a ruen nana" eshte nga ata qe kur i lexon per here te pare, te le vertet pa fryme! Po ashtu, gjej rastin per nje perkulje te madhe nderuese para z. Mitrush Kuteli qe me keto kenge i dha feminise sime dicka te pazevendesueshme dhe patriotizmit tim nje shtylle qe s'ka per t'u thyer ndonjehere.

Enjoy.

Vajtimi i Ajkunes

Drita a dale e drite s’po ban,
ka le dielli e nuk po nxeh:
ça ka ba Gjeto Basho Muji;
Djalin n’dhe Muji e ka shti…
A dredhe Muji e ne shpi ka shkue,
nana e djalit po e pyet;
-Mujo, djalin ç’ma ka gjete?
N’Lugjet t’Verdha, a thue ka mbete?…
Qyqe vetem rrugen paska marre,
kane zane vend yjt’ vajin me e ndie!

Kur ka dale nder Lugjet t’Verdha,
atehere nana hanen ka mallkue:
-T’u shkimte (shofte) drita ty, o mori hane,
qe s’ma çove ate nate nji fjale,
n’Lugje t’Verdha, shpejt me dale
bashke me hy n’nji varr me djale!…
Kur ka shkue te varri i djalit,
ka pa ahin treqind vjec,
ahi ishte rrema-rrema,
nji ma t’bukrin mbi varr po e shtin

Mire po pshtetet per dege t’ahit
pikon loti mbi varr te djalit
Kane lane kangen zogjte e malit,
kane lane kangen me veshtrue!
-Po a s’e din se kush ka ardhe,
qe nuk cohesh per m’u fale,
more i miri i nanes-o?
Amanet, o more bir,
dil nji here ksi burgut t’erret,

fol me nanen qe t’ka rrite
s’m’ke lane kurre kaq shume me prite!…
More Omer i nanes-o;
A thue gjokun me ta prue?
Dil nji here per me lodrue
bjer nder gurra me u freskue
kerko majat bashke me zana
se ty varrin ta ruen nana,
mori i miri i nanes-o!…

E lexova edhe nje here. Ajo qe me ben pershtypje eshte se si ka mundesi qe nje periudhe aq kyce ne historine e shqiptareve, si shek 7 dhe 8, qe ka lene gjurme dinosauri mbi ne (formesimi i dy grupeve gege dhe toske dhe dyndja sllave), nuk eshte trajtuar ne historine qe une kam bere ne shkolle (nuk di mbase e bejne tani).

Duhet sqaruar ku e ka burimin antagonizmi yne i acarte me sllavet e jugut. Sepse te huaj jane dyndur gjithe kohen tek ne. Me askend "thike-e-brisku" s'ka qene si me sllavet (serbet). mos valle se te tjeret vinin si ushtri-administrate, ndersa serbet nguleshin me lacke e me palcke?

Nje ide shume interesante per raportin tone te vecante me turqit eshte ajo se "afiniteti" yne ne dukje me ta ishte rezultat i zgjedhje se te keqes "me te vogel" dhe perballe serbit cdo e keqe tjeter ishte me e vogel.

Kam mendimin qe vetem nje antagonizem i forte si me sllavet mund te lindte dicka te tille si eposi.

si shek 7 dhe 8, qe ka lene gjurme dinosauri mbi ne (formesimi i dy grupeve gege dhe toske ...

Une gjithnji kisha pas pershtypje qe formimi "geg" dhe "toske" eshte shume, shume me i vonshem, andej nga shek i 18, mos themi fillimi i 19-tes!

Do isha kurioz te shikoja ndonje argument ndryshe, sigurisht!

Av, nje fjale pikante ne Epos eshte "dertoj" = qaj hallin

Kur ka dale drita, dalte e bardhe
Mire asht veshe plaku e mire asht mbathe
Per Jutbine heret asht fillue
Tridhet Age m’kuvend m’i ka bashkue
Hallin Agvet mire jau ka dertue

ps. kjo "dalte e bardhe" te rreshti i pare eshte nje perlez e paperkthyeshme!!

Dicka mbi onomastiken historike: teatri i veprimeve te Kreshnikeve eshte Krahina dhe Jutbina, vende qe sot gjenden ne Kroaci. Kreshnik pra si duket ka origjinen prej vendit te quajtur Krahina. Ne serbo-kroatisht i bie te jete Krajisnik.

Krajina, e ka marre emrin "Krajina" ne shek e 17-te!

Nuk del hesapi! smiley

Drejt me fol!

ka pas disa variante per kete; "kreshtetar" ose "krajsnik" = njeri kufitar... por te gjitha keto mu me duken si ajo "kimono - o himonas" e atij grekut. smiley

 

krajisnik =njeri i kufinit eshte shpjegim racional megjithese une kam rezerva ndaj saj sepse ne Epos nuk ka beteje kufitare por beteje per dominim ne zone te perbashket! smiley 

Gjithsesi Krajisnik nuk jep Kreshnik sipas rregullave te shqipes, ashtu si Krajina nuk jep Krejina apo Kreshina, por Krahina! smiley

Krela, Krye, Krah, Kreshpe/Crest, Krunde, Krete, Krajina, Krahina, Kraj, Kryj, Ukraina,  etj, jane te tera fjale qe kane te bejne me skajet, me fundin, me dicka fundore!

Fondi Indo-Europian godet serish ne Peshk! smiley

Krejtesisht! smiley

 

P.S.

Pellazghane Alert! smiley

t'kom kujtu dje. Po t'bjeri rruga ne 31 st te euromarket, shiko ca kane shkrujt te tagu "Myzythras".

Av, m'fal, po nuk kisha ku ja thojsha tjeter.

S't'mora vesh!

Tagu? Myzythras? Mrena n'dyqon?

 

Eshte studim shume i mire, e? Shume i ngjeshur, sa here e lexon dicka te re gjen. Ia vlen ta mbash disa kohe para syve

As une nuk mbaj mend te jemi ndalur fort tek krijimi i dy domeneve te medha gege e toske. madje as e kujtoj fare te jete permendur, megjithate rezervohem tu ve fajin teksteve etc, sepse atekohe nuk kam qene fort e perqendrume ne kete topik.

Hidhi nje sy kesaj fjalie me poshte:

Në eposin shqiptar, si në çdo epos tjetër, koha vjen e shkon sipas një kalendari të ndryshëm nga kalendari njerëzor

E kam ndeshur ne shume vende te tjera kete problemin e kohes ndryshe neper epose, Kadare psh e shpjegon ne nje nga essete e tij, tek Eskili, ky humbes i madh, ne mos gaboj, se si leviz koha ne poemat homerike.

Por, po te mendohet se njeriu pakogje ka ndryshuar qe nga fillimi ( struktura shpirterore), si ka mundesi qe imagjinata e tij ka krijuar figura te tilla filozofikisht kaq te nderlikuara? C'jane keto krijesa qe levizin ndryshe ne kohe, qe lindin nga nje grua e zakonshme qe e ka diten 24 ore e vete jane gen tjeter? Mund te thuash psh, qe imagjinata eshte e pakufi, sigurisht, por jo e paBAZE. Nuk me cudit fare prania e zanave apo e dragojve a kucedrava, sa me intrigon figura e ketyre mbinjerezve:

Heronjtë mitologjikë të eposit shqiptar mbeten të vdekur në mejdan për njëqind vjet dhe kur zgjohen thonë: “paskam marrë nji sy gjumë”. Kur Muji mendohet, “sheh barin kah rritet”.

Nuk e di, por dicka eshte vertet fort e cuditshme ketu. Kjo fantazi, nese eshte thjesht e tille, gje qe une e dyshoj fort tani, pse nuk krijoi edhe me vone, ne shekuj te tjere, figura kaq te jashtzakonshme?

Per Epin e Gilgameshit, shpjegimi i figurave qendrore me pranine e elementeve jashtetokesore tashme eshte bere izakonshem. Ndoshta dhe ky eposi yne nuk eshte thjesht vetem historik e argetues...mbase kerkon te deshmoje edhe gjera te tjera smiley

 

ps: korrigjova nje kohe foljeje dhe po shtoj dicka:

Sot dihet se ku mund te rrjedhe koha ndryshe. Duhet dale nga orbita e tokes. A thua keto arratisje kane ndodhur vetem brenda mendjes se njeriut te atij shekulli? Vec ne e pacin ndjere relativitetitin me zemer e intuite...

Vec ne e pacin ndjere relativitetitin me zemer e intuite...

PO. Kjo ndodh me cdo gje gjeniale ne fakt.

Ka dicka me teper ne kete histori smiley nje kompllot kozmik smiley

me ben pershtypje eshte se si ka mundesi qe nje periudhe aq kyce ne historine e shqiptareve, si shek 7 dhe 8, qe ka lene gjurme dinosauri mbi ne (formesimi i dy grupeve gege dhe toske dhe dyndja sllave), nuk eshte trajtuar ne historine qe une kam bere ne shkolle (nuk di mbase e bejne tani).

Sepse nuk eshte histori, eshte 'conjecture'. Askush nuk mund te flase me siguri per ate periudhe te erret te Evropes Juglindore.

Ka shkruajtur dicka, dikur Kadare per Eposin e Kreshnikeve, nje studim apo meditim krahasues i dy varianteve: shqiptar-serb. tek bibliografia e Sinanit nuk e pash.

Me duket se e ke fjalen per pasazhin te Autobiografia e popullit ne vargje". Nje trajtese e mrekullueshme, sias meje. Nuk di kohen kur eshte bere ky shkrim, por nisur nga referencat ne fund, eshte bere shume vite pas kesaj qe po themi. Por bibliografia s'eshte obligim. Ndonese, e sigurte si buka qe ha, qe jo vetem e ka lexuar gjate shkrimit, por edhe ka marre spunto.

@spiritus. Ndoshta nuk e ka perdorur si reference duke u nisur nga fakti qe sidoqofte ai shkrim i Kadarese eshte nje interpretim esseistik i lire. Bibliografia e referuar  me siper pergjitsisht perfshin punime te mirefillta shkencore.

desha te them , jo se Shaban Sinani nuk i referohet pergjithsesisht Kadarese, i referohet dhe shume, eshte studiuesi me i mire i IK sot.

Mbase aty eshte, s po e kujtoj tamam.une ate kam lexuar si studimin me te drejtperdrejt per eposin dhe ato dallimet qe ka cekur dikush ktu ne komente, Kadare i ka evidentuar  me mprehtesi ne ate trajtese.

Nuk diskutoj qe e ka lexu e pertyp mire sepse eshte nje reference e forter, por thjesht me ra ne sy mungesa e citimit. SHS eshte nje studjues skurpuloz dhe serioz. Ka hedhur ne botim tash se fundi nje studim per raportet e shqiptareve me hebrejt.

Ka qene edhe botim i vecante me titull "mbi eposin e kreshnikeve, qe une e mbaj mend per cudi si kopertine perkthimi ne gjermanisht

Tjeter 'teater veprimi': Klladusha. Nje lidhje interesante eshte referenca e Klladushes ne mbiemrin e 'te fortit' arberor nga Greqia e shek te XV: Korkoleid Kllada.

Av :eshte studiuesi me i mire i IK sot.

Desha me e thene edhe ket ne koment  dhe hoqa dore. Paskemi qene ne nje mendje.Studjues dhe adhurues i IK.

e fundit shtese smiley- pervec c'u tha, nje nga mendjet me te kthjellta nder studiuesë. I ze vend argumenti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).