Enklava

Enklava

Belgzim Kamberi

Megjithëse në rajon, termi enklavë mbetet ende sinonim i zonave që përkufizohen mbi kriterin e mungesës së skajshme të sigurisë; rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës paraqet fatmirësisht një përjashtim në këtë drejtim. Posaçërisht për shkak se në krahasim me kohën kur në këto hapësira zhvilloheshin konflikte të armatosura midis shqiptarëve vendor dhe forcave serbe të sigurisë, sot është përmirësuar pjesshëm niveli i sigurisë në tri komunat me shumicë shqiptare të Serbisë, edhe pse rishfaqja e incidenteve të herëpashershme ilustrojnë më së miri problematikën e pazgjidhur politike. Mirëpo, gjendja e tanishme vërteton njëkohësisht se progresi i propaganduar me vite, me aq shumë endje, nga ideatorët dhe jetësuesit e proceseve të këtushëm nuk ka mjaftuar që të mos izolohet formalisht rajoni historikisht më i pazhvilluar i vendit. As rreth tetë vjet pas nismës të së ashtuquajturit “proces të paqes”; Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mbeten pothuajse të papranueshme në proceset më të gjera rajonale. Madje, aq më keq, edhe të atyre kombëtare. Më shumë se më parë, rajoni mbetet thuajse tërësisht jashtë proceseve rajonale politike, ekonomike, kulturore, sportive shqiptare. Madje, paradoksalisht, edhe më shumë se në kohën e Millosheviqit.

Nuk nevojitet ndonjë hulumtim i thellë për të konstatuar se për momentin; shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë fare të papranishëm në jetën shoqërore të shtetit serb, por për fat të keq edhe të kombit shqiptar. Derisa në njërën hartohen projekte dhe propagandohet çdo ditë dinamizmi i integrimit të brendshëm “pan-shqiptar”; Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dezintegrohen çdo ditë e më tepër brenda kësaj hapësire. Ndonëse krijimi i rrethanave të reja të krijuara gjatë vitit 1999 në Kosovë kanë shkëputur edhe më tepër shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me strukturat politike të Prishtinës; mjerisht, kjo është përcjellur edhe me shkëputjen e pranisë së tyre në jetën shoqërore të botës shqiptare në përgjithësi. Jo edhe pa fajin e udhëheqjes së tyre institucionale; shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës integrohen sot në jetën shoqërore shqiptare kryesisht në mënyrë individuale. Ata janë praktikisht të padukshëm në evenimentet e rëndësishme “gjithëkombëtare” me karakter shkencor, kulturor, sportiv etj. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mbeten në shumicën e rasteve të “harruara” edhe nga mediat shqiptare. Me ndonjë përjashtim të mundshëm simbolik; Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk e tërheqin fare vëmendjen e redaksive në Prishtinë dhe në Tiranë, përpos kur është fjala për ngjarje që i përkasin sferës së gazetarisë protokollare, apo edhe me rastin e ngjarjeve sensacionale gazetareske. Derisa në Beograd mund t’i takosh qytetarët e rëndomtë shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vetëm para ambasadave të huaja, para institucioneve shëndetësore ose para gjykatave qendrore; në Tiranë dhe në Prishtinë vërtetë mund të takosh shqiptarë nga Lugina e Preshevës, por jo edhe vetë Luginën e Preshevës. Mbase, me vite të tëra kishim prani (in)direkte simbolike të organizatave të huaja në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; por asnjë të botës shqiptare. Mos tjetër, realiteti i tanishëm i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vërteton më së miri se politikat e integrimeve kombëtare kërkojnë një angazhim më gjithëpërfshirës dhe më dinamik të të gjithë aktorëve vendimmarrës. Kjo para së gjithash për shkak se nevojat dhe interesat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës imponojnë vetvetiu zhvillimin e këtyre raporteve edhe me hapësirat e tjera ku jetojnë shqiptarët. Fundja, ky edhe është interes i përbashkët. Prandaj, po qe se nuk ndryshon qasja; Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të vazhdojnë të mbeten të padëshiruara në veri për shkak të politikave sistematike të shtetit serb, të papranishme në jug-perëndim për shkak të amullisë së politikave kombëtare dhe të vetizoluara për shkak të paaftësive të politikave lokale. Thënë ndryshe, një enklavë e qetë në shthurje e sipër.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).