Ëndrra dhe dëshira që anullohen gjithmonë

Ëndrra dhe dëshira që anullohen gjithmonë
Ardi Stefa
Omari nga Afrika, ëndërron që të kapërcejë me not, duke pasur si mjete që ta mbajnë mbi ujë vetëm disa bidona vaji bosh, 25 kilometrat që e ndajnë nga destinacioni idela për të: Europën.
Omari, u nis nga Guinea dhe përfundoi në një qendër refugjatësh në Theuta, “tokë” spanjolle në Marok.
Po qe se ke dokumenta je në Europë. Po qe se nuk ke, është njëlloj si të mos jesh,- thotë ai.
I padukshëm...
Mesdheu. Vend idilik për turistët që lundrojnë me skafet e tyre në ujërat e kaltra. Diku më tej, gomone, ku janë stivosur si kafshët emigrantët klandestinë nga Afrika, me ëndrrat që u shpartallohen nëpër shkëmbinj.
Shumë, jashtëzakonisht shumë klandestinë mbyten. Ujërat nuk janë edhe aq të thella, por shumica nuk dinë not.
Me dhjetëra intelektualë, shoqata humanitare, politikanë dhe gazetarë flasin për një “varr masiv europian”.
Një çast deti dhe brigjet e Europës mbushen me kufoma klandestinësh. Pak më vonë deti e brigjet mbushen me dhjetëra turistë të pasur, që as e kanë idenë se ç’ka ndodhur pak më parë.
Shumica e viktimave janë të rinj e fëmijë. Nuk e dinë se ç’është jeta dhe as që do ta mësojnë ndonjëherë...
Dikush është përgjegjës për këtë situatë... Kush duhet të mbajë përgjegjësinë?...
Nuk e kam as unë përgjigjen, ndoshta kam thjesh delikatesën apo guximin që ta paraqes këtë realitet të papërgënjeshtrueshëm.
Këtë realitet që nuk e paraqesin aq qartë dhe saktë statistikat, rregullimet ligjore, protokollet, marrëveshjet dypalëshe e ndërshtetërore humbasin përpara një vështrimi, një skene me dhjetëra të mbytur, një çasti.
Po qe se pushteti politik mundet të na e ndryshojë jetën, arti i fjalës mundet të flasë në “shpirtin” tonë.
Shifrat zyrtare janë tejet mbresëlënëse (Në vitin 2007 hynë në Greqi 112.000 emigrantë klandestinë dhe u lëshuan 58.000 vendime riatdhesimi, shifra rekord këto për BE).
Në këtë dyzim mes dëshirave që anullohen gjithmonë, mes ëndrrës që gjithmonë përmbyset, në këtë luftë pa luftë..., ku të gjithë jemi ushtarë..., kush do të na çlirojë..., kush do të na nxjerrë në dritën e diellit?...
Nuk është gjë tjetër veçse një këngë që dëgjohet në filmin e fundit të Kosta Gavrasë: “Parajsë në Perëndim”. Një këngë që dëgjohet e përsëritet monotonisht nga klandestinët e këtij filmi, nga klandestinët e gjithë botës gjithmonë në kërkim, gjithmonë në dëshpërim, gjithmonë në përpjekje...
E tha me shumë çiltërsi edhe një emigrant klandestin në Patra në emisionin “Folders”: “Çfarëdo që të bëhet, unë do të iki. Nuk kam asgjë çfarë të humbas. Pas nuk mundet të kthehem. Do të shkoj përpara”.
Brenda nëpër kamionë, ndërmjet rrotave, duke u ngjitur nëpër litaerët apo zinxhirët e spirancave, duke rrëshqitur nga vaji e grasoja...
Duke humbur jetën në përpjekjen e ëndrrës, e cila nuk u realizohet ndonjëherë...
Ikin?... Një jetë tranzit...
Një jetë të tërë të “padukshëm”...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).