ELOZHI I LIBERTINIT

ELOZHI I LIBERTINIT

Franco Cuomo

Donzhuani dhe Kazanova, dy intinerare të joshjes. Kujtesa dhe miti. Alkimia, numrat dhe burgjet njerëzore. Të duash njërën është t’i bësh padrejtësi të tjerave.

Donzhuani është një joshës, Kazanova është një i joshur. Të dy përjetë. Nuk është veçse njëra prej dallimeve të mundshme të panumërta midis dy personazheve, por është një nga më elementaret, kështu që është më e dukshmja.

Është themelore, për të folur korrektësisht për libertinin, kapërcimi i këtij ekuivoku të parë të aplikuar. Kazanova – libertini – nuk është Donzhuani, Kazanova nuk ka të bëjë aspak me Donzhuanin. Kazanova dashuron – çmendurisht, në mënyrë të pariparueshme dashuron – të gjitha gratë me të cilat ka të bëjë; ndërkohë Donzhuani i përdor, pa i dashuruar, për më tepër duke i përbuzur. Kazanova do të donte të martohej me të gjitha, t’i mbante të gjitha përgjithmonë, nëse s’do të ishin ato që e braktisin; Donzhuani i ikën të gjithave, duke qenë se asnjëra nuk do ta braktiste kurrë.

Por natyrisht që ka më tepër: Donzhuani është mit, Kazanova figurë historike. Prandaj për Donzhuanin shkruhet; për Kazanovën, është Kazanova vetë që shkruan. Aventura e Donzhuanit shkon kështu tek legjenda, ajo e Kazanovës shkruhet në memoires.

Donzhuani e gjen arsyen e të qenit (në të vërtetë e gjejnë të tjerët për të) në veprimin fantastik, Kazanova ndërkohë në kronikën e veprimit, që është mosveprimi (ose jo më veprimi) ose, nëse duhet, veprimi nevojtar për dëshminë. Dhe është ai vetë që bën dëshmitarin, ashtu si kur i atribuon vetes një titull të paqenë fisnikërie. Në të dyja rastet aventurieri dëshirues për veshje shpreh në këtë mënyrë besnikërinë ndaj autoritetit – më mirë, urgjencën e tij për autoritetin – duke e recituar vetë pjesën e autoritetit, edhe kur bëhet fjalë për të dhënë dëshminë e aventurave të veta, edhe kur i duhet t’ia hedhë, ashtu siç bën Kazanova, në emër të Kavalierit di Seigalt (është vetë Kazanova që tregon pa retiçencë që lirisht ka përvetësuar tetë shkronja të zgjedhura rastësisht në alfabet (i cili s’është pronësi private e askujt) për të dhënë një titull, meqë budallallepsja e botës e kërkon një gjë të tillë) .

Përkundrazi Donzhuani është armik i autoritetit e për më tepër dhe i sjelljeve të kujdesshme: nuk është një zotëri

Donzhuani e Kazanova konsumojnë secili orgazmat e tyre nën ankth gati burokratik të regjistrimit kontabël, të paraqitjes, të miratimit në diferencë nga rezultati i marrëdhënies. Por matematikat e tyre ndryshojnë: Donzhuani mban një libër kontabël të parespektuar, Kazanova një kronikë të respektuar, e lartësuar nga hiperbola dhe nostalgjia. Kazanova është një komentues i dashurive të veta, Donzhuani është një arkivist.
Është sistematik përdorimi që secili i bën numrave: Për Donzhuanin është me interes të paraqesë sa gra ka pasur në një periudhë dhe në një vend të dhënë (“... në Spanjë tashmë janë njëmijëetre”), për Kazanovën ndërkohë sa herë ia ka dalë të kënaqë të njëjtën grua në një hark kohor të caktuar. Nuk i intereson nëse ka qenë me shtatë gra në Marsejë, i intereson t’i ketë përftuar shtatë orgazma në një natë të njëjtës grua në Marsejë. 

Ideologjia dhe historia, përtej numrave, ndajnë në mënyrë të parikuperueshme këto dy modele të kundërt (në skaje) të joshjes. Donzhuani është një kampion i Arsyes, një profet i iluminizmit; Kazanova një fantazëm e ancien régime, një burrë me respekt për normën dhe institucionin, edhe pse skandaloz në sjellje. Libertini i shtatëqindës, në fund të fundit, në diferencë me burlador-in e gjashtëqindës (El burlador de Sevilla di Tirso de Molina, 1630 është opera e parë në të cilën legjenda e Donzhuanit gjen një formë të plotë artistike), është shërbëtor besnik (dhe i dobishëm) i shtetit. Revolucioni i tij shkon nga paradhoma deri në tryezën e punës: Sade dhe Restif de la Bretonne e konfirmojnë. Vetëm në raste të rralla patetike aventura shkon deri në plumba apo në Bastijë, por pa dëme për shtetin edhe me ndonjë dëshirë letrare për protagonistët.

Për Donzhuanin aventura shkon më tutje se burgjet humane: ai sfidon Zotin.

Partia dhe ndeshja: si ta transformosh në lojë frekuentimin e rrezikshëm të pushtetit. Gratë e partisë dhe metamorfoza e tyre mashkullore. Saga e Tangentopolit.

Libertini, në raportet e tij eventuale me një parti cilado qoftë, nuk bëhet intelektuali organik. Është kaq e vërtetë saqë pavarësisht nga kompromisi me pushtetin, ai luan për të humbur. Po cilat janë këto kompromise në fund të fundit? Pushteti është për libertinin si zjarri: nëse i qëndron afër digjet, nëse largohet vdes nga i ftohti. Problemi për të është gjetja e një pozicioni të rehatshëm, i cili i siguron mjaftueshëm energji pa rrezikuar kështu dobësimin. Gjë e cila s’është dhe aq e lehtë, duke qenë se e urren anonimatin (si paplotësueshmëri) dhe kjo e vendos shpesh në kushtet e angazhimit në pozicione publike të mirëdeklaruara. Gjë të cilën e bën në mënyrë të dukshme, për vanitet apo për lehtësi, duke përfunduar kështu i përfshirë njëkohësisht në mbartjen e pasojave si humbës apo në shpëtimin prej tyre si fitues.

Partia është mashkullore, libertini nuk mund ta dojë. Dhe është mashkullore jo vetëm sepse është ndërtuar nga përdorimi dhe nga imagjinata e meshkujve, por mbi të gjitha sepse përthith në stofën e vet mashkullore dhe gratë që bëjnë pjesë në të, duke atrofizuar natyrën femërore.

Në këtë pikë qarqe të caktuara feministe kishin të drejtë: një organizëm politik i krijuar në funksion të mashkullores nuk mund “t’u hapet” grave pa shkaktuar dëme për këto të fundit. Me fjalë të tjera, një parti burrash nuk ndërron në funksion të grave; janë gratë ato të cilat përfundojnë duke u ndërruar në funksion të partisë. Siç dhe dëfton në fund të fundit mashkulloriteti mbizotërues në sjellje, në fjalosje, në veshje – e madje dukshëm edhe në aspektin fizik – të grave të partisë.

Jo rastësisht flitet për një kategori në të cilën donzhuanizmi femëror është plotësisht i përhapur.
Nëse partia është mashkullore, femërore bëhet ndeshja.

Dhe libertini e luan. Pa bërë hile, përveçse për vetëmbrojtje, atëherë kur truket e antagonistit e detyrojnë.
Loja është ndër manifestimet e gjallërisë më e vlerësuara dhe më e praktikuara nga libertini, pavarësisht nga rrethanat të cilat kushtëzojnë nisjen e ndeshjes. Domosdo, për aq sa mund t’i interesojë gjithsesi, duhet të jetë një shumë e vënë në lojë.

Familjariteti që libertini ka me lojën e bën shpesh të vështirë për t’u kuptuar, në politikë si dhe në situata të tjera, nëse po luan (e deri në ç’pikë luan) apo e ka seriozisht. Kjo së jashtmi mund të duket si përparësi për libertinin; në realitet është një komplikim, edhe pse ai vetë s’e kupton.

Dekompozimi i partive i është indiferent. Nuk u bashkua me vajtimin (të tjera janë arsyet e tij natyrale të vajtimit) e atyre që me fundin e partive paralajmëronin fundin e demokracisë. Që, ndër thonjza, meqë ekziston që nga kohët e Perikliut, do të dijë mirë t’ia dalë vetë.

Ky ka qenë shekulli i partive, siç Tetëqinda ishte i lëvizjeve nacionaliste, Shtatëqinda e qarqeve të pushtetit të intelektualëve, e kështu me radhë prapa në histori. I vetëdijshëm në mënyrë perfekte se asgjë s’mund t’i interesojë më pak se fati i partive.

Indiferenca e tij tradicionale për rrjedhat e politikës ka qenë sidoqoftë shok – shok dobiprurës, ashtu sikurse për një hakmarrje kafshërore të fuqiplotëve – nga spektakli i sagës gjykuese të thirrur në fjalorin lojcak popullor Tangentopoli.

Jo për shpirt jakobin, aq më pak për grishje moralisti – merre me mend! – është intimisht i kënaqur nga revolucioni i papërgjakur nga i cili ka derivuar (i papërgjakur deri në një farë pike, nëse marrin në konsideratë lulëzimin e vetvrasjeve, edhe pse inferior në krahasim me ç’do të kërkonte dinjiteti i të përfshirëve).

Në prirjen e saj natyrore në një plogështi të ëmbël, në fakt, tërhoqi rehati të veçantë nga konstatimi se pritja në bregun e lumit nuk është më e pasuksesshme. Nga vend i zakonshëm që ishte, ngadalësia e vjetër u transformua në një mundësi reale: nuk ka më asgjë të pamundshme në zakonin e të priturit nga rrymat e lumit përgjigjen e një ankese. Kufomat poshtë urave kalojnë tanimë pafundësisht. Valët janë bllokuar. Secilit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë gjënë e armikut të tij.
Por jo për ligësi të kulluar as për shpirtvogëlsinë e hakmarrjes. Kura e rënkimeve është e domosdoshme për libertinin duke kompesuar kështu konsumimin ekstravagant të dashurive, i cili përditshmërisht e konsumon.

Përktheu Dejona Mihali

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).