E mrekullueshmja, e përlotshmja bijë e mjerimit

E mrekullueshmja, e përlotshmja bijë e mjerimit


Arbër Zaimi

Janë disa momente të shpirtit spazmatik, përbrendja nuk ndihet rehat, e përpëlitet në thellësi të parzmit. Një lloj ankthi të kaplon kur ti e di se hallet të kanë mbuluar. Nuk ka panik në ty, sepse e di që në këtë rast asgjësend s'varet prej teje. Përkul qafën përballë mjerimit, se ndihma s'vjen prej askujt në atdheun e individit egocentrik. Gjithë qenia i dorëzohet dridhjeve të lehta, e në fakt percepton të ftohtin, po rastisi dimër. E po qe verë shoqërohet nga djersa e asfiksia. Rrotull nuk qëndron rrugëdalja, e kotë që sheh vërdallë...

Ishte 7 mars i vitit 2002. Një mësuese në një shkollë fillore të Tiranës merr dhuratën më të bukur për festën e saj. Dhuratën e mjerimit. Të palagur me lot. Por të mbështjellë me një letër të ndritshme jomateriale, me letrën shkëlqyese të atij trishtimit që nuk lejon rrugëdalje...

Ishte një fletore shkollore e prerë përgjysëm me gërshërë. Nxënësja më e mjerë e klasës (fatkeqësisht pozicionimi social përvijohet mbi kritere materiale në këtë kulturën tonë të MTV), padashje kishte bërë dhuratën më emocionuese... por emocionet atë ditë nuk shkonin në kahun e pritur ditëve të festave. Në faqen e parë të fletores së gjysmuar, një shkrim i pasigurt fëminor, paksa më i madh e më i rrumbullakosur se sa shkronjat e të rriturve, ravijëzonte konturet e çrregullta të një vjershe, një nga ato vjershat që shumë fëmijë stisin nëpër kartolina, një nga ato renditjet naive të vargjeve rimuese, dëshmuese të dashurisë të vagullt, por të fortë, të fortë, për mësuesen e parë, prindin e tretë anipse në atë lagje shpesh qëllonte që mësuesja të qe prind i dytë i nxënësve që vinin nga familje të shkatërruara (që mbanin vulën eufemike moderne të divorcit).

Pas vjershës vijonte në pak rreshta justifikimi më i bardhë e më përlotës i përbindshmërisë të padrejtësisë që është ulur këmbëkryq ndanë nesh e kudo. Nxënësja i shkruante së dashurës mësuese gjithë mirësjellje e vetëpërmbajtje të çuditshme për moshën e vet (nuk po them të admirueshme, sepse nuk jam i sigurt nëse mund të jetë e admirueshme vetëpërmbajtja). Me po të njëjtin shkrim fëminor ajo kërkonte falje. Falje sepse nuk kishte patur mundësi të kontribuonte me 300 lekë, si gjithë shokët e klasës, për t'i blerë "z'jushës" ca lule e ndonjë dhuratë 7 marsi. Falje, sepse ajo ishte shumë e varfër. Tregonte në atë fletore se kish disa vjet që familja e saj ushqehej vetëm me bukë e me qepë. Dhe shkruantë që do të kish dashur të dhuronte diçka më të bukur për mësuesen. Të paktën një kartolinë nga ato turket, me fotografi të bukura tryezash të mbushura përplot ushqimesh ëndrrore. Por ishte e mjerë, kishte vetëm fletoren e shkollës... të cilën e kish prerë përmes me gërshërë... Mësuesja u kujdes që të mos e përlotte fletoren, ashtu siç përpiqem unë të mos lag tastjerën e laptopit tim, që assesi nuk ka vlerën e fletores në fjalë. Fletorja e ruajt me kujdes, e mbërriti deri tek unë, bashkë me qindra histori të përafërta të fëmijëve të varfër... S'ka çudi që Millosh Nikolla ka qenë mësues.

Ishte viti 2002. Qeveria shqiptare e atëbotshme raportonte shifra të përmirësimit ekonomik. Opozita e kohës çirrej për varfërinë e për mungesën e standarteve të jetesës. Sot rolet qeverisëse janë ndërruar. Pozita e sotme deklamon zhvillimin... opozita e sotme bredh fshat më fshat për të gjetur mjerimin e për ta përdorur si armë politike. Ndërkohë nuk dihet se ku gjendet kjo nxënësja në fjalë... por varfëria vazhdon të qëndrojë si mjegull jashtë jetëve tona tiranoqendrore, jashtë netëve të alkoolizuara, jashtë ambienteve me ajër të kondicionuar e të filtruar, jashtë gatimeve me pomodorini e me gorgonzola, jashtë kotësisë pompoze që rrethon mediokritetin e një kombi që s'prodhon asgjë e që po ha vetveten. Varfëria është aty, stoike, monumentale.

Nesër do të jetë në pushtet opozita e sotme. Por mjerimi këmbëngulës do të jetë po aty. Nuk do të zhduket mjerimi për sa kohë që të gjithë zotërinjtë që vërvisin çelësat nëpër duar nuk do të duan ta shohin këtë monument-përbindësh të vëllimeve të frikshme. Nuk do të zhduket mjerimi me asnjë ligj lustracioni. Mjerimi ka shekuj aty, tashmë është ngulitur në ndërgjegjjet e njerëzve. E ligje lustracioni të ndërgjegjes nuk mund të bëhen... Do të vijë dita që ndërgjegjja e mjerimit do të dalë prej letargjisë e mpirjes, ku po e mbajnë artificialisht nëpërmjet metodave të dobësimit të trupit e të mendjes. Dhe nuk do të ketë më kohë për marketing politik, nuk do të ketë më kohë për të dalë tej të majtës e të djathtës, nuk do të ketë më kohë për të llogaritur përkthimin në vota të shtresave të papërfaqësuara. Medoemos do të vijë dita që mjerimi do të zgjohet. Dhe do të ketë vetëm tre fjalë për t'u thënë atyre për të cilët Varfëria ishte thjesht klient, shifër statistikore, e grafikuar nëpër sondazhe a vota...

10 Komente

Pershendetje Sol,

Ne te vertete eshte nje turme, te nderkryerish primitive, ketu tek peshku... e cila  po me ben te mos kem me deshire ta hap kete faqe, por ky shkrim i yti, ta them me sinqeritet qe me beri te lotoj, dhe me pelqen shume kjo ndjeshmeria jote neper keto tema, shume fisnike... sikur te ishin me shume zera si ky i yti, i dashur Sol... ne vend qe te hidheshin ne zjarr e ne flake me fotografine e "xhaxhit" apo  te "sales"...

 

Sol: Dhe do të ketë vetëm tre fjalë për t'u thënë atyre për të cilët Varfëria ishte thjesht klient, shifër statistikore, e grafikuar nëpër sondazhe a vota...

S na i the kto tre fjale qe do trondisin boten o Sol dhe te qetsohej mileti se sa per ndjeshmerine ndaj varferise mos prit asgje.smiley Mjerimi prodhon letargji dhe pershtatje dhe nuk ka gjasa te vije ndonje revolucion me frymezime marksiste. E shumta ndonje greve urije per ...ca  dollare me shume.smiley

 

Te ruante karakterin e tregimit te lloit Migjenian ...do te kishte nje kuptim tjeter ,shume here me te larte se sa keshtu i zhytur ne "lote mjerimi politik".Prurje cilesore dhe per me teper IDE CILESORE.

nuk jane fjalet qe trondisin boten, po fjalet shprehin ndjenjen qe krijohet brenda te perbuzurit... mendo per ca formula trefjaleshe ne shqip, nuk jane dhe aq shume

Eshte shume e dhimbshme. E te mendosh qe alarmohemi e stresohemi perdite per nje mije gjera te pavlera nderkohe qe mjerimi lulezon mes njomecakeve. E tmerrshme: mjerimi i njomecakeve.

pjesa entuziasmuese ne kete histori qe qe pasi u mor vesh ngjarja (prej nje artikulli ne gazete) shume pensioniste shkuan e dhuruan nga nje 500 leksh per vajzen e familjen e saj. U mblodhen nja 15000 leke. Pra ka solidaritet ende ne kete shoqeri.

Pjesa zhgenjyese ishte fakti qe te rinjte nuk e rrujten si zakonisht, dhe shteti as qe diskutohet qe ndjek veprat e te rinjve, te cilet perfaqesojne te arthmen

Nje dite do ta rruaj dhe shteti o kapedan dhe atehere do te behet shqiperia.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).