E bukura jonë, Kryeprokurore!

    E bukura jonë, Kryeprokurore!

    Anjeza Doko

    Duke pare nje periodike, seç më zuri syri një modele në faqe të parë. Dhe meqë çështjet e modës janë përherë me interesante, i hodha nje sy. Zonja që po kundroja kishte një kostum, o zot sa shik, qe i rrinte puthitur pas trupit në mënyrë të përsorur, kombinuar me një rrip fantastik, nga ata qe s’mund te kushtojne me pak se 600 euro, (të tille mund t’i gjesh shume më lirë po të kërkosh tek tregu i sendeve të përdorura) dhe nje këmishë, me siguri Ralph Lauren, tepër klas. Shikimi pak majtas, dora mbështetur në një parvaz shkujdesur dhe xhaketa e hapur disa qindra dollareshe qe i tregonin linjat super seksi. Ajo ishte një femër tërë klas. Por pasi kundrova fotografinë, që të lodhin me pak se sa leximi, për habinë time mora vesh qe kjo femër ishte Kryeprokurorja. Ec aty, thashë, kësaj i thonë emancipim shoqëror, kjo po që ia ka dale mbane!

    Po mendoja që një femër kaq e këndshme, tërë sharm, plot delikatese dhe shije e cila rrezaton brishtesi, e në të njëjtën kohë ka arritur majat e një pushteti i cili ndan hesapet se kush është ligji e kush është kundërligji, duhet patjetër të jëtë shëmbulli im. E fjeta mendjen.

    Epo gazeta ka shume faqe dhe s’ka si të të shpëtojë i përhershmi, burri me nënqeshje. Burri (të lutem këtu duhet mëshuar "rr" me detyrim) sec ka nje qëndrim prej “ca gjera s’janë për tu ditur” në një samit diku. Po flas për Kryeministrin, i cili ka kaq shije në zgjedhjet e tij. Pse thoni ju? Po ja shihni si zgjodhji kryeprokuroren tonë është një kandidate fantastike për spektakle highclass rrezatimi bukurie, shihni si zgjodhi ministrin e jashtëm, për të cilin të gjithë thonë se i ka këputur kokën Enver Hoxhes, një dandy i vërtetë.

    Sikur të mos kisha dëgjuar diku se ka burra te tillë që e kanë për detyrë t’u gjuajnë në fytyrë grave të tyre (cështje modestie burrërore them unë) do të kishta thënë që edhe ky zotni burrë merr shumë vesh nga moda. Po flasim për modën, se ç’mund të thojë më shumë një vajzë xhanëm!!! Gjithsesi, diku më vjen një ide se edhe vetë demokracia është një farë mode, haute couture. Dhe është e çuditshme se sa e ndjek modën njerëzia. Jam e sigurt qe sex appeal i një diktatori jo shumë të largët i mishëruar tek një bukurosh publik, doja të thoja person publik , ngjall një ndjenjë të pavetëdijshme si një mallëngjim rinie më tepër se irritim ekzistencial kur e shikojnë.

      Ateherë, më pëlqen zonja Kryeprokurore, me siguri që ajo pi cajra bimorë për lëkurën dhe tretjen, flet më zë të ulët në rrethe sociale ekskluzive dhe di të tregohet mjaftueshëm e turpshme, tamam një zonjë sallonesh. Më vjen pak keq për të, kur mendoj zotërinjtë me pika alkooli në rroba e njolla pushteti në tru, bashkëpunëtorët, kolegët nënkuptoj, që nuk mund të mos e admirojnë sepse edhe nga fotografia mund të imagjinosh parfumin e saj delikat. Jo më kot thashë që burri që qesh me vete ka shije sallonesh.

      U tha që kryeprokuroja jonë ështe një Silvia Konti për mafian shqiptare. Nga këndvështrimi i modës, s'do ta gjuaja ashtu aspak. Silva ishte tepër e pambajtur, qethur shkurt e vështronte paturp, bënte lëvizje të papërmbajtshme dhe jo të një zonje sic i ka hije kësaj kryeprokuroreje. Kishte nje kokë të sajën ajo dhe u kthehej njerëzve pa frikën se kishte hundën e pudrosur apo të kuqin e faqeve aq sa duhej. Ah, ndërsa kryeprokurorja jonë është një miss i vertetë! Kavjar, shampanjë, Cavalli, Versace, takt dhe klas dhe pak pudër tek hunda! Apo jo? Unë e votoj për vete. Ku ta dërgoj sms-në?

    3 Komente

    Duke pare nje periodike.

     

    C'eshte kjo periodik?

    Ne c'fare gjuhe eshte mare, se ne shqip i thon reviste ne s'gaboje!

    Etmond,

    Periodik, në shqip mund ta quash të përjavshme, të përdyjavshme, të përmuajshme - pse jo edhe të përditshme. Veç jo të përmjerë.

    I thone ne shqiperi reviste, po nuk i thone ne shqip se do na duhet dhe te na shpiegosh se dhe cfare do te thote pastaj etmondsmiley

    Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).