DUSHKU I MESËM

DUSHKU I MESËM

Erion Kristo

Ka një shprehje populli shqiptar që përdoret në rastet kur gënjeshtra fiton dhe gjërat marrin për kot: dushk për gogla. A e patën parasysh politikanët tanë këtë, kur më 2001 shpikën Dushkun e vogël, në 2005 Dushkun e madh, dhe në 2009 Dushkun e mesëm, është diçka e parëndësishme. Kjo vlen vetëm për filologët, sidomos për mbledhësit e trashëgimisë gojore. Ajo çka vlen të theksohet nuk është profecia e popullit, që e parashikoi me saktësi se çfarë deformimi do të sillte përdorimi i dushkut në politikë, pra një politikë goglash: pjellje e një presidenti konsensual, të mallkuar nga ata që e pollën, një qeverisje e furgon-partive që shkaktuan katastrofa, dhe në fund një qeverisje e të dy krahëve politikë njëherazi, si eksperimenti më modern i demokracisë shqiptare. Nga kjo e fundit nuk kemi përse të çuditemi: le të kujtojmë ato ditët kur në qiell ka edhe hënë edhe diell. Ajo çka vërtet vlen të theksohet është se Dushku i ezauroi mundësitë e tij. Nuk mund të ketë më asnjë lloj Dushku tjetër. Por si te filmi “Rrugicat që kërkonin diell”, ku personazhi kryesor flet për qymyrin: “ka dushk dhe shkozë”... “po shqopë”... “është një copë”. Kjo do të thotë se çudirat e qymyr-politikës do të vazhdojnë, po në dimensione të tjera. Kjo e Dushkut mbaroi.

Po le ta marrim shtruar dhe ta fillojmë që nga 2001. Në komunën e Dushkut në Lushnje për shkak të raundit të dytë të zgjedhjeve, nga një zonë e vetme elektorale, dolën një dynja me deputetë virtualë, si dosa pjellore që e mbush vendin me gica, që bëhen derra. Partitë e vogla kaluan pragun elektoral dhe kështu u bënë pjesë e qeverisjes së vendit. Problemi nuk qëndron pse këto parti u bënë pjesë e mazhorancës, sepse është e shëndetshme që në një demokraci të brishtë, punët të mos jenë vetëm në dorën e dy njerëzve, të cilët sado demokratë, të fuqishëm e punëtorë të jenë, përsëri janë pak për fatet e vendit. Në këtë mes, prania e të vegjëlve është një lloj amortizimi i vyer. Por ky amortizim duhej të vinte si rezultat i lojës politike, si rezultat i peshës elektorale, si rezultat i rregullave, dhe jo si rezultat i prapaskenës politike, i pangopësisë personale, dhe i lojërave të dyshimta me pushtetin, ku duhet patjetër t’i gjendet vendi njeriut dhe jo njeriu vendit. Në fund të kalkulimeve, që ishin të sakta për aq pak dëshira sa kishin ata që kishin pushtetin, abuzimi e çoi procesin në një drejtim të papandyer. U gjet dikush që mund të ishte në detyrë dhe që rroga të mos mbetej pa marrë. Këtij personi iu dha një titull i madh: President konsensual. Sapo u vu, u shigjetua, ndërsa fjala më e saktë do të ishte: u kidnapua (shqiptarët e Kosovës e përdorin shumë si fjalë). Gjithë lufta paraprake e atyre që ishin shumicë iku dëm dhe gjithë lufta e atyre që ishin pakicë iku dëm. Nuk mund të themi me siguri nëse edhe produkti i tyre gazmor iku dëm. Ka disa merita që i njihen, madje marrin pamjen e virtytit. Por ata që bënë lojën, nuk e shpallën veten krenarë për lojën, madje kërkuan falje publike.
Ishin pikërisht të njëjtat orekse vigane të njerëzve të pushtetit që prodhuan të njëjtën skemë manipulimi për 2005. Tanimë politika nuk kishte më as nevojën për të pasur mbështetjen e elektoratit. Kjo mbështetje duhej manipuluar në thelb. Le ta bëjmë në shkallë globale atë që bëmë në shkallë lokale, pra le ta shtrijmë “jorganin sa kemi këmbët”. Dhe Çudia vazhdoi. Partitë e vockla morën vota më shumë se sa partitë e mëdha, një pakuptimësi tjetër e demokracisë tonë, e bekuar nga të gjitha palët. Po edhe kësaj here llogaritë u bënë gabim. Për një keqkalkulim, e djathta me më pak vota mori më shumë deputetë. E majta kreu harakiri të pjesshëm, dhe e djathta erdhi në pushtet. A u shit pushteti? Është e qartë që pati diçka të paqartë në këtë mes, që u sqarua kur dy armiqtë më të mëdhenj politikë të tranzicionit, dolën në krah të njëri-tjetrit në 2007 dhe në zgjedhjen e Presidentit të ri. Atëherë u kuptua se përse e kishte fjalën lideri kryesor i së majtës kur fliste për liderin kryesor të së djathtës si investimin e vet më të madh. A do të jetë investimi i frytshëm? Kjo nuk dihet, dihet vetëm harxhimi. Dhe përsëri triumfoi ideja: pak vota-shumë pushtet. Të vegjlit përsëri bënë hatanë, hodhën në erë dynjanë.

Dhe mbërritëm te pjesa e fundit e triptikut, te ajo më interesantja. Manipulimi ishte më i bukur. Ai u bë përgjithësisht jashtë qendrave të votimit dhe pjesërisht në qendrat e votimit. Të mëdhenjtë hëngrën tagjinë e të vegjëlve, madje i prenë në besë. I lanë pa brekë fare. Dhe risia erdhi. Nga parlamenti ikën dragonjtë dhe erdhën langonjtë. Gjene mirë u bë, muzika mbeti po ajo. Dhe një çudi më e madhe se kjo ndodhi. U përzien verërat: verë e kuqe me verë të bardhë që solli në pushtet një çudi të re: të djathtamajtën. A mund të quhet kjo një arritje e demokracisë apo një shtrembërim i saj, le ta gjykojë vetë gjithkush. Një gjë është e sigurt, prapë llogaritë u bënë gabim, dhe prapë pati shtrembërim, pra Dushk. Dushku në të vërtetë është shtrembërim jo thjesht i vullnetit të elektoratit, por klanizim i pushteti: një pushtet i pabazuar në votë, por në shitblerje të lirë të interesave të elektoratit. Dhe produkti i Dushkut të mesëm është edhe më interesant: 2.85 % e përfaqësuesve të popullit mbajnë 20 % të pushtetit, ose 5.4 % e mazhorancës gëzon 20% të pushtetit. A është vërtet kaq? Nuk e dimë me saktësi, askush nuk e di, askush nuk di asgjë. Shkurt, Dushk e çfarë Dushkut.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).