Duke sjellë një nuse

Sijinxhinjtë po ktheheshin me nusen mbi pelën e bardhë. Sapo lanë fshatin e saj me ajrin e fitores, me zjarminë e rrëmbimit. Mbi mëndafshin e kuq të nuses së re era përndizte vazhdimisht një prush si fërgëllimë. Ngjyra e kuqe trembte xhindet. Se xhindet dhe nusja janë bashkudhëtarë. Pa nusen xhindet rrinë diku larg, ndërsa me praninë e saj, çdo gur e shkëmb ndanë udhës shndërrohet në një mundësi shejtani. Dekor drame. Gjithçka bëhej më e rrezikshme nga ajo femër e drojtur mes truprojës së burrave nga fisi i dhëndrrit.
Krushku i parë i ngjante një gjenerali. Një gjeneral me tuje daje. Edhe dy krushkolonelët anash dalloheshin qartë. Me nishan’ e xhufka xhaxhallarësh. Shpura solemne nxirrte shkëndija nën patkonj.
Kishin rrugë të gjatë për të bërë dhe bishtat e kuajve shpërndanin nervozizëm. Ktheheshin nga “stambolli”, që e kishin pushtuar; ngarkuar me plaçkë paje dhe me një “stambollije” në mes, e vetmja gjë e huaj satinore në atë masë të shajaktë me ashpërsi leshi, djerse dhe patkonjsh.
Beteja e parë, ajo në shtëpinë e nuses, quhej si e fituar. Mejdan zgjuarsie krushkore, ku tehet e mprehtësive të fjalëve vetëtinin rrezikshëm. Strategji bejtesh, krahmarrje romuzesh, dredhi mendimesh të shpejta, kundërsulme rimash. Çupa jonë sa e mirë, djali juaj kec i shtirë. Sulmi nga pala tjetër kish filluar ballor. Dhe blegtoral. Kundërpërgjegja e shpejtë, pa mëdyshje, me gjylet e rimave që stërpiknin mollëzat rakimbajtëse dhe mustaqet mishrabluajtëse: u erdh fati e s’e dini, djalën tonë hak s’e kini. Si çdo luftë, edhe dëshmori nuk kish munguar, Pertefi lumëmadhi që e dehën me raki, iu vunë me dollira, me detyrim pije me fund, të kam gjetur, për këtë e për atë, me fund, me fund, kjo është e dajos së tretë, e baxhanakut të katërt, është burrë i nderuar, skalione pa fund gotash të vogla si ushtarë të panjohur, derisa rakija ishte bërë citoplazmike dhe krushku me karshillëk mburrapirës ishte vënë përfund, gati pa ndjenja, me baluke dëshmori rënë mbi postiqe.
Rruga për në fshat të dhëndrrit ishte e gjatë. Kjo nuse ishte marrë larg. Krushqitë e largëta ishin të mbarsura me rreziqe dhe bukuri. Që në kohë të Kostandinit. Diç të shtyn të marrësh nuse larg, në anë të dynjasë. Vlerat e nuses janë të nënkuptuara. Dëshira e dhëndrrit gjithashtu. Por edhe rreziku shtohet me çdo kilometër. Bukuria nuk duhet vetëm të vuajë, siç thënkëshin gjermanët, por edhe të jetë e rrezikuar. Ndryshe ç’u kuptua që është bukuri.
Dhe kështu, vende e rripa që në të ardhur kishin qenë vetëm rastësi terreni, tani në të kthyer, me nusen në mes tyre, me trëndafilin fletë fletë përmbyllur nga çitjanet si burbuqja nga nënpetlat, bëheshin befas me rrezik, të mbarsura me dyshim. Gëmushat diçka fshihnin, shkëmbinjtë ishin kreshpërime pritash, fjala dyfek rrinte varur në çdo degë shqope dhe mareje. Askush s’do e shpjegonte saktë pse. Por çdokush e dinte shkakun. Ishte ajo me mëndafsh të kuq e jelek flori, prush përfund e shkëndija përlart, magnet për gjithë plumbat e maliherët e sherret e gjithë kohrave që në krye të herës.

Një kalorës mbiu befas nga asgjëja dhe ndali pranë dajës. Diçka folën, dukej që ishte e rëndësishme. Pastaj kalorësi u zhduk si erdhi, e përpiu mosgjëja. Fytyra e dajës dëftente alarm të fshehur. Kalorësi e kish njoftuar që diku përpara u kishin zënë pritë. Pothuajse dihej. Një hasmëri e vjetër me fshatin Havaleas. Pati një këshillim të shkurtër. Pastaj daja mori vendim. Do i biem nga Qenasi!

~o~o~o~o~o~o~o~

Ata që kishin zënë pritë në të hyrë të Havaleasit nuk u mor vesh se cilët qenë. Daja i ishte i heshtur si pus.
Sytë e gjithë shpurës panë Gjolikun me qortim, atë me hasmër nga Havaleasi. Gjoliku s’dinte ç’të thosh. U tërhoq në fund të shpurës, aty ku kalëronte Pertefi ende i helmuar nga rakia e djeshme. Ajo hasmëri kishte hije të keqe, pasi qe për shkak të një femre që Gjoliku kish ngacmuar te burimi i Havaleasit. Vajza kish shtënë çik e para, sipas tij, me ca isharete që s’thuhen, por kuptohen. Pastaj atje te burimi ku ai i kish folur, kish kaluar një i afërt i vajzës, e cila kishte bërë të paditurën. Sikur Gjoliku po i binte më qafë. Krisi sherri sakaq, të cilin e fitoi Gjoliku që e vuri poshtë atë tjetrin. Por që nga ajo kohë ai i ruhej Havaleasit. Ai ishte “me hasëm”, dhe kjo ishte njëlloj si të kishte një sëmundje. Duhet të ruhej. Në çdo gjë që bënte Gjoliku, do futej se s’bën Havaleasi. Do shkonte në një davet a gosti? Do shihte një herë a kish aty ndonjë nga “ata”. Do vente në pazar të shtunën? Po ashtu. Do shkonte të enjteve në dasma sidozot edhe tani, do mblidhej në shesh të fshatit të xhumanë e muslimanëve a të dielën e kaurëve? Prapë do shikonte për havalenë një herë, që mos u gjendshin në dynja as femër, as burim!
Në fakt e vërteta qe ndryshe. Pusinë e kishte zënë një djalë nga fshati i nuses me tarafin e vet, të gjithë djemuri sapo dirsur mustaqja. I pat rënë në kokë atij për nusen-vajzë, ja atë ja rash’ e vdiqa. Nuk e dinte njeri si e qysh e sa qenë pleksur, por llafi ishte që edhe ajo donte. Jo se kishte patur gjë të madhe mes të dyve, jo, shumë shumë dy llafe ndërruar, ashtu nxitimthi, tek burimet e bekuar, ku çdo kush mund të ndalonte pa rënë shumë në sy. Curril’ i burimit ishte dëshmitari i vetëm i atyre dy llafeve, dhe ai curril ishte gjëja më e pagojë në botë. Rridhte njësoj sikur s’shihte asgjë. Sikur s’dëgjonte ato fjalitë e thjeshta fare, të zhveshura nga gjithë fjalët e tepërta si drurët në dhjetor. Fjalë që flisnin gjithë të pafolurat qysh nga ai shikimi i parë ngulur si grep në sytë e shoshoqit në kushedi ç’rast që i pat sjellë përballë, si dhe gjithë heshtjen dhe pamundësinë që do vijonte më pas, deri ndoshta herën tjetër te burimi, me currilin asgjëditës dhe me shtambat grykëzëna. Dashuri me dy llafe këmbyer, fermentuar në vetminë dhe largësinë baritore, me parvaz, gjergjef dhe avull dritareje që fshihet për të parë përjashta. A s’janë njerëzit si bute me bërsi? Nga dikush del uthull, nga dikush verë e dobët e nga dikush raki sevdaje që djeg marazit. Që pihet ndezur me flakë blu! Dy llafe që duhej të përmbanin edhe pohim dashurie, edhe premtim, marrëveshje shtetërore, noter, gazmime e zhgënjime e njohje të tjetrit më mirë se të vetes tënde, gërshet që varet nga dritarja e katit të dytë, gjithfarë rigonesh e majdanozesh në lëndinën poshtë që shkeleshin nga hapa dashnori e që binin kështu theror për dashuri.
Kur u mor vesh për fejesën në një fshat aq të largët të saj, atij djaloshit i ra mali i fshatit në kokë. U ndie pa shkak i tradhëtuar. Nga të gjithë. Edhe nga ajo. Nga ajo më pak, por prapë, gjithësesi... Natë për natë ngjitej në mal dhe shkëpuste gurë të mëdhenj e i rrokulliste përposhte gjithë tërsëllëmë. Për protestë. Malin që i ra mbi kokë, donte me sa dukej t’ua hidhte në kokë të gjithëve. Zhurma e gurëve që binin dëgjohej e frikshme nëpër natë dhe njerëzit tundnin kokën me shqetësim, Allah-Allah! Ca thoshin që ai endej malit si egërsirë, por kjo s’ishte e vërtetë. Ditën e shihje normal rrugëve të fshatit, jepte xhuvap, dridhte cigare, sikur s’kish ndodhur asgjë. Gurët i hidhte vërtet larg, por kush siguronte që një ditë atij të krisurit nuk do i mbushej mendja ti vërviste drejt e mbi fshat, krisëm! Ose mbi udhë, xhanëm. Vajza dëgjonte natën oshëtimën e gurëve-shkëmbinj që copëtonin terrin si një xham të madh të zi në njëqind copëra të mprehta që nguleshin gjithandej. Ai djali i kishte pëlqyer qysh në fillim, por tani me këta gurët, ishte bërë heroi i netëve vajzërishte, që po mbaronin aq shpejt, se ditë e dasmës po afronte. Hynte e dilte nëpër shtëpi dhe kuisja e dyerve i ngjante gjithnjë e më shpesh me një angullimë. Gjithnjë e më të zgjatur. Shtrydhje ndryshqesh të vjetër që donin të nxirrnin lot balte, por s’mundnin. Oshëtimë e gurëve vazhdonte. S’kish kush e ndalte djalin, mali ishte pronë e fshatit; pastaj ai një natë i hidhte gurët këtu e një natë atje. Mali ishte i madh. Nuk mbaronte, ashtu si pezmi i tij. Kjo sevda e djalërisë, kjo sevda, tund themelet e shtëpisë, kjo sevda. Po tundte malin, ç’ish e vërteta.

~o~o~o~o~o~o~o~

Qenasi u shqua që larg si një fasho e hirtë mbi brinjë të plagosur mali. Deri atë çast daja prijës kishte ecur si mbi gjemba, ngaqë i behej se nga mali do iu rrëzohej ndonjë ortek gurësh mbi krye. Kasollet e para u shfaqën pas pak. Të heshtura, të ulëta, të kërrusura nën peshën e rrasave të gurit mbi çati. Në fshat të panjohur heshtja është pabesi. Ca hapa që s’u dalluan qartë në ishin prej kafshe a njeriu, ishin e vetmja grisje e qetësisë, që e shtoi edhe më shumë shkretinë. Periferi e Qenasit me kasollet e mbyllura; shenjë jo e mirë. Megjithatë kuajt vazhduan rrugën. Ata e ndjejnë rrezikun të parët. Lagjia e kreut u shfaq paritur prapa një kthese të fortë. Një qen zu të lihte befas me kërcënim. Lehja ndërpritej nga një hungërrimë më e frikshme se lehja. Hungërima ishte si gurgull që mbushte rezervuarët e lehjes, të cilët me pas shpërthenin si përrenj vjeshte. Kuajt e sijinxhive u trembën. Qeni arriti gardhin më të afërt dhe përmes çarjeve vetëtinë qartë dhëmbët e bardhë. Ishte një qen i egërsuar. I lënë, sipas çdo gjase, me javë pa ngrënë në një gropë me grykë të mbyllur. Një qen që urrente gjithë botën. Me sytë ngjyrë vreri, një e verdhë e vrarë nga e murrmja, si përzjerje helmi. Shpura ecte syçelët, duke parë përpara; mos e shih qenin në sy që të mos sulmojë. Por mospërfillja nuk bënte fajde, qeni dukej sikur tërbohej më shumë nga kjo. Nuk ishin hormonet e frikës që ai, siç thoshin, nuhaste. Ai merrte erën e shpërfilljes dhe kjo e tërbonte edhe më keq. Të mos e shihje me sy dhe të mos i përgjigjeshe lehjes, me sa duket ai e merrte për frikë dhe droje. Apo mospërfillja dhe frika kanë erë të ngjashme dhe shkaktojnë të njëjtin ngacmim në ndjesi qensh?
U pa qartë se qenin më shumë e ngacmonte pela e bardhë e nuses, me të cilën ecte paralel pas gardhit. Dhe në çdo të çarë gardhi nxirrte dhëmbët hungërritës. Vrimat e gardhit dhe goja e qenit s’mbyllen kurrë, mendoi Gjoliku. Ai gardh ishte një qenie e gjallë shumëgojëshe, me dhëmbë kaninë, tamam një gardh shqyes.
Një drithërimë përshkoi vertebrat e shpurës nusesjellëse; qeni ishte i rrezikshëm pa qenë Njeri – gardhi po epej nën forcën goditëse të tij. Të vrisje një qen, ndërkaq, ishte po aq e rëndë sa të vrisje një njeri. Gjysmat e hasmërirave ishin për vrasje qensh, dhe ata sapo iu shmangën njërës e s’kishin nevojë për një të dytë. Sa e vështirë është të merresh me një qen!
Ai i lihte dukshëm të bardhës së pelës nusembajtëse, të kuqes së çitjaneve dhe floririt rrezëllitës të bustit nusëror. Megjithëse qentë, siç thonë, nuk arrijnë ti shohin dot ngjyrat!
Dikur ai gardh mbaroi dhe shpura sikur u lehtësua. Patkonjtë trokëllitën ndryshe, zhurma e tyre përplasej në muret e disa shtëpive me gur që ishin ndanë udhës. Nja dy fëmijë, dy koka të qethura zero, dy koka e sy të rrumbullt, u shfaqën pas një qoshi dhe u zhdukën sakaq. Fëmijët e Qenasit; në supet e nuses drita sikur u dendësua e rrodhi poshtë si ujëvarë. Vithet e pelës nusembajtëse u bymyen befas dhe një mëz imagjinar filloi të vraponte rreth, edhe ai i bardhë, pothuaj aq fantazmagorik dhe i tyltë sa njëbrirëshi. Kali i Gjolikut hingëlliu. Pertefi pati përmendjen e parë në formë lemze. Jeta sikur u kujtua, e bardhë si një petal’ e njomë që era e hedh mbi baltë. Sheshi i fshatit i shkretë – vetëm dy pleq ulur aty me siguri ç’prej dhjetëra vjetësh, të mumifikuar mbi dy stola druri, të prangosur me tespie, të balsamosur me heshtje pleqërishte. Nuk lëvizën kur shpura u kaloi pranë, por u kuptua që panë me vëmendje. Ku i ka njerëzit ky fshat? i vetëtiu në mend Gjolikut, pasi qendra me dy pleq mbeti pas. Dy kokat e fëmijëve u dukën prapë, të prapa, prapa murit. Thanë nja dy fjalë të ndyra dhe u zhdukën. E qeshura e tyre edhe pse nuk u dëgjua, ishte shumë e qartë. Kjo u përsërit dhe qejfi sharës i fëmijëve kokëqethur shtohej pas çdo here. Lumturi fëminore, por e ligë. Fjalët “qifsha” dhe “mut” mbesnin varur si pastërma të thara prej kohësh në trarë pullazesh edhe pasi fëmijët zhdukeshin. Stërkalat e sharjeve sidoqoftë rridhnin mbi pendët e nuses dhe të pelës së bardhë si mbi një mjellmë.
Ky fshat s’mbaron kurrë, apo më duket mua kështu, tha Gjoliku me vete.
Perifieria dalëse filloi me një gardh tjetër ndanë udhës. Qeni s’vonoi. Kishte lehje tjetër, më të shkurtër, më të prerë, një dialekt qensh që ngjante më vulgar. Por Gjoliku qe gati të vinte bast se ishte i njëjti, si tek gardhi i parë. Veç me lehjen e përshtatur në gardh të ri. Vezullimi i dhëmbëve ishte aq i ngjashëm! Një gojë mund të ndërrojë dialekte, por dhëmbët mbeten po ata. A kanë zot këta qen? A ka njerëz ky vend?
Nuk kaloi shumë dhe një tjetër lehës, diku larg, u përgjegj me një lehje të zgjatur, version i ergërsuar i kuisjes. Edhe pse afër qenit të dytë nuk po kalonte asnjë shpurë me krushq e protokrushk, ai ishte gjithaq i egër, i fyer, i lënduar në shprehjen e zemërimit të vet. Në solidaritetin e vet të marrë, në besnikërinë e zhveshur nga arsyeja. Zëri i dytë i zemëratës, sa i njënjëshëm, aq dhe anonim. Dyzërshit shpejt iu bashkua një i tretë, nga tjetër drejtim, pastaj një i katërt, i pestë... berihaj pandemik me viruse të vërsulur nëpër erë, misionarë pa qëllim, me një inat të përbashkët ndaj qiellit, një lloj alergjie ndaj reve. Në të dalë të Qenasit sijinxhive iu duk se po dilnin nga barku i një lehnaje.

~o~o~o~o~o~o~o~

Pas disa orësh, rruga më në fund bigëzohej dhe njëri krah i saj të çonte drejt krahinës së tyre. Tjetri futej thellë në nahijen Harbutas, disa fshatra të së cilës shquheshin që nga aty, edhe pse dobët, ngaqë përziheshin me ngjyrën e ngjashme të shkëmbinjve. Gjoliku si pak më i bredhur, i përcaktonte duke ia dëftyer me gisht Pertefit, që nuk shikonte gjë gjithësesi: ai në të majtë është Qelbësi, pastaj Çakallasi, Qelepirdhësi, Dushku, Shushunjasi...
Shpura mori rrugën për në krahinën e tyre, të cilën e ndante nga Harbutasi përroi i Tersit. Më e madhja kish kaluar ndërkaq, në pritë s’kishin rënë, nusja po vinte sagllam, si princeshë, e dhëndërri si princ. Mbi supet e dajës prijës po bëheshin gati të mbinin dy tuje të reja. Po mugullonin qysh tani mbi klavikula, nën rripin e maliherit grek. Sa të kalonin dhe urën e Fodullasit mbi përroin e Tersit, dhe zëre se ishin në shtëpi, ku i prisnin, me dyfekët mbushur, gati t’i zbraznin në ajër për haìr, harè e myzhdè!
Ura ishte e ngushtë, por e fortë. Askush s’e dinte kur ish ndërtuar, dukej sikur ishte pjesë e terrenit, bashkonte brigjet e Tersit qysh në krye të herës.
Nga bregu matanë u shqua një shpurë tjetër. Si të ishte reflektim i sijinxhive. Edhe ata një masë shajaku e murrme mbi kuaj të kuqërremtë me bishta të zinj nervozë, tyta maliherësh si degë shqopash thyer mbi shpatulla, dhe në mes një pelë e bardhë, si rè e piksur, që mbartte një mëndafsh fërgëllues ngjyrë prushi e ca shkëndija ari mbi të, mu aty ku duhej të ishte gjoksi, jeleku i ngushtë ndënë sqetull, që iu thafshin kush e ka qepur, e mu aty ku duhej të ishte ballët me sedefe.... Sijinxhinj të tjerë që vinin nga krahina e tyre e ndoshta shkonin në Havaleas. Stinë dasmash, gjithësi paralele krushqish e nusesh që vejevinin si kometa.
Barazlargësia nga ura e të dy shpurave që po i aviteshin njëra tjetrës sa vinte e bëhej më e qartë. Dy gjeneralë, të dy dajllarë, të dy me tuje, katër krushkolonelet, të katër me xhufka xhajash... dy Pertefë të dehur, dëshmorë të rakisë burrërishte... ky ishte një shëmbëllim i frikshëm si mbi një rrafsh pasqyrues, pingultaz Tersit. Aty mbi urë, dy grupet binjake do bëheshin një, bota do theqafej në pikë singulare, dy nuse që sipas zakonit duhej t’i jepnin ëmbëlsira njëra tjetrës për mbarësi, do bëheshin një, dy dajallarët do përplaseshin në një dajë, dy krushkrenaritë do bëheshin një, e nga kjo përplasje, tjetra do binte theror! Theror për çfarë, askush nuk ish në gjendje t’a thosh, por rëndësi kish fakti i qenies theror. Dëshmorë që dëshmonin përkushtim e përkatësi! Të dëshmuarit ishte njëlloj me të rrëfyerit, e në këto anë gjysëm të thata me ullinj e toka gëlqerore që bënin rrush të pakët, por të ëmbël mjaltë, të rrëfyerit ishte zanàt edhe më i vjetër se ai më i vjetri fare, dhe rrëfimtarët ishin me patjetër të verbër! Dëshira për vetflijim rritej me afrimin e urës, që po bëhej tani si përmesore e shejtanit. Asnjë nga shpurat nuk i hapte udhë tjetrës, asnjëra nuk ngadalësonte hapin që tjetra të kalonte e para mbi urë, të dyja dërgatat po sillnin nuse, femër, riprodhim, mejozë, gjysma kromozomesh që përjetësonin fise, bëma, të skalitura nëpër baza purike e pirimidike të femrës nga fisi i huaj, dru lisi ku gdhendeshin krenari numizmatike të vjetra sa bota! Ç’mund të (k)ishte më sublime se kjo? Çdo gjë zhbëhej e asgjësohej para kësaj!
Ballet e shpurave trokuan njëkohësisht në dy skajet e urës. Secila po avitej sikur para kish veç boshllëk e asgjë tjetër. Dy nuset kishin ngrirë si moskuptime të kuq në mes të shajakut të verbër. Ajo që pasoi ishte një përplasje arkeopteriksësh, pa kuptim, pa urrejtje të njëmendtë, domethënë me urrejtje ataviste, me rastësi të domosdoshme, ura u bymye si barku i boas që të nxinte gjithë çenikllëkun e kokëfortësinë, dhe disa nga kalorësit e të dy shpurave ranë me gjithë kuaj në përrua. Tersi ishte i tharë në atë stinë të vitit dhe gjaku i kuajve dhe kalorësve mbeti përmbi gurë për një kohë të gjatë. Derisa sa erdh stina e shirave.
Gjoliku ra mbi buzë bashkë me Pertefin, i cili nuk ndjeu asgjë, megjithëse mbi ballë çurgu i gjakut po vazhdonte të rridhte kërcënueshëm. E njëjta gjë me sosinë e dehur të shpurës tjetër. Sosia e Gjolikut, nxori krahun vendit, si dhe Gjoliku, por u mundua t’a fshihte dhimbjen pas fytyrës së bërë jeshil nga therja, teksa fuste shpatullën e dalë... përkohësisht në vend.
Nuk pati të vrarë nga asnjëra shpurë. Vdekja i trembej dasmës. Kuajt u çapitën nga përroi dhe dolën në brigjet matanë urës. Nuset e përshkuan atë korridor ferri të pacënuara. Gati gati mund të besohej se ato qenë bërë prej mase flu, e aftë të depërtonte përmes muresh shajaku dhe kuajsh. Të dyja shpurat qenë gati të vdisnin në fund të përroit, vetëm që nuset të dilnin pa asnjë dëmtim matanë.

Te dyja shpurat po i prisnin në fshatrat e tyre.
Te dyja vinin me fitore, domethënë me nuse. Sillnin jetë mbi pela të bardha. Si petla të bardha. Që era i flakte mbi baltë.
Çdo gjë tjetër ishte një detaj pa rëndësi.

30 Komente

Kronike Shqiperie e harruar e treguar me nje perzierje nostalgjie e shpotitjeje. Me pelqen.

 Tregimi eshte i bukur, por i ngjeshur si lesh gune. Emo them se duhet t'i shkrifesh pak me shume me dialogje apo pershkrime. Them une xhanem...smiley

Ky senduku i pjellorise tende nuk ndalon kurre se na kenaquri sidomos me vlera te harruar o Cim.flm

PF, shume e drejte ajo qe thu! Jam i ndergjegjshem.

En, flm shume!

Fakti qe keni arrit me e lexu eshte komplimenti me i madh per mu. Une e di si jan kto lloj prurjesh, prandaj them.

Edhe nje gje PF: nqse e ka vra dicka ket shrim, ajo eshte metafora. E vret mbrapa kraheve, iu largohet karaktereve si djalli temjanit. Nejse. Plus qe eshte shkrujt mes projektesh (kam qene shume shume i zene, krize po thone gjoja, por mu me eshte shtu puna dyfish kto kohe).

Shume terheqes nga menyra e te shkruarit dhe perdorimit te shume fjaleve qe u ka "kaluar"koha.

Pandem nga anet tena e perdorim per vdekje ose lajm te keq.

për një moment mu morën mendt  Çimo. mu duk sikur po kaloja rripat e gjorgjovës smiley

si gjithmonë tabllo iperealiste* rrofsh.

* injoroj faktin në se existon apo jo një rrymë e tillë në letërsi. smiley

Shume e bukur Cim, nje nga ato qe te ben te nxitosh per ne fund por duke pare me kujdes se mos shket gje pa lexuar rruges smiley

Mu desh ta primtoja dhe kete, me "laps ne dore".  Na lodhe syckat cimo, po ia vlente smiley 

Doja ta lexoja thjesht per qejf si histori "nusesh" te qemoti po s'te lene "metaforat e ngjeshura."

nqse e ka vra dicka ket shrim, ajo eshte metafora. E vret mbrapa kraheve, iu largohet karaktereve si djalli temjanit.

Jo jo, nuk e ka vra aq shume.  Po ca pikepyetje neper flete, te tipit "cdo te thote autori me kete ...?" smiley.  

Thjesht si histori "nusesh" nje sqarim per zakonin.  Nga Korca apo Dibra, kur karavanet apo dasmoret ndodheshin mbi uren e Tersit, pisk e ters e kishin me te vertete punen.  Dhe shkonte deri ne "tragjedi" apo perplasje ne perrua te thare lol.  Ndersa ne Laberi, nuset shkembenin jo vetem embelsire, por edhe shami te bardhe (embelsire per t'u embelsuar nga hidherimi i lenies se familjes, dhe shami per te fshire lotet.)  Dhe nuk kishte "beteja" midis karavaneve.  

Ajo e gureve te malit, me kujtoi "14 vjec dhenderr."  Dashuria te "burimi/kroi" etj subjekt i 1001 kengeve folklorike.

E tera pastaj si metafore ... muhabet me vete smiley.  Loved it.  5*****

Monda te keto tip metaforash e kishe llafin ti smiley

"Por çdokush e dinte shkakun. Ishte ajo me mëndafsh të kuq e jelek flori, prush përfund e shkëndija përlart, magnet për gjithë plumbat e maliherët e sherret e gjithë kohrave që në krye të herës." smiley

smiley

kam 40 faqe per ti lexu e per ti kuptu gjer neser per pune...

se lexoj dot tashti ket nusen, e gjate dhe e ngjeshur .

por  me dha Monda nje ide te mire. Do ti fus nji te printume me i cike zoom smiley e ta lexoj me tenhalluk smiley

smiley

Se m'pelqejne kto historite me nuse maje kalit dhe shtetrrethim smiley

Nusja te shtetrrethimi s'ishte n'maj te kalit mi gru, ishte me karroce e me arrixhofke, me def e me krisma smiley.  Hic se e mban mend smiley

PS: Provoje si ide, it has always worked for me smiley

vallai si maj mend hic kto filmat e socializmit, me jepnin perhere nje ndjesi te keqe. si kam dash hic. e  nuk i shof hic dhe kur i japin tani.

megjithate, nusen dhe shtetrrethimin e di qe nuk ishte me kale, se shtetrrethimi ishte n'qytet smiley

po dhe ti s'te len hic me fantazu smiley

C'te ben avdallosja e ameriqenes smiley. U kam lojt fene, Tushe, s'kam lene me filma te qemotit pa pare smiley

Pastaj nusja dhe shtetrrethimi eshte classic mi gru. 

Une jam kondra kuajve ne qytet, po s'ta pres fantazine ty smiley

pse ???

ti duron gjithe ato qent e qelbet qe te lepihen neper kembe  te ameriqi, dhe te bezdisin kalat ?

smiley

para pak kohesh ne us pashe ca polica me kala mu ne rockfeller center, u knoqa u knoqa...

Epo te me thoshe edhe per ndonje film tip "Runway bride" me nuse me kale, hajde de, po c'me vete dhe me ngaterro me polica mi gru :smiley.

Tushe, leri kuajt t'thom.  Po na erdhe ne NY, te gjezdis une me karroc neper Central Park ene rreth rrotull smiley  (tamam si te nusja dhe shtetrrethimi) smiley

PS: Nga anet e mia s'ka qen t'qelbet.  Pine uje me shishe edhe hane ushqim special lol.

jo flm,

Central Parku m'duket mo keq se Tajvani.

tip parku Rinia, bah, katunari e modhe  smiley

Epo ket radhe qellun polica me kala, radhen tjeter pale del Julia Roberts smiley 

kjo monda e ka fajin Emo,

se une skisha nermend me e bo temen gjurulldi smiley

smiley

Emo, per koken tende, timen dhe te Tushes, sa do te te kerkoja ndjese (ne fakt e bera te tema tjeter) qe e beme pak lemsh ketu, po s'te le kjo.  Tani shif e fol, kush e pat fajin? smiley.  Kur te marresh vendim, ki parasysh kush cof ne pergjithesi per gjullurdi smiley

PS: Na e bej kabull smiley

PPS: Tushe, si te dush lol.   Mire nga katnaret e memedheut, po dhe me keta te ameriqenes gjete belane? smiley

shiiiiii, mo mire syni se nami i thojne ksaj..

mire mire smiley   se ktu lahen te gjitha smiley

Po ri, me gjithe katnaret kudo qe ndodhen e kam une. Ene vallai ene Amerika nuk njelet mrapa ne kyt drejtim smiley   Poplli modh mo....normal qe do kete me shumice

What a gentleman smiley

PS: Tushe, good news, na e ka falur lemshin e temes cimi.  Bad news for you, eshte karroce dhe jo kal smiley.

kali kuq ka kater kom smiley

Cimo, rrofsh, ene na e fal grrumullimin e paligjshem smiley

Monda, kam rrespekt, hyp ti e para smiley

Tushe, ne ameriq, ameriq po adetet i ruajme ne ketej, bile me mire se ju andej smiley 

Mikun, mikeshen leme te paret, se ashtu e do zakoni smiley.

Një nuse deshe të sillje o Emo, nja pesë u mblodhën. smiley

E lexova natën vonë mbrëmë, kjo pjesë ishte me të vërtetë e bukur. Shumë i gjallë përshkrimi i nuses, dasmës, dasmorëve sidomos. Vetëm aty nga fundi e humba pak fillin, mu duk sikur në pjesën e fundit, ia ndryshove marshin tregimit.

Marrja e nuses me kalë, është bukuri më vete... im atë ka qënë krushk-kolonel smiley në dasmën e xhaxhait tim e përdesh ka rënë nga mushka nëpër ca rrëpira Përmeti.

oh ,emo

shume e omel ishte kjo....

Fillova ta bej film me mendje.

Falenderoj shume Monden, qe me nxiti ta lexoj ne hard copy.  Sic duket ashtu shijohet me shume.

Dhe per ta mbyllur me nder, te  pershnes, ty , monden dhe gjithe prindet e mi kudo si ndodhen, ,olta xhacken dhe mesilen qe jane prape on tonight, smiley  me ket video . Per hajer ishalla smiley

http://www.youtube.com/watch?v=Dgu2UZq23...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).