Do Bemol

Do Bemol

Andi Kananaj

Java që po jetojmë me qetësi mbart në vetvete egërsinë e konsiderueshme për ta marrë seriozisht: të paktën aq sa për ta kuptuar më mirë sa real është rreziku. Kjo javë ka vënë përballë dy tekste ultimatumesh, që janë të të njëjtit intensitet edhe pse me stile të ndryshme. Nga njëra anë qëndron kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit, së cilës i bashkëngjitet "kërcënimi" për mosbindje civile; nga ana tjetër kërkesa e shumicës parlamentare për kthimin në Kuvend të opozitës, përforcuar nga kërcënimi absurd i shkuljes së dhëmbëve e dhëmballëve. Qëndrim ky aspak elektoral.

Pas kësaj fasade që gjithkush do të shihte shenjat e para të luftës civile, fshihet me siguri manipulimi i radhës që i serviret sistematikisht shoqërisë shqiptare. Sipari i këtij teatri madhor është ngritur për t‘u lënë skenën e protagonistëve kryeliderëve të partive të mëdha e të vetme shqiptare.

Që situata të shfaqej më serioze, do të duhej që Rama dhe Berisha të ishin me të vërtetë në kërkesat e tyre. Sikur Rama të ishte treguar pak më i sinqertë me elektoratin e tij, sot socialistët nuk do të ishin në protestë për të hapur kutitë e votimit. Sikur Rama të ishte treguar më i sinqertë, ai do të kish pranuar "humbjen". Do të kishte kandiduar për kreun e PS-së dhe kundërshtarët e tij do të ishin kandidatë më të denjë për garim. Eventualisht do të kishte fituar pa problem si kryetar i PS-së. Kjo do të sillte pasë gjase që socialistët e bashkuar të shkonin në protestë për krizën ekonomike që përjetojnë çdo ditë; do të shkonin në protestë për tunelin e Kalimashit dhe për koston shtesë të llogaritur deri në 200 milionë euro; do të shkonin në protestë për rritjen e papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike; do të shkonin në protestë që të largohej qeveria e Gërdecit; do të shkonin në protestë për pensionet që të vdesin nga uria; do të shkonin në protestë për një jetë më njerëzore. Sikur Rama të tregohej më i sinqertë, me siguri të majtët shqiptarë do të ishin më të sigurt për aksionin e tyre politik.

Socialistët e ndiejnë që veprimet e tyre po shërbejnë vetëm për të larguar fantazmën e Blushit nga dhomat ku fle Rama. E ndiejnë që Berisha e ka mbushur kupën, por perceptojnë se më parë duhet të flijojnë kundërshtarët brenda vetes. A thua se nuk u veprua edhe me Metën në të njëjtën mënyrë.

Sikur Berisha të ishte më i sinqertë, do të kishte pranuar një sistem më normal, ku kontrolli i kutive të votimit do të ishte rutinë. Sikur Berisha të ishte i sinqertë, sot demokratëve nuk do t‘u duhej të dilnin në protestë kundër socialistëve në emër të demokracisë. Nëse Berisha do të ishte një Kryeministër për të qenë, demokratë e socialistë nuk do të jetonin në frikën reale për jetën e çdo dite. Nëse Berisha do të ishte normal, opozita nuk do të kërcënohej me dëmtime fizike. Demokratët e vërtetë nuk do të gëzoheshin që lideri i tyre është dentist format Frankeshtajni. Po të ishte Berisha një Kryeministër i hajrit, demokratët nuk do të jetonin duke harruar jetën e tyre të vështirë. Nuk do të sulmonin Ramën për jetën e tij personale. Berisha ka mënyrat e tij për të shmangur tensionin. A thua se nuk bënte kështu dhe me Nanon e Ilir Metën.

Asnjë nga liderët nuk ka ndonjë arsye pse përtej skenarit të inskenojë edhe veprime reale. Duke sjellë në shesh mijëra protestues, Rama e ka larguar rrezikun e Blushit dhe e ka rifituar PS-në. Tani ai është lideri i padiskutueshëm, ashtu siç askush nuk do ta besonte në vitin 2005. Berisha nga ana e vet si lojtar i regjur po luan rolin për të pasur dhe ai pjesën e vet në këtë fillim sezoni artistik. Duke sulmuar Ramën me egërsinë e duhur, ai konfirmon rolin e Kryeministrit edhe përpara Metës. Me një seri batutash bajate, ai ka shmangur vëmendjen nga vështirësitë e këtyre ditëve. Skenari i sotëm ka rreth 18 vjet që funksionon më së miri dhe sigurisht që nuk është fryt i rastësisë.

Dukshëm, e vetmja gjë që tradhton këtë regji perfekte është zelli i madh për të ruajtur konturet artistike. Me të konsumuar artilerinë e rëndë, aktorët duken qejfprishur vetëm kur bëhet fjalë për estetikën e tekstit. Rama dhe Berisha akuzohen reciprokisht për relacionet e tyre të ndërsjella me botën e krimit, ndërkohë që asgjë realisht nuk mbetet. Nëse cenohen në sferat seksuale apo aktivitetet e të afërmve, këtu fillon përplasja. Dalin në skenë zërat më imponues. Rreshtohen në modele të kopjuara por efikase dhe recitojnë të njëjtin tekst deri në lodhje. Ngjyrat janë në masën e duhur. Koreografia nuk çalon gjëkundi. Janë gati edhe lulet për zërin bas më imponues. Perfekte në çdo detaj.

Ky kujdes për formën, duke shmangur në çdo çast debatin mbi përmbajtjen, në të vërtetë tradhton cilësinë e mizanskenës prej kaq vitesh funksionale. Kalitja që i bëhet popullsisë me këtë lloj politike, bën që vëmendja të braktisë problemet e vërteta. Vetëm një ditë pas mbarimit të ultimatumit të PS-së, dyshimi se mund të ketë protestë të vërtetë duket gati absurd. Kodet që vetë kemi krijuar për të lehtësuar kuptimin e të qenit shqiptar, kanë dalë jashtë përdorimit. Duke e krijuar mesazhin e tyre mediatik të përkujdesur vetëm për estetikën, partitë kanë anuluar mundësinë që të lexohet thjesht situata në të cilën jetojmë.

Politika po aktron me zell rolin e vet në blofin e organizuar për çdo herë që premton ndryshimin e madh të jetës së secilit. Ultimatumet që do të pasojnë, do të kenë të njëjtin tension si dhe ultimatumet e këtyre ditëve. Pas 19 vjetësh shpresë dhe eksperiencë, kemi tendencë që të jemi më cinikë me atë që na ndodh për qark. Bashkë me cinizmin tonë, me siguri do të ndryshojë dhe cilësia e batutës, por asnjëherë nuk do të ketë kompromis kur të bëhet fjalë për estetikën e përbashkët. Me sa duket, artikujt e publicistëve gjithnjë e më shpesh do të fillojnë me fraza... Situata e ditëve të fundit ka nxjerrë në pah edhe një herë përplasjet politike në Shqipëri. Edhe pse gjasat janë që asgjë të mos ndodhë.

1 Komente

"Ky kujdes për formën, duke shmangur në çdo çast debatin mbi përmbajtjen, në të vërtetë tradhton cilësinë e mizanskenës prej kaq vitesh funksionale. Kalitja që i bëhet popullsisë me këtë lloj politike, bën që vëmendja të braktisë problemet e vërteta. Vetëm një ditë pas mbarimit të ultimatumit të PS-së, dyshimi se mund të ketë protestë të vërtetë duket gati absurd. Kodet që vetë kemi krijuar për të lehtësuar kuptimin e të qenit shqiptar, kanë dalë jashtë përdorimit. Duke e krijuar mesazhin e tyre mediatik të përkujdesur vetëm për estetikën, partitë kanë anuluar mundësinë që të lexohet thjesht situata në të cilën jetojmë.

Politika po aktron me zell rolin e vet në blofin e organizuar për çdo herë që premton ndryshimin e madh të jetës së secilit. Ultimatumet që do të pasojnë, do të kenë të njëjtin tension si dhe ultimatumet e këtyre ditëve. Pas 19 vjetësh shpresë dhe eksperiencë, kemi tendencë që të jemi më cinikë me atë që na ndodh për qark. Bashkë me cinizmin tonë, me siguri do të ndryshojë dhe cilësia e batutës, por asnjëherë nuk do të ketë kompromis kur të bëhet fjalë për estetikën e përbashkët. Me sa duket, artikujt e publicistëve gjithnjë e më shpesh do të fillojnë me fraza... Situata e ditëve të fundit ka nxjerrë në pah edhe një herë përplasjet politike në Shqipëri. Edhe pse gjasat janë që asgjë të mos ndodhë."

SIGURISHT QE ASGJE S'DO TE NDODHE!! EDHE PAS JANARIT TE PROTESTAVE!

Sepse ketu nuk ndodh absolutisht asgje. Edhe pas protestes gjithkush vazhdon normalisht gjithshka bente pak ore me pare: bisnesmenin e vockel fare apo te madhin, rrogtarin, zedhenesin e shtypit, PR, analistin... madje dhe lypsin.

Pas cdo proteste pihet kafe apo nje gote te Rogner, te kullat apo te Fideli. Dhe behet gati Rekuizita e shfaqjes se rradhes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).