Ditët e vështira të qershorit

Ditët e vështira të qershorit



Leart Kola



Nuk dihet saktësisht se kur filloi mirëpo ca zëra thonë qartë që në 28 qershor ndoshta do të mbarojë maratona elektorale e radhës në vendin e shqipeve.

Si gjithnjë nuk u kursye asgjë dhe askush, as akuzat ndaj partive kundërshtare (publikisht dhe jo publikisht). As pagesat nën dorë për “gjysmënjerëz – gjysmëorganizatat” nën pretekstin e krijimit të atmosferës negative në kampin tjetër, as deklaratat për shtyp ku kampet akuzohen ndërsjelltazi për vjedhje e në fund të kësaj beteje kaotike, e vetmja që del e fituar është vjedhja. Bizneset edhe kësaj here mbajnë pjesën e luanit. Kryetarët e partive u bënë copë për të gjetur fondet e fushatës dhe kanë ngrënë dreka e darka të pafundme me turlifarëlloj afaristësh (duhet të ketë qenë e rëndë për ata pak që janë kryetarë partish e kanë dhe pergatitje intelektuale të konsumonin kohë me injorantët për një grusht dollare). U fol për ndryshimin nga të gjitha krahët, për ndryshim folën dhe ata të cilëve ndryshimi realisht nuk i intereson shumë, sepse de facto janë në qeverisje, por nuk mund t’i vihet faj sepse pas valëvitjes së flamurit obamist nga Vermoshi në Konispol, u përkulën të gjithë drejt magjisë së ndryshimit.

Ajo për të cilën pritej të flitej shumë por që nuk u fol fare ishin pikërisht programet elektorale. Të katër koalicionet më të mëdha në vend nuk kanë praktikisht asnjë plan për Shqipërinë. PS-ja ka një libër me mbi një mijë faqe po ky nuk gjendet askund. Siç tha dhe Rama, do t’ua thjeshtojmë shqiptarëve në disa rreshta (madje Rama zgjodhi dhe muziken turbo-folk për të ringritur çështjet e grupeve të interesit). Megjithatë mbetet mister ndryshimi për të cilin po flitet, duke qenë se Rama, ashtu si dhe Berisha, flasin për liberalizim, legalizim, privatizim, të cilat, zoti na ruajttë, shumë larg nga e majta janë, shumë larg nga vizioni i një shteti që kujdeset për mirëqenien e qytetarit e për barazinë e mundësive (dhe ngjashmëria me diçka revolucionare është krejtësisht e rastësishme).

Në anën tjetër Partia Demokratike kujdeset që vëmendjen e shqiptarëve ta kthejë tek investimet (tashmë tre herë të paguara nga taksapaguesi), si rruga Dr-Ku. Flitet për një zhvillim ekonomik që do të sjellë kjo rrugë, por askush nuk pyet se çfarë mallrash do të kalojnë mbi të, duke qenë se në Shqipëri dhe në Kosovë nuk prodhohet asgjë… Deklaratat e PD-së, përveç inkoherencës së vazhdueshme me realitetin, në shumicën e rasteve ngjasojnë më shumë me kërcënimet e një “bande” të mediatizuar se sa me të një partie politike. Gjatë këtyre dy-tre vjeteve të fundit çdo deklaratë për shtyp më shumë se sqarim për qytetarët ka qenë një kanosje për kundërshtarët. Në këtë kontekst, programi qeveritar përveçse jo-efiçient, ndonjëherë bëhet inekzistent. Kudo ku shkel Berisha premtimi krijohet aty për aty, duke dhënë mesazhin e qartë që plane afatgjata as për së largu nuk duken. Nga LSI-ja nuk pritej shumë e aq më pak nga Poli i Lirisë, megjithëse për hir të së vërtetës, LSI-ja ishte e vetmja që një libërth e prodhoi. Libërth i mbushur me premtime “me lek brënda” që kurrsesi nuk ngrihen mbi politika konkrete, por modestisht qëndrojnë në format minimalist sllogani. Sa i përket Polit të Lirisë që propozohet me formatin “koha shëron çdo plagë”, kësaj here erdhi (pa program) ish-kryeministri i ‘97, apo i zgjedhjeve te ‘96, kohë aspak të lavdishme për Shqipërinë. Shumë e çuditshme që pavarësisht se z.Meksi ka bërë të pamundurën për ti bindur shqiptaret për paaftesinë e tij, (lehtësisht të vërtetueshme) sot gëzon një respekt të veçantë?!? Nejse shijet janë të padiskutueshme.

Pak ditë na ndajnë nga dita e madhnueshme e zgjedhjeve, e megjithëse qytetari shqiptar nuk po fiton, ajo që po fiton është bota e spektaklit. Mitingjet kanë regji aq perfekte, sa prezenca e qytetarëve në to duket sikur ua prish pak bukurine. Për këtë arsye në shumicën e rasteve qytetarët janë më shumë elementë të domosdoshëm (për të tundur flamurin apo për të ngritur kartonat me ngjyra), se sa grupim të cilit lideri partiak i drejtohet. Po ta keni vënë re në këtë formatin e ri janë liderët që më shumë se njerezit ndjekin kamerat fluturuese e me buzëqeshje të stampuara konsumojnë radhazi mitingje që kushtojnë me miliona euro. Ndjenjë e çuditshme duhet të jetë (une s’e kam provuar ende) të marrësh pjesë në një miting që teorikisht bëhet për qytetarin, pra për ty, miting i cili mesatarisht kushton 30 mijë euro që merren gati përherë nga taksat e tua (ndërkohë që ke një rrogë që nuk i kalon 300 eurot)??? Nejse shpenzim që ia vlen mendoj gjithmonë, kur shoh Berishen krah për krah me Çiljetën, (triumfin e botës së spektaklit përkrah liderit më hermetik të këtyre viteve të fundit). Ajo fotografi e fundmitingut mes dy qenieve kaq të ndryshme por me interesa kaq të përbashkëta është ndoshta simboli i Shqipërisë tranzitore postmoderniste.

Absurdi më i madh kriminalo-elektoral i këtij fundqershori i përket Partisë Republikane, dhe liderit të saj Fatmir Mediu, që me menaxhimin e tij brenda një dite arriti të shkatërronte familje, të prishte pronë private dhe të dëmtonte kombin. Pikërisht këto argumenta ai i valëvit në posterae flamuj që bëhen më të shpeshtë në vendin e krimit (nuk thonë kot që ATA gjithmonë kthehen”. Më shumë se një premtim elektoral Mediu i ngjan një mallkimi kombëtar.

Përpos gjithçkaje që u shkruajt në këtë shkrim, një gjë vazhon të mbetet e sigurt, ditëve të vështira të qershorit po u vjen fundi. Populli shqiptar edhe kësaj here fatin e tij më shumë se tek vota do ta varë tek ndërgjegjja e liderit dhe e partisë së tij. Parti dhe politika që në Shqiperi përherë e më shumë po behen të vetëmjaftueshme dhe aspak përfaqësuese. Raporti korruptiv që është ndërtuar mes politikës e biznesit po kthehet në një gangrenë që po mban erë, e indiferenca nuk është e mjaftueshme për të manipuluar flegrat e hundës. Çdo revoltë nis nga nuhatja, dhe gjellët në lagjet e pasura përherë e më dendur po nuhaten nga barqet bosh të shumicës së shqiptarëve. Do të vijë dita që këtë show politik që pasuron prej 20 vjetësh më të paskrupujtë e më të pandershmit nuk do ta gëlltisin më. Deri sa të vijë ajo kohë, në ditën e zgjedhjeve voto numrin 0.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).