ditar (1)

607px-black_square.jpeg

(Pjesë të ditarit çdo të mërkurë. )

Ka dy rrugëdalje. Të harrosh rrugëdaljen e parë dhe të shkosh me të dytën ose, të shkosh me të dytën dhe të harrosh të parën.
Shih, problemi më i madh nuk është problemi vetë, por zgjidhja e tij. Këtu unë ngatërrohem. Kjo më lodh. Nuk është gabimi i parë që më vret, por mundësia për një gabim të dytë që mi ngurth opsionet.
E para është një zgjidhje që nuk i ngjan së dytës dhe anasjelltas, duke përjashtuar faktin që të dyja janë zgjidhje. Nëse zgjedh këtë, a kam urrejtje të mjaftueshme për zgjedhjen tjetër? A kam një justifikim që nuk mbetet vetëm i tillë?
Nëse nuk pendohem për problemin, pse duhet të pendohem për zgjidhjen?
Nëse pas kësaj gjithçka shkon mirë, mosndoshta ndryshe do të ishte edhe më mirë?
Nëse pas kësaj gjithçka shkon keq, pse t’ia hyj kësaj rruge?
Më duhet një rrugëdalje nga këto rrugëdalje.
 
**********
 
Çfarë është individualiteti përveçse një rrëshkitje nga turma. Çfarë është turma përveçse një bashkësi rrëshkitjesh. Për çfarë rrëshkitjesh bëhet fjalë? Pyet individin, pastaj pyet turmën. Përgjigjja mund të jetë e njëjtë: Kjo nuk është rrëshkitje, kjo është çfarë duhej bërë.
 
*********
 
Po. Ka dy faqe të monedhës. Por në fund të fundit është përsëri një monedhë.
 
*******
Fati është i parashkruar. Nëse është kështu, ai shkrim ndoshta u dogj në Aleksandri, në mos u fshi me kolerën, në mos atje, u zhduk me kadastrat. Po, mund të ngjallet me gjuhët vdekura; por kjo do të na binte sërish në prehërin e mistikes. Dhe, o zot sa i turbullt është gjumi atje…
 
*******
Të kuptosh tjetrin është ndoshta ngacmimi ynë më i vështirë për tu përmbushur. Ne i kuptojmë njerëzit bazuar në përkatësi e funksion. Dashuria është blerje kohe, urrejtja heqje dorë. Është e pamundur të mos ngutesh kur një rradhë aq e gjatë pret mbas dere..
 
******
Në thelb kemi mbetur paganë. Kemi zëvendësuar gurin me kryqin, njeriun me hijen dhe bëmat e tij. Në thelb gëzohemi kur dielli shndrit përmbi dhe shiu bie kur duhet…
Në thelb jemi të pafuqishëm…Në thelb, mali ende nuk bzanë..

2 Komente

FH allall ja arrin perhere te me lesh gojehapur dhe te mendoj "sa te drejta jane sa thote" smiley

Në thelb kemi mbetur paganë. Kemi zëvendësuar gurin me kryqin, njeriun me hijen dhe bëmat e tij. Në thelb gëzohemi kur dielli shndrit përmbi dhe shiu bie kur duhet…
Në thelb jemi të pafuqishëm…Në thelb, mali ende nuk bzanë..

Fati është i parashkruar. Nëse është kështu, ai shkrim ndoshta u dogj në Aleksandri, në mos u fshi me kolerën, në mos atje, u zhduk me kadastrat. Po, mund të ngjallet me gjuhët vdekura; por kjo do të na binte sërish në prehërin e mistikes. Dhe, o zot sa i turbullt është gjumi atje…

Great thinking!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).