Diplomat s'vlejnë asgjë, por asgjë s'vlen sa diplomat

Diplomat s'vlejnë asgjë, por asgjë s'vlen sa diplomat


Arbër Shtëmbari

Shumë vite më parë, diploma e maturës për cdo gjimnazist paraqiste rezultatin e punës konkrete dhe të mundit katërvjecar. Ajo diplomë tregonte nivelin e duhur me kulturë të përgjithshme që i lejonte më pas gjimnazistit të përqafonte studimet universitare. Në ditët e sotme, përvec mbrëmjes së maturës, që festohet për efekt emocional, diploma e maturës në vetvete nuk paraqet më ndonjë gëzim. Ajo konsiderohet si një prag i rëndomë që gjithkush mund ta kalojë. Prindërit nga ana tjetër, duket sikur pak duan t’ja dinë se c’ndodh realisht me bagazhin e njohurive të fëmijëve të tyre, sepse e rëndësishme është të mbarosh « me të gjitha dhjeta ». Por, do të gaboheshim nëse do të mendonim se kjo e fundit, « me të gjitha dhjeta », do të justifikonte regjistrimin në një nga universitet e vendit. Të përfundosh studimet me notën maksimale, normalisht tregon një farë ekselence , por a i përgjigjet kjo notë maksimale përgatitjes reale të të rinjve shqiptarë të vlerësuar nga kjo notë? Banalizimi i notës maksimale dhe ushtria e atyre që përfundojnë « me të gjitha dhjeta » bëhet po aq absurde sa dhe klisheja tjetër e atyre me notën më të ulët kaluese apo të njohur ndryshe si « pesanjosët ». Nota kaluese, a nuk është banalizuar po aq sa dhe nota maksimale ? Në fakt, përballë banalizimit të vlerësimit të njohurive, nuk është për tu habitur kur sheh se si shumë të rinj pa pasur nivelin e duhur arsimor  mund ti kënaqen privilegjit se me një dorë para (apo një mik të fortë) dhe ata mund të vazhdojnë shkollat e larta.
       
Janë me mijëra cdo vit studentët që regjistrohen në universitetet shqiptare, në ata shtetërorë dhe në ata privatë. Ndjekja e studimeve universitare nga një marrje përgjegjësish për karakterin e vështirë që tregojnë këto studime, tek ne është kthyer në mani, në modë. Kaq e thjeshtë është bërë kjo punë ! Ndërkohë që diploma e maturës është eklipsuar totalisht, gara për të forcuar ekonominë simbolike të kulturës, tashmë zhvillohet në sfera më të larta të kapitalit kulturor, në atë të diplomave universitare, diplomave të masterave, pse jo dhe të atyre të doktoraturave.
       
Që prej rënies së komunizmit, pak nga pak, popullsia shqiptare e mbërthyer masivisht në klasën popullore dhe pjesërisht në atë të mesme intelektuale, po fillon po polarizohet. Mund të themi pa frikë, se tani kemi një klasë të pasurish të lidhur me industritë dhe financat, kemi një klasë të mesme superiore (kuadro dhe intelektualë), kemi një klasë të mesme inferiore (një pjesë e të punësuarëve në shërbime, tregtarët e vegjël dhe të mesëm) dhe kemi dhe një klasë popullore punëtorësh dhe fshatarësh. Diploma e tetëvjecares dhe ajo e shkollës së mesme, dikur një ideal për fëmijët e klasës popullore, sot nuk paraqet të njëjtin ngazëllim. Ata inspirojnë për të hyrë në universitete dhe mospranimi në kuotat e studimeve universitare shndrrohet në një dramë familjare. Ndërkohë, për fëmijët e klasave të mesme, diploma e universitetit është pragu i normës, kurse ideali i tyre është prejektuar tek diploma e një masteri dhe si për të krijuar Dallimin (sipas Burdjesë) me të tjerët, mundësisht ata dëshirojnë të bëjnë një master jashtë shtetit. Sistemi i ri pra ka inkurajuar familjet shqiptare të shtresave më të ulta, të shtyjnë fëmijët e tyre drejt auditoreve universitare me shpresën për tu ngritur një shkallë më lartë në hierarkinë e klasave sociale. Kështu, klasa punëtore ngjitet drejt asaj të mesme, ajo e mesme, duke mos pasur kapitalitin e duhur ekonomik, përpiqet atëherë të kapitalizojë sa më shumë kulturë për të kapur shtresat më të larta të klasës së mesme duke ju afruar klasave të pasura. Por në fakt ata mbërthehen në kufinjtë e klasave të pasura dhe vihen në shërbim të tyre. Klasat e pasura nga ana tjetër, që zotërojnë kapitalin ekonomik, po investojnë tek fëmijët e tyre duke i regjistruar në shkolla e universitete me famë jashtë vendit, që ata të pasurohen me kapital kulturor, pikërisht me atë kapital që në më të shumtën e rasteve, atyre u mungon.
     
Qeveritë e dekadës së fundit, kanë trumpetuar gjithandej suksesin e tyre në fushën e arsimit, sidomos me hapjen (lexo : shumëfishimin) e universiteteve të rinj në disa qytete të vendit dhe sidomos hapjen e atyre privatë. Në fakt, hapja e kaq shumë auditorëve u shërben pushtetarëve që kanë dështuar në politikat e punësimit të të rinjve, pasi duke i hedhur të rinjtë auditoreve universitare pa kurrfarë orientimi për të ardhmen, qeveritarët mundohen t’ja zgjasin sa më shumë kohën e studimeve këtyre të rinjve për të evituar kështu kërkesën e sotme për punësim. Kjo është dhe një nga arsyet pse shkollat profesionale janë zhvilluar kaq pak në Shqipëri në këto vite, pasi koha e studimeve të tyre është më e shkurtër dhe formimi i tyre manual inspiron direkt për një vend pune. Këtë, pushtetarët janë përpjekur ta evitojnë duke i lënë në harresë këto shkolla dhe duke propaganduar arsimin universitar. Por, të mos i japësh sot zgjidhje problemit të punësimit duke keqorientuar breza të tërë që po ngjeshen në masë njëri pas tjetrit në shkolla e universitete, kjo do të thotë, që një ditë, do të ketë një fluks të papërballueshëm të rinjsh të diplomuar që do të duan të punësohen, por që do ta kenë këtë gjë të pamundur. Kjo do të thotë të mos kesh vizion për të ardhmen ! Nuk është habi, që nesër do të shohim me mijëra të diplomuar të punësuar në punë të pakualifikuara ose akoma më keq, « me diplomë në xhep », por të papunë. Frustrimi do të jetë edhe më i madh.
     
Përgjegjësi për këtë keq menazhim kanë dhe institucionet arsimore që sakrifikojnë cilësinë jo vetëm për shkak të shantazheve që politika u bën, por dhe si pasojë e përpjekjeve personale të disa personaliteteve të këtyre institucionve që arsimin e kanë shndërruar në industri dhe mundësi pasurimi personal në kurriz të humbjes së cilësisë. Ky fakt është dhe më i rëndë në arsimin privat. Në shumë prej tyre, me gjithë përkushtimin që kanë shumë profesorë të rinj apo të vjetër bien viktima të padronëve të institucionit arsimor privat për të cilin ata punojnë. Shumë shkolla dhe universitete private kanë humbur gjithë frymën për të cilën ata janë krijuar duke u shndërruar në sfilata mode dhe sallone makinash luksoze të studentëve që i frekuentojnë. A mundet një profesor i këtyre institucioneve privatë të ngelë një student që nuk e ka nivelin për të kaluar në stadin tjetër të studimeve ? Nuk mundet ! Pasi studenti është një klient që ka paratë dhe pikërisht paratë e tij financojnë mbijetësen e institucionit arsimor privat dhe janë këto para burimi i rrogave të profesorëve. Por gjithashtu këto para bëhen edhe burimi i korrupsionit shpirtëror të tyre. Në pamundësinë për ti dhënë vlerësimin adekuat këtyre studentëve « me lek », por aspak të interesuar për studimet, kompromentohet edhe vetë puna e pedagogëve dhe cilësia e studimeve. Përfundimi është tragjik : nga auditorët del një injorant me diplomë, e sipas parametrave shqiptarë të punësimit, atij, si i biri apo shoku i dikujt, diploma i jep mundësinë të justifikojë punësimin e pamerituar në poste kyce të sektorëve të zhvillimit të vendit.
     
Diploma e shkollës së mesme dhe asaj të lartë janë institucione, evolucioni i të cilave reflektojnë dhe evolucionin e shoqërisë. Ta pranojmë, në vitet e tranzicionit që po kalojmë, cilësia e institucioneve shqiptare që formojnë të rinjtë shqiptarë ka rënë shumë në krahasim me ato të viteve të komunizmit. Duke u përpjekur të zhduknin inspirimet ideologjike të teksteve të mëparshme, përgjegjësit e sotëm nuk arritën dot të krijojnë një bazë të qëndrueshme për brezat e sistemit që jetojmë. Kjo ndoshta dhe për faktin se hartuesit e teksteve mësimorë të ditëve tona, i përkasin një brezi që u formuan në një periudhë të ngjeshur nga skema ideologjike. Këta persona që pretendojnë se janë « të pastër » ideologjikisht prej së shkuarës komuniste, në fakt thjesht kanë ndërruar padron, por dozën ideologjike e mbartin ende. Nga një anë fshijnë cdo gjurmë të së kaluarës komuniste, në anën tjetër, në mënyrë aspak të rastësishme, si në tekstin e Historisë 12, i thurin lavde pushtetarëve aktualë dhe me tone absurdo patetike dizinformojnë nxënësin apo studentin mbi ngjarje të caktuara. Mungesa e seriozitetit të këtyre teksteve është e theksuar. Ndërkohë që në përbajtje duhet të gjenim reflektim profesional, teksa i lexojmë na duken gati si slogane të një kohe të shkuar, ku Enver Hoxha zëvendësohet me Sali Berishën dhe Balli Kombëtar zëvendësohet me opozitën e majtë. Kulti i diktatorit dhe piketimi i armiqve të tij, jo vetëm vazhdon të jetë i pranishëm, por për fat të keq, po mbillet dhe në mentalitetin e brezit të ri.
       
Përgjegjësit kryesorë të arsimit në Shqipëri, duhet të kalojnë përtej bindjeve partiake, duhet të formulojnë tekste profesionalë të hartuar në ekipe dhe duhet të konsultohen edhe me studentë të diplomuar jashtë vendit që mund të sjellin eksperiencën e tyre në dobi të arsimit tonë. Arsimi është një pikë themelore të cilit i duhet dhënë rëndësia e duhur dhe për të cilin duhet punuar me seriozitet pasi është pikërisht kjo fushë që përgatit brezat e rinj. Se populli e thotë bukur : C’të mbjellësh, do të korrësh !

3 Komente

Artikullit nuk i heq asnje presje, 5*. Gjithsesi pyes veten: 

Ky liberalizim pa asnje lloj standarti i arsimit, a eshte vall ndonje nga ato experimentet e kapitalizmit alla-berishian i viteve '91?

Apo tentative dinake e qeverise qe me nje gur te vrasi dy zogj. Rrit punesimin ne arsim si edhe per te vjel me shume taksa nga universitetet private.

Apo ndoshta te dyja bashke?
 

Me shume ka mundesi te jete nje perzierje e shtyrjes se plasjes se nje problemi social (papunesia rinore) me perfitimin afatshkurter politik ne kurriz te nje popullsie te paditur.

Përgjegjësit kryesorë të arsimit në Shqipëri, duhet të kalojnë përtej bindjeve partiake, duhet të formulojnë tekste profesionalë të hartuar në ekipe dhe duhet të konsultohen edhe me studentë të diplomuar jashtë vendit që mund të sjellin eksperiencën e tyre në dobi të arsimit tonë.

E kuptoj qe per gjimnazet tekstet duhen formuluar nga grupe pune, po ato Universitare skane fare nevoje per nje procedure te tille: profesori eshte mbreti dhe tekste universitare referenciale bota ka plot - ska nevoje te krijohet rrota perseri nga (palo) profesori shqiptar (nuk ka shtet ne bote qe prodhon me shume tekste universitare per koke profesori apo dozenti sesa Shqiperia). Dhe ky eshte problemi, qe ky mbreti kerkon te ruaje pushtetin e tij; cdo ndryshim tekstesh, cdo punesim kuadrosh akademike me curriculume kompetitive per tregun nderkombetar te punes akademike, cdo perpjekje per te ndryshuar cilesine ne mesimedhenie do te thote vetevrasje. Askush nuk e do ndryshimin, punen. Prandaj ka kaq shume retorike.

Nuk jane bindjet partiake problemi me i madh por eshte paaftesia, padija, mungesa e interesit per dijen, mungesa e kultures se punes, mbyllja, izolimi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).