Dikush do të mbretërojë i lumtur

Në shtetin e vogël V., një shtet i madh hapi një shkollë të mesme. Shkolla ishte me konvikt dhe, siç dihet, çdo konvikt ka dhe mensën e vet.
Mensa ishte ngjitur me konviktin, por hyrja e nxënësve bëhej nga një derë e jashtme. Nxënësit rreshtoheshin sipas klasave dhe hynin brenda me regull e qetësi. Në anën e majtë të katërkëndëshit të mensës ishte një korridor i gjerë që të çonte në sportelin e kuzhinës, ndërsa nga ana e djathtë, pas çdo rrshti me ca kolona të gjera, ishin dy rreshta me tavolina e stola të gjatë, për 8 veta secila.
Menuja e zakonshme ishte:
Mëngjes: çaj e djathë.
Drekë: pjata e parë - gjellë me mish ose fasule, pjata e dytë - pilaf ose makarona.
Darkë: supë me makarona ose oriz (ose kos, herë-herë).
Mirëpo të huajt vunë re se njerëzit e këtij vendi konsumonin shumë bukë. Për të përballuar këtë, ata menduan dhe hoqën nga dreka pjatën e dytë (pilaf ose makarona).
Askush nuk u ndie.
Pastaj erdhën kohë të vështira. Kriza botërore nuk mund të mos ndihej edhe në këtë vend të vogël. Fondet ishin pakësuar. Rrugëzgjidhja: të hiqej artikulli i djathit në mëngjes.
Askush nuk u ndie.
Më vonë, kohë më të vështira akoma. Shtetet po përgatiteshin për luftë. Përsëri, fondet u ulën. Mos duhej mbyllur shkolla? Jo akoma. Do të heqim artikullin e mishit nga dreka.
Askush nuk u ndie.
"Jemi që jemi, - thanë të huajt, - Nuk bëjmë dhe një eksperiment? Të heqim edhe darkën? Do të mund të flenë dhe më mirë.
Përsëri, askush nuk u ndie.
Atëhere, të huajt, pasi u siguruan mirë e mirë, folën me entuziazëm:
-Uria po suportohet... Lum kush do të mbretërojë në këtë vend!

---

Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).