Dhuna e mirë dhe dhuna e keqe

Dhuna e mirë dhe dhuna e keqe

Ermira Danaj

Javën e kaluar ngjarja më e rëndësishme e përcjellë nga të gjitha mediat (në mënyrat e tyre, shpesh herë nga më të ndryshmet) ishte incidenti mes gazetarit Mero Baze dhe biznesmenit Rezart Taci. Për ta risjellë shumë shkurt në vëmendje (edhe pse vazhdon të mbetet një ngjarje dite), ishte një incident ku gazetari Mero Baze ishte viktimë e dhunës fizike të ushtruar nga truprojat dhe mesa duket edhe nga vetë Rezart Taci. Ky ishte një version shumë i shkurtër meqënëse kjo është një çështje akoma në proces gjyqësor, dhe akoma shumë e freskët, kështu që po përpiqem të evitoj cdo detaj të panevojshëm apo me ngjyra të tepërta. Por në kuadër të këtij shkrimi të shkurtër, emrat e përvecëm nuk më interesojnë shumë, madje le të themi edhe profesionet. Ajo që më shqetëson shumë më tepër është fenomeni i dhunës mbi të cilin do ndalem pak më shumë. Pas ngjarjes në fjalë, dhe si reagim ndaj dhunës fizike në qendër të kësaj ngjarje, u ngrit një fushatë dënuese, nga shumë gazetarë dhe përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, jo vetëm nëpërmjet ekranit por edhe në formë proteste para kryeministrisë. E gjithë kjo fushatë ishte pikërisht kundër dhunës ndaj fjalës së lirë, dhunës ndaj gazetarit, ndaj investigimit etj. Duke dënuar cdo lloj forme dhune, atë fizike, por sidomos atë simbolike, vlerësoj (dhe vlerësova) këtë tentativë ndërgjegjësimi kundër dhunës. Por nga ana tjetër situata mu duk shumë dëshpëruese në raportin apo perceptimin që ne kemi me dhunën. Në rradhë të parë mu duk dëshpëruese sepse nuk u tentua asnjëherë të merreshin me fenomenin e dhunës, por me personazhet e ngjarjes: ai tha kështu, ky bëri kështu, sepse ti më kishte thënë njëherë kështu, po unë nuk të shava, etj etj. Edhe pse objektivi mund të ishte për të folur për dhunën (në media apo jo) asnjëherë nuk u shkua më shumë se niveli i polemikave individuale që duket sikur është kthyer në ideologji sunduese në Shqipëri. 

Në radhë të dytë, situata se si u përballëm ne me këtë rast dhune mu duk dëshpëruese sepse mu krijua përshtypja që duket sikur ne perceptojmë dy lloje dhunash, një dhunë të keqe, pra ajo e dënueshmja (si në rastin në fjalë), e papranueshmja, për të cilën ne protestojmë. Ndërkohë që ka një dhunë tjetër në Shqipëri, që është e dukshme, por që askush me sa duket nuk e sheh, dhe që ka të bëjë me dhunën e përditshme me të cilën hasen dhjetëra qytetarë shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë. Dhe është ky perceptim i dyfishtë që mu duk shumë dëshpërues. Dhuna ndaj një gazetari është shumë e dënueshme, dhuna ndaj fjalës së lirë akoma dhe më shumë. Po dhuna ndaj dhjetra grave dhe fëmijëve në Shqipëri, a nuk duhet të ishte po kaq e dënueshme? Vërtet atyre nuk iu është cënuar e drejta për tu shprehur lirisht, por akoma dhe më keq, iu është cënuar e drejta për të jetuar lirisht. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve në Shqipëri për fat të keq duket se është kthyer në normalitet. Ne dëgjojmë një rast më shumë në media dhe themi “ja dhe një tjetër, normale, s’kemi c’i bëjmë”, etj etj etj. Ky perceptim dhe këto shprehje të pafajshme, në fakt nuk janë aspak të pafajshme, sepse mbajnë brenda tyre gjithë perceptimin tonë që përsa kohë dhuna nuk më prek mua nuk është e keqe. Dhe c’është më e keqja, mbart perceptimin dhe paragjykimin tonë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është cështje private e familjes, dhe jo e publikut. Duke harruar, ose duke bërë sikur nuk kuptojmë, që kjo dhunë tashmë na ka prekur të gjithëve, të gjithë shoqërinë, dhe nuk mund të jetë kurrsesi një “çështje private”. Ka me dhjetëra gra dhe fëmijë anonimë, që nuk kanë mundur dot të bëhen VIP, të cilët dhunohen shpesh ose sistematikisht, por më e pakta askush nuk i mbron, dhe më e shumta rastet e tyre do përbëjnë kronika lajmesh ose pjesë të ndonjë emisionin sporadik në vorbullën thithëse të emisioneve politike në Shqipëri. Dhe jo vetëm kaq, por paragjykimet vazhdojnë dhe riprodhohen edhe brenda trajtimeve që i bëhet fenomenit të dhunës (në më të shumtën e rasteve) në media apo takime të tjera publike. Vëmë re shpesh se pasi jepet ndonjë rast dhune fizike ndaj një gruaje apo fëmije (ose dhe vrasjeje- sepse tashmë kemi arritur që dhe vrasjet të na duken normale), menjëherë shoqërohet me arsyet që janë gjendja e rëndë depresive ose xhelozia. Madje kjo e dyta duket sikur është kthyer në justifikimin par excellence të vrasjes apo dhunimit të grave dhe vajzave. Në Shqipëri për xhelozi (dhe për nder) nuk të falim. Duke mos dashur të futem në një shpjegim më filozofik të konceptit “nder” do thoshja se në Shqipëri vrasin për të ruajtur nderin, po nuk e di se sa nder i mbetet një njeriu që vjet dhe i merr jetën tjetrit. Megjithatë duke u kthyer tek trajtimi simplist dhe paragjykues që ne i bëjmë dhunës ndaj grave dhe fëmijëve do sillja dhe një rast tjetër. Nëse do na kalonte rruga nga burgu i grave në Tiranë, dhe për të takuar ndonjë nga të dënuarat aty, do mjaftonin shumë pak biseda për të parë se sa tragjike është gjendja në vendin tone. Një grua, e dënuar sepse ka vrarë burrin e saj (dhe që këtu, shumëkush do e etiketonte “kriminele”, etj etj) është dënuar me shumë vite burg. E ka vrarë burrin e saj sepse gati për aq gjatë sa ajo do rrijë në burg (10 vjet) ai e ka rrahur dhe dhunuar në mënyrën më cnjerëzore, e ka goditur me cfarë i ka ardhur në dorë, edhe në barkun e saj brenda të cilit ishte fëmija i të dyve, e ka tërhequr nëpër qytet të lidhur pas makinës së tij me zinxhirë, ka rrahur dhe fëmijët në sy të saj. Kjo grua e mirë shqiptare vendos që ta denoncojë në polici, pasi ka kaluar një mal paragjykimesh sipas të cilave dhuna është private dhe duhet të mbete brenda familjes. Dhe pasi e denoncon në polici, nga ana tjetër vjen përgjigja se burri i saj ishte “alamet djali” dhe madje edhe shok me policët. Dhe një ditë, pas disa vitesh të tjera dhune, ajo kthen dorë ndaj burrit dhe e vret. Historia e mësipërme nuk e c’bën faktin që kjo grua ka vrarë një njeri. Dhe kjo është e dënueshme, dhe për këtë ajo është dënuar. Por ajo që nuk duhet të harrojmë dhe të lëmë pa përmendur sa herë flitet për këto raste, është se ky veprim ekstrem ishte opsioni i vetëm që kjo grua kishte, ka qenë opsioni i vetëm edhe për raste të tjera të ngjashme. Opsioni i vetëm që shteti, dhe ne, shoqëria iu kemi ofruar dhe fatkeqësisht vazhdojmë t’iu ofrojmë. 

Ky është vetëm një rast nga shumë e shumë të tjerë të grave dhe fëmijëve në Shqipëri, raste të dukshme, por, po e përsëris, të cilat ne nuk i shohim. Fatkeqësisht për këtë dhunë ne flasim vetëm më 25 Nëntor, Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj grave. Pjesa tjetër e të folurës për këtë dhunë është vetëm gjatë kronikës së zezë, brenda vetëm 30 sekondave lajm. Për këto raste dhune nuk flitet dhe nuk protestohet ashtu sikundër ndodhi në rastin e gazetarit Mero Baze, apo dhe rasteve të mëparshme të gazetarëve. Dhe kjo është sa e dhimbshme aq dhe e papranueshme. Sepse nuk mund të pranohet që njërën dhunë ta dënojmë, të ngrihemi kundër saj, ndërsa tjetrën, atë ndaj personave anonimë, ta lëmë në heshtje, dhe ti kalojmë përbri.

13 Komente

po s'ka se si te ngrihet per to opinioni publik, sepse femrat e dhunuara jane thjesht ca anonime qe nuk perbejne lajm ne gurgulene e shkronjetareve qe bejne gazetari fasadash...

shkrimi shume i mire

Shkrimi nuk me pelqeu.

Kur edhe nje gazetare grua, nuk mund ta mbroje gruan e dhunuar fizikisht per vite me radhe, por e justifikon me fjalet "Dhe kjo është e dënueshme, dhe për këtë ajo është dënuar." Nese ajo i eshte kthyer te shoqit ne vetmbrojtje atehre nuk duhet denuar. Nje shembull i tille ku nuk jepen rrethanat ne te cilat e vrau bashkeshortin, nuk ndihmon ceshtjen e grave te dhunuara. Nuk mund te behet nje shkrim ne pergjithesi, per t'i thene vetes "te lumte, e bera punen time" me shpresen se u ndergjegjesua opinioni.

Ku jane shoqatat e grave ne mbrojtje te ketyre viktimave? C'kane bere per te filluar diskutimet apo per te vene perpara ligje per te mbrojtur keto gra e femije te dhunuar? Ku jane fushatat per t'i dhene shprese ketyre grave? Ku jane safe houses per to? Apo per to do te flitet ne vecanti ne 25 nentor? Mos do te mblidhen pre dreke keto shoqata ater dite dhe do te pergezojne njera-tjetren per te thene se e kryen punen edhe kete vit?

 

o ujk, te njejten gje qe thua ti  thote dhe autorja e shkrimit

jo flo, nuk me duket keshtu.

Fjalia e fundit e shkrimit eshte nje larje duarsh nga pergjegjesia. Dikush duhet te luftoje per keto gra apo femije. Dhe ky dikush per mua jane shoqatat e grave qe duhet te bejne me teper per te mbrojtur keto viktima.

Hyrja e shkrimit eshte pothuaj po aq e gjate sa shtjellimi i temes se tij dhe kjo perseri shume e pergjithshme.

Vazhdojne perpjekjet per relativizimin e dajakut dhene nga Taci dhe pritur nga Baze! smiley

Njeri (Lubonja qe disa vjet me pare sokellinte per nuancat e bojes se Pallatit X apo Y, aq i ndjeshem dhe i "angazhuar" ishte)  para ca ditesh thonte, patjeter qe eshte shume keq qe e rrahen ate Bazen, por media jone eshte e tille dhe e atille! smiley

Me nje llaf, shume keq qe e rrahen Meron, por prodhimi i telenovelave eshte shume i dobet ne TV-te tona!!!!

Kjo tjetra thote, shume keq qe rrahen Meron, por..grate qe rrihen perdite?

A thua se ka ndonje veshtiresi te madhe qe te kuptohet se kur rrihet Merua (per shkak te punes) kjo do te thote qe media eshte objekt i pambrojtur ndaj dhunes dhe si rrjedhim e mbyll gojen!

...ndersa kur rrihet Desantila nga Reixhersi ne Cerrik, se ky i fundit nuk ka leke per ponch, kjo eshte dicka qe ne si shoqeri, pertej diskonfortit te natyrshem qe ndjejme per cdo gje te keqe qe ndodh ne bote (uria, berja synet e grave ne Afrike, refugjatet palestineze, zhdukja e Dodose etj) nuk kemi ndonje hise, sic kemi kur mesojme se si nje gazetar e mbyll squpin nga dajaku! smiley

Ky stili, "nga kjo mora spunton qe te flas per kete tjetren, dhe perkimi i termave eshte thjeshte artific gazetaresk" eshte stil i keq! smiley

 

 

kur rrihet Desantila nga Reixhersi ne Cerrik

Hahahah..edhe e kjo e relativizon dhunen. Imagjino te kish emrin Doruntina kjo Desantile s'kish per te shtene kush dore ne te.

mroklle,

jena bo te gjith 'beefeaters'.  Cdo perpjekje per t'na terheq vemenjen, lene pastaj kur perpjekja funksiono, duhet pershnet!

 Mu smu duk shkrim i dergum nga posta hafintonit gjifsesi. smiley 

drejt, por pertej parimit, une do thosha berqaves! 

I'm not so sure! smiley

timing is a very curious thing, especially when you want others to take your message seriously! smiley

 

Qe po folshim dje per punen e "timing"!

Sot pashe kete artikullin me poshte, qe i pergjigjet Analistit te Ndjeshem! 

 http://bw.balkanweb.com/periferi/fatos-lubonja-i-sali-berishës-1913.html

Administratoret kushedi do bojshin mire ta vejshin si pjese me vehte, se ia vlente per me e diskutu kete rolin e ketij Lubonjes dhe do "analistave te tjere qe para 2005-ese u shqetsojshin per ca gjona te cilat tani jane bere standard dhe te qeshin mu ne surrat po ti hapesh si shqetesime!

TVSH-ja psh, ose ca gjona te tjera!

Nock, nock! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).