Depolitizimi i shoqërisë

Depolitizimi i shoqërisë

Leart Kola

Të mbash nën thundër një popull, sidomos tani që diktaturat kanë dalë nga moda është bërë një proçes përherë e më shumë kompleks. Nuk mjafton më të zotërosh vetëm format nominale të pushtetit, si policia dhe ushtria, por duhet ta kombinosh me një sërë hapash të tjerë që do t’ia lejonin oligarkëve kontrollin e politikës nëpërmjet kontrollit të biznesit dhe mediave. Për ta ilustruar me një similitudë sigurisht tepër të pavërtetë dhe abuzive, Mehmet Shehu në 2009 do t’i përngjante më shumë Blendi Fevziut sesa Bujar Nishanit.

Politika autoritare ka nevojë që ta konfirmojë vazhdimisht forcën e saj, pra forca e saj është kudo në çdo ind të qytetarit të një vendi totalitar. Kjo politikë propozohet shpesh në formë paradash, apo prezence të vazhdueshme forcash të shumta ushtarake në rrugët e qyteteve. Politika autoritare ka nevojë absolute për politizimin e shoqërisë, indoktrinimin e saj deri në ekstrem në mënyrë qe te ndjehet prezenca e autoritetit te saj kudo, te ndjehet dashuria pa kushte ndaj ideologjisë dhe liderit.

Shqipëria e para viteve ‘90 i përngjan sigurisht përshkrimit të mësipërm. Pas viteve ’90 dhe deri në kolapsin e ’97, edhe pse nominalisht në pluralizëm, Shqipëria vazhdoi në po të njëjtën rrugë nëse analizojmë raportin e liderit me popullin e tij.

Të gjithëve u kujtohet që pas ardhjes së Berishës në pushtet në ‘91 shumë pak ndryshoi në sjelljen e pushtetit ndaj shqiptarit të zakonshëm, atij iu kërkua që në emër të demokracisë të digjte librat e Enver Hoxhës, e po me të njëjtin ankth në zemër kësaj here të çlironte dashurinë pa kushte për diellin e ri që po lindte, Sali Berishën. Në të dyja rastet, si me Enver Hoxhën ashtu dhe me Berishën e para 1997 shfaqet e njëjta sjellje e për pasojë populli reflektonte të njëjtat simptoma, indoktrinim i shoqërisë, represion politik dhe përkushtim nga ana e shoqërisë për liderin e porsashpallur.

Ardhja e partisë socialiste në pushtet pas revoltave të ’97 me në krye një lider si Fatos Nano krijoi një atmosferë të re në këndvështrimin politik të ruajtjes dhe konsolidimit të pushtetit. Ndër deklaratat e para të Nanos u tha që në asnjë menyre nuk do të fuste Sali Berishën në burg, pavarësisht se kushtet historike ishin shumë të favorshme për të hequr qafe një kundërshtar të këtij kalibri.

Problemi nuk qëndron tek zemërbutësia e Nanos por tek inteligjenca e tij per të kuptuar që duke përdorur represionin policor (siç kishte bërë Berisha), jetëgjatësia e tij në pushtet do të ishte shumë e kufizuar dhe problematike. Nano kishte ndër mend diçka krejt tjetër, një plan kryekëput të ndryshëm për menaxhimin e pushtetit. Duke mos e përdorur më policinë por duke kontrolluar perceptimin publik, pra ndryshe nga Berisha që shtypte krijimin e mediumeve që nuk ndanin një mendim me të, Nano filloi pikërisht atë që konsiderohet start i depolitizimit të shoqërisë. Liri absolute mediatike në aparencë, por me media të kontrolluara nga biznese të thurura me interese politike. U realizua shkëputja e shoqërisë nga politika dhe krijimi i një identiteti shoqëror “jo politik” që në fakt kontrollohej nga triumvirati i sapokrijuar media-biznes-politikë, që garantonte menaxhimin e publikes duke përjashtuar publikun.

Në “epokën” e Nanos ndodhi çka mund të quhet revolucioni i mediave. Sot Shqipëria është një nga vendet me më shumë media për popullsi, gjë që sigurisht ka sjellë një inflancionim të numrit të mediave, duke krijuar dhe një inflancionim të mendimit kritik.

Hapësira mediatike e krijuar krejtësisht në mospërputhje me nevojat e kapacitetet e vendit, polli shumë “analistë”, duke e çmitizuar kësisoj kritikën e “intelektualit”. Sot në asnjë medium analiza nuk nënshkruhet më nga “intelektualë”, por nga “analistë”. Aty, pas kësaj etikete të pafajshme fshihet qëndrimi depolitizues, pra nuk kemi më kritikë të thellë të fenomenit, por vetëm analizë faktesh (fakte që në të vërtetë i zotëron sistemi dhe i servir sa herë duhet të mbajë mitin e pushtetit gjallë).

Është krijuar në këtë formë një lidhje simbiotike mes pushtetit politik dhe sipërfaqësisë analitike që shërben për t’i krijuar qytetarit shkëputjen nga mendimi kritik, që është zëvendësuar në mënyrë perverse me thashetheme sallonesh ministrish. Kjo prodhon pikërisht atë perceptim që më pas sjell pështirosjen e qytetarit me politiken duke e parë jo më si zgjidhje të problemit, por si pjesë të tij. Por kujdes, truku këtu është se pështiroset politika, e jo politikanët. Përse politika?

Në vitet ’90 pas rënies së sistemit totalitar tek PD dhe PS, që ishin dy partitë më të mëdha u angazhuan një numër i konsiderueshëm intelektualësh. Prodhimi politik ishte i jashtëzakonshëm, po aq sa ishin edhe debatet politike. Madje dhe arti ishte shumë herë më politik se sot. Profesorë, studentë dhe intelektualë ishin në avangardën e diskursit, alternativat ishin të gjalla e të prekshme në një vend që po hidhte hapat e para të trasformimit në një shoqëri të debatit të hapur. Politika represive e Berishës i afroi më shumë intelektualet dhe popullin në angazhimin politik. Por pas ’97 ky angazhim u pa si problematik në kontrollin e strukturës së partive të mëdha. Atëherë mënyra për ta shmangur këtë angazhim e për të depolitizuar shoqërinë erdhi duke krijuar perceptimin që politika është një gjë e ndyrë dhe kushdo që merret me të herët ose vonë do të ndyhet prej korrupsionit apo forma të tjera abuzive të pushtetit.

Pavarësisht duket sikur depolitizimi dëmton politikanët, në të vërtetë ajo që dëmtohet është politika si përfaqësuese e interesave të shoqërisë. Gradualisht intelektualët filluan të tërhiqeshin në kullat e tyre të fildishta, të pamundur që të depërtonin perceptimin publik. Nëpër struktura partish përherë e më shumë po vlerësoheshin lidhjet e drejtpërdrejta me kryetarin më shumë se idetë e marra nga teoria e librave apo nga praktika në bazë. Partite kishin nevojë për individë që prodhonin vota, qoftë dhe nëpërmjet konjukturave korruptive, e jo për njerëz që kalonin ditën duke lexuar apo studiuar fenomenet social-ekonomike. Politika kishte nevojë për prodhim të shpejtë pushteti e parash, e jo për diskutim parimor mbi zgjidhjet e problemeve, në baza praktike apo ideore. Në këtë formë promovimi i politikës si një e keqe që duhet shmangur i krijoi mundësinë Berishës e Nanos të spastronin partitë e tyre nga forca e shumë intelektualëve të angazhuar, duke i ndërruar këta me individe pa skrupuj, të korruptuar e gati analfabete që në asnjë mënyrë nuk do të mund të cënonin forcën e kryetarit.

U krijua shoqëria postmoderne, ku qytetarët me kredon e “politikës së keqe” i hapën rrugën krijimit të një parlamenti si ai i 2009-ës që mban brenda vetes edhe deputetë në nivelin e analfabetizmit, e që asnjë të përafërt nuk ka me parlamentet e viteve ’90. Ndoshta po të dëgjoheshin sot ato diskutime do të na vinte turp për regresin.

Politika postmoderne e arrin kulmin e saj pikërisht tani, në shëkullin XXI kur politikanët shqiptarë jo vetëm që filluan të mallkojnë politikën si të tërë, por arritën edhe të shpikin parti dhe individë që të qëndronin në majë të këtij ajsbergu absurd. Psh. një parti me emrin “Lëvizja Socialiste për Integrim” i përngjan shumë-shumë një fushate sensibilizuese, por jo një partie. Emri i saj do t’i bënte politologët të shkuleshin gazit për mungesen e konsistencës logjike. Jo vetëm kaq por një parti me këtë emër është nominalisht anti-ideologjike, dhe përdor emërtimin abuziv vetëm për të tërhequr vëmendjen. Kjo është pikërisht ajo çka po quaj “politikë postmoderne”, që përcjell vetëm formë e aspak substancë (në këtë rast substanca mohohet që në emër). Të gjithë e dimë që LSI-ja, kishte më shumë prapavijë tregtare sesa ideore, gjë që nuk vendos limite politike, duke i lejuar dhe koalicione si ato të ditëve tona me të djathtën. Në këtë mes s’ka asnjë zhgënjim, është thjesht vazhdimësia e asaj çka kishte premtuar Ilir Meta me shokë, pra në emër të partisë të sillte “integrim”, e jo ideologji. Fati solli që integrimin ta bënte me Berishën, por të gjithë jemi të sigurt që edhe po të ish dikush tjetër aleati, asgjë nuk do e trondiste ideologjinë e votuesve të tyre për arsyen se ajo thjesht nuk ekziston.

Por LSI nuk arriti dot të ishte rasti më ekstrem dhe padyshim medaljen e artë të absurdit postmodern shqiptar e mban Edi Rama, njeriu i cili arriti të trasformonte partinë më jetëgjatë e më ideologjike në një karnaval ngjyrash dhe forme pa substancë. Rama arriti që politikanët e karrierës t’i transformonte në soubrettes.

Rasti Rama është kulmimi i vazhdimësisë së rrugës së depolitizimit shoqëror, madje dhe leitmotif-i tij ishte UNË NUK JAM POLITIKAN. E ç’do të thotë kjo? Asgjë më shumë sesa: “unë nuk jam politikan e për pasojë nuk ofroj zgjidhje, por menaxhim të problemit. Duke mos qenë politikan nuk jam pre e asnjë ideologjie e shkoj përtej të majtës e të djathtës. Duke mos qenë politikan unë mund të jem edhe i djathtë edhe i majtë, por jo për nevoja të komunitetit, por për nevojat e mia. Duke refuzuar politikën shqiptarë të dashur, ju refuzoj dhe juve”. Ky ishte kulmi i gjithë këtyre viteve refuzim i politikës dhe urrejtje ndaj saj, e për këtë arsye Rama ka sigurinë që kjo urrejtje do të prodhojë vota. Por nuk ndodhi kështu, e ndoshta kjo na sjell në përfundimin që shoqëria jonë ka ende forcë të reagojë ndaj këtij depolitizimi dhe budallallepsjeje ekstreme.

Gjithsesi përfitues i kësaj situate kurrsesi nuk mbetet vetëm Rama, përfituesit janë shumë. Kyesori është Berisha, që duke mos patur një kundërshtar ideologjik mund të bëjë ç’të dojë. Përfitues janë “ndërkombëtarët”, që duke patur politikanë pa asnjë lloj identiteti, që qeverisin një popull të depolitizuar dhe që nuk trajtojnë alternativa politike por vetëm thashetheme, e kanë më të thjeshtë të marrë çdo lloj favori për multinacionalet e tyre që përfitojnë në kurriz të varfërisë sonë. Këto multinacionale e kanë rrugën e shtruar mirë, pasi i vendosin vetë rregullat e lojës në kushtet kur politikani pa vizionin ideor që e lidh me interesat e popullit është si një spektator në një ndeshje futbolli ku ndërkombëtarët janë edhe lojtarë edhe arbitra.

Një politikan që qeveris në popull apolitik nuk e ka problem hiç të zgërdhihet në televizion me homologë të tij, duke firmosur pa u tutur që nga dënimi me vdekje i ambientit e deri tek heqja e kontrollit mbi kompanitë celulare që përfitojnë më shumë se kudo në Ballkan, edhe pse populli është shumë më i varfër se kudo tjetër.

Komuniteti ndërkombëtar është i sigurt në financimin e depolitizimit dhe deideologjizimit të politikës dhe qytetarit, se vetëm në këtë mënyrë mund të marrë konçesione minierash për korporatat, mund të ndërtojë rrugë me 4-fishin e çmimit, mund të blejë asete shtetërore me shifra qesharake.

Shqipëria e tranzicionit është parajsa që askush nuk do të donte, po të kishim një shoqëri të politizuar. Në rast se shoqëria fillon dhe ka pikëpyetje mbi proçeset e çuditshme negative që po ndodhin, atëherë gjithçka rrezikon të trasformohet në nj ferr bolivian apo venezualian. E pa perifrazuar kryeministrin tonë por dhe kryetarin e opozitës, gjithmonë në lajme do të dëgjojmë refrenin “komuniteti ndërkombëtar na mbështet në kërkesat tona”. Kjo ndodh edhe se ne nuk kemi asnjë kërkesë tonën.

Zgjidhja e vetme që na del përpara në këtë shekull të ri është e kundërta e asaj që mediat dhe politikanët proklamojnë. Ne duhet të interesohemi sa më shumë për politikën, duhet të informohemi e të radikalizohemi, duhet të jemi të majtë apo të djathtë, sipas interesave e pozicionit komunitar që përfaqësojmë. Vetëm kështu politika do të fillojë të merret me zgjidhjet, vetëm kështu parlamenti do të kthehet në një arenë idesh përparimtare, të majta apo të djathta e jo në një kioskë thashethemesh. Ne nuk kemi nevojë për Metë, Berishë apo Ramë, kemi nevojë për të rinj e për studentë aktivë politikisht, me formim ideor e të gatshëm për të dhënë gjithshka në mbrojtje të ideve të tyre.

Ne, shqiptaret, sot nuk e kemi lluksin që të jemi indiferentë përpara politikës. Ndryshe nga çfare është thënë deri tani, pra “shihni punën tuaj se s’ka ç’ju duhet me politikën”, une them që nuk duhet të shihni vetëm punën tuaj, por të kontrolloni punën e atyre që i zgjidhni me votë. Se po nuk kontrolluat punën e politikës, e po patë vetëm punën tuaj, së shpejti do të mbeteni pa punë.

Mbushni sheshet e shkollave që shërbimet arsimore cilësore të ofrohen pa pagesë, mbushni sheshet e fabrikave që pronarët t’ju paguajnë sigurimet shëndetësore, mbushni sheshet e qyteteve me flamuj e pankarta që të mos ju vjedhin e të mos jua tjetërsojnë pronën tuaj të përbashkët. Shkurt mos shihni vetëm punën tuaj, por gjithmonë mbani vëmendjen edhe tek punët e atyre që trashen në kurriz të indiferencës tonë jopolitike.

Shqiptari modern duhet të shndërrohet në një qenie politike, se vetëm kështu do të mund të paguajë më pak për telefonine celulare, për dritat, për ujin, për ushqimet etj. Duke qenë të pozicionuar politikisht ne do të zgjedhim politikanet që përfaqësojnë interesat tona e jo ata që përfaqësojnë interesat e shokëve pronarë biznesesh e gazetash. Duke qenë vetë të pozicionuar politikisht i detyrojmë dhe politikanëttë pozicionohen. Sepse Shqipëria sot ka nevojë për vizione të majta dhe për vizione të djathta, për rrahje idesh, për integrim të majtë apo të djathtë. Se një mashtrim i madh i gjithë epokës pluraliste është integrimi i pangjyrë që po na e shesin shumë shtrenjtë. Në emër të këtij integrimi pa kushte e pa korniza po na shkatërrojnë bujqesinë e ambientin, po gjymtojnë të ardhmen e mbi 60% të shqiptarëve që jetojnë në fshat por nuk kanë mundësi të shesin prodhimet e tyre.

Zgjidhja për një të ardhme më të mirë nuk është ajo që propagandojnë politikanët tanë pa bosht, e që kryeministri Berisha thotë me aq dëshirë, pra privatizim, privatizim, privatizim. Zgjidhja qëndron tek vizioni, pra informim, radikalizim, politizim. Ne jemi të vetëdijshëm për momentin që po kalojmë dhe për këtë arsye kemi detyrën historike të punojmë për të ardhmen tonë, dhe për të ardhmen e vendit tonë.

(Ky shkrim do të publikohet në të përjavashmen GAZETA, numri i parë i së cilës del në treg të mërkurën, më 16 shtator)

4 Komente

Me duket mua apo kjo eshte nje analize shume e gjate dhe e haperdare, e cila kritikon analizat e analistave, dhe gjithashtu numrin e madh te gazetave, dhe ky shkrim do botohet ne nje gazete te re te quajtur gazeta? smiley

Zgjidhja për një të ardhme më të mirë nuk është ajo që propagandojnë politikanët tanë pa bosht, e që kryeministri Berisha thotë me aq dëshirë, pra privatizim, privatizim, privatizim. Zgjidhja qëndron tek vizioni, pra informim, radikalizim, politizim. Ne jemi të vetëdijshëm për momentin që po kalojmë dhe për këtë arsye kemi detyrën historike të punojmë për të ardhmen tonë, dhe për të ardhmen e vendit tonë.

Juve mjafto99istat jeni komplet te pjardhur n'tajare ne keto aspekte. Ne fillim kujtova se artikulli do kritikonte politizimin e thelle te popullit te thjeshte, me se miri te shprehur me thenien "ne Shqiperi njerzit bejne politike kurse politikanet bejne biznes".  Apo do kritikonte politizimin me qellim qe i behet popullit nepermjet mediave qe jane prone e politikaneve.

Jo, ky i velijezumi dashka te radikalizohemi dhe politizohemi me teper se qenkemi shume deficit nga kjo ane. smiley

Po e provuat pra me propoggandat te tipit luftoje apatine dhe cohu, humbet. Prap me keto mendje prisni te fitoni? smiley

xhibo, meqe e lexove plako, se mu kane bo syte uje e s'mundem mo, ca thote?

 

Fillova ta lexoj, po e lashe sapo i ra ere puna, plus qe ishte shume kuturu si shkrim per tu ndjekur. Thjesht kalova tek fundi pastaj dhe pashe ato dy paragrafet per thirrje radikalizimin dhe politizim, me kujtoi disa syrresh socialiste ne '97 me kenget patriotike o djem rrembeni pushket.

Po ngaqe lexova ate shkrimin tjeter te Veliajt, ideja eshte pak a shume e njejte besoj (se kshu operohet, hedh i pari idene e strategjise, te tjeret i mbajne hiso smiley). Veliaj ngaqe i humbi turpshem te rinjte si elektorat tek Berisha sivjet, dhe ngaqe nuk i angazhoi dot me thirrjet shkundi apatine dhe tundeni voten e teri veri, tani i jane kthyer argumentit nuk kemi radikalizimin e duhur. smiley

I duhet fort ky argument dhe Rames per momentin, sidomos tani mbas raportit per zgjedhjet, se s'ka asnje arsye fare per te bere protesta masive dhe bojkote. Keshtu qe perdoren keto pseudo-arsyet e tipit turp te kemi qe nuk qenkerkemi radikalizuar sa duhet, ca prisni, cohuni radikalizohuni, etj. smiley

Me dy llafe: Sa here te mos fitoje Rama & Veliaj duhet, (1) Te bejme anallim loje dhe ta fillojme nga e para, dhe nese kjo nuk ndodh duhet, (2) Te radikalizohemi dhe revolucionarizohemi duke shpresuar qe kjo do coje ne zgjedhje te parakohshme. Me nje llaf te perseritet loja derisa keta te fitojne. smiley

Analize e mire. Vec problemi eshte tek fjalori. Ne shqiptaret duhet te heqim ca fjale nga fjalori dhe ti zenvendesojme me fjale krejt te reja

Psh "depolitzim" dhe "politizim" duhen zenvendesuar respektivisht me "deanguramixhan" dhe "anguramixhan" Keshtu ajo shija e hidhur qe na krijohet sa here kujtojme fjalen politizim qe ne kokat tona do te thote "militant" ne fakt te kuptojme ate qe ne realitet do te thote  

Ne duhet të interesohemi sa më shumë për politikën, duhet të informohemi e të radikalizohemi, duhet të jemi të majtë apo të djathtë, sipas interesave e pozicionit komunitar që përfaqësojmë. Vetëm kështu politika do të fillojë të merret me zgjidhjet, vetëm kështu parlamenti do të kthehet në një arenë idesh përparimtare, të majta apo të djathta e jo në një kioskë thashethemesh. Ne nuk kemi nevojë për Metë, Berishë apo Ramë, kemi nevojë për të rinj e për studentë aktivë politikisht, me formim ideor e të gatshëm për të dhënë gjithshka në mbrojtje të ideve të tyre.

Dhe nuk jane veteme keto fjale. Per shembull

"Prone shteterore" qe na kujton pronen e socializmit dhe per pasoje e shikojme aq me urrejtje sa duam ta shkatorojme duhet zevendesuar me nje fjale krejt te re psh...... "Ebsador amban"

"Tradheti ndaj atdheut" qena kujton aq shume ato denimet politike te monizmit me "asdulra beq ambatare"

"kapitalizem" qe na kujton ate sistem qe na tregoj monizmi socialist si nje sistem i  kalbur me plot korupsion e kriminalitet e mafia me "turdadin"

"diktature e ligjit" qe na kujton "diktaturen e proletarjatit" duhet zevendesuar me .......eh ju zgjidhni nje fjale per kete. Pse une do ti zgjedh te gjitha? smiley

etj etj

Po nuk ndryshuam keto fjale ne shqipen tone  artikuj si ky apo dhe te tjera do te na duken gjithmon marezira se instikti yne do te na coj drejt tek ajo qe kemi degjuar per 70 vjet me radhe.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).