Demokracia dhe shoqëria civile

Demokracia dhe shoqëria civile


Labinot Salihi
Në demokracitë e zhvilluara koncepti i shoqërisë civile është i organizuar përmes grupeve të interesit dhe organizatave joqeveritare të cilat udhëhiqen nga anëtarët e vet.

Demokracia në Kosovë është terminologji e cila fillimisht është përdorur si instrument presioni dhe mekanizëm i cili në fillim të viteve 90të në Kosovë shfrytëzohej për të ilustruar nevojën e Kosovarëve për vetëvendosje dhe liri.

Me organizimin e zgjedhjeve të para lokale ne Kosovë, pas luftës së vitit 1999, demokracia nis të perceptohet dhe në një këndvështrim tjetër, atë të përfaqësimit dhe mandatimit të përfaqësuesve të shtetit (fillimisht këshilltarëve komunalë e më vonë edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës). Me këtë demokracia si nocion merr edhe aspektin e përgjegjësisë dhe detyrimeve që kandidatët e partive politike kanë fituar pas e marrjes së votave të mjaftueshme, duke u bërë përfaqësues të një pjese të votuesve të vet.

Në Kosovë, fjalët si "demokraci e zhvilluar", "demokraci perëndimore", "demokraci e brendshme" apo terme e fraza të ngjashme janë prezentë edhe sot mjaft shumë në media, konferenca e tribuna apo edhe në takime zyrtare apo jo zyrtare të institucioneve apo organizmave të ndryshëm.

Është evident një deformim i përgjithshëm në organizata e institucione që lidhet drejt për së drejti me përgjegjësitë dhe obligimet të cilat dalin nga demokracia dhe të qenit përfaqësues dhe i përfaqësuar. Ky devijim ndodh nga presioni i vogël dhe i pamjaftueshëm i cili vjen nga qytetarët që zgjedhin dhe mandatojnë përfaqësuesit e tyre. Në periudhat në mes të zgjedhjeve është i zhvilluar një mekanizëm i caktuar i shoqërisë i cili përveç presionit të caktuar që zhvillon në institucionet e zgjedhura, ky mekanizëm po ashtu krijon kanale për të influencuar vendimet e caktuara të institucioneve. Ky mekanizëm është i organizuar përmes shoqërisë civile.

Shoqëria civile është e organizuar dhe profilizohet çdo ditë përmes grupeve të interesit dhe organizatave jo qeveritare. Por këto organizata duhet të udhëhiqen nga anëtarët e vetë dhe interesi dhe vendimet e anëtarëve duhet të reflektohen në strukturat ekzekutive përkatësisht menaxhmentit të grupit apo organizatës.

Obligimi i organizatave të shoqërisë civile që të kenë funksional dhe të plotë fuqishëm pjesëtarin përmes kuvendeve respektive, nuk është çështje fakultative apo e vullnetit të mirë, por pikërisht rregull dhe përgjegjësi e kësaj pjese të shoqërisë. Të qenit përfaqësues dhe i përfaqësuar nuk është vetëm privilegj por edhe obligim dhe përgjegjësi. Sot udhëheqësit e grupeve të interesit dhe organizatave joqeveritare duhen që plotësisht të krijojnë dhe funksionalizojnë mekanizmat brenda organizatave për llogaridhënie dhe përgjegjësi. Në këtë formë, këto të fundit do të kenë autoritetin dhe fuqinë që të kryejnë funksionin e vet në shoqëri, atë të presionit në institucione dhe influencës në vendim marrje të institucioneve të zgjedhura në Kosovë.

Duke i respektuar rregullat, obligimet e detyrimet, të gjithë ne do të mund të kontribuojmë në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, dhe presioni dhe ndikimi i shoqërisë civile në proceset që zhvillohen në Kosovë do të mund të jetë domethënës dhe real!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).