Deformimi i librit

"Darka e gabuar" e Kadaresë dhe "Guximi i Obamës për të shpresuar" ishin dy librat më të shitur në panairin e librit që u mbyll këtë javë në Tiranë. Pra, shqiptarët zgjodhën të vazhdojnë ta ndjekin krijimtarinë e Kadaresë dhe u treguan kuriozë për të njohur guximin e presidentit të sapo-zgjedhur amerikan. Shumë mirë. Zgjedhje interesante dhe reflektuese të së tashmes.

Por, në morinë e lajmeve, kronikave, shkrimeve e reportazheve për panairin, mes të gjithë lumit të njerëzve që kundronte më shumë se blente në tre katet e ekspozimit të librave, më tërhoqi lista e librave që blenë gjatë panairit disa nga politikanët shqiptarë. Ideja shumë tërheqëse; kurioziteti im po ashtu. Vura re se presidenti e kishte marrë me vete Kadarenë dhe akuzat e Shmid-it për Skënderbeun. Me Kadarenë në dorë ishin larguar prej panairit edhe Bujar Leskaj, Anastas Angjeli, Ylli Pango, Namik Dokle, Enkelej Alibeaj etj. Por, vura re me po aq kërshëri se në duart e politikanëve kishin përfunduar edhe tituj të Drajzerit apo edhe të Kate Moss-it. Kishin blerë libra shqiptarë për Enver Hoxhën, kujtime të njëri-tjetrit për 97-ën apo edhe libra me tregime e novela nga autorë të vonë shqiptarë.

Por, shumë pak më zuri syri të kishin blerë tituj që iu afroheshin fushës së tyre. I vetmi koleksion që i ngjante personazhit që e kishte blerë, ishte ai i Paskal Milos: “Diktatorët e Ballkanit”, “Shqiptarët”, “Shqipëria”, K.Kohl; “Bazat e marrëdhënieve ndërkombëtare”, “Politika ndërmjet kombeve”, “Himara”, “Dhërmiu”, “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri 1939-1944” etj. Gjithë të tjerët ishin fokusuar tek mbizotërimi dhe orientimi aktual i tregut.

Por, përpos kërshërisë dhe zhgënjimit përse politikanët tanë nuk lexojnë më shumë për politikën, më vrau edhe moria e titujve të shtypur keq e të shpërdoruar në ribotim. Duke u munduar t'i përgjigjen tregut të lexuesve të paktë të librit, shumica dërrmuese e shtëpive botuese i kanë nxjerrë librat me kopertina të mjera, plot ngjyra e pa asnjë fantazi, finesë apo domethënie për përmbajtjen e tyre. Respekti ndaj autorëve gjithashtu dukej i përdhosur. Ndaj lexuesve nuk dukej të kishte ndonjë përkushtim, përveç atij të futjes së shijeve të të gjithëve në të njëjtin thes, teksa kopertinat ishin shëmtuar të gjitha në të njëjtën formë.

Libri i Obamës që aq shumë u tërhoq, as që i ngjante në shkëlqim origjinalit punuar me finesë. "Amerikani Toni Blair" po ashtu dukej sikur ishte lyer me llak në kopertinën shqip. "Më keq se Wotergate" ishte ku e ku më dobët se ngjyrat, madhësia, formati dhe cilësia e përdorur në origjinal. Akoma më shumë vuanin imazhet ribotimet e klasikëve. "Ana Karenina" i ngjante një libri ngjyrosës për fëmijë; "Saga e Forsajeve" ka një tablo të importuar keq; veprat e Shekspirit të japin përshtypjen e një varfanjaku në kërkim të famës; portreti i Dorian Greyt shitej në disa variante amatoreske; Zola dukej sikur i drejtohej 10 vjeçarëve e Mopasani si shtojcë revistash pornografike.

Libri nuk gjykohet nga kopertina! Shumë mirë. Po atëherë përse t'ua deformosh atë? Jo të gjithë librat do të tërhiqen nga lexuesit e Danielle Still apo Nikolas Sparks. Atëherë çfarë bën një çift bullgar në kopertinën e Remarkut? Cilët lexues do tërheqë një femër me kapele diplome në kokë në "Shtjellimin e politikave të sotme magjistrative"?

Mania e të gjithë librave ishte të tërhiqnin me foto dhe ngjyrat e forta të kopertinës. Prandaj e pashë më të arsyeshme të paguaja çmimet e kripura shqiptare në këndin e librave në gjuhë të huaj. Të paktën kopertina e tyre nuk më shqetëson. As gjuha e përdorur aty.

Në kapërcimin e dy shokimeve të para ( tendecave lexuese të politikanëve dhe morisë së ngjyrave të forta në kopertinat e botimeve në shqip), përfundova në grackën e leximit të shqipes së cunguar, të paredaktuar dhe të pa-këndshme që kanë shumica e këtyre librave. Nuk e zbulova në panair. U bënë shumë vite tashmë që botimet vuajnë nga cilësia në përkthim. Fjali pa kuptim. Fjalë të lëna për gjysmë. Fjalë të përsëritura. Mungesë njëtrajtshmërie dhe mungesë tërësore përshtatjeje. Tek lexoja përkthimet e reja të Remarkut, iu futa kërkimit për të gjetur versionet e vjetra të Shvarcit. Shqipja më rrëmben më shpejt nga c'mund ta ndjek. E krahasoj me përkthimin e ri, shqipen as që di ta ndjek dot.

Më keq paraqitet gjendja tek librat filozofikë. Kanti më doli i cunguar e Nicja pa lidhje. Jungu pa kuptim e Frojdi pa asnjë sens. Përse? Sepse përkthimi nuk bëhet vetëm nga përkthyes. Bëhet edhe nga të afërm e miq në nevojë për para. Por, para' për redaktorë nuk ka. As për korrektorë jo. Atëherë të nxjerrim xhevahire të tilla në treg. Dhe shijet e lexuesit supozohen të jenë të gjitha ato të tipit "bestseller" apo reflekuese të komercializmit njëlloj si në muzikë.

Panairi në pallatin e kongreseve m'u duk tamam si BBF-ja në shkronja.

Nëse shtëpitë botuese synojnë të kthejnë lexuesin shqiptar tek libri, strategjia e zgjedhur për të deformuar kopertinat nuk duket të jetë ajo më e drejta. Mbase drejtësia është term që nuk i shkon idesë së tyre të biznesit, por mbrojtjes së vlerës së librit po.

E nëse ne shpresojmë se politikanët shqiptarë do të lexojnë “Korrupsionin dhe Demokracinë”, “Financimin e partive politike dhe të fushave zgjedhore“;“Formësimin dhe identitetin e kombeve”; “ Funksionimin e demokracisë në shekullin e XXI” apo të tjerë tituj të tillë në vend të aventurave e librave rozë, atëherë po shpresojmë në vendin e gabuar.

Do të doja shumë të thoja “panairi i librit ishte një sukses”, por për hir të dhunimit që po i bëhet vlerës së librit apo cilësisë së përkthimit të tij për shkak të marketingut, nuk mundem ta njëjtësoj dot suksesin e shitjeve me rritjen e vërtetë të interesit ndaj librit në Shqipëri.

Shpresa ngelet që botimet jo vetëm të shtohen, por edhe të rriten cilësisht në Shqipëri.

Po kjo ngelet për t’u parë!

9 Komente

ok TR. me pelqejne shkrimet e tua perfshire edhe kete. vezhgime unike e pergjithesime solide. dhe deshmi e dashurise e kujdesit per librin.

çfare me duhet të them gjithashtu eshte se vend per kritika ka kudo e kurdohere por kujdes, pse eshte mese e lehte qe ato te kthehen ne qellim ne vetvete.

(duke filluar nga Deformimi ) smiley. Ne kete rast, libri perveçse thesar i paçmuar i kultures tone, duam s'duam, si duam, eshte edhe i nenshtruari i tregut. Une, ndryshe nga shume te tjere, e shoh si pozitive kete gjalleri e larmi ne tregun e librit. njerezit punojne, lexojne, blejne, shesin..shyqyr. ka zgjedhje kapakesh, permbajtjesh, strategjish, trille...jo keq.

nejse ti lexo 100 vete e shkruj si di vete, mu prape se prape me pelqen.

T-red,

me vjen keq qe nuk ta ze syri faktin qe ka nje ambicje ne rritje per libra me cilesi te mire ne Shqiperi: kjo eshte nje nga ato gjerat qe me entuziazmon me shume kur vi ne Shqiperi. Nese para 10 vitesh nuk te behej te kapje liber me dore, sot gjen botime shume serioze, shume estetike qe krahasohen pa asnje lloj inferioriteti me librat qe botohen jashte.

Ndoshta situata nuk eshte perfekte, por ka nje permiresim qe nuk mund ta la pa permendur; nje permiresim qe meriton respekt dhe qe ky shkrim e le jashte vemendjes.

Ajo qe ve re une eshte nje permiresim teper impresionues ne librat per femije; per te arritur cilesine e duhur nje pjese e mire botohen jashte.

Nderkohe, qe librat e zhanreve te ndryshme per te rritur (te pakten ato qe kam une; bleva te pakten 20 tituj veren e kaluar, dhe nuk po llogaris c'kam blere me pare) kane redaktor, jane pa gabime dhe, kur kane te bejne me tema te shkences, kane konsulence shkencore nga akademike (edhe librat per femije). Me beso, ne biblioteken time, librat shqiptare, te cfaredo lloj zhanri qofshin, per te rritur apo femije, nuk dallohen fare nga ato te huaj.

Mos ma merr per keq T-red, por e ndjeva se duhet ta beja kete koment per respekt te atyre shtepive botuese apo individive qe perpiqen dhe kane bere nje pune te admirueshme me librin. Eshte nje lloj falenderimi nga ana ime per faktin se me kane risjelle deshiren per te lexuar ne shqip, dhe se me bejne ta dua ate vend me shume, se me bejne ta ndjej se gjerat po levizin, me japin ndjesine se ka deshire per ndryshim, ka dedikim; me bejne te besoj se, po, eshte e mundur qe ai vend te behet.

epo m'fal. Ty vete te ha kurrizi.
Po ctu desh moj korbe te veje ne panair. Atje skishte as arra,mjalte e kackavall smiley
Po ruju mi se ka viroza perqark, ene atje ke pallati kongreseve i merr shume kollaj ne ate dyndje mileti dhe aspirim skandaloz.
Po te kishe kohe te lire, pse s'erdhe te me ndihmoje mua te vilnim nje dore ullinj smiley Ato 10 mije leke qe ke kursy, ne rast se ke ble 10 libra ti kisha dhone une per at zot.

Panairizimi i librit ne menyren qe behet ne Tirane eshte paksa si me thone gastronomizim i tij. Me prej koken mua, nqs njerezit e perceptojne ndryshe ate panair, nga ai qe po vjen tashti afer, i mbushur me mish, djathe, proshuta te pjekme dhe kadaif smiley
 
Shif, skemi pse behemi negative ama. Mire qe eshte dhe ai panair i shkrete po he. Por ti i perket nje tjeter kategori lexuesi. Sigurisht qe ti kerkon cilesine dhe ske si te knaqesh ke pazari djathit,uu m'fal i librit smiley
Aty eshte ceshtje konsumi e dashur. A di shqipoja ta kosumoje librin ?  Ncuq, nuk ka se si. Ska tradite. Shqipoja varfer ka probleme me shkrim-leximin si popull, ka vetem 100 vjet alfabet dhe shkolla shqipe.Shqipoja ska drita ne darke qe ta lexoje. Modeli i tregut cam, do aplikohet ene ke libri, bile bile me keq akoma, sepse libri nuk eshte triko akriliku qe duhet me e ble se vjen dimri edhe merdhif.
Kshu qe t_red, leje ujin te rrjedhi vete se do pastrohet avash avash.Ske ci ben, kishim fazen e moskonsumimit te librit para ca vitesh, tani kemi fazen e konsumimit te gabuar te tij, ashtu si dhe te shume gjerave qe tani na i lejon xhepi. Tirona ka cdo 50m nga nje pasticeri me mafishe, bakllava, torta, llokume mmmm..mmm Hane shqipot se hala sju ka dale zija smiley  Gabim eshte gjithe ai sheqer por ato hane.
Kshu dhe me librin, bashke me diabetin do tu vije dhe prishja e gustos letrare, do tu vije dhe perkthimi i keq, qe do tjua pengoje ti njofin e shijojne veprat per ato qe jane ne te vertete.
ntelektualet e lecitur si puna jote, dhe modestet jo-analfabete ne shqip dhe ndonje gjuhe tjeter si puna ime, duhet me e gjet veten tjeter kund. Blej ne shqip vetem libra shqiptare. Te tjerat lexoji ne origjinal apo ndonje gjuhe tjeter. Amazon ke, P2P ke, jashte shtetit del, cere ke mi goce qi ankohesh smiley  Kur do me ble, shko ke Adrioni se nuk o rremuje e nuk merr grip smiley

Selfi, ke deri diku te drejte. Por librat per femije i kam ndjek prej vitesh se i bej dhurate, dhe e di sa shpejt kane ndryshuar. Ama ne thelb eshte vetem nje kopjim dhe perkthim i librave te huaj, ne kopertine dhe karton te forte, dhe cmime te cmendura. Por gjene mire qe jane.  Dhe kete e ka drive kerkesa e jote dhe imja, qe sna dhimbsen paret. Pjesa tjeter e letersise per femije, hiq keto librat e shtrenjte, eshte skandaloze ne PERMBAJTJE sidomos per mosha parashkollore. Eshte e tmerrshme cilesia self, jane libra qe ske si ja lexon dot kalamanit per at zot.

Gjithesesi me mire afer librit sido qofte ai, sesa afer kazinove, llotosporteve, telenovelave, dhe mejhaneve (megjithese per keto te fundit i cike mo pak smiley )

Mua me gezon shume fakti qe ne Shqiperi kane filluar te shiten librat ne mase (pavaresisht nese lexohen apo jo).

Shqetesimet qe me erdhen ne trurin tim grindavec tek bleja ato librat per te cilat me detyrohet Nexhi 10 mije leke, ishin tre:

1) Politikanet tane nuk kane pike interesi per librat politike apo filozofike.

2) Kopertinat e librave jane sinqerisht te pa-bukura. Me pengojne t'i blej smiley

3) Cilesia e perkthimeve dhe redaktimeve aktuale eshte dobet. Nuk me prish mua pune, por shqipes qe lexon, meson e fikson aty lexuesi i ri.

Sa per letersine e femijeve self, meqe nuk e permenda, do te thote se ma paska bere filtri i kritikes "spam" smiley Kishte shume libra per femije vertet, por per ta do te flas me kopetence kur t'i njoh nga afer smiley.

Flor, teresisht mirenjohese per cdo fjale qe me shkruan smiley

Manjole moj manjole, qendron e perforcohet zbulimi qe bej sa here qe shfaqesh sic ta ka enda smiley Te gjitha yjet jane per ty smiley

O Nexhi, po ngela duke paguar tarife shtese per mbipeshe valixheje moj. E lire kripa ne Durres, po te vret qeraja e udhes. Sa do blej jashte? Pastaj, jashte e kursej Coelhon per shembull, por "Blair"-in nuk e kursej dot. Edhe marshallah, keta bejne libra kater kilesh smiley

Ne fund te fundit, panaire librash pafsha perhere, pa do rregullohet cilesia me kalimin e viteve.

.....Do të doja shumë të thoja “panairi i librit ishte një sukses”, por për hir të dhunimit që po i bëhet vlerës së librit apo cilësisë së përkthimit të tij për shkak të marketingut, nuk mundem ta njëjtësoj dot suksesin e shitjeve me rritjen e vërtetë të interesit ndaj librit në Shqipëri.....

Pikerisht ketu e ke gabimin, tek perpjekja per te gjetur nje sukses ne nje panair libri smiley   Nuk mund te shitet libri ne nje panair sepse nevojitet kohe te kullosesh syte, te shfletosh mes faqeve, te peshosh vleresimet e ndryshme e te peshosh ne do kesh kohe ti kushtohesh leximit ne shtepi a ne mjedise te tjera. Keto gjera s'i ben dot ne nje mjedis ku shtyhen mijera njerez ne korridore te ngushte e ku detyrohesh te marresh nje vendim ne me pak se 30 sekonda per liber.

 

P.S. Kjo s'do te thote qe une vete s'bleva libra, thjesht u detyrova te kufizohesha tek ato botime per te cilat kisha nje mendim paraprakisht smiley

"Me e rendesishmja nuk eshte te botohesh detyrimisht, thote Shaun Levin, qe jep mesim shkrimi krijues ne Londer. Me e rendesishmja eshte te vetedijsohesh qe per te shkruar duhet shkruar, shkruar, shkruar... dhe lexuar, lexuar, lexuar. Ngelem i shushatur kur shoh te rinj qe duan te behen shkrimtare pa hapur qofte dhe nje liber !"

Me e rendesishmja nuk eshte te botohesh detyrimisht, thote Shaun Levin, qe jep mesim shkrimi krijues ne Londer. Me e rendesishmja eshte te vetedijsohesh qe per te shkruar duhet shkruar, shkruar, shkruar... dhe lexuar, lexuar, lexuar. Ngelem i shushatur kur shoh te rinj qe duan te behen shkrimtare pa hapur qofte dhe nje liber !"

 

 

(kjo eshte per te vene duart kokes ....me shume se per asgje tani per tani.)

Shkrimtare analfabete, madje me nga 7 libra  ne te gjitha gjinite.

alarm!!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).