Cmenduria e një shteti


Cmenduria e një shteti
Arbër Shtëmbari

Para pak ditësh mediat sollën para syve tanë ngjarjen e dhimbshme të disa Njerëzve me të meta mendore që mbaheshin lidhur me zinxhirë nga familjarët e tyre pranë familjeve ku jetonin. Porsi të ishin kafshë, të lënë në harresë në një kasolle, prej vitesh e vitesh të tërë, këta Njerëz vuanin “dënimin” e tyre nën presionin e kushteve klimatike dhe nën mungesën e një shërbimi minimal mjekësor.
Teksa dëgjojmë të afërmit të shprehen mbi arsyet e këtij trajtimi mizor, teksa shohim hapësirën ku dhe vetë këta të afërm jetojnë (vuajnë), nuk ka sesi të mos vërejmë mjerimin e plotë të këtyre familjeve. “Paraqesin rrezik për shoqërinë” thonë ata “ndaj i lidhëm me zinxhirë”. Me gjithë degradimin ekonomik të këtyre familjeve, kuptojmë se të paktën degradimi i tyre mendor nuk ka shkuar deri në atë pikë, sa të mos kuptojnë rrezikshmërinë që mund të paraqesin një pjesë e Njerëzve me të meta mendore. Por, përballë skenës mizore që na paraqitet, shumë pyesin “Si është e mundur të ndodhin të tilla gjëra tek ne?”, shumë të tjerë nxitojnë të akuzojnë familjarët si kriminelë, si injorantë e të tjera si këto.
Këto të fundit, para këtij krimi, për një cast, le ti supozojmë si të vërteta: Familje kriminelësh që torturojnë për një kohë kaq të gjatë fëmijët e tyre. Në biseda mondane ngjarja krahasohet me atë që ndodhi kohë më parë në Austri, ku një baba monstër për vite me rradhë mbajti të mbyllur vajzën e tij në bodrum. Ngjarje e tmerrshme, që bëri jehonë në të gjitha mediat botërore! Por, ndërkohë që në Austri kishim të bënim me një kriminel të mirëfilltë, një përdhunues me probleme mendore, në dy rastet shqiptare, nuk kemi të bëjmë aspak me një të tillë kategori. Tek ne, këta Njerëz me probleme mendore ishin të lidhur me zinxhirë aty në oborr para syve të të gjithëve, nga njerëz normalë. Kështu, krejt natyrshëm, i shihte familja, i shihte fisi, i shihnin miqtë, i shihnin fqinjët, i shihte i gjithë fshati, i gjithë komuniteti. E dinin të gjithë c’ndodhte me këta Njerëz të sëmurë të lidhur si kafshë. Të gjithë e dinin se po kryhej një krim. Shtrohet pyetja: si është e mundur që askush nuk reagoi për të denoncuar këtë gjë? Mirë papërgjegjshmëria e individit, që fshihet pas anonimatit që i krijon turma, po ku përfundoi përgjegjësia e personit juridik që përfaqëson Republikën tonë në këto fshatra? Nuk e dinte kryeplaku? Nuk e dinte kryetari i komunës? A janë këta të tjerët më pak fajtorë se vetë familjet? Aspak! Madje, faji është më tepër i tyre. Pse? Mësojmë se familjarët ishin interesuar pranë qëndrave mjekësore për këta Njerëz me probleme shëndetësore, por askush nuk erdhi në ndihmë të tyre. Askush! Në kushtet të një varfërie ekstreme, në kushtet kur zërin e mjerimit e shtyjnë, e pështyjnë, e flakin tutje, c’mund të bënin këta njerëz përvecse të merrnin masat e tyre, për të mbrojtuar pikërisht ata që nuk i ndihmuan? Ti kërkosh përgjegjësinë këtyre mjeranëve do të thotë të hedhësh përgjegjësinë tutje e ta lësh jetime. Sepse këto familje të varfëra nuk kanë asnjë forcë, se në kushte të një degradimi final, ekonomik, social, moral, këto familje kanë harruar kush janë, nga vijnë, pse jetojnë. Mjeranët shtyjnë ditët. Po c’ndodh me personat që duhet të përgjigjeshin për këta të sëmurë? Këta nuk shtyjnë ditët! Këta kanë poste, marrin rrogë nga shteti pikërisht për të kryer një funksion të caktuar! Dhe kanë një mision të caktuar! por që këta funksionarë të shtetit tonë nuk po e bëjnë! Është tragjike për një mjek, për një infermier, për një polic, për një komunar, të jenë në dijeni të një krimi të rëndë e të mos reagojnë. Është tragjike, sepse kjo tregon në c’pikë ka shkuar papërgjegjshmëria, në c’pikë gangrena e korrupsionit i ka ngrënë këta funksionarë duke i bërë jo vetëm të paaftë, por dhe të pashpirtë!
E kur sheh këtë krim kaq të rëndë për të cilin duhet të ndihemi përgjegjës të gjithë, pyetja që na shkon ndërmend është: edhe sa Njerëz të tjerë janë të lidhur në kushte c’njerëzore vetëm e vetëm, sepse në strukturat e shtetit tonë injoranca, paaftësia, korrupsioni, imoraliteti, dhe gjithë llumi që pason janë bërë sinonim i shërbimeve normale të një shteti? U habitëm kur pamë këta Njerëz të lidhur si kafshë në media, ndërkohë që cdo ditë ecim përkrah fëmijësh të uritur që zvarriten lakuriq në mes të Bllokut dhe askush nuk duket se habitet. A thua në ato trotuare nuk kalon asnjë funksionarë i shtetit tonë? Kur kjo ndodh në Bllok, në zemër të kryeqytetit, po c’ndodh në fshatrat më të humbur të Shqipërisë? E përse këta të fundit paskan më pak të drejtë se ne për tu mjekuar, për tu gjykuar drejtë apo thjesht për tu dëgjuar nga një institucion?
Pas këtyre rasteve kaq të rëndë, strukturat e specializuara të shtetit duhet të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për tu ardhur në ndihmë të gjitha familjeve që hasin vështirësi në të drejtën e tyre për mjekim dhe ndihmë sociale. Le të filloj një plan kombëtar që do të mund të ndërgjegjësojë strukturat e shtetit të lidhura me shëndetin publik për rolin e tyre në gjirin e komunitetit dhe gjithashtu paralelisht të informohet komuniteti mbi të drejtat që ata kanë lidhur me shëndetin e tyre. Dhe jo vetëm, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të mbjellim kulturën qytetare tek fëmijët që në shkollat fillore, me qëllim që nesër këta të bëhen qytetarë të ndërgjegjshëm që do ti shërbejnë kohezionit social, që do të forcojnë solidaritetin qytetar dhe do të ngrenë ndërgjegjen kolektive përballë padrejtësisë, përballë mizorisë, përballë dhunës.
Sot, përmes ekranit, ne sot pamë një kasolle të rrënuar nga mjerimi, ku një Njeri i imët këmbëlidhur si skllav, totalisht i humbur në skizofreninë e tij, buzëqesh. E në atë buzëqeshje të duket sikur reflektohet cmenduria e një shoqërie të tërë...

7 Komente

shume artikull i mire,

perpara se te kerkojme reagim nga strukturat e shtetit duhet te reagojme njehere si shoqeri. Te duket sikur shoqeria ka humbur aftesine te dalloje ate qe eshte mire nga ajo qe eshte gabim. SHume vete mund t'i kene kaluar prane, por nuk i vente mendja te reagonin. Fatkeqesisht ky nuk eshte nje rast i izoluar dhe nuk eshte vetem vecanti e atij kryeplaku, apo atij fshati. Ky mosdallim ndodh rendom, derisa vjen nje moment kur nuk mban me dhe te tere kujtohen pastaj. Shembulli i pare qe me vjen ne mendje: Gerdeci. Pa dashur te shfaqesoj ata qe jane direkt pergjegjes, sa te tjere e kane ditur dhe nuk u ka vajtur fare ne mendje per pasojat qe mund te kishte. Ne retrospektive do te mjaftonte nje denoncim i nje qytetari, nje televizioni, nje shoqate apo nje partie politike. Edhe i ndjeri Kosta Trebicka, denoncoi lidhjet e ministrave dhe jo kushtet e pasigurta. Sa miniera rrezikojne shembjen? Sa pallate ndertohen pa minimumin e sigurise teknike? etj etj...

aksidente dhe "harresa" do te vazhdojne te ndodhin. Nuk mund te pretendojme qe do te parashikojme dhe survejojme gjithshka.

Po a ndryshon gje me pas?

gre, sapo pash qe paskan zbuluar nje rast tjeter...

shkrim shume i mire arb

Ide e bukur dhe shkrim i shkelqyer. Sikur shteti te ishte i fuqishem, do bente mire qe rrogtaret e vet ne ate komune t'i shkarkonte te gjithe, qe nga kryetari i komunes e me radhe. Me pas, per fshehje krimi, te denonte me radhe ata qe kane pasur dijeni per rastin dhe kane heshtur, duke filluar nga me te afermit.

lexova kete shkrimi sot dhe mund interesant...

Nje torture e pa dobishme

Lavdrim Lita

Jetojmë në një ferr, që për fat mirë është akoma modest. Përjetojmë një kohë të çmendurish, dhe të kujtosh se ke imunitet nga çmenduria, është një formë tjetër çmendurie. Faktet skandaloze të trajtimit në zinxhir të “sëmurëve mendore” në zonat e varfra të vendit tërheqin vëmendjen e mpirë të shoqërisë civile apo të opinionit publik. Të gjithë kanë shpenzuar një fjalë indinjatë për këto raste që nuk janë aq sporadike sesa deklarohen, por fshehin si duket një fenomen që ka gjalluar në fshehtësi. Ndodhi që një gazetar u ndrysh në shpirt, i erdhi keq, lajmëroi objektivi e medies për të bërë së pari lajm e së dyti për të gjykuar këtë rast. Fenomeni i motrave të lidhura ishte një njohje  rrënqethëse, ai i Maqellarës në Dibër vjen pas atij në Levan të Fierit ku një i ri mbahej i lidhur me zinxhirë në vend që të kurohej sipas standardeve njerëzore, dhe jo atyre kafshërore. Nuk ka ardhur koha kur njeriu po ha njeriun, por po i afrohemi. Kur nuk i ha kokën e lidh me zinxhirë për më shumë se njëzet vjet vetëm se nuk ishte “normal” në sytë e gjyshit apo prindërve. Kaq mjaftonte për të lëshuar fantazinë. Sipas shumë personave të pyetur, fajin e kishte varfëria ekonomike, e cila kishte krijuar raptusin e lidhjes me zinxhirë.

Mirëpo varfëria nuk është vetëm ekonomike, por edhe mendore. Një ngushtësi mendore parashtron një ngushtësi fjalësh për të përkufizuar atë çka është normale dhe anormale.

Po çfarë është normale dhe çfarë nuk është normale është një nga pyetjet më filozofike që kanë bërë vetes ndonjëherë filozofët. Filozofi francez Michel Foucault, për shembull ka kaluar të gjithë jetën intelektuale për të zhbiruar mekanizmat e normalitetit dhe anormalitetit në lidhje me pushtetin e shtypjes. Në librin “Surveiller et punir: Naissance de la prison” shpjegon në mënyrë të pakundërshtueshme se si pushteti ka krijuar të gjitha mekanizmat që të mos fluturosh jashtë sistemi, madje po dole gjëja e parë është të të identifikojnë të “sëmurë mendorë” afërmendsh pastaj të krijohet edhe burgu ku do të lidhin derisa të mos jesh i rrezikshëm për normalitetin.

Ndërkohë shumica e njerëzve që nuk janë filozofë mendojnë se të jesh normal është siç janë të gjithë të tjerët, pra një shabllon i shumëfishuar. Nuk ka një kufi të caktuar për të gjykuar një kategori. Por anormalët njerëzit normalë i kanë identifikuar si ato që dalin jashtë kontrollit të sistemit të pushtetit personal. Anormali fut në krizë një sistem vlerash të fotokopjuara nga kultura kryesuese. Dy rastet, ku tre njerëz janë lidhur me zinxhir sepse konsiderohen “të luajtur mendsh”, i klasifikon ato në kafshë të rrezikshme, një specie aliene për shoqërinë, që barazohen pa ndonjë të keq me një qen të lidhur pa shkak, sepse mund të të kafshojë ndërgjegjen normale. Ku e dinë këto xhelatët e shpirtit që të lidhin me zinxhirë se “nga njeriu deri tek njeriu i vërtetë, rruga kalon për nga njeriu i çmendur”.

Edhe sa kohë do të qëndrojmë të lidhur me zinxhirë nga shoqëria jonë e ashtuquajtur e “sëmurë mendore”, që në të shumtën e rasteve shpërfillen, në vend që të duhet sepse janë të ndryshëm, por një ndryshim në natyrë të frikëson, e identifikohen me të huajën, me të panjohurën dhe e panjohura në shoqërinë shqiptare refuzohet. Refuzohet sepse ajo shpall një lloj lirie për të mos qenë një njeri që lidhet domosdo me një tjetër. Nuk është e thjeshtë të flasësh për “sëmundjen mendore” sepse kur përdoren emra, këta, duhet të jenë të ekzaminuar dhe të çertifikuar, por as fjala “sëmundje” e as ajo “mendore” nuk janë të tilla. Nëse unë them pemë, përdor një emër, një emër për diçka. Nëse unë përdor fjalën “sëmundje” di se është diçka që nuk shkon në trupin tim. Sot për sot mendja është një livadh i paeksploruar akoma. Sipas mjekësisë, sëmundja prek koshiencën e njeriut dhe bëhesh anormal. Ngjarje të tilla si e Levanit dhe Maqellarës e barazlargojnë kufirin e  asaj se çfarë mund të bëjë njeriu me specien që i përket. Kemi pasur holokauste masive me komunizmin, fashizmin, nazizmin dhe së fundmi po i mikro-riprodhojmë në miniaturën vendase. Krejt njëlloj sikur të ishin matrioshka të së keqes.

Përdhunimi i qenies njerëzore me justifikime normaliteti është gjetja më bajate që shoqëria jonë po krijon.

 

...

55

 "Kur qeveria, nuk plotëson nevojat më me rëndësi që ka kombi, atëherë kjo nevojë duhet të realizohet me interesimin e pjesës së organizuar të popullit e ta bëjmë ne qeverinë që ta ndjejë këtë nevojë"

-Avni Rrustemi

më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të mbjellim kulturën qytetare tek fëmijët që në shkollat fillore

Virvin e vogel ta bejme qytetar? Po prindin qe ja vuri emrin emrin pa vule "Virvi" cti bejme? Paverisht nga Rolexi, dhe jeleku prej kashmiri eshte prindi i Bllokut ne Tirane qe do lidh me zinxhir, qofte edhe per zgjedhjen e emrit "Virvi".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).