Ç’më kujtohet nga festat e fundvitit?

Ç’më kujtohet nga festat e fundvitit?

Ardi Stefa

Ndoshta pyetja më e saktë do të ishte të pyesnit se çfarë nuk më kujtohet. Për fat të keq, përveç natës së Vitit të Ri 1990, natë të cilën as që e sjell dot nëpër mend, për shkak se ishte një dhjetor i zjarrtë e i vrullshëm kur, gjithçka tjetër e humbiste rëndësinë, të gjitha netët e ndërrimit të viteve i kam si të gjalla në kujtesë.
Përgatitjet fillonin një muaj më parë. Zbukurohej pema, me lambushkat e ngjyrosura që na i bënte ungji elektriçist. Fletët e punëdores të ngjitura si zinxhir me brumë ose vinovil...
Gjeli i detit që ushqehej nga goja me fishekë buke, misër dhe ullinj, për të qenë sa më i shëndoshë e i dhjamur... Pastaj Gjelin e detit e nxirrnim për të bërë “luftë” me gjelat e tjerë në lagje...
Festat në shkolla dhe në vendet e punës së prindërve me pakot e dhuratave aq standarte...
Derisa vinte 31 dhjetori, nata e ndërrimit të viteve...
Kujtoj...
Nënën, të cilës i binte bretku gjithë ditës për të gatuar e zbukuruar shtëpinë. Neve, që vinim vërdallë, nëpër këmbë të prindërve, herë duke qarë për gjelin e detit të sapotherrur, e herë duke futur duart nëpër embëlsirat që ishin vënë në tryezat e shtëpisë, në pjatat me arra e bajame të qëruara, te bukëfiqet e çepelet që vinin në vargje nga fshati...
Më vijnë ndër mend se si na vinin në gjumë prindërit, “Që të rrinim sa më shumë natën, e të shikonim programin festiv me humor e këngë”! Se si, sado që na vinin në gjumë, nuk flinim kurrë, sikur të na kishin mbërthyer kacabujtë...
Më kujtohet tryeza e shtruar bukur, me antipastën që ishte si pjatë e parë dhe që kishte qofte, vezë të ziera, salcë kosi, ullinj, turshi, sallam të prerë në feta të holla, djathë, djathë të bardhë e kaçkavall...
Pastaj sallatrat e ndryshme në tryezë, sallata me panxharë, sallata ruse, sallata me ullinj e portokalle...
Pastaj vinte pjata kryesore, me mishin e gjelit të detit të pjekur me patate të skuqura...
Gjeli piqej i tëri, por nuk servirej komplet, se duheshin ruajtur edhe disa copa për ata që do të na vinin për vizitë ditën e parë të vitit...
Ndërmjet tyre ishin shishet e verës, birrës për gratë e fëmijët, rakia...
Dhe në fund vinte ëmbëlsira, zakonisht bakllava, ose kadaif, si edhe frutat: portokallet, mollët, të cilat ishin marrë me racion dhe që ruheshin si drita e syve...
Dhe nata vazhdonte ceremoniale, me hare, me humor e këngë, me vallëzime ku vallëzonim me prindërit e pastaj me kushërinjtë e kushërirat...
Dhe e nesërmja, kur çahej kulaçi i pjekur për të parë se kujt i kishte rënë leku fatsjellës, dhe ku hahej kaposhi i pjekur me kulaçin e bërë dollmë...
Përsëri programi me humor e këngë, kësaj here jo me humoristët më të mirë...
Ja, këto më kujtohen...
Besoj se këto u kujtohen edhe juve, jo pa nostalgji...

15 Komente

Mire, po nje tradite tjeter "kush ben kembe ne shtepi" mos e kemi vetem ne nga jugu? Nga personi qe futet ne shtepi per here te pare, pas ores 12, zakonisht varej/ ose varet mbaresia e familjes per ate vit... Me duket se behet edhe ca si ceshtje supersticioze kjo, se ben vaki te te vije ndonje njeri qe ti e mban per ters te madh, psh, a thua te iken viti ters vetem prej tij/saj?

Keto keto na kujtohen.

Fotokopje pa ngjyra ishin netet tona te vitit te ri, ne rastin me te mire !

Jete muti, vecse ishim bashke, te gjithe bashke me buze ne gaz, me kokrra pilafi e fije gjeli neper goje, me shaka e gaz. Shume ngrohtesi njerezore ka pasur viti i ri, mirepo mundet qe ska qene aq e vertete duke qene se u shkermoq sapo jeta e secilit nuk ishte me fotokopje e jetes se tjetrit.

 

 

 

 Shume kujtime te bukura. Ke harruar te shtosh qe fillimi i te ngrenes nuk fillonte para ores 9.00 kur fillonte koncerti variete i vitit te ri.

Mua me kujtohet qe kur ishim nga fundi i gjimnazit rutina ndryshoi disi. Deri ne 12 rrinim me familjen, pastaj pas 12 mblidheshim me shoqnine. Deri ne mengjes vazhdonte e pimja me "konge angleze" dhe italiane nga manjetofoni. Ne te gdhime ja "mallarnim" nga liqeni ku bojshim nje dore futboll qe u bo si tradite dhe ne dymbedhjete ktheheshim ne shtepi per te pare Koncertin e Vjenes, me tregu qe ishim edhe tip aristokratesh pra. smiley Pastaj gjume dhe zgjim ne darke per te pare koncert variete 2 ku bente humor ai hunpalla i estrades se Sarandes, qe ja kam harru edhe emrin.

prit! jam ne mbledhje, PF, por kjo ia vlen: me duket se Theofil!!!!!!!!!!!!

Theofil Haxhijani smiley

dmth Haxhijani. me ishte fiksuar Papajani, por afer qenkan. edhe e shoqja ka qene nje aktore e mire, me nje nishan te madh ne fytyre, shume energjike, full of life and joy... Where did these people go?

 Jo mi AV. Ky cuni eshte Krenar Arifi, qe luan edhe Sulon tek Lulekuqe mbi mure. E kam pas shok.

po tamam ky eshte Suloja smiley, kemi kulluar ne lot per te... ka lujt dhe ke nji film tjeter si puntor pastrimi ne nje ministri te facizmit, me duket.

 

ai hunpalla i estrades se Sarandes, qe ja kam harru edhe emrin

po ti po te mash men edhe ket, je per Guinnes fare!  smiley

ps. je ndoshta robi i vetem qe mante men  dyqonin "riparim corapesh" perball muzeut te luftes nac-cl! Kaq them se del e tepro.

Hem, paska ardhur puna te kujtojme edhe se si festohej 31 dhjetori?!

Deri sa ishin gjysherit gjalle dhe ne femija ishim ende te vegjel, qejfi ishte i madh se ime gjyshe gatuante gjelin me kulac dhe leng, dhe bente edhe lakror. Per dolline me mbushnin nje gisht vere te kuqe te holluar me uje dhe aty nga ora 11 me keputej koka. Me zgjonin ne 12 per te me thene qe kishte ardhur plaku (?) i Vitit te ri dhe me shpinin te kutia e postes ne fund te oborrit... Disa dhurata i mbaj mend akoma: nje piano e zeze me tri kembe, nje arke kursimi ne forme shtepie nga ku dilte nje si gjuhe e kuqe per te vene leket, kukulla leshraverdha ... Keshtu! Te nesermen diku nga dreka me piqnin geshtenja ne nja mangall bàkeri dhe po te isha sjelle mire ime gjyshe me linte te kepusja nja dy trendafila e t'i shpija ne shtepine time.

Kur u rrita, per vete mbaj mend ca angari si puna e larjes se qelqurinave dhe e pastrimit te te gjitha vrimave te shtepise, qe medemek Viti i ri te na gjente te paster (ime me ishte/eshte maniake). Aty nga fundi i viteve '80, grumbullimi i ushqimeve per darken niste qe ne nentor dhe me kujtohet qe bezdia behej perfundimtare kur niste ajo varieteja e fundvitit...

Pete bakllavaje te shperndara nga te gjitha anet.  Lyerje (kush lyen ne mes te dimrit lol.)  Larje perdesh, larje mbi, anash e nen pllaka.  

Beteje kaposhash neper lagje.  Ndjesia e te paturit nje "kafshe/shpend" shtepiake, per pak dite.  E qe perfundonte ne vrasje makabre me te qara.  Nuk e di ne ishin te qarat, apo te qenurit e madhja e kalamajve qe me jepte te drejten e pakontestueshme te xerkut smiley

Dhe patjeter, per te provuar cdo vit katerciperisht teorine "nga kaosi vjen rregulli", data 31 ne darke ishte e perkryer.  I miss it smiley.

ethet se kush do shpallej nxenesi i vitit qe merrte nje pako surprise

pastrimi deri ne themel te shtepise

zgjimi heret qe te mos ngjej viti i ri dembela

thellezat qe sillte gjyshi nga gjahu

ato fishekzjarrset si cibuk qe i mbaje ne dore

zbukurimet me letra me ngjyre ngjitur me brum

arra, portokalla e lajthija (still life ne cdo tryeze)

kukullen qe i mbylleshin syte kur e shtrije horizontalisht

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).