Christmarx.

…apo arti i mashtrimit...

I
...në fillim ishte fjala


Ai lindi brenda,
për të dalë jashtë rrugës
së historisë.
E virgjër nuk ishte e ëma,
ishte fjala.
Kur tha:
- Jepni dashuri,
mori dënimin si heretik.
Dashuria atë kohë kish qenë
tepër e shtrenjtë për tu dhënë.
(ashtu është dhe tani)

I kryqëzuan duart,
për të mos e prekur.
Këtë jetë e la për të mos vdekur.
Dhe ngeli në dru,
për tu varur padrejtësisht.
Përjetësisht i gozhduar,
në simbolin e vdekjes, lakuriq.
I dënuar me puthje të fëlliqta,
në amëshim,
prej tempullarëve
që dëboi me kamzhik.

Fjalë zemre mos thuaj o Krisht.
As mos fol për ëndrra.
Ato bien mbi shpirtgurë,
dhe u tingëllojnë si verdhushka.
Mbulojnë shpirtrat e njomë,
me robën e zezë të shpirtit vet.
Burgosin. Dhe pasi i vrasin,
përmes mashtrimit shpresën shesin.

II
…një fantazmë vërtitet nëpër Evropë.

Letër.
Dërgon: Karl Marx
Merr: Evropa industriale.
Flas me frymë revolucionare,
(mallkuar qofsh!)
Pagat janë minimale,
Kushtet patetike,
Shpresa, gënjeshtër biblike
Ëndrra - e përgjakur
Dëshira e përflakur,
si leckë në trotuar.
Pushteti, ndarë mes zgjyrash
që përplasin dyer zyrash.
Pa u thënë kush –Ndal!
Gënjeshtra - premtim elektoral
Mashtrimi - çmimi kapital
Grushti - simbol proletar.

Përgjigje:
Revolucioni është mëkat.

(Sa keq, nuk patëm fat.
Letrën e lexoi Lenini)

III
asgjë e re nën këtë diell...

Krisht dhe Marks,
Ky fundhjetori
të dy i ka prekur
Nën thirrjet e të parit
të dytin për të djegur.
Apo veç pemën simbol?
Ajo që kur u shkul prej rrënjësh,
kishte vdekur.
“Unë jam drita e botës”.
Apo iluzion ndriçues?
Mbulues i brengës së këtij qyteti.
Apo reklamë?
E kllounit të të dyve, mjekërbardhë.
Me freskuesen brand mark në dorë,
qejfi i ngelet që nuk po shitet.

Ironi,
nëna e absurdit,
që bie si shi,
mbi qiellin plumb të Athinës.
Zhytur nën trysninë e vet,
si bark i fryrë mes ndërtesash dhe rrugësh
vjell tërbimin.

Një qiri,
nuk mjafton për të kujtuar
të vdekurin e madh dymijëvjeçar
apo të voglin pesëmbëdhjetë.
Jemi në ditën e dhjetë.
Ku më shumë digjet,
më pak shitet.
Tërbimi nuk njeh çmim,
as ligj kërkesë oferte.
Më mirë kështu,
kurrë të mos shitet,
por të djegë më pak.
Asgjë e mirë nuk është mbjellë në hi

2 Komente

Ai lindi brenda,
për të dalë jashtë rrugës
së historisë.
E virgjër nuk ishte e ëma,
ishte fjala.
Kur tha:
- Jepni dashuri,
mori dënimin si heretik.
Dashuria atë kohë kish qenë
tepër e shtrenjtë për tu dhënë.
(ashtu është dhe tani)

I kryqëzuan duart,
për të mos e prekur.
Këtë jetë e la për të mos vdekur.
Dhe ngeli në dru,
për tu varur padrejtësisht.
Përjetësisht i gozhduar,
në simbolin e vdekjes, lakuriq.
I dënuar me puthje të fëlliqta,
në amëshim,
prej tempullarëve
që dëboi me kamzhik.

Fjalë zemre mos thuaj o Krisht.
As mos fol për ëndrra.
Ato bien mbi shpirtgurë,
dhe u tingëllojnë si verdhushka.
Mbulojnë shpirtrat e njomë,
me robën e zezë të shpirtit vet.
Burgosin. Dhe pasi i vrasin,
përmes mashtrimit shpresën shesin.

 

Kjo ishte pjesa e parë komplet tek busulla

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).