Çfarë ndryshimi! (Aziz Nesin)

Çfarë ndryshimi!


Aziz Nesin

Një mëngjes në një qytet anglez policët gjetën një burrë të lidhur me litarë pas një shtylle elektrike, në njërin prej parqeve. Do t'jua rrëfej më vonë se kush qe ky burrë. Për momentin dua qe të supozojmë se ky incident ka ndodhur në atdheun tonë. Ja se cilat do të ishin fjalët që do të dëgjoheshin në vendngjarje:

- Roja: "Kush je?"

(Nuk merr përgjigje edhe pse e përsërit disa herë pyetjen. Fillon t'i fryjë bilbilit, dhe sa hap e mbyll sytë vjen policia.)

- Polici: "Si është puna?"

- Roja: "Zoti polic, një burrë është lidhur te ajo shtylla elektrike atje"

- Polici: "Kush e ka lidhur?"

- Roja: "Nuk e di zotëri, a mund ta zgjidh?"

- Polici: "Jo, jo! Mbase duhet të vijë inspektori që ta hetojë personalisht çështjen: Shko e shih njëherë a është gjallë a vdekur."

- Roja: "Sapo e pashë që lëvizi sytë o zoti polic"

- Polici: (i bërtet viktimës): "Kush je ti o zotni?"

(Përgjigje s'ka, kështu që njoftohet menjëherë Shefi i Zonës [S.Z])

- S.Z.: "Silleni menjëherë në komisariat. Dhe merrni vesh me doemos se si quhet. Ruajeni me kujdes, e mos ia ndani sytë. Mos e lini t'ia mbathë."

Le ta lëmë vendin tonë e të kthehemi dhe një herë në Angli e të shohim se ç'i ngjan burrit të lidhur pas shtylle. Dy policë e zgjidhin menjëherë dhe e pyesin gjithë mirësjellje:

- "A mund të na thoni si quheni zotëri?"

- "Jam Arnold Braun"

Të dy policët përkulen me nderim. Emri iu tingëllon i dëgjuar. Njëri prej tyre pyet:

- "Zotëri, mos jeni vallë Zoti Arnold Braun, skulptori i famshëm?"

- "Ai jam."

- Polici i dytë pyet: "Mos jeni po ai Zoti Arnold Braun që është anëtar i Shoqërisë Mbretërore të Skulptorëve?"

- Z. Braun: "Pikërisht ashtu."

- Polici i parë: "Zotëri, a do ta merrnit mundimin të vini me ne deri në stacion të policisë, apo do të dëshironit t'ju çonim në rezidencën tuaj?"

- Z. Braun: "Po ju shoqëroj."

Le të shkojmë dhe një herë tek ngjarja që supozuam, në atdheun tonë. Dy policat me ndihmën e rojes e lirojnë burrin nga litarët.

- Njëri prej policave gjëmon: "Ec tani, duhet të vish në komisariat me ne."

I udhëhequr prej dy policave dhe rojes viktima mbërrin në komisariat. Ne s'kemi ndonjë Akademi Mbretërore këtu, as skulptorë të famshëm s'kemi. Po le të supozojmë që burri i ngjarjes quhet Zoti Hiqmet, dhe është skulptor i famshëm i vendit tonë. Pa mbërritur mirë Zoti Hiqmet në komisariat, S.Z. i drejtohet me këto fjalë:

- "Si quhesh zotni?"

Hiqmeti i shkretë, i trembur, përpiqet të marrë veten e të gjejë kurajo të përgjigjet, por S.Z. ulërin:

- "Pse s'flet more, pse s'tregon? Ore zotni me ty po flas. Si e ke emrin?"

- "Hiqmet më quajnë zotëri."

- "Me çfarë merresh?"

- "Jam skulptor."

- "E kam llafin si punë, çfarë pune bën?"

- "Bëj statuja."

- "Statuja? E çfarë na qenkan keto statuja?"

- "Statuja njerëzish, statuja kafshësh. Mund të bëj çdo lloj statuje."

Lexues, tashmë ti ndoshta je lodhur pakëz, po unë do të të kërkoja edhe një herë të vije pas meje, ndërkohë që kthehemi në Angli, sepse atje ka ndodhur incidenti i vërtetë, mos harro. Se çështjen në vendin tonë ti tashmë e di që unë e krijova thjesht për të bërë një krahasim imagjinar. Kemi ardhur pikërisht në momentin kur S.Z. britanik po merr në pyetje Zotin Braun:

- "Zotëri, kush ju lidhi në shtyllë? Mos qe vallë ndonjë hajdut a ndonjë kriminel?"

- "Jo."

- "Mos guxoi vallë ndonjë hasëm cipëplasur të tregohej kaq i paedukatë me ju?"

- "Jo zotëri. Faktikisht ishte gruaja ime që më lidhi atje në shtyllë."

- "Më falni zotëri, seriozisht e keni, këtë e ka bërë zonja Braun?"

- "Po pra."

- "E habitshme. Fundi fundit, përse një zonjë kaq e nderuar duhet të..."

- "S'ka asgjë të çuditshme këtu. Ia kërkova vetë time shoqeje që të më lidhte në shtyllë e më pas të shkonte në shtëpi."

- "Dakord, Zoti Braun, po pse vallë?"

Përpara se të dëgjojmë dhe përgjigjen e Zotit Braun, kthehemi në mëmëdhe, që të këqyrim se si po e zhbiron zotin Hiqmet Shefi i Zonës sonë.

- "Po mirë, ti u marrke me statuja, si ka mundësi që ne të gjetëm të lidhur në park? Mos re pre e ndonjë cubnie?"

- "Jo zotëri."

- "Epo atëherë ndonjë hajn ka qenë, që ka dashur të të zbrazë xhepat."

- "S'jam ndonjë pasanik. Askush s'do të më binte në qafë për lekë."

- "Ka gjasë që ndonjë armik i juaji të jetë hakmarrë për ndonjë hesap të vjetër?"

- "Zotëri, jam qytetar tepër i thjeshtë e i përulur. Nuk kam armiq."

- "Epo na trego pra kush të lidhi me litar tek shtylla e korrentit, dhe pse?"

- "Më lidhi ime shoqe, zotëri."

- "Qysh ore? Pa përsërite! Gruaja jote? Po ajo paska qenë bushtër grua. Po ky qenka kulmi. Eh sa gra mizore paska kjo dynja. Po mirë, neqoftëse të paska lidhur gruaja në shtyllë, patjetër që do e ketë ndihmuar edhe ndonjë dashnor, se do e kenë patur si plan të dy që të të shmangin përgjithmonë nga jeta e tyre."

- "Aspak, ime shoqe ishte krejt e vetme."

- "Hajde hajde! Çfarë burri i thënke vetes more zotëri. Si ore të lidhka një grua e vetme e të bëka zap pas shtylle? Po mirë, bërtite, kërkove ndihmë?"

- "Jo zotëri, ndenjta i heshtur."

- "Ptu more, zemërpulë!"

- " Zotëri, ia kërkova vetë sime shoqeje të më lidhte atje në shtyllë."

Kaq mjaftoi që ta shndërronte një seancë serioze hetimi në gallatë të harbuar nga ana e policëve. Mëngjesin e së nesërmes në shtypin lokal, sipas një relacioni të policisë u botua historia që vijon:

"Fajet e një gruaje mizore

Dje mbrëma një ndodhi e çuditshme ngjau në qytetin tonë. Një bashkëshorte terroriste lidhi pas shtyllës elektrike të shoqin, duke përdorur çarçafët. Burri zemërpulë qe aq i trembur sa nuk arriti as të kërkonte ndihmë.(Për më tepër shihni historinë e detajuar në fq.3). Në fotografinë më sipër paraqitet burri zemërpulë dhe e shoqja terroriste, në kohët kur sapo ishin martuar dhe ishin ende të lumtur sëbashku."

Le të shkojmë sërish në Angli, ku e lamë qëparë Zotin Braun teksa i shpjegonte Shefit të Zonës se përse i kish kërkuar të shoqes të lidhte pas shtyllës.

- "Siç e dini, zotëri, unë jam artist. Jam tepër i ndjeshëm si natyrë. Sytë e mi nuk pajtohen dot me asgjë të ndotur, joartistike apo të pështirë. Dhe për më tepër, ndihem kokë e këmbë i acaruar kur gjëra të shpifura dhe aspak artistike ndodhin në qytetin ku jetoj. Si artist një nga detyrat e mia kryesore është të bëj të kuptojnë bashkëqytetarët dhe patriotët e mi se një ambient i bukur e i këndshëm është tepër i domosdoshëm për ne. Po fatkeqësisht bashkia e qytetit tonë, me kryetar e me administratë, nuk ka asnjë pikë sensi estetik. Kështu që i gjithë qyteti ynë na është mbushur me këto shtyllat elektrike me formë gërricëse dhe me një pamje të tmerrshme. Këto shtylla nuk shkojnë as me ndërtesat e vjetra as me monumentet historikë, dhe nuk përshtaten mirë me bulevardet e rrugët. Por, mbi të gjitha, këto nuk e përmbushin shijen e banorëve të kahershëm të këtij qyteti, si puna ime. Shumë ndryshe nga këto, shtyllat e vjetra, ato të drunjtat po që i vinin për shtat panoramës kaq të veçantë të këtij qyteti të moçëm. U përpoqa ta bind bashkinë që të heqë dorë nga këto plane të zymta, nëpërmjet disa letrave që botova nëpër gazeta, mirëpo askush s'ma vari. Kështu, në shenjë proteste ndaj vandalizmit që ka ushtruar ky institucion, unë i kërkova gruas të më lidhë tek një prej këtyre monstruoziteteve."

Nga ana tjetër e botës, Shefi i Zonës këtu tek ne i nxjerr inatin Zotit Hiqmet:

- "Ka ca probleme kjo historia që sapo më tregove. Gjallë në botë nuk bën vaki që njeriu i shëndetshëm të shkojë e të lidhet me dëshirë e me vullnet pas shtyllës elektrike, për më tepër nga e shoqja. Kështu që pa më thuaj, nëqoftëse nuk je çmendur, çfarë problemi tjetër ke?"

- "Gaboheni zotëri, nuk jam çmendur assesi. Me lejen tuaj do të desha të sqaroj pozicionin tim"

- "Lëre mor lejen e dreqit! Pse nuk na i thua gjithë ç'ke për të thënë?"

- "Zotëri, shërbenjësi juaj i përunjur është lodhur nga ky qyteti ynë..."

- "Oh çfarë gallate! S'ka njeri në botë që të mos ketë qejf të rrojë në një qytet të bukur si ky yni, e ti na ardhke e na tregoke që qenke lodhur me të. Kur qenka kështu puna pse s'thyen qafën diku tjetër e të vazhdosh me punët e tua të çuditshme? Po para se të zhdukesh, pa na rrëfe me saktësi se çfarë ta paska shpifur ty këtë qytetin tonë?"

- "Ndërtesat e çuditshme, rrugicat e ngushta, rrugët me gropa, pallatet nëntëkatëshe që mbulojnë qiejt e lagjeve përdhese, veshtullima e këtyre ngjyrave të pështira, smogu, zhurmat... Doni t'ju numëroj të tjera?"

- "Paske qenë njeri shumë i çuditshëm. Pse ore nuk shkon të shohësh punët e tua e të merresh me statujat, por na u përzieke si i padobishëm me punë të tjera? Ç'e di veten ti, kryetar bashkie?"

- "Zotëri, sendet që sapo ju numërova janë bezdi e madhe për sytë e mi, vazhdimisht."

- "Ah tani e kuptova! Mendoj se në vend që të të lidhinin pas shtylle duhet të të kishin lidhur diku tjetër! Sulejman! Nxito! Bëj gati letrat e dokumentet për këtë burrin, dhe dërgoje menjëherë për vizitë tek spitali i burgut për një kontroll mjekësor. Ky miku duhet të kish lindur në Evropë."

Kthehemi për herë të fundit në Angli. Gazetat kanë filluar një fushatë të fuqishme në mbështetje të Zotit Braun. Protesta e tij tashmë pasohet nga qindra qytetarë. Të gjitha shtyllat elektrike janë hequr, dhe në vend të tyre janë vënë të tjera, sipas kërkesave.

Ndoshta vret mendjen se ç'ndodhi vallë me atë burrin, Zotin Hiqmet, që i kish rënë në dorë policave tanë. Epo ndoshta të ka shpëtuar nga sytë ai artikulli i vogël dhe i parëndësishëm që doli në shtyp dy ditë pas incidentit:

"Një i përhënur merret nën kujdes

Një njeri i sëmurë i kërkoi së shoqes ta lidhte pas shtyllës elektrike në një park të qytetit, në mesnatën e pardjeshme. Sipas tij arsyeja qëndronte tek veprimet jo-estetike të bashkisë, të cilat i bezdisnin pamjen. Personi në fjalë u arrestua nga policia dhe u dërgua për kontroll mjekësor. Raporti i mjekut e diagnostikon të sëmurin si me probleme mendore. Sipas rastit ai u dërgua në çmendinë. I marri pretendonte se ishte skulptor, dhe deklaronte se quhej Hiqmet."

Përktheu Arbër Zaimi

7 Komente

zana, nese je ende verdalle, kjo historia pa pretendime, e perkthyme jo dhe aq mire eshte historia e artistit aktivist ne nje vend bash si ky yni, qe ka qene turqia e viteve 60.

nesini ketu ka futur shume nga vetja. si nje nga shkrimtaret me aktive dhe me luftarake ndaj padrejtesive sociale, edhe ketij i eshte dashur te duroje persekutimin e njerezve per te cilet luftonte. ne 1993 (kur ishte rreth 80 vjec), ne nje simpozium, turmat rrethuan hotelin dhe donin ta vrisnin, si te pafe qe e njihnin. Shpetoi, por humben jeten 30 e ca njerez, nder te cilet shumica shkrimtare e artiste turq. pasi shpetoi i ra ne dore policise, qe edhe pse ky qe burre ne moshe, me te marre vesh kush ishte, e rrahu paq duke i thene dhe qe me mire do te qe ta vrisnin,sepse shkaktonte probleme ne popull...por kjo ngjarja ka ndodhur 30 vjet pasi eshte shkruar ky tregim i shkurter...

Une ne thelb nuk jam kunder letersise se impegnuar.Por ama duhet te jete ne nivel....Ndryshe eshte e palexueshme.Pastaj ketu po flasim per Nesin.....

nuk zbriti nga rete nesini, njeri i thjeshte qe. kur ishte ushtar shkoi e vodhi tre dhi te repartit dhe i shiti...edhe me te keshtu jane tallur, emrin e vertete e kishte mehmet nusret, u detyrua te nderronte mbi dyqind pseudonime, se nuk e botonin ne asnje gazete...

Sol-o ,Ndig-jo Zanen ta marrsha.Mu m'duket kjo qe thu ti pak Hane shan -hane Bagdat....Se pse Nesin qenka keshtu,une nuk mund te them shiko un dhi nuk kam shite...jam shume e zonja,shkruaj kaq bukur...Miqte e peshkut me duan te gjithe,jam e bukra e pallatit dhe e mençura e mamit,shume e sukseshme...... smileypor aman o Sol pak modesti mor burre....

oj zane e mire, je tuj gabu rand. s'po e krahasoj nesinin me veten, larg qofte. as me spiritusin - perkundrazi je ti qi ban krahasime t'dykuptimta ta marrsha. e kishim bizeden tek aktivizmi i shkrimtarit oj yll italiet. bagdat s'kekam, po as han mos m baj smiley

Jo Sol pa shaka,  une vertet te respektoj.Nesin ishte i aktivist ne nje sistem qe pretendon ende te jete Sharia ne vend te ligjeve te nje shteti modern.Nesin ishte nje aktivist i te drejtave te njeriut e Turqia edhe sot eshte shume e diskutuar ne kete pike.Masakra e Sivas....Kujto kushtet e vena per te hyre ne BE.Impenjimi i Nesin ishte per nje kauze te madhe,te rendesishme i bere in prima persona dhe me shume ,shume art.Impenjimi qe shoh ne baze te poezise se sotme te Spiritus ka ne baze Berishe ik.Me ngjan me ato poezite vrull qe dilnin pas çdo plenumi te KQPPSH.Natyrisht,edhe ne rastin me te arrire kjo lloj poezie mua nuk me pelqen.....Mendoj se poezia mund te beje me shume per njerezit kur eshte e brishte,fluide,nuk godet,e embel,e mendueshme.Mendoj se poezia nese arrin te te aspiroje nje mendim fisnik,nje buzeqeshje reflektuese eshte shume me e sukseshme  se sa disgusto qe provoj kur lexoj Vargje si:"Shqiperia nje euro"..........

Nese e shpreh mendimin ne kete menyre, e kupton dhe vete qe bejme muhabet me qejf, po nese thuaj qe poezia eshte e shemtuar, apo sic bente ai miku qe postonte dhjete here qe poezia eshte kot fare, e kupton dhe vete qe thjesht lendon ca njerez. kjo nuk i ben mire askujt...

askush nga ne nuk mendon 24/7 per politike, dhe realisht asnjeri nga keta poetet politike ketu te peshku nuk ka sjelle ndonje poezi propagandistike.

sa i perket ceshtjes, kur shkruan per situata shqetesuese politike, edhe produkti do te jete shqetesues...te pakten per shijet e nje pjese te lexuesve. po te marr serish nesinin, apo hiqmetin, apo lorken, apo mandelshtamin. ca nga keta kane qene komuniste, ca kane qene antikomuniste, por i bashkon aktivizmi shoqeror dhe artistik. eshte detyre e artistit te ndergjegjesoje njerezit per nevojat estetike, eshte detyre e artistit te jete katalizator i zhvillimit, perkundrejt degjenerimit. edhe arti dekadent realisht eshte drejtuar kunder dekadences jetesore...

nejse, naten smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).