Çerkezët. (Adyghe, Adyga)

Një nga gjërat më të bukura që ofron interneti është mundësia për të gjetur dhe lexuar gjëra jashtë mase interesante. Nuk ndodh pak herë kur kërkon diçka, të biesh brenda kurthit të kuriozitetit dhe të zbulosh çfarë fshihet pas klikimit të ndonjë fjale me ngjyrë blu në wikipedia psh.

Para disa ditësh, rashë në një “kurth” të tillë të lezetshëm, kur klikova mbi fjalën circassians. Desha të dija në fakt, mbi jetën e sulltanëve të perandorisë Osmane, klikova mbi listën. Në të dhënat mbi jetën e tyre dhe bëmat, vura re që shpesh emri i sulltaneshës të rradhës, shoqërohej me këtë fjalë te vendi që i korespondonte origjinës.
Duhet të ishin të bukura çerkezet, përderisa preferoheshin kaq shumë prej sulltanëve.
Dhe vërtet janë të bukura, por më e bukur është historia që fshihet pas këtij populli në mënyrë të çuditshme shumë të ngjashëm me ne shqiptarët.

Një historik i shkurtër.

Çerkezët janë një popull që ndodhen në rrëzë të malit Kaukaz dhe lagen nga Deti i Zi. Pretendojnë se janë banorët më të vjetër të zonës përreth bashkë me gjeorgjianët. Si entitet i veçantë, dokumentohen në shek. 10, megjithëse për ta ka referenca edhe më parë. Kryesisht ishin të organizuar në fise tribale, pa mundur të bashkoheshin në një shtet të vetëm, gjë kjo që i bënte të pafuqishëm ndaj agresorëve të huaj. Të cilët kryesisht ishin mongolë, avarë, peçenegë, hunë etj.

Megjithatë, organizimi i tyre mbijetoi deri në luftën ruso-çerkeze, 1763 - 1864 e cila përfundoi me disfatën e popullit adyge duke sjellë për pasojë emigrimin e tyre. Një milion e gjysëm çerkezë u ndanë nga tokat e të parëve dhe përfunduan në Ballkan, për tu shpërndarë më pas nëpër gjithë perandorinë Osmane. Një komunitet i vogël, ka jetuar edhe në Kosovë, por pas deklarimit si republikë e pavarur të Adygea-s brenda Federatës ruse, u kthyen përsëri në tokat në vendin e origjinës të të parëve në vitin 1998. I përkasin besimit islamik Sunni të shkollës Hannafi (si shqiptarët). Vetëm prej përmbledhjes më lart, duken shumë pika të përbashkëta mes adygëve dhe shqiptarëve.

Për më shumë:

Kanë një kod të veçantë sjelljeje si kanuni ynë. Gjithashtu një epos si i kreshnikëve (Epos of Narts)

Janë popull mercenarësh, të njohur për forcën fizike dhe racën e bukur. Dallohen kryesisht për sporte të rënda si boks, mundje dhe peshëngritje.

Ishin të besimit pagan, më pas u kristianizuan dhe së fundi u kthyen në islam.

Emri çerkez u është dhënë nga turqit, veten e quajnë adyge (shqiptarë albanian)
Sot janë të ndarë midis disa shtetesh përfshirë Gjeorgjinë, Rusinë dhe Adygean madje edhe Abkhazian e famshme, pjesë të Gjeorgjisë. (Shqiptarë në Greqi, Kosovë, Mal të zi, Maqedoni)

Pas një qëndrese shumëvjeçare ndaj pushtuesit rus shumë herë më të madh në numër, kanë emigruar në masë.

Deri vonë gjuhën nuk e kanë pas shkruar.

Kanë dhe ata një hero të ngjashëm me Skënderbeun.

Dhe në fund por jo e fundit. Kanë femra shumë të bukura*!!

Video me një melodi adyge:

* Femrat adyghe, kanë qënë gjithnjë të preferuara në haremet e sulltanëve, madje ndeshen shpesh edhe në letërsi artistike. Si psh në librin "Kapedan Mihali" të Nikos Kazancaqis (personazhja Emine). Apo edhe në shkrime të Volterit dhe Bajronit..

Në shek. 19, morën një status të privilegjuar në Amerikë dhe Evropën perëndimore, aq të madhe sa shumë produkte reklamoheshin si circassian beauty.

Një shpjegim i mundshëm për bukurinë e tyre edhe karakterin, për mendimin tim, është se kanë pasur status të privilegjuar në shoqërinë adighe. Ky respekt fillon që prej mitit ngjizës së mitologjisë ku personazhja kryesore, është një femër. Madje dikur, shoqëria adighe ka qënë organizuar në formën matriarkale.

***

Më ka bërë përshtypje në gjithë literaturën rreth tyre të lexuar në net, se kanë shumë nostalgji për vendin e të parëve. Konkretisht, janë popull pa atdhe. Po mendoja... në psikologjinë e këtyre njerëzve, çfarë vendi të madh zë mungesa e një toke që ta quajnë të vetën. Ndoshta atdheu me vlerë më të madhe, është ai i humbur. Paralelizmi me ne, më ishte tepër i lehtë, për karakteristikat çuditërisht shumë të përbashkëta.

Po sikur ne shqiptarët të mos kishim atdhe, si do silleshim?

1 Komente

Ue paska dalë shkrimi, po qenka degdis në fund të botës.

Videoja në fjalë, është kjo këtu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).