Çalltis

Bidua po kthehej. Më tepër se figurë që mezi shquhej nga dritarja, kjo ishte një ndjesi muzgu; kuptohej që larg që nuk sillte lajm të mirë. Çudi si njihet njeriu kur vjen pa myzhdè, sikur e ka të shkruar në ballë. Ai e pa tek kalonte shtegun e ngushtë nga ara e Dajlanit dhe s’kish më nevojë për qysh e tek: u mor vesh, Bidua po sillte një “jo” përsëri. Lajmëtar humbje i përjetshëm, antimaratonomak. U bë e pesta kërkesë e tij për nuse që refuzohej. Bidua kish vajtur në Habibaj si ndërmjetës për Hànushen, një vajzë e gjatë, e thatë, por që me gjasë do mbushej më vonë. Dhe po kthehej duarbosh. Përsëri. Me hije ushtari pas disfate.
Në thyerjen e gjunjëve të Bidos kishte pamundësi; në thyerjen e bërrylave, një kotësi jete. Gjithë ecja e tij ishte një mundim shpjegimi dhe embrion rënkimi. Ambasador i familjes, i dërguar i posaçëm, mbles in charge, i ngarkuar me punë ad interim për të gjetur nuse për Refatin. Gjetja e nuses nisi si një aventurë me fllade erotiko-romantike; rromuze familjarësh me shkëlqim sysh si djegie e brendshme kongjilli, një çapkënllëk që nderej në ajër si nënqeshje maceje, ah qerrata, e dimë që do ti, e dimë... Ajo që donte Refati kish dhjetra sinonime, si çdo koncept i stërpërdorur dhe sidomos stërmenduar.
Sefte ndërmarrja kish nisur me Merushen e Seferajve. Ajo ishte nga një fshat përballë dhe mbahej si më e bukura. Ajo është “perrìnd”, kish thënë Bidua, duke lënë të kuptohej vështirësinë e tij si ndërmjetës për një vajzë perrì. Seferajt kishin thënë falemnderit, por çupa është e vogël. E vogël! desh kish thirrur ai. Nuk gjetën një tjetër arsye, nuk u lodhën pak për t’u bërë më të besueshëm, por këputja gjepurën e parë që vjen në kokë? Ku e vogël, nuk e shihni, apo u kanë plasur. Sidoqoftë, ai megjithëse u fye, nuk u mërzit; kushedi sa mblesër u trokisnin Seferajve në derë. Nuk le Larua, të... Pastaj kërkuan Valdeten. Me gërsheta kjo, nga fshati i tyre, me quka dhe vrima në faqe. Syshkruar. Skuqej kur fliste dhe sytë ngjyrë të kaltër e të hinjtë bashkë, i ulte si me një mendim të pathënë kur e shihje gjatë dhe me ngulm. Të bënte ta dëshiroje, ç’është e vërteta. Ashtu si e turpshme, por me një brerore çiku e ishareti gjithnjë. Me një gërshet që vazhdonte si mendim dhe zvarritej pas saj si litar që të ftonte ta kapje me kthetrat e tua. S’kemi çupë për të martuar ne, kishte qenë përgjegjia për Bido lajmësin. Vate dhe Valdetja, të cilën e ëndërroi nja një javë rresht para tratativave të Bidos. Aty i lindi dyshimi i parë, mos nuk ishte i pëlqyeshëm. Shikonte veten në pasqyrë, fragmente favoritesh, harkun e vetullës, shtegun e ballit, shikohej drejt në sy duke u përpjekur të dilte nga vetja dhe të vihej në vend të dikujt tjetër. Fytyra që shihte përballë i pëlqente. Mbi të gjitha i dukej shumë e zgjuar. Dhe interesante. Ç’dreqin kanë? mendoi. Bidua erdhi prapë dhe i shtiu në vesh Dafinën e Beqirajve. Kurrë s’e kish pëlqyer veçanërisht atë vajzë. Por tani zbuloi që edhe nuk e kish urryer, gjithashtu. Hunda e saj kishte një kurriz të cilin ai do dëshironte të ish më i vogël, dhe këmbët nën fustanin mbi pantallona mbase do i donte ca më të mbushura, por nuk ka njeri të përsosur në këtë botë. As ai vetë nuk ishte i përsosur. Dafina mbase kishte veti të tjera të mira që askush s’ia dinte. Këto që s’duken dhe aq nga larg, qëllon jo rrallë që janë furrë të nxehta. Si bukëvale. Kështu i kishte thënë Fadili, që mbahej si mjeshtër në këto punë. S’i dihej pra. Syri të gënjen. Ndonjëherë duket si mollë nga jashtë, po del goricë e pabërë. Sidoqofte atij po i haheshin shumë edhe goricat, si punë e atij ariut të dëshiruar, por gorica s’po shihte gjëkundi hiç. Si e bërë ters kjo punë. Jò-në në majë të gjuhës mileti. Pas Valdetes, kishte provuar Tanën nga mëhall’ e përtejme. Tana ishte pak e shtyrë në moshë, dhe si fis nuk qe kushedi se çë. Tana ku ta gjente. Por edhe nga Tana nuk pranuan. Përgjegjia ishte “e kemi dhënë fjalën gjetkë dhe s’e marrim dot më mbrapsht”, ç’ka mund të ishte e vërtetë, por kjo as që ngrinte më peshë tani. Lidhur komb kjo punë, si nyje litari tërhequr e shtrënguar nga njëqind kuaj të egër. Kishte dëgjuar për femra fatpadala, por për burra? Burrit nuk i del fati, ai lind me fat qyshse është burrë.
Bidua hyri në shtëpi pa folur. Rakinë e ktheu si me pendim. Nuk kishte folur sepse nuk kish shumë ç’të thosh. Pala tjetër kishte thënë “jo” të pashoqëruar me asnjë shpjegim. Refuzimi më i keq.
- Pse kështu, o Bido?
Bidua s’foli. Buza djegur nga rakia i ishte zgjatur majtas, ngrirë si nga një ngërç nervor. Llafet pa fund të s’ëmës hyr-e-dil nëpër dhomat e shtëpisë me sikletin si motor perpeetum mobile, e rëndonin më shumë gjendjen. E ëma kurrë nuk e dinte kur fjala rëndon e kur jo. Ne donim ti sajdisnim Habibajt, vinin fjalët e saj duke u përplasur nga dhoma në dhomë, si me shqyerje dyersh, se ilaka me ta s’bëjmë ne. S’bëjmë miq nga ajo derë! Po ku di harbuti... bythëthata... Kjo e fundit ishte për Hanushen. E cila po të ishte pranuar fejesa, do ishte me shumë gjasë “lastar’ i nënës”.

Të nesërmen shkoi për dru. Të priste diçka, shumëçka, gjithë një pyll mundësisht. Dhe vetëm, pa njeri pranë. Por s’qe e thënë; pa dalë mirë nga fshati, mbi udhë u dha Safeti. Nuk e shmangu dot.
Safeti e bëri të shkonin në pyllin afër, edhe pse kish rrezik t’i shihte dhe kapte roja i pyjores. Mos u mendo kaq gjatë, a i vrarë, i tha. Të gjithë ketu presin. Atje ku prerja lejohet do tre sahat të vesh. Mo’ u bëj frikës, Refat!
Ai donte t’i thoshte që s’ishte punë frike, ishte punë rregulli, por nuk mundi, pasi tjetri tingëllonte edhe me aq mjaft shpotitës.
- Ti asnjëherë s’i thyen rregullat? – vazhdoi. - Po rregullat ndaj janë atje, ngaqë thyhen e për t’u thyer. Vetëm drejt ti e di se kush ecën.
Sopatat vrisnin drurët në sintoni goditjesh. Ashklat kërcenin anash si spërka gjaku.
- Shiko se do mbetesh pa martuar po qe kaq drejt e drejt, ore – sopata e Safetit goditi veçanërisht fort. - Nuk të jep njeri nuse ashtu.
Fjalët e fundit u thanë si me të qeshur, por Refatit i ranë në kokë si një ah i madh në rrëzim që tjetri sapo e preu. Mos e dinte vallë ai që?... Apo thjesht rastisi që e tha atë punën e martesës? E përgjoi gjithë kohën se mos i kapte ndonjë nënqeshje të pavullnetshme tallëse dhe ditëse. Por nuk dalloi gjë. Mesa duket Safeti s’dinte gjë vërtet.
Drutë i prenë dhe i ngarkuan shpejt. U kthyen në fshat me ditë.
- Po t’i prisnim drutë atje ku doje ti, vetëm me natë do ktheheshim - tha Safeti në të ndarë. Kishte pak rrëshirë qortimi në fjalët e tij. Që i ngjiste Refatit kudo. S’të jep njeri nuse po shkove drejt e drejt, ore... po s’qe i çalltisur. Gjithçka mori qartësinë e beftë, të menjehershme si pas një zbulimi vendimtar. I çalltisur! “Eureka” për kthimet pa lavdi të Bidos?
Ditët që vijuan morën hije tjetër; pasiguria mori trajtë hajduti. I duhej një “çalltisje”, një veprim i paligjshëm si vërtetim aftësie. Si diplomë juristi, doktoratë inxhinierike, spaletë gjenerali. Një akt që ta merrte vesh gjithë fshati. Që dhe atij i vlente lëkura. Diçka autoritare, mbresëlënëse, energjike. Vrasje? Mirë, por hasëm s’kishte. Rrahje të dikujt? Mire, por sherr nuk kishte gjithashtu me askënd. Një grabitje spektakolare? Po! Kjo s’kërkonte ndonjë hasëm me domosdo; hasmërit në fakt vidheshin rrallë. Po; një vjedhje ishte prova e tij, kali i betejës! gjithë mbretërinë për një vjedhje.
Tash nuk po shihte më ëndrra erotike. S’mundej. Sa herë në horizontet ëndërrore përvijoheshin trajta femërore, ca xhunga si urth nuk e lejonin të vazhdonte më tutje. Do erotikë? Vidh! Do Merushe? Vidh. Do Valdete? Vidh! Mor po ç’i bie anës? Do p...? Vidh! Vjedhje, sikundër seks të vërtetë me një femër, nuk pat bërë kurrë. Në ëndrra nuk kish më hapje shalësh të bardha qumësht që mbaronin në një gjë të mjegullt e të hirnosur, por hapje dyersh të botës, hauresh bagëtishë, magazinash, deposh, dyersh te dhomave (te gjumit... me çarçafë të gatshëm për mëkat) dhe rrëmbim i diçkaje të tjetrit në terr. Që rivendoste namin e duhur dhe e bënte të denjë për nuse. Për një ustà thoshin “i vjen ndoresh”; për një hajdut “ka dorë”. Ku ishte dallimi? Hajdut dhe ustà a nuk ishin veç një milimetër larg nga njeri tjetri? Trimërohej nëpër gjumë para fytyrash hipotetike, thoshte “unë vjedh që i luaj fenë, ore, pse ç’më kujtoni ju mua? S’më njihni mirë, po do shihni”. Më vonë, kur agu dhe arsyeja depërtonin me dritë rozë, i vinte ligsht nga vetja, rrotullohej në krah tjetër në shtratin e fortë, a thua se ndrrimi i pozicionit do rregullonte diçka. Por aty, së bashku me tendosjen dhe dëshirën e mëngjesit, i rikthehej deliri i vjedhjes, porta që hapeshin fshehur, kanate dyshe, dhe mbathje femrash që uleshin, fytyra e Merushes, së bukurës së dheut, që i thoshte me fërgëllim, eja o hajduti im, o zokthi im vjedhës, oh hajdutthi im.

- Femrat nuk para i kanë qejf djemt e mbarë; të jashtëligjshmit, ata me kobure në brez, janë ku e ku më të dëshiruar se normalët radhikò. - E kush mund t’i thoshte këto fjalë veç Fadilit?
Po piqnin misra si mëhallë nën një qiell jugu me yje mizorisht të qartë. Refati nuk po kuptonte në ishin kokrrat e misrit që pëlcisnin ashtu ndanë prushit, apo diçka brenda tij.
- E dëgjuat për Selfon?
- Po se ç’pati një sherr me të shoqen sikur dëgjova.
- E, e pati, po për se e pati ama?
- S’di gjë.
- Po ti e di që vajti në qytet për punë. Atje jep e merr, andej ketej, përpiqu, dhe pak-o-gjë mezi e binte në shtëpi; ti e di si janë ata te Selfoja, bie miu thyen kokën. Një ditë e sheh një nga ato zonjat mbi ballkon, një dërrdënge, se Selfoja kështu nga boja të merr më qafë. I thotë zonja eja me mua, se do ta shpërblej. Vete birkua, dhe i jep drejtim. Hallall t’i kesh, i thotë hankua, dhe drrënk paratë. S’kish bërë korbi kurrë aq para në jetë të tij. Tërë gëzim vete në shtëpi; bleu një herë pa iu dridhur dora e pa menduar, ç’i desh shpyrti në Pazar edhe i sjell me vete. Gëzojnë fëmija, e shohin t’anë si baba Fetà’në, që thonë. Ky i fut ca dopjo raki, se mezeja po vàrdha, edhe u thotë në kulm të asaj hareje, që hani, or hani, u thotë, se nga “ky bir” e keni…
- Shiko, shiko…
- Hi hi hi.
- Mos more!
- “Ha e hesht”, i thonë një fjale, po merr vesh Selfo katrani?
- Nc nc nc. Pse s’thua që na paska nderuar pshanë?
- Eh, ja çfarë e mbush sofrën! Një ore punë hamshori është sa një vit punë gomari ore...
Kërcitjet e misrave vinin tani si miratime të nxehta. Nata dukej si bark vezullimesh të rrezikshme. Disa gishta të çuditshëm, me feksje diamantesh dhe vezullime floriri mbi ballkone bënin shenjë që nga thellësia, eja, eja. Terri i plagosur nga zjarri dhe cefla yjesh mori diçka nga errësira e vrarë e një bordelloje. Muhabeti i burrave misrangrënës vinte tani vetëm si zhurmë fjalësh dhe zhaurimë të qeshurash. Bëhej pa tjetër muhabet nusesh, historira krushqish, të dërguarish për marrje nusesh, që gjithnjë kishin një rrezik brenda, një sherr, një pritë, një keqkuptim. Hazisi po tregonte diçka për një skuadër krushqish, meseleja hahej midis rreshtave të kokrrave të misrit si tespie dhe përtypej me salcë romuzesh e të qeshurash shpotitëse. Drurin e hëngrën, po nusen e morën ama, u dëgjua fjalia përmbyllëse e Hazisit. Si fjala “son” në një film turk. Refati nuk po dëgjonte më. Ai sapo kishte marrë një vendim. Çdo gjë tjetër ishte e dorës së dytë. Rrënqethej tek mendonte se sa poshtë e kishte lënë veten. Tani priste vetëm një natë me shi, me kohë të keqe, mundësisht me vetëtima. Dhe do hidhej, do bënte tutje, do vendoste gjërat në vendin e tyre, do çalltiste. Do bënte një vjedhje!

11 Komente

Pse prisja qe llafi i fundti i kesaj te mos ishte pjese e pjeses? Dicka si "vijon". Me kupton Emo. Duhet vepra tha, se keshtu nuk i dihet a mbaron "me dore" apo "me dore" i ziu Refat.

ky fshati eshte ai ku nuk te japin nuse po nuk vodhe mo ? smiley

Tregimi zbavites, por se c'ka nje sforcim midis rreshtave, nje tendence per ti mbimbushur me figura dhe fjalor origjinal. Sikur te eshte bere target me vete kjo. Dhe kshu avash avash humbet origjinalitetin dhe fjalori, te cilit po tja marresh fjalet tek e tek i ka vertete origjinale dhe argetuese. Por kur ngjeshen keshtu te gjitha bashke ju bien pak piket smiley

anyway, i enjoyed it very much smiley

Deri sa vjen fjala e fundit e kritikes eshte e kote te themi gjo. Lakmoj dijet e Tushes. smiley....O fut ne muhabet se ka fryke mos e vjedhin.......uhuhuhuhu ! Po ku pyt Refati per ty moj ! I dashke dhe te ckoqitura ? Nuk i do te ngjeshura smiley Ha mi koqe misra aty me lagjen smiley

Me sinqeritet Cim . Tushja eshte vrejtse e holle . Mbetem me te vetmen pike te shndrimit te kesaj menyre ne mani "ngjizjeje".. E ke qindis ama si subjekt!!!!!

Lul, te marr vesh.  Edhe flm (per ate punen e "dores"  smiley  ) 

Tushe & Ziko, e di ket qe me thoni, s'du me kembengul qe nuk qendron, por ashtu me del, e kam vertet; te gjithe keto "meselera" (pa xhixhilera) ne fakt mua mi tregon ndersa i skruaj, nje person real qe tani nuk jeton me. Ai flet, jo une. Ka dicka pothuaj fetare ne kete, tip rrefimesh pas griles se drunjte. Nuk eshte mire me nxjerr te tilla intimitetesh, por kur Tushja ben dy here te njejten kritike, duhen thene ca gjera. Pra nuk eshte Cimi rrefimtari ne keto. Sic nuk eshte, meqe ra fjala, as te Intelligence grise.  smiley  Flm per kohen tuj.

rrofsh per spjegimin, dhe pse sna e ke borxh.

po ti cke mre, ti vazhdo rrefimin.

Aq me teper nqs eshte keshtu puna mos e ndrysho hic e hic.

E po si i ktheu pergjigje Skenderbeu -  Sulltanit : Nuk eshte metal i dale prej dheut...por eshte KRAHU i SKENDERBEUT smiley

Mbase do ishte me mire te ishte vene e gjithe pjesa...Keshtu per mua eshte e pakualifikueshme dhe e pa sens...çmoj punen e bere....

Refatin e duam te gezuar me ndonje Refije psh sdo ishte keq!

e kam me tere mend, pyet peshkun po te duash.

Happy end, sa qejf dhe te gjithe do ishim te lumtur

Happy end thu???... Shih mer c'i ka bo Refija...  smiley    smiley

http://dorandrew.com/dnn/Portals/0/ManInBottle.jpg

 

me shkrive degjove, ok nje pyetje:

A eshte duku u fut?

A eshte duke dale?

Apo eshte duke u mendur dhe i kenaqur aty brenda?

sorry po me dolen tre pyetje zamet e ke ti per ti vene tapen si thuaaaaa?

Keto shkrimet e tua emigrant jane plot jete, vijne si uje i fresket burimi, nga ai qe e pi me pellembe e s'ke te ngopur.

Të bënte ta dëshiroje, ç’është e vërteta. Ashtu si e turpshme, por me një brerore çiku e ishareti gjithnjë. Me një gërshet që vazhdonte si mendim dhe zvarritej pas saj si litar që të ftonte ta kapje me kthetrat e tua.

Jete o jete! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).