Before the Sunset (Pasdite në Uashington)

Before the Sunset (Pasdite në Uashington), (Rrushi i kuq)


Andi Kananaj, Arbër Zaimi, Leart Kola

Recensent Politik, dhe Sommelier: Verd Norja PHD

Meqenëse tashmë jeni mësuar me Shkrimet e Të Dielës (Registered Mark, All Rights Reserved), është detyra dhe përgjegjësia e reçensentëve të këtij blogu që t'ju paralajmërojnë që do të ketë një vacuum, personazhesh, me dy "u". Vacuum të cilin nuk do e vini re, sepse është vacuum apostolik. Do të shkruhen shumë bibla të tjera, por jo për të njëjtët njerëz, as për të njëjtin krah politik. Që sot e tutje, ne vendosëm të shajmë vetëm Berishën. Sepse kuptuam që numrat kanë vlerë. Megjithatë ne vazhdojmë të ngelemi rruga e vërteta dhe jeta, dhe njerëzit më inteligjentë në univers, sidomos subkomandanti. Por na ka kapur terrori i aktualitetit, sepse nuk e dimë se si do të jetë e ardhmja. Deri më sot kemi lundruar në ujëra të turbullta dhe nuk e dimë ç'do bëjmë pas zgjedhjeve. Një mendim na i sjell Verd Norja PHD i cili bie ca bardhaqe me verë.

Siç thotë dhe braziliani kërcyes i sambas, Paulinho de Santos Sterkaj, nga lartësia e tij sublime, ne "kena pas oferta si nga e majta dhe nga e djathta". Oferta më e mirë, siç thotë trajneri i Interit, Sokol Frontera, ka ardhur nga Lëvizja Socialiste për Demokraci (akronimi LSD). Me këtë lëvizje mund të merremi, lejen e kemi me pashë, se këta nuk na i lexojnë shkrimet, jo se s'duan po se s'munden. Sepse që kur erdhën në fillim për Alfredin, neve s'folëm. Erdhën për Luanin, neve s'folëm. Erdhën për Ilirin, neve s'folëm. Erdhën për Klodiana Shalën, foli vetëm Andi pa u nxef, por doli i treti. Pastaj erdhën për të na marrë ne, dhe ne nuk rezistuam, por pimë bashkë me çunat, si gjithnjë. Andi ka pas dhe ofertë nga nënë Ferideja që të votonte online për Linda Ballukun, si qytetare më e rëndësishme të Tiranës, bashkë me Bankën BKT. Andit nuk i mungojnë ofertat, edhe pse ka tre muaj pa rrogë. Ama, edhe pse pa lekë, si përfaqësues i klasës së intelektualëve të shoqërisë së dhëndrit, doli i treti në garën e njohur "mos u nxeh" (nga Turjon Hyska), duke kaluar atleten K. Shala. Por gjithë ky paragraf ishte i parëndësishëm, krahasuar me atë që vijon.

Jozefina T. e cila driblon në parlament, me stilin e Sharon Stone, pa e vrarë mendjen për shoqërinë postseksuale të Neritan Cekës, është kthyer e buzëqeshur nga Amerika. Në Amerikë kishte shkuar për të parë ceremoninë e Bujar "Obama" Qamilit, si të gjithë të majtët e të djathtët. Bujar "Obama" Qamili ishte i ftuar principal në ritualin antik, po aq edhe domethënës të synetllikut të çunit të emigrantit Lefter, nga Nju Jorku, e organizuar në diskotekën "Kumanova-Durrës" që ndodhet mu në qendër të Nju Jorkut, afër Skënderbeut, ngjitur me redaksinë e gazetës Ilirikum. Jozefina T. mbante gërshërët e inaugurimit të djalit të Lefterit, të cilit i preu mender lafshën. Kjo traditë atdhetare dhe patriotike u shoqërua me thirrjet progresiste "Poshtë Komunizma", "Greqia ule kokën", "Arbitër, arbitër etj..." (se në fillim erdhën për arbitrin, por ne prapë nuk folëm).

Gjatë pasdites, ende pa larë duart prej synetllikut, Jozi vizitoi oborrin e shtëpisë së bardhë, në shoqërinë e kongresmenit simpatik dhe atraktiv, të prezantuar me emrin e koduar Roki Balboa, i shoqëruar nga këshilltarët Apollo Krid dhe Ivan Drago. Kongresmeni Balboa e shoqëroi zonjën Jozi në vendet më posh të Nju Jork, si restoranti i kinezit karaterist filozof komunist Mao Tse Toung, me të cilin biseduan për përfshirjen e fshatarit të thjeshtë Nard Ndoka, si pjesë e proletariatit botëror. Po në Nju Jork znj. Jozi mësoi teknikat e ushtrimit të pushtetit nga Oktavian Augusti dora vetë, çuni i Çezarit, që luan te Godfather në rolin e Marlon Brandosë, që shet makarona në tregun e zi italian të makaronave (na falni për përsëritjen e pabukur të fjalës "makarona").

Nga darka zoti kongresmen Balboa e prezantoi me ish presidentin sovjetik Brezhnjev, të cilit Jozi nuk i foli, sepse e ngatërroi me Gjinushin. Jozefina e shoqëruar nga tre gazetare të TVSH-së, si dhe nga syzet e Kol Ballës, që gjyshja e Leartit i quan me termin fisnik "gjyrzyllykë" dolën për shopping tek tregu i çamëve në Nju Jork, ku takoi Elsi Rizvanollin, i cili i shpjegoi që faktikisht ishin në Uashington. Elsi deri në atë moment bënte garë në Google me kushuririn e vet më të famshëm, futbollistin e Peqinit, Anonim Rizvanolli. Por pas takimit me Jozin, Elsi u zhduk nga çdo faqe interneti, ku ishte prezent më parë. E njëjta gjë ndodhi dhe me kongresmenin Balboa, të cilin e kanë kërcënuar që të shesë hotelet, nëse do të mos martohet me vajzën lindore që mashtroi. Sepse vajzës lindore ia kanë marrë vesh "muhabetin" ata të shtëpisë. Kongresmeni Balboa justifikohet duke thënë se ajo nuk i tregoi që ish e vogël, dhe i tha që punonte në parlament. Ai nuk e kish ditur që ajo paska qenë thjesht studente në universitetin Luigj Gurakuqi, në Shkodër (ku kane studiuar për jurisdiksion Schoppenhauer, Nard Ndoka, Paulin Sterkaj, dhe gjithë katolikët që Jozefina i urren). Është i njëjti universitet ku jep mësim, mjeshtri i punës, sportit dhe artit, artisti i popullit, Blendi Dibra, nga Shkodra. Këtu, të acaruar që këto foto nuk dolën në Facebook, por vetëm në faqen e parlamentit, e thyejmë historinë. I bëjmë thirrje gjithë personazheve që të mos e marrin seriozisht atë natë me Jozin (before the sunset), dhe të mos i bëjnë kurrë tag as Jozit, as Kananit.

Sandër Biberaj, (Aleksandri i Vogël siç e quajnë nëpër kulisat të erotike të Komisionit Europian) ka dalë tek emisioni i famshëm 5 pyetje nga Baraba, ku ka treguar se ende nuk e di arsyen pse e kanë hequr. Dyshon se është avulluar nga Berisha sepse në të ri të vet ka deklaruar që Kol Balla nuk luan dot në kombëtare, sidomos si portier, se s'ka reflekset e duhura audiovizuale. Megjithatë Berisha nuk pendohet për avullimin e Biberajt, siç nuk është penduar për pjesëmarrjen në gjyqin e Shoshorit, ku kishte kërkuar që të persekutuarin ta varnin. Berisha justifikohet duke thënë se isha i ri, i ngjaja si pamje Er Velisë, po fiks, krejt si ai, dhe nuk mendohesha gjatë. Prandaj jam kundër këtyre Maverick-ëve të Rinj (shprehje e vjedhur mot-a-mot nga gazetari fuoriclasse Sabatino "E Shtuna e Skraparit" Sulçe), thotë Berisha. Një zgjidhje për t'i shpëtuar Berishës nuk e ka gjetur as Çim Peka, të cilin e kanë hequr me dhunë nga selia e televizionit kombëtar NTV. Arsyeja ishte "Meqë po heqim Top Channel duhet t'ju heqim dhe ju, sepse par conditio na detyron që të heqim një të djathtë për çdo të majtë". Po të vazhdojnë me këtë parim, në fund do kenë eleminuar të gjithë.

Por aspirinën ndaj Berishës thuhet se e ka gjetur çifuti i Edi Ramës. Çifuti i ka bërë Ramës një recetë të gjatë, e quajtur Program Politik, dhe i ka thënë mos e trego deri pas zgjedhjeve se të marrin mësysh, dhe ta vjedh e djathta. Rama në fillim hezitoi, dhe argumentoi se të djathtët nuk do të vidhnin kurrë një program të majtë, por çifuti i tha rri se s'di gjë nga ky muhabet ti. Thuhet se në programin e majtë, taksa e sheshtë, do të lëmohet fare, që të mund të bejnë patinazh në akull këta të PëSësë.

Specialisti i fatkeqësive Sazan Guri, mbajti një referat në fatkeqësinë e radhës, që ishte konventa e Lirit te pallati kongreseve. Liri ka vendosur që të bëjë konventa një herë në dy ditë, se 6000 dollarë kushton qeraja, dhe ai me 6000 dollarë kruan veshët, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër (si syzet e Kol Ballës psh.) Siç citohet nga media e lirë por e paguar, Sazan Guri mësohet të ketë thënë "Këta nuk na kanë lënë në fund, por na kanë mënjanuar, dhe më mirë i fundit dhe në rresht, se sa anash por i papërfillur". Pas kësaj shprehje që Liri nuk e kuptoi, dhe qeshi nën hundë si gjithnjë, LSI-së i ka ngel vetëm mundësia që të përhapet nga PD-ja video e Ramës në Bluetooth.

Njoftojmë të gjithë lexuesit që në hollin e Hotel Sheraton, të privatizuar nga një biznesmen i njohur shqiptar për 100 milionë euro cash, do të zhvillohet ndeshja e radhës midis Ilir Dashit dhe Dash Pezës, se kush ha më shumë çumçakiz me gojë hapur. Çumçakizin e sjell Robert Çumçakizi që edhe një herë erdhi në parlament vetëm për të marrë rrogën, mision të cilin e kreu me sukses.

Përshëndesim Nënë Feridenë (e cila është duke na ndjekur nga burgu, pavarësisht reklamës dy orëshe të Edi Ramës). Përshëndesim konventën simpatike të LSI-së që kushtoi sa një fshat i Librazhdit. Përshëndesim vajzën lindore Jozi, dhe e përgëzojmë për kurajon e saj. Për ne ajo ka bërë një lëvizje emancipuese, më tepër se Eliza Dushku (që s'ka lidhje me Dushkun që shpiku Gjinushi dhe firmosi Meta). Jozi na ka habitur me zhdërvjelltësinë e saj kozmopolitane, si Heather Parisi, edhe pse nuk ka dalë shpesh jashtë shtetit. Përshëndesim Kozma Dushin, Evo Moralesin, Fabrizio de Andre-në, dhe Ervin Qafmollën, të gjithë përfaqësues të kulturave autoktone.

21 Komente

Keni nje humor madheshtor. Kam vetem nje pyetje. Kur i shkruni artikujt, njeri ma penen dhe dy i majne doren sic na e bonte zysha e klases se pare, apo si? smiley

Sic thote reklama e guinness-it: brilliant!

Jeta barbare e klubeve te Tiranes perballohet me mire kur mendon se ka kush shkruan ne vendin tend smiley

PF, mblidhemi te tre, dhe flasim batute pas batute. Njeri shkruan nderkohe. Pastaj e lexojme, dhe e korrigjojme (shtojme batuta) po te tre.

Ka dhe nje element sekret receta, po kete do e themi kur te dali programi i PS

Tropizme, po dilke smiley

eeee sol, me kape smiley apologjia ime ishte e panevojshme por e sinqerte, i'd rather be doing what you're doing

Tropizma është elementi sekret? smiley

Bukur. Jeni bo TM. Në kuptimin parësor të TM-së.

 

Kom arrit deri tek

Nga darka zoti kongresmen Balboa e prezantoi me ish presidentin sovjetik Brezhnjev, të cilit Jozi nuk i foli, sepse e ngatërroi me Gjinushin.

dhe du me thon qe me kapi kriza e te qeshmes....hahahahhahaaa... allall mer... smiley  smiley 

sol, nuk falen ashtu recetat magjike smiley

p.s tamam krize me te qeshme smiley

Ca konglomerati : D

Vajza nga lindja edhe Liri made my day today smiley

Madheshtore!

O Sol kush je ti nga treshja me?

Mos me thoni qe Sol-i o hunderri se do ja thy hunen qe s'me ka deftu mo perpara!

Lizander, nuk di a e ke nigju ate barcaleten "qeke hun-rrenc i modh ti mer"...  smiley 

PS nuk zbatohet ne ket rast, se cunat e kon bo forra, jon bo si tre tenoret...

Jo nuk e di kte! Po s'pertove ma shkuj pak.

Si perfundim nga postat e fshime doli qe Sol-i nuk kishte lidhje me Hunden (jane vetem shoke asgje me shume!)

s'thuhet te peshku ajo...  smiley  po ka lidhje me korrelacionin pozitiv midis hundes dhe....

the rest is history...  smiley  smiley 

Aftesite e solit kon rronj etno-gjenetike dhe gjeo-kulturore. Nuk osht thjesht merit pResonale, m'i llaf; teorit' morganiste deshmohen par excellence te sol-i...  smiley

O emigranto, a ke degjuar ndonjehere nje fare J. Philippe Rushton?

Ai specializohet ne korrelacionin midis atij madhesise  s'atij  "sennit" dhe madhesise se trunit, nder afrikej t'Afrikes, Ver Llapa notwithstanding! smiley

He's legit, BTW, jo dava Bytheguri dhe rrefenja te tjera nga kazeta Thumbi!

sa merak jom me dite ku bahet elsi rizvanolli se e kemi pase shok flori!

do kohe u mur me mjaftat. vazhdon ende?

se duhet me pa te facebooki me e gjete

hala flori asht, me mjaftat o ka merret, po n'amerike, sun iu rrite n tiran

se asht kane djale me shtatin e imet po me hapin e madh gjithnji olsi. hajt pra bàni t'fala prej ni djali prej shkinaki! uroja tana t'mirat e botes.

Berisha justifikohet duke thënë se isha i ri, i ngjaja si pamje Er Velisë, po fiks, krejt si ai, dhe nuk mendohesha gjatë.

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).