Bashkëpunimi i ndërsjelltë dhe krijimi i vlerës në epokën e internetit

Bashkëpunimi i ndërsjelltë dhe krijimi i vlerës në epokën e internetit

Endrit Kromidha

Sot jetojmë në një kohë kur njerëzit kanë gjithmonë e më pak kohë. Puna me orare të zgjatura, shkolla dhe kualifikimet gjatë gjithë jetës, kompleksiteti i aktiviteteve të përditshme në rritje sjellin një gjendje ankthi dhe stresi që është bërë e zakonshme. Mungesa e një jete të pasur kulturore drejton vëmendjen drejt politikës në një dëshirë të pashpresë të shkëputjes nga realiteti vetjak. Përqëndrimi pikërisht në këtë mikrokozmos imagjinar të quajtur politikë, sjell krijimin nga banalja të legjendës. Pikërisht në këtë moment, kur politika shndërrohet në legjendë, kur debatet politike i ngjasojnë më tepër betejave të heronjve mitologjikë të përrallave, vëmendja e lë atë për një moment dhe i rikthehet realitetit të përditshëm mediokër. Kjo është fare e kuptueshme pasi legjenda është aty gjithmonë, ajo kalon brez pas brezi dhe si e tillë humbet rëndësinë e momentit të së tashmes.
Në pamundësi për të komunikuar me legjendën, njerëzit më në fund rizbulojnë mundësinë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Problemi kohë gjithsesi është prezent dhe mundësitë për t’u takuar janë të kufizuara. Atëherë nevoja për të gjetur dhe përdorur metoda alternative bëhet thelbësore. Në atë moment, një diskutim në Facebook merr të njëjtën rëndësi sa një takim për një kafe, një rrahje mendimesh në një forum online kthehet në tryezën e rrumbullaket të një grupi pune. Ndërgjegjësimi për hapësirën e pakufizuar që ekziston për paraqitjen dhe rrahjen e ideve në botën virtuale lind nevojën e prezencës online, po aq sa edhe nevoja për tu informuar duke lexuar shtypin e ditës ose duke parë emisionin e lajmeve.

Ngjashmëria e forumeve online me demokracinë greke të lashtësisë është e admirueshme, pasi edhe aty çdo qytetar njëlloj ka të drejtën e fjalës, kuptohet, nëse kishte diçka me vlerë për të thënë.
Komunikimi i ndërsjelltë nëpërmjet internetit ofron diçka më tepër se komunikimi nga tribuna e mitingut, konferenca e shtypit, kryeartikulli i gazetës apo goja e analistit. Ai nuk funksionon vetëm në drejtimin nga lartë-poshtë por edhe nga poshtë lartë dhe ç’është më e rëndësishmja edhe në mënyrë horizontale. E thënë ndryshe, kushdo me pak fantazi ose diçka për të shprehur mund të ketë audiencën e tij në botën virtuale, pa qenë nevoja të vendoset para kamerave, në faqet e gazetave apo në podiume.

Ky proces anashkalimi i mënyrave të zakonshme të komunikimit, nxjerr në pah një mundësi reale bashkëpunimi mes masave që anashkalon pushtetin politik të drejtuesve të zgjedhur. Në një dimension ku politika nuk ka pushtetin e monopolit të megafonit, ekranit, shtypit apo mjeteve të tjera të paguara të komunikimit në masë, autoriteti i saj bie. Pikërisht këtu nga mungesa e liderit si strukturë, lind nevoja për të bashkëpunuar. 

Për një popull me një histori mjaft të gjatë vartësie mendimi dhe diktati, marrja e përgjegjësisë për të krijuar vlerë rezulton mjaft e vështirë në fillim. Së pari duhet të lindë mendimi për një gjë të tillë. Është vështirë të shprehet një mendim origjinal kur për shumë kohë nuk ka qenë e lejuar të kishe një të tillë. Është akoma edhe më e vështirë që ky mendim të vihet në shërbim të të gjithëve, pra të masës. Për këtë duhet bashkëpunim dhe ky duhet të jetë jo nën diktat, por i natyrshëm. Janë më të guximshmit ata që hedhin hapat të parët në këtë tokë të pashkelur, por nuk mungojnë as aventurierët kokëkrisur e mashtruesit. Në fund të fundit kjo është shoqëria.

Le t’i kthehemi edhe njëherë ritmit dinamik të jetës që jetojmë, mungesës së kohës, dëshirës për t’u shkëputur nga realiteti dhe shndërrimit të politikës në legjendën shpëtimtare. Forumet dhe mundësitë e rrahjes së ideve të masave në internet janë vetëm një mjet dhe ky është vetëm një kanal ku mund të rrjedhë informacioni. Më i rëndësishëm është qëndrimi, për të mos parë vetëm lart, drejt legjendës (politikës e pushtetit) por edhe anash, drejt të afërmve, shokëve, kolegëve e qoftë edhe të panjohurve. Dikush (George Bernard Shaw) ka thënë që nëse unë kam një ide dhe ti ke një ide dhe ne i këmbejmë ato, në fund secili do ketë dy ide. Kjo është një forcë e madhe që mund të rilindë ato vlera që kanë humbur por që na mungojnë kaq shumë. Në këtë mënyrë, mbase edhe legjenda do të rikthehet sërish në realitet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).