Baronë, mjeshtra, doktorë shkencash.

Baronë, mjeshtra, doktorë shkencash.


Arbër Zaimi

Në mesjetën e hershme trimat më të mirë, ata më kreshnikët, që mbërrinin të rrëmbenin mjaftueshëm shpirtra armiqsh, gradoheshin e bëheshin markezë, kontë apo dukë në oborret e mbretërve vulgarë të mesjetës së hershme. Bijtë e tyre e trashëguan titullin bashkë me shpatën, se dardha nën dardhë bie, dhe patjetër që edhe këta u bënë luftëtarë në zë, si etërit.

Po meqenëse dardha ka një cikël të vetin, me kalimin e kohës dhe me sofistikimin e mbretërve, pinjollët e familjeve të baronëve kreshnikë u shndërruan në aristokratë. Si efekt i sofistikimit mbretërit nuk shpallnin më luftëra, por tendera e ankande, lordët i kthyen shpatat në piskatore vetullash, e krifat e dorinjve u prenë për të bërë paruket fancy të kalorësve buzëskuqur e faqezbardhur prej kozmetikës. Të mbytur në borxhe ata filluan t’i shisnin titujt për të patur mundësi që të vazhdonin jetën e qejfeve dekadente. Nuk kishte më nevojë që titujt t’i fitoje me gjak. Ato tashmë bliheshin. Fundi i mesjetës qe shumë pranë...

Jemi në kulm të fushatës, periudhës politike që përkon me apeksin e çdo aktiviteti njerëzor, që nga seksi, e deri te zgjidhja e mistereve matematike e statistikore. Sa banorë ka Gjirokastra? Të çfarë lloji janë këta? Përmetarët janë të majtë të butë, lazaratasit të djathtë të egër. Të parët i ka PS-ja, të dytët PD- ja. Po kolaqët kujt do t’ia japin votën, Gencit? Po minoritarët? Po lebërit? Hmm e komplikuar Gjirokastra... Kjo ishte tema e bisedës në një darkë të zgjatur deri në mëngjes, që fatkeqësisht e kalova me ca kandidatë për deputet të partive të mëdha opozitare (nuk ka pse të tingëllojë e çuditshme, se sherri nëpër popull nuk pasqyron aspak mirëkuptimin idilik mes qeveritarëve). Kandidatët në fjalë, jo vetëm që e viviseksionuan Shqipërinë e shqiptarët (si me Gjirokastrën që thamë), por dhe filluan të flisnin për problemet e masës si të ishin pulla poste që shkëmbehen mes fëmijësh. Kështu papunësia të ul ose të ngre pikë, analfabetizmi të ul ose të ngre pikë, rrugët të ulin ose të ngrenë pikë, dritat të ulin ose të ngrenë pikë, madje dhe Gërdeci... I habitur i pyeta nëse e kishin seriozisht që i trajtonin çështjet njerëzore si subjekte metafizike, por përgjigjja që mora ishte një buzëqeshje dhe një tringëllimë gote. U revoltova, po meqenëse nuk jam popull normal, nuk munda të flisja në emër të popullit normal, që duket tepër i kënaqur nën Berishën, Ramën, Metën, Ndokën e me burrat e tjerë të mëdhenj përfaqësonjës, kokat e shtetit.

Është përulja e hallkës së mesme të zinxhirit ushqimor ndaj majës së këtij vargu, ndaj grabitqarit final, mbretit të pyllit që ka të drejtë të hajë gjithçka. Vetëm se kafshët këtë rregull të të ushqyerit e zbatojnë mes speciesh të ndryshme, ndërsa njerëzit, mes njëri tjetrit. E çuditshme është se kjo përulje vetëvrasëse, ky ofrim i qafës drejt gojës të çapëlyer të Liderit, nuk ndodh vetëm në masat mediokre, po edhe te të rinjtë energjikë, te të shkolluarit, te trutë që thithen nga jashtë e nga brenda...

Në majë të gishtave njihet gjithçka, ndarja në komunitete deri në detajet më të vogla sa i përket identiteteve grupore, çfarë i premtohet këtij grupi, çfarë do ai fshat, si t’ia marrim votën atij fisi. Kjo është mjeshtëria e padiskutueshme e kandidatëve për deputet, personat që tash prej disa javësh janë lëshuar nëpër rrugët e Shqipërisë si ata minjtë e uritur që me të hapur kafazin përpiqen të brejnë gjithçka, deri dhe njëri-tjetrin. Motivimi është i madh, në lojë janë katër vjet skeptër për mbretin e tyre, që do të thotë katër vjet tendera, punësim i njerëzve të tu, krijim i sferave të influencës, favorizim i bizneseve që e tundin qesen mirë në bakshish, krijim i klaneve, blerja e mediave (o zot sa duhen ato mediat në kohë fushate)...

Disa ditë më parë pata detyrimin e pakëndshëm e të ndjekurit të prezantimit të deputetëve në televizion, ndërkohë që për një arsye kërkimore, mblodha dhe CV-të e kandidatëve të partive kryesore. Ç’të shihje...? Lum populli që s’do dijë kë të zgjedhë! Njëri/a më i/e mirë se tjetri/a (fjali korrekte gjuhësisht, se problemet sipas vërejtjeve cinike të shumë lexuesve, qëndrojnë tek gjuha, e jo tek realiteti). Nejse, kandidatët ishin të përzgjedhur me kujdes, djem të pashëm e gra me staturë, dhe minimalisht 40% e tyre ishin me doktoratura apo me tituj të tjerë shkencorë. Mbi 300 kandidatë i japin nderin votuesve që të zgjedhin mes doktorësh të shkencave të ndryshme. Tetëdhjetë doktora i kishte vetëm PD-ja, që me një lëvizje të vetme e parakaloi në kthesë G99 që u marketua si parti e master-ave. Nuk luhet kjo lojë me Salën, se doktori vlen më shumë se masteri (sipas skemave mendore të votuesit të thjeshtë).

Një pyetje lind natyrshëm, kur paska patur 300 doktorra (zhargoni i qëllimtë), ku është shkenca? Ku është akademia, që përpëlitet për mungesë stafi dhe punëson të sapodalët nga bankat e shkollës që t’u japin mësim ish-shokëve të klasës? Pa i rënë gjatë, nuk ka as shkencë as akademi funksionale në Shqipëri, nuk ka laboratore, nuk ka punë kërkimore, asgjë nuk zbulohet, asgjë nuk shpiket, asgjë nuk studiohet rishtazi. Vetëm përkthehet, po jo me ndonjë cilësi kushedi se çfarë. Shumë pak shkruhet, po dhe këta fatkeqët që marrin inisiativën, nuk e kanë luksin e peer-reviewing-ut. Mirëpo kemi 300 deputetë me titullin e rëndë doktor, 300 deputetë që me mendjet e tyre të shndritshme do të na hapin rrugë të reja drejt të ardhmes, edhe më të bardha nga kjo të cilës i jemi futur. Pale po të numërosh master-at... E kotë të jesh ironik, këtu ka një theqafje logjike (clash për anglofonët, discordance për frankofonët – se njerëzit e shkolluar nuk para qëllojnë të ushtruar mjaftueshëm në shqip) . Nëse vërtet do të kishim kaq shumë persona të dedikuar ndaj dijes, këta do të kishin mballosur diku ndonjë katedër të hajrit, apo ndonjë revistë, apo ndonjë klub të apasionuarish ndaj shkencës së tyre, apo ku di unë... por jo, këta drejt e në politikë, si daci në kos. Skeptikët i ftoj të lexojnë titujt e kandidatëve, të shqyrtojnë CV-të e tyre (një i njohuri im rezultonte doktor i shkencave policeske...sic!), dhe të kuptojnë se pavarësisht dypllomës, politika mbetet po ajo, e hajnave ordinerë, e kriminelëve, që kanë arritur të blejnë një titull të domosdoshëm për të qenë të marketueshëm në botën e sotme që gjithçka e kthen në Pazar. Shumë keq, se dikur doktoratura shënonte njerëz që jetën ia kushtonin dijes, njerëz që zgjeronin horizonte, e që shkelnin në rrugë të pashkelura. Ndërsa sot, jo se s’ka më të tillë. Por nuk i dallon dot thjesht prej titullit doktor... që si gjithçka, u bleka.

7 Komente

nice smiley

Tetëdhjetë doktora i kishte vetëm PD-ja, që me një lëvizje të vetme e parakaloi në kthesë G99 që u marketua si parti e master-ave. Nuk luhet kjo lojë me Salën, se doktori vlen më shumë se masteri (sipas skemave mendore të votuesit të thjesht&eumlsmiley.

Shum keq u marketizua partia e masterit tani qe me pyt a ke master? eshte isoj si me pyt a ke ngrene naiher byrek?

po kam ngrene?

me presh?

po.

ne cfare dege?

Një pyetje lind natyrshëm, kur paska patur 300 doktorra (zhargoni i qëllimt&eumlsmiley, ku është shkenca? Ku është akademia, që përpëlitet për mungesë stafi dhe punëson të sapodalët nga bankat e shkollës që t’u japin mësim ish-shokëve të klasës? Pa i rënë gjatë, nuk ka as shkencë as akademi funksionale në Shqipëri, nuk ka laboratore, nuk ka punë kërkimore, asgjë nuk zbulohet, asgjë nuk shpiket, asgjë nuk studiohet rishtazi. Vetëm përkthehet, po jo me ndonjë cilësi kushedi se çfarë.

Doktore-Dostojevske kemi pak-idiote sa te duash.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).