Arti kundër banalitetit - shënime

Arti kundër banalitetit - shënime

Arbër SHTEMBARI

Një pandemi e rëndë ka mbërthyer vendin dhe asnjë masë nuk është marrë për ta parandaluar: sëmundja provokohet nga një virus që quhet banalitet! Vatër infeksioni! Mund të të ngjitet injoranca, varfëria, vuajtjet dhe madje rreziku është deri vdekjeprurës. Koha që jetojmë është banale gjer në grotesk. Virusi ka prekur të gjitha klasat e popullsisë. Ka prekur madje dhe ata, kalorësit e politikës sonë. Duhet ti ketë goditur në kokë. Ka diçka që nuk shkon në kokën e tyre, sepse paradoksalisht, në betejë pritej që viktimat të numëroheshin mes kalorësish që do të luftonin. Por tek ne ndodhi që, kalorësit, të çdo flamuri, u mblodhën për të vrarë vetë atë: fushën e betejës- Politikën! Maratonomaku nuk mbërriti deri tek ne të na e thoshte që Politikën e vranë! Kufomën e zëvendësuan në morg me një dordolec!

Ka frikë njerëzia. A jemi modest ndoshta. S’e di, por ka diçka që s’shkon. Vritet një deputet në prag zgjedhjesh, por të gjithë tregohen të matur për të mos bërë një lidhje midis vrasjes së tij dhe politikës. Po s’të vret njeri për politikë tek ne! Ja para ca kohësh, iku dhe Trebicka, po aksident ishte fundja! Po ja shpërtheu dhe Gërdeci, po c’faj ka politika? Aksident! Po me dhjetëra shqiptarë që vriten çdo ditë, për një copë tokë, për një copë bukë, për një vend pune? E kanë nga injoranca, s’ka përgjegjësi politika. Po çfarë politike na qënkash kjo që nuk ndihet përgjegjëse për jetën e qytetarëve që ajo përfaqëson? Ky shtet që nis ushtarë në vise të largëta në emër të lirisë e të demokracisë, nuk është I fuqishëm të ruaj as përfaqësuesit më të lartë të shtetit e jo më një qytetar të thjeshtë. Ka diçka që nuk shkon. Njerëz të mirë. S’duan probleme. 1 Maji. Shqiptarët preferuan të festojnë hallet e tyre në vend që të dilnin e të protestonin për më shumë mirëqënie. PS dhe e majta në përgjithësi nuk ka kurajon të përfaqësojë realisht elektoratin e majtë, ti ndihet atyre më të shtypurve, më të varfërve, atyre që sistemi i shtyp dhe i nxin jetën cdo ditë. Ata nuk kanë para për të financuar fushatën e PS, kështu që PS’së I duhet të kaloj përtej, I duhet të flirtoj me pronarët. Fushata do të jetë dhe më e kushtueshme këtë vit. Duhen ato para. Por pa I hyrë debateve ideologjike, fatmirësisht ka një forcë që ende nuk është vlerësuar si duhet e që ka forcë të përballet me dordolecin e politikës: Arti!

Arti ka treguar gjatë historisë së tij që mund të jetë një mjet për t’ju kundërvënë pushtetit. Po artistët tanë ku janë? Me sa duket përbri njëri tjetrit, janë ngritur dy botë paralele, ajo e politikës dhe ajo e artit. Një çift me probleme, fizikisht të ndarë, ku arsyeja e vetme që i mban nën një çati, mbetet paraja. Politika ofron, artistët afrohen, bëhen më të dashur, më krijues, e kur politika i thyen penelat, ata ngrihen bërtasin « poshtë fashizmi », « poshtë diktatura », e atëherë politika i ofron një kafshatë sërish, e ata qetësohen. Këto interesa paskan qënë po aq të ngushta sa ai fyt artisti që bërtiste « poshtë diktatura ». Po më tej ? Disa kanë titullin « Artist i Popullit ». Ka më artistë të popullit tek ne ? Ka diçka që nuk shkon as këtu. Në fakt ka ca kohë artistët konsumohen mes tyre. Mund të ndodh të jepen dhe tituj “Artist i Artistëve”.

Sa shumë kritika! Mullinjtë e fjalës rrotullohen në erë. Në fakt, ky sistem është një matricë kurioze. E shndërron në mall dhe vetë kritikën ndaj tij. Analizat pafund në të përditshmet shqiptare janë mallra tregu. Për sa kohë paguhen la jouissance e analistëve tanë do të vazhdojë, e po kështu, dhe kritikat.Hipokrizi. Ka diçka që nuk shkon. Ka pritje. Presim të vij Njeriu i madh, historiku, ai që do të na nxjerr nga mizerja e që do të pastroj këtë vend nga llumi që e ka mbërthyer, ai që do të mund të rindërtoj ndërgjegjen e këtij populli. Ata që pretenduan të ishin “Njeriu I madh” në fakt zbuluan në kohë që ishin tepër të vegjël, dhe shanset I patën të behëshin të mëdhenj, por ata nuk u lartësuan, ata u zgjeruan. Ja kemi shitur shpirtin djallit. Ja kanë shitur dhe ata, artistët. Janë bërë pjesë e sistemit. Se dakort, “do hanë dhe ata”, jetojnë në botë materiale ku çdo gjë ka një çmim, Gjërat kanë çmim, por një farë rezistence ndaj shitjes së shpirtit e prisnim prej tyre. Një farë rezistence ndaj banalitetit e prisnim prej tyre. Asgjë. Shpirtin, e shitën dhe atë!

Përpiqem të gjej kundër-kulturë, diçka punk, underground, diçka postmoderniste, pak polén nga flower power, kushedi ndonjë të frymëzuar, po hiç! Në të njëjtin bar, I njëjti grup, për një verë të tërë, këndoi po të njëjtat këngë, të njëjtët njerëz kërcyen, kënduan. Ndryshimet politike reflektohen në art. Vijnë risi. Shpikën lëvizje të reja. Kështu kur ra komunizmi, lulëzuan disa banda rock, Ritfolk, Akullthyesit, Djemtë e Detit, e të tjerë ishin produkti direkt që reflektonte frymën e asaj kohe. Lirinë. Ç’kohë monotone kjo e sotmja! Art i llogaritur “shih, se nëse fusim një çifteli në atë melodi, kemi shans të shkojmë në Eurovizion”. Afera u mbyll! Vitin tjetër do shtojmë një gajde! Konstatim statik – kontestimi estetik nuk ekziston! Mundësitë janë! Arti mundet! Zgjedhjet po afrojnë dhe politika do kërkojë artistë për mitingje (profesion ky! siç ka dhe artistë për dasma). Politika di si të infiltrohet në art. E bën këtë pa kamuflim. Për ata artistë që ende s’e kanë shitur shpirtin, ndoshta mënyra më e mirë për të dalë nga ky rreth vicioz është të bëjnë subversion. Po! Subversioni artistik do të ishte përgjigja më e mirë kundër banalitetit!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).