Apologji dëshirës së djegur.

Megjithëse brenda meje ti ke vdekur,
me duar që më dridhen,
varrin hap për të të parë.
Kujtimet - ornamente zie kërkoj.
Dhe gërmoj derisa duart dhe trupi
bëhen plagë.
Pastaj, bie mbi krevatin sarkofag,
psherëtima të mbledhura shfryj në duar,
të ftohtin që le pas për të dëbuar.
Sa çudi...
Të mbaj mend gjithnjë të ngrohtë,
dhe prapë me dimrin më ngjan.
Si moti sot, këtë mëngjes.
Bën ftohtë,
e megjithatë,
nuk gjej asgjë për të ngrirë dhimbjen.

Më kujtohet si njëherë të dy,
shtrirë, të rënë në grackën (e njohur) naive,
mbyllëm sytë dhe pohuam se po shihnim yje.
Ti u trembe atëherë,
kjo puthje mendimesh,
tu duk e tepërt rastësi.
Ndërsa unë mora shkas për tu dehur,
humbur dhe besuar në pafundësi.
Të kujtohet?
Gjithnjë para dhe pas ndiznim zjarr,
si fëmijë prej botës abortuar,
gjenim njeri tjetrin symbyllur,
vetëm duke u prekur me duar.
Ndërsa tani,
çdo dëshirë është bërë hi.
Arsyeja po mi vret dhe kujtimet.
Ah kjo flaka shterpë sa djeg,
tani që bashkëjeton me mungesën.

4 Komente

E di c'me pelqen tek kjo poezi? Qe mund te pervetesohet, dmth. aty mund ta gjeje veten edhe nje vajze duke menduar per nje djale, edhe nje djale duke menduar per nje vajze.

Të mbaj mend gjithnjë të ngrohtë,
dhe prapë me dimrin më ngjan.
Si moti sot, këtë mëngjes.
Bën ftohtë,
e megjithatë,
nuk gjej asgjë për të ngrirë dhimbjen.

 

Të mbaj mend gjithnjë të ngrohtë,
dhe prapë me dimrin më ngjan.

Bën ftohtë,
e megjithatë,
nuk gjej asgjë për të ngrirë dhimbjen.

Me duket Poezia fillon pikerisht ketu. Dhe keta 5 vargje mjaftojne per vete te tyre. Dhe jane goxha te bukur.

"puthen mendimet" <<-- I liked that.

Kam konstatuar qe bashkimi i pjeseve ne NJE ne poezite e gjata eshte ku e ku me i veshtire se ne proze (ku gjithashtu nuk eshte asfare i lehte). Plus, vetkrasitja (ala Ezra Pound - flakja tej e atyre qe ai i quante ndjenja te intensitetit sekondar) jo vetem qe dhemb, por te duket edhe unfair, sidomos persa kohe qe trupi i poezise eshte ende i ngrohte.

FLM qe me bere te mendoj pak kshu si intermezo mes numrash.

Cheers!

Ec perpara te cafsha ballin ../ me sqepar ta hapsha varrin .. smiley

Ne se je tek "sprovat" them se je ne rruge te mbare . Me te vertete EC! . Po qe se ke kohe qe merresh me keto gjera ...faji nuk eshte joti ..eshte i atij qe perzgjodhi kete vjershe per tek PPU!

Pak humor Busulle  ( e di qe poetet jane sensibel ) por ishalla qellon nga ai lloi qe nuk prekesh dhe i mirepret keto vergje qe me duket se te kane frymezuar per kete poezi !

Ana, faleminderit. Më duket me gjithë mend kompliment ajo që shkruajte.

Kam konstatuar qe bashkimi i pjeseve ne NJE ne poezite e gjata eshte ku e ku me i veshtire se ne proze (ku gjithashtu nuk eshte asfare i lehte).

Besoj se varet nga mënyra e të shkruarit Emo. Çka hidhet në letër, në fillim e gjitha është ndërtuar në mendje. Mua më duket ndonjëherë se kjo puna e të shkruarit është më keq se deadline. Ngaqë duhet të kalosh nga njëra gjendje në tjetrën... nuk e di, shpesh kam patur frikë mos "e humbas" dhe intermezot shpeshherë janë të tilla prej nxitimit. Siç do binte dakort dhe Idrisi, kam përshtypjen. smiley

Idris, pa problem. Mos e ki merak fare. smiley Faleminderit për komentet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).