Anarshi dhe pasiguri në Greqi


Trazira, vandalizma, dhunë e vjedhje, pothuajse përditë në Athinë, Selanik, Patra...

Anarshi dhe pasiguri në Greqi
Ardi Stefa
Ruajtja e një gjendjeje dhe situate të tendosur dhe jashtë kontrollit të një “(gjasme)lufte guerrilase”, e cila lëviz dhe vepron sipas konceptit të një “revolte të vazhdueshme”, apo persona, të cilët vepruan të nxitur nga ato ç’ka shkruante në traktin e vet organizata “Lufta Revolucionare”?
Ndoshta është amalgamë e të gjitha atyre sa përmenda më lart, të cilat përbëjnë profilin apo edhe fytyrën e të gjithë atyre, të cilët kohët e fundit, në dritë të diellit, ushtrojnë dhunë në rrugët e lagjet më kryesore e më të patrulluara nga policia të Athinës.
Rasti më i fundit ishte ai i akteve vandale në Kolonaki, në sinkronizim të plotë me anarshistët e Selanikut dhe të Patrës, të cilët, duke u larguar, hodhën të njëjtat trakte me të njëjtin tekst.
Rasti i vandalizmave në Kolonaki, është skena më e plotë dhe më e qartë e anarshisë dhe i dhunës së pakontrolluar politike. Rreth 50 apo 100 personat me maska veprojnë këtu e disa muaj me një objektiv të dyfishtë: të terrorizojnë kalimtarët, tregtarët dhe klientët dhe, fakti më i rëndësishëm i gjithë kësaj është që nëpërmjet dhunë dhe vandalizmave të mbajnë gjallë në mendjet e të gjithëse se “Revolta e Dhjetorit ekziston akoma”.
Synimi i tyre, të të mos harrohet “dhjetori” dhe “dhjetori” të bëhet në mos jeta e përditshme, pjesë e jetës së përditshme të grekëve dhe të shërbejë si valë për “përmbysjen e strukturave të shtetit dhe të shoqërisë së konsumit që ka falimentuar”, sikundër theksohet në shumë tekste të trakteve të të ashtuquajturve antipushtetarë, që ata lëshojnë jo vetëm nëpër rrugë e shtypin grek, por edhe nëpër internet.
Në këtë këndvështrim, aktet vandale në Kolonaki dhe ato të disa orëve më parë në Selanik, bëjnë pjesë në “Planin operativ të veprimit” të të vetëquajturve revolucionarë, të cilët kundërshtojnë me një mënyrë të dhunshme modelin e sotëm të shoqërisë dhe të gjithë ata që nxjerrin fitime nga ekzistenca e tij. Dhe të gjitha këto i plotëson edhe shpërthimi i krimit ordiner, me vjedhje, rrëmbime, vrasje, sikundër edhe ishte rasti i vrasjes së një nëpunëseje të thjeshtë nga plumbat e një keqbërësi shqiptar.
Mbajtja gjallë e një klime të vazhdueshme konflikti me policinë, por edhe katastrofat e dyqaneve, bankave apo godinave të tjera, të cilat në nivel simbolik lidhen me ekonominë kapitaliste dhe funksionimin e saj, janë ato në të cilat investonte në të ardhme e një “lufte guerrilase” organizata terroriste “Lufta Revolucionare” me traktin e saj të para disa ditëve.
“Të luftojmë me të gjitha mjetet regjimin aktualu politik e ekonomik”, shkruanin në traktin e tyre terroristët dhe duket se disa, të ndikuar nga fjalët e mësipërme kanë nxituar të vendosin...gurin e tyre të vogël... në këtë luftë revolucionare...!Një procedurë, të cilën ashtu siç e konceptojnë këto grupime të “luftës antipushtetare”, ka evoluuar sidomos pas Dhjetorit dhe manifestimeve, të cilat pasuan vrasjen e Aleksi Grigoropulos...
Nga kjo prizëm shohin situata të favorshme për praktika të përgjithshme “guerrilase”, me katastrofa, dhe vandalizma, si ndaj bankave, grupimeve ekonomike e financiare, por edhe ndaj sipërmarrjeve të vogla e të mesme, të cilat përfaqësojnë apo simbolizojnë “kapitalizmin bashkëkohor dhe modelin konsumator fitimprurës për disa”, siç thotë në traktet e veta “Lufta Revolucionare”.E gjithë kjo situatë duket se qeverisë i ka dalë nga kontrolli, duke bërë që të ngrerë duart përpjetë dhe të jetë gjithmonë në pozita pritëse dhe mbrojtëse në nivel deklaratash për shtyp, në një kohë që shifrat flasin për një rritje të jashtëzakonshme të kriminalitetit të të gjitha llojeve dhe pasigurisë së qytetarëve.
Dhe krimi apo aktet terroriste tej çdo logjike, terrorizon qytetarët grekë dhe emigrantët paqësorë, të cilët ndihen tashmë se mud të jenë viktimat e një dhune të verbër nëpër lagje, dyqane, vendet e punës, godinat shtetërore, banka...
Ndihen të pambrojtur kur mendojnë se mundet të humbasin jetën apo ndonjë të afërm për pak euro, në një kohë që policia, “gjithmonë në mbrojtje” nuk bën asgjë për të luftuar krimin dhe politika është ekskluzivisht nën ngërthin e sondazheve dhe zgjedhjeve të parakohshme, të cilat as kanë për t’u bërë ndonjëherë përpara kohe...
Dhe, për sa kohë gjendja do të jetë e tillë në Greqi, terrorizmi dhe krimi ordiner do të lulëzojnë duke frikësuar qytetarët e thjeshtë e paqësorë...

p.s: Në kohën që po mendoja për këto radhë pashë të shkruar një parrullë në mur. “Ju flisni për vitrina, ne flasim për jetë...”.
Për fat të keq ky citat është transformuar në pretekst dhe justifikim në dialogun publik. Pyetja e parë që duhet të bëjë ndokush është: “Pse njëra përjashton tjetrën? D.m.th, dikush nuk mundet të flasë për të dyja. Në qoftë se dikush ndjeu dhembje për vrasjen e Aleksit, nuk mund të ndiejë dhembje për vitrinat e dyqanet e shkatërruara? Përse njëra vjen në antitezë me tjetrën?”
Naytrisht që jeta peshon e vlen më shumë se të gjitha xhamet apo vitrinat e botës. Por vitrinat nuk u thyen e as po vazhdojnë të thyhen për të mbrojtur një jetë.
Por citatet e mësipërme janë një art i vjetër i së Majtës ekstreme. Kështu, me citate janë justifikuar historikisht krime edhe më të rënda se thyerja dhe shkatërrimi i vitrinave dhe dyqaneve. Kështu, me pseudodilema asgjë nuk sqarohet dhe gjithçka justifikohet. Edhe dëmet, edhe humbja e jetëve. Pasi të gjitha vlerat lexohen së prapthi. Dhe vlerësimin e dhunës, disa donin ta lexonin dhe po e lexojnë së prapthi...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).