Analiza e ditës së hënë

Analiza e ditës së hënë

Partizani 0 – Shkumbini 2

Analiste sportive dhe komentatore: Leart Kola, Andi Kananaj, Arber Zaimi

Detyrimi për të qenë aktual, na bën ta nisim këtë shkrim me një përshkrim të ditës së lavdishme të Halloween-it. Si të majtë që jemi vendosëm që për Halloween të maskoheshim në këtë mënyrë: Andi Kananaj, me mjekrën e tij ruse, anarkiste, u maskua si Trockij, i njohur nga publiku si njeriu i Nanos (1). Leart Kola, me bindjet e tij pragmatiste, materialiste dhe violente, u maskua si Lenin me flokë të gjata, i njohur si njeri i Ramës (2). Arbër Zaimi, nga Skrapari, siç e dinë tashmë të gjithë, u maskua si njeri i Metës, dhe për nga metodat, u shpall në mënyrë unanime Stalin (3). Klodian Burri, u maskua si Ricky Martin, ose si njeri i G99. Një ditë pas halloween-it Shkumbini mposhti në mënyrë demonstrative Partizanin. Deputeti i PD-se, Dash Sula, shkeli me të dyja këmbët mbi të gjithë krenarinë e të majtëve shqiptarë, qysh nga koha e Komunës së Parisit. Peqini triumfoi mbi të kuqtë. S.B. i cili nuk ndjek sportin tha se të kuqtë duhet t’ia dinë për nder Peqinit dhe peqinsave, sepse ata po të donin mund të bënin dhe gola të tjerë ndaj komunistave. Komunizmi e humbi dhe barrikadën e fundit, lagjen e ish-parkut të autobuzave.

1. Për ata që dëshirojnë me gjithë zemër të anëtarësohen tek Partizani

Sipas lajmeve të MediaSat, lojtarët e Partizanit me origjinë nga Skrapari, mbrojtësa me tipare radikale, vendosën të shpërqendrojnë kundërshtarin duke ngritur parrulla, dhe duke bërtitur me zë të lartë. Këta mbrojtësa gjatë pushimit të ndeshjes vendosën të revoltohen kundër sulmuesave të skuadrës së tyre, sepse pati zëra që sulmuesi më i gjatë në fushë kishte kërkuar bashkim me Peqinin, pasi një ndeshje futbolli nuk mund të jetë një fitore cinike e një krahu ndaj një tjetri. Publiku u mërzit, pasi humbi të gjitha të ardhurat e këtyre katër vjetëve duke vënë bast me Partizanin. Mbrojtja vendosi të distancohej nga sulmi, dhe krijoi Repartin Mbrojtës për Integrim të Menjëhershëm dhe të Panegociueshëm. Lojtarët e Peqinit i thanë lojtarit më të gjatë në fushë, që nuk ishte Babamusta, që të mos shqetësohej, pasi as ata nuk do të sulmonin. Lojtari i gjate deklaroi qe vrapi te ben mire vetem ne fshat. Po i njëjti lojtar i gjatë vendosi t’ia pasonte topin stolit ku qëndronin të ulur brazilianët e G99, Kojd’heli dhe Albachiara. Ky aksion i pazakontë shkaktoi konfuzion tek publiku, pasi ndryshe nga ç’pritej, në stol nuk gjendej fantazisti A.Stefani, të cilin e kishin dërguar në tribunë. Stefani nga tribuna i shante lojtarët e G99 si fashista, ndërkohë që Tur Zheji pinte cigare dhe bënte tifozllëk për mbrojtjen, me parimin sulmi më i mirë është mbrojtja, dhe barazimi na intereson të gjithëve. Reparti i Mbrojtjes sugjeroi që të aktivizohej si sulmues pykë futbollisti I.M., pasi ai është shumë i mirë për të shfrytëzuar krosat me kokë.
Reparti i Mbrojtjes për Integrim sipas të gjitha sondazheve të zhvilluara në Skrapar, do të jetë forca e parë e majtë, dhe e dyta e djathtë. Gjithashtu pritet të marrë shumë vota nga qendra, votat e braktisura nga Pollua dhe nga Ceka, të cilat ende nuk janë blerë në MAPO-n e partive të majta. Ky ekip i mbrojtjes së integruar planifikon që në vitet e ardhshme të luajë dhe në mbrojtje dhe në sulm, në Serinë A dhe në serinë B. Kudo që ka sport, ata duan të jenë. Arsyetimi i mbrojtësave është logjik, pasi duke qenë se zgjohen përditë në orën 5, kanë dëshirë të luajnë futboll. Sulmuesi më i gjatë në fushë iu përgjigj golave të Peqinit me spote të cilat dëshmonin zhvillimet e Partizanit në tetë vjetët e fundit. Ky lojtar i gjatë vendosi të çonte si përfaqësues në Skrapar Ylli Shehun, kundër mbrojtësit që bën krosa me kokë. Menjëherë mbas ndeshjes një pjesë e lojtarëve veteranë vendosën të krijojnë Partizan91-shin, i financuar nga reparti i mbrojtjes për integrim, që është mirë financiarisht, por s’ka ide. Dhe ç’është më interesantja, nuk e dinë që s’kanë ide. I vetmi lojtar që ngeli jashtë ishte Klod Burri, i cili u ngushëllua tek trekatëshi, me muzikë xhamajkane. E. Veliaj, zëvendëstrajner i Partizanit, pas ndeshjes deklaroi që ka dy Partizanë, një Partizan që punon dhe djersitet, dhe një Partizan që shet ndeshjet dhe rri në fushë me Tuareg. Sipas zotit Veliaj me aq lekë mund të ishin blerë shumë topa. Nga ana tjetër u përgjigj G.Bo. kushëri i një futbollisti të famshëm, bir shpirtëror i trajnerit të Peqinit, që edhe pse lexonte keq, lexonte me përkushtim të gjitha fjalët që i kishin dhënë. G.Bo. i kërkoi Veliajt të kthente pas kompjuterin, dhe lekët e topave, me të cilat ai ka blerë vilat anash klubit Partizani.

Shyqyr që LSI-ja u betua që do të paguajë biletat e tifozëve, sepse votuesit e braktisur ishin duke shkaktuar një krizë të përafërt me atë globalen e bankave. Reparti i mbrojtjes e shpalli publikun si të padëshiruar sepse janë apatikë, disfatistë, përtacë, nuk vrapojnë, dhe nuk zgjohen në mëngjes. Sipas mbrojtjes tifozat duhet të ndjekin skuadrën e cila vazhdon të vrapojë pa ndalim. Lojtari i gjatë pas ndeshjes deklaroi se ngeli i zhgënjyer nga sektori i tifozave të Laprakës, sepse ata ishin jevgj. Vetë lojtari i gjatë deklaroi që nuk e ndante dot veten midis Partizanit dhe Peqinit, dhe vendosi të ishte përtej dy skuadrave. Lideri i mbrojtjes radikale, I.M. deklaroi që nëse ndeshja nuk fitohet në tavolinë nga Partizani, ai do të futet në grevë urie në ambientet e stadiumit. Ai kërcënoi që nuk do lahej kurrë deri sa Partizani i tij të shpallej kryesues në Kampionatet kombëtare dhe nderkombëtare. E shoqja e futbollistit, Victoria Beckham me origjinë nga Dibra e Vogël (ajo e parëndësishmja) tha që kanë një as nën mëngë, holandezin fluturues, që do të kandidojë në rrethin e Kurbinit. Gjithashtu e shoqja tha që po të jetë për ide, ide kemi vetë. S.B., i shqetësuar nga mungesa e efiçences së tifozëve gjatë pushimit, vendosi të bënte një spot pesëmbëdhjetë minutësh, ku fliste për korrupsionin në futboll. Legjenda e këtij sporti, i njohur si Xhorxh Best Nano në përfundim të ndeshjes deklaroi nga një birrari vjeneze plot sharm dhe dekadencë që po të vendosi të kthehet, do të kthehet tek Peqini, se me Partizanin e ka marrë të gjithë lavdinë e mundshme. Lojtari i gjatë deklaroi që po të kthehet Xhorxh Besti, do të lërë futbollin dhe do të rifillojë basketbollin. Brazilianët e G99 nuk dinë basketboll, kështu që ende nuk e kanë vendosur se ç’do të ndodhë po të kthehet Xhorxh Besti. Gjithsesi ata kane parimin e tyre qe stervitja behet vetem per muskuj barku.

Njeriu i Metës, i njohur kohët e fundit si Stalini u shpreh se Reparti i Mbrojtjes ka struktura shumë funksionale, dhe me një telefonatë nga kandidati përkatës në Skrapar, zoti N.N. mblidhen menjëherë 1000 veta, që të marrin gjak në vetull. Duke qenë se Reparti i Mbrojtjes është partia kryesore e së majtës, shumica e popullit është duke synuar anëtarësimin. Pra të detyruar nga dyndja, pronarët e Repartit të mbrojtjes, familja Beckham & co. ka vendosur të përdorë filtra. Filtrat e anëtarësimit janë:
1. Në orën pesë e gjysëm të mëngjesit zgjohesh që të shikosh lajmet, edhe pse t’i kanë treguar që më parë me sms
2. Duhet që të kesh patentë për përdorim ashensori, që të mos ngjitësh në këmbë pallatet shumëkatëshe. Dy anëtarë të Repartit të Mbrojtjes edhe sot e kësaj dite betohen që i ka ndaluar policia duke i dhënë ashensorit me shpejtësi të madhe.
3. Duhet të kesh farefis I.M., ose të jesh shok me qytetarin gjirokastrit BP.
4. Në debatin presidencial amerikan duhet të jesh familjarisht me Hillari Klintonin, që të vlerësosh atë që ka bërë Hillari për Kosovën, dhe për rehabilitimin e mëtejshëm të emrit Monica.
5. Kur je te Reparti i Mbrojtjes duhet të marrësh se s’bën këshilltarë nga Gjirokastra, që të të mësojnë se si të përdorësh emailin, fejsbukun dhe celularin.
6. Duhet stimuluar arti, sidomos performanca me pankarta përballë institucioneve qëndrore. Por duhet dekurajuar pikturimi i portreteve, pasi këto përdoren për dokumenta fallso.

Mbas gjithë analizës së mësipërme tre autorët hoqën maskat dhe shkuan të pinë nga një birrë të kuqe në një klub afër 21-dhjetorit. Ata hoqën dorë nga anëtarësia, dhe deklaruan që personazhet e mësipërm janë të gjithë brazilianë, të blerë nga ligat Karioka dhe Paulista. Çdo ngjashmëri me realitetin është vetëm mashtrues dhe delirant. Dhe klientelist. Sipas tyre, keshtu ndodh kur e majta drejtohet nga njerez pa integritet, si Albert Xhani. Ata mendojne qe Xhemi eshte shume e mire. Dhe duhet te futen ne palester urgjentisht qe te kene shanse me Xhemin.

1) Njeri me kulturë, personazh i emisionit të radios 104.6, konsumator i xhinit.
2) Jo Ina, as Luani, po Edi, ish-basketbollist i Dinamos, autor i esesë konceptuale “Ina, Ina hiqi brekët”, e cila shënoi fillimin e postmodernizmit në zonën e Myslym Shyrit.
3) Njeriu që mposhti nazi-fashizmin, lider shpirtëror i Maos, Enverit, Sartrit dhe David Beckhamit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).