Ana -(nga Xheke)-

kapaku-007.jpg

Ana

Unë isha mëtuesi i dytë i Anës në të tretën B dhe pse ta fsheh më vinte mirë, ngase mëtuesi i parë ishte Donaldi, një çun flokartë, me xhinse e me dhëmbë të bardhë si prej çamçakizi. Këtu buronte mbase ajo dëshira ime spërdredhëse që gufonte orë-e-çast nga banga e parafundit.
E treta B ishte një klasë mesatare në shkollë, ndaj unë dalloja si nxënës i mirë. Vitin e ardhshëm do të shkrihej. Nuk desha të isha nxënës shumë i mirë dhe kisha filluar ta urreja njëtrajtshmërinë e notës. Pse tentakulat e dijes sime duhet të arrijnë medoemos nënta-dhjeta?! Në djall! - thoja.
Në bangën e parafundit, Ana dhe Eda, e bukura dhe kronikania, pacientja dhe psikologia, e pavetëdijshmja dhe vetëdija, tërhiqnin papushim vëmendjen e çunave. Para kësaj dyshe, qëndronte ulur Donaldi me një ngels. Ai rrinte në një vijë me Anën, ndërsa ngelsi në një vijë me Edën. Unë qëndroja përbri dhe mund të kundroja veprimet e Anës.
Dukej sheshit që ajo e dashuronte. E prekte në shpinë me një dorë përtej-gjimnazore, përskuqej sapo ai kthente kokën dhe nxirrte dhëmbët rruazorë. Skuqej ajo, goca më e bukur, sharmi i klasës. Pra kjo ishte skema.

***
Unë hyra në lojë një ditë, kur rasti e pruri ti pëshpëris në vesh Donaldit këto fjalë, për të cilat ndjeva pendesë sapo i lëshova prej goje:
“O Donald ti a ke gjë me Anën?”
Parimin se mashkulli me mashkullin sqarohen për një femër do ta fshija nga vetja përgjithmonë.
Ndërkohë që unë mbeta si guak, në pritje të përgjigjes së tij, pashë se sytë bojëqielli të mirë, ju mbushën me një gëzim të vetvetishëm, sikur Anën t’ja kisha falur unë, njëherë e mirë. Nuk foli. Kishim bërë një pakt mirëbesimi, një marrëveshje xhentëllmenësh.

***
Aty zuri fill edhe historia ime me Anën. Filluam të dalim pragmbrëmjeve dhe të çikeshim nëpër skuta urbane…  pastaj u puthëm pranë një shatërvani të heshtur. Ajo më la ti prekja pak cicat e forta dhe unë bashkova përfytyrimin me çastin real dhe ky i fundit më ngjau më i bukur. Kisha ra’ në dashuri me Anën.
……
…….

Në një pikë për dreq, kishim ngecur, llocur.

***
Po rrija në bangë dhe kundroja Anën. Atë ditë ajo kishte përpara ngelsin, i cili përfund  peshës negative që mbart ky emër, mbetej një djalë i pashëm dhe muskulor, aqsa paralelen dyshe të oborrit e kishte hepuar me hovin që ushtronte dita-ditës.
Një moment gallate gjatë mësimit, vura re që Ana e preku ngelsin në shpinë, me atë dorën që unë ja njihja mirë, dorën që kapërcente moshën. Ai u kthye dhe diçka pëshpëriti, diçka që mua mu duk si ftesë për arrati. Dhe dy orët e tjera nuk u dukën më.
Eda mi kishte ngulur sytë dhe po më sikletoste. Donaldi rrinte shpërfillës.
***
Po mbaronte ai vit, grumbull ditësh gjimnazi metalarësh. Në fund të semestrit plasën  kërkesat për dedikime në ditarë dhe blloqe shënimesh. Isha më i kërkuari i klasës, por tërthorazi kisha vetëm një merak të madh. A do të ma sillte Ana bllokun e saj? Ishim ftohur tashmë. Shpesh e më shpesh e shihja të kërcente mbi një motor sportiv 750 kubikësh dhe të zhdukej si era. Ishte bërë më e bukur, më sexy, por dukej se e bezdiste kjo klasë, kjo moshë, këta pordhacër që sta bëjnë fort atë punë.
“Merre sot në shtëpi dhe ma sill nesër, të lutem” -  më tha ditën e parafundit dhe më lëshoi në dorë një bllok të kuq me një kawasaki në ballinë.
Gjithë toçat e klasës kishin shkruar atje. Donaldi kishte vizatuar një makinë, ngelsi kishte shkruajtur “tkom xhan rrusho” … e kështu me radhë. Shkruajta edhe unë diçka, duke u dridhur.

***
Erdhi e nesërmja si ditë premiere. U futa në klasë nxitimthi dhe ja ngeca në dorë bllokun Anës, si ta kisha vjedhur në ndonjë abaci. Mbeteshin dhjetë minuta deri sa të fillonte mësimi. Gjindja në klasë ishte rrëmujë, secili në hesap të vet, uleshin, ngriheshin, qeshnin, përshpirteshin.
Unë dola nga klasa dhe ngriva në terrin e korridorit, ngaku mund të përgjoja dashurinë time, që po lexonte dedikimin e parë dhe të fundit në kartë.
Ajo i hapi fletët kadalë, dhe me atë shqisën e pavdekshme femërore zuri të lexonte dhe të derdhte lot mbi broçkullat e mia të gjimnazit. Nuk kishte nevojë të flisnim më… kurrë.
  
(Xheke)

10 Komente

Ok... Kam lexuar shume me mire prej xhekes. Ka pasazhe te bukura (E prekte në shpinë me një dorë përtej-gjimnazore), (ja ngeca në dorë bllokun Anës, si ta kisha vjedhur në ndonjë abaci), dhe gjithashtu menyra sesi te mban "ngrehur" per perfundimin tregon rrjedhshmeri te narracionit. Pervec bukurise se pershkrimit te nje "heartbreak-u" gjimnazor, tregimi vete me duket se nuk shkon pertej-gjimnazores. Ndoshta ngaqe mendoj se mund t`u ishte kushtuar me shume vemendje tipave te tjere te klases, "tocave," ne menyre qe vete tregimi mos te kishte perfundimisht, per mua, nota narciziste, njefare egotizmi te pashpallur krejtesisht.

Ok … Lost. Sa per maj tu cents. Gjithashtu edhe per tu grrice qe t’mesoj naj gjo prej atynve dine shum. smiley

Sikundër ti i dashur e di mire, kyçi i rrefimit dhe me i veshtiri per tu gjetur nese humb) eshte qe gjerat e tjeshta te thuhen/ shkruhen thjesht. Se çka I lloj rehatie net e shrujtmen me siper, pa shume sforcim e gjetje intrastellare (miss you P’Floyd)

Çfarë me terheq ne shkrimet e djaloshit Xheke, eshte nje spruco, puçrrizë e lehtë erotizmi, e mbarështruar ne tregim nga Teo Keko, e përçudnuar nga romanet e sotme fleteholla. (poezia ne kete rast nuk diskutohet pa qene i pire mire e mire – overnight discussion.) Gjate RS në pikture, perveç grave llereperveshura, edhe tabloja e Mic Sokolit duke i vene gjoksin grykes se topit mund te konsiderohej i tille. 

Këtu, pa u thene, pershkruhet momenti i krijimit te njeriut, cenet e reja do i kete peshqesh per nje kohe te gjate. Në pus, me apo pa uje, renia eshte pergjithesisht e lehte, dalja pothuaj e pamundur. Tek ky pus, djaloshi Xheke sot ka zgjat i kove t’vogel per etjen tone te madhe.

Shpesh thuhet se diçka e shkruar te terheq ose jo, nese: (na fal per englishten) one can relate to it.  

PS: We both know that memories will bring us diamonds and rust – Judas Priest.

 

Per kompesim te kohes se vjedhur me shkrim/ lexim komentimi pot e pershnes me ket:

> >

Luj venit – ca gjona s’ndryshojnë kurrë>>

> >

Unë them se ke të drejtë për gjithçka që nuk thua

Një ditë them se duhet të ngrihesh në këmbë

Për tu dukur më e gjatë se kështu

Një ditë them se duhet të ecësh

Për tu kuptuar se mundesh

Unë them se një ditë duhet të vraposh

Për të më bërë të të ndjek

Të ikësh larg një ditë

Që të kërkoj

E përsëri dikur të të gjej

Të lodhur

Të ulur

E të pafjalë.

 

Me pelqeu! Ke goxha talent!

Thur bukur telajon e botes adoleshenciale; e terheq lexuesin me vete ne kohet e veta te adoleshences dhe nese nje autor arrin qe lexuesi te identifikohet me ate cfare shkruan atehere kjo eshte nje arritje ne vete. Poashtu me pelqyen dhe krahasimet mes asaj qe ishe dikur dhe asaj qe je sot si psh. ne kete fjali: Parimin se mashkulli me mashkullin sqarohen për një femër do ta fshija nga vetja përgjithmonë.(...dhe shyqyr qe e le menjane, sdq qesha me kete fragment smiley )

Shpresoj te lexojme me teper nga ti!

Patjeter qe ato qe thua Floro qendrojne - nuk nenkuptova ndonje domosdoshmeri komplikimi ne tregim, ne menyre qe ky i fundit te jete "i bukur," dhe rrjedhshmerine e narracionit qe vura ne dukje, ma cyti thjeshtesia e tij.

Flisja per protagonistin e tregimit kur permenda njefare egotizmi te pashpallur, dhe jo per xheken vete. Vendosja perballe e protagonistit me tocat e tjere, fakti qe te parit s`i behej shume vone qe ishte mesatar ne mesime (edhe pse lihet te nenkuptohet qe po t`i deshte, mund te ishte nga me te miret...), dhe qe te dytet pershkruhen mpakshem, si gure shahu, expendable per strategji, m`u duken cekje siperfaqesore te asaj qe ti thua se jane formuese per nje njeri ne ate moshe.

Pretendimi ne kete mes nuk eshte aq menyra sesi eshte pershkruar ngjarja ketu, por impakti, fuqia goditese dhe rezistenca e ndjesive. Ndaj thashe qe si rrefim ky mbetet ne mbresat gjimnaziste, pa u konvertuar ne ate lartesi cilesie ku jam mesuar te lexoj xheken. Kjo eshte pershtypja ime, sidoqofte.

Losttext, pikerisht aty qendron merita e ketij djalit qe e ka shkruar(po flas per paragrafin tend te dyte te replikes): ky ka shkruar nga perspektiva e adoleshenteve, egocentrizmi qe karakterizon ate moshe, vetevleresimi ne baze te asaj qe marrin ke zysha e matematikes,...pra, adoleshentet keshtu mendojne, keshtu flasin! Eshte shume e veshtire qe autori si njeri ne moshe madhore, me eksperienca etj. te marre distance nga keto dhe te rikthehet ne ate boten adoleshenciale por ky ia ka arritur.

Yep, ky njeri ka penelate te fuqishme shum!

Nje semundje kronike, e pasherueshme e shkrimeve shqip eshte NGATERRIMI I TONEVE, ose PERZIERJA E REGJIMEVE.

E di fort mire qe kjo vjen nga amatorizmi. E di dhe qe kjo eshte gati e pashmangshme. Por nese ia duam te miren nje "shkrimtari ne pretendim", atehere kjo i duhet vene ne dukje :

I dashur "filizi yne shkrimtar",
Nese deshiron qe te permiresohesh ne shkrim, atehere te duhet te lexosh shume, dhe te lexosh jo perfundimet e historirave qe shkrimtaret e medhenj rrefejne (kete mund ta besh me vone), por te lexosh teknikat e shkrimit. Te lexosh kleckat e ketyre shkrimtareve per te rrefyer nje histori te qelbur qe mund te mos beje pese leke. Te zbulosh kete sekret : si ka mundur ky shkrimtar i madh te me shese nje histori koti qe gjithe bota e lexon ? Cfare dreq teknike ka perdorur ai ? Pse ngjiten njerezit pas tij dhe jo pas nje historie te madhe qe eshte rrefyer nga nje tjeter shkel e shko ?

Filiz,
Te thashe ne fillim qe NGATERRIMI I TONEVE eshte nje kancer per shkrimet me pretendime. Eshte e pamundur, i dashur, qe ta fillosh shkrimin ne gjuhe te rendomte sherbetoresh dhe ta perfundosh ne nje gjuhe te larte fisnikesh. Perndryshe shkrimi yt do te vuaje nga ajo pika e thyerjes me dysh nga e cila vdesin plot e plot shkrime.
Nje shkrim duhet te kete nje KOHERENCE (apo shqip : te kete lidhje). Pa kete, ai shperthen ne te gjitha drejtimet dhe pastaj rrofte rremuja. E di qe kjo eshte goxha e veshtire, por ja qe ky eshte nder kushtet themelore te nje shkrimi te arrire.

Fidan,
Ne shkrimin tend pashe fjali dhe pasazhe te shkruara ne nje gjuhe te larte (rrotullime fjalish, ndertime fjalish letrare qe bien ne sy per nga letersia e larte - sic thuhet ne gjuhen e shkrimit), por pashe aty ngjitur dhe fjali te shkruara ne nje gjuhe te ulet, gjuhen e rruges. Nuk jam duke thene qe kjo e fundit nuk ben per te shkruar letersi (plot shkrimtare te medhenj e kane levruar kete dhe madje me sukses) por ama duhet te mos ngaterrohen tonet. Nese zgjedh nje ton te rendomte, duhet t'i rrish besnik deri ne fund. Nese zgjedh nje ton familjar, gjithashtu. Nese zgjedh nje ton te larte, atehere mbahu ketu. Livadhisjet nga njeri ton ne tjetrin, sidomos ne nje shkrim ne ligjerate te zhdrejte, jane krejt te demshme dhe paraqesin nje shkalle te larte amatorizmi.

Ne nje shkrim mund te kete disa tone te ndryshme vetem ne shkrimet ku ka ligjerate te drejte, psh zgjedh tre-kater personazhe, dhe njeri mund te jete filozof (ketij duhet t'i pershtatesh nje gjuhe filozofi), tjetri nje baba familjeje (dhe ketij duhet t'i gjesh gjuhen e tij, dmth tonin e tij) dhe tjetri ne fund nje rrugac qe ngacmon te bijen e filozofit (dhe rrugacit duhet t'i mveshesh nje gjuhe rrugaci dhe jo filozofi). E kam fjalen qe personazhet duhet te kene gjuhen e tyre konvencionale, ose perndryshe, nese ti e ben filozofin te flase si rrugac dhe rrugacin si filozof, atehere shkrimi futet ne kategorira te tjera si parodia, burlesku apo grotesku.

Keshtu, i dashur fidan, shkrimi duhet te respektoje ca gjera se perndryshe del perralle per pasdarke, gjysme te pire e gjysme-pergjumesh.

Por ska gje, kete lloj "gabimi" (PER MUA - e theksoj kete sepse e di fort mire qe ketu do te dalin ca qe do te te propozojne Nobelin 2012) e bejne shume shkrues kendejpari. Eshte bere gati si nje huq qe "shkruaj c'te kujtohet sepse dihet tashme qe shkruaj mire dhe njerezia do te me lavderojne edhe sikur te shkruaj brockulla".

Nese keto fjale te duken te teperta, ashtu qofshin dhe per mua. Thjesht po prisja te me zienin makaronat dhe me kete rast thashe dy-tre-katermbedhjete fjale.

Shendet e gjithe te mirat, dhe me suksese te ardhshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).