albania Rocks

albania Rocks

Sokol Shameti

Si nën anestezi. Në epokat e mpirjes morale është e kollajshme të kryhen operacione të vështira. Këto kohë mund të na dhimbte një dhëmb tjetër: ngacmimi gjer në pushim zemre i nervit të nacionalizmit. Por pas krizave të shkuara me shpërnguljet e mëdha, holokaustin tonë personal, Mitrovicën e Veriut, kasaphanën çame, natën e kristaltë të Manastirit a dorëzimin e Himarës, asgjë e këtij lloji tashmë të harxhuar në mizorinë e vet, s’bën më efekt.

Shqiptarët po i stërvisin që të indinjohen tani nga gjëra më surreale, nga padrejtësi që meqenëse vetëm sa i afrohen konceptit të padrejtësisë deri në minimumin e vet, nuk janë tamam padrejtësi. Nga disa thuajse-mashtrime, apo imitacione mashtrimi, të cilat po t’i vësh veshin Sllavoj Zhizhekut, përbëjnë shenjën e zvetënimit të kohëve ku jetojmë. Shpërfillja për njerëzit është tashmë aq e thellë, saqë edhe të keqen kursehen t’ua servirin pa hile. Ndërsa nacionalizmi shtetëror kufizohet vetëm në inkursionet komike për të pajisur me pasaportizim në Tiranë ndonjë kockë nga ato të legenit të Fan Nolit apo Nënë Terezës, “fushëbetejat” popullore, ato ku është vendi të pësojmë disfatat tona kombëtare janë tërësisht fantazmagorike, jo-konkrete dhe shpesh fare të pakonceptueshme.

Shikoni se me çfarë abstraksionesh orvaten t’i acarojnë kohët e fundit shqiptarët: me ca gërma cirilike që na quajnë pikërisht ashtu siç e quajmë ne vetveten jetë e mot: malësorë. Me burgosje kolektive brenda pamundësisë për të shëtitur mbi copën e tokës që përkon pikërisht me gjeografinë tonë natyrore. Dhe mbi të gjitha, me vjedhjen e një koordinate të largët detare, që a thua se do të kishim se çfarë të bënim me të po të mos na e kishin “vjedhur”. Sistemi po perfeksionon kështu llojin e krizave që auto-gjeneron, në përpjekje për t’i mbajtur njerëzit në limbon fatale të pafuqisë.

Mjetet janë të gjitha aty. Organizatat politike që i ngrenë topin njëra-tjetrës, dordolecët joqeveritarë që recitojnë fjalë të cilave s’ua dinë kuptimin, mediat në pushimin midis dy spazmave politike që caktojnë dozën e pavarur të injeksionit me “qetësuesin” shqetësues për masat. Pas pak nis reaksioni zinxhir. Një nga një shtrëngohen radhët, tubime, revoltë e brendshme, lumë artikujsh e deri grupe facebook-u “A mund t’i bëjmë 1 milionë shqiptarë që i thonë ‘JO’ kufirit detar me Greqinë”.

Gjithnjë e më rrallë gjendet dikush që të ndalet për të menduar: Padrejtësi vërtet, por a ka një arsye pse ndodhi e gjithë kjo? Pse duhet të na revoltojë fakti që Greqia ka aftësi më të mira negociuese se Shqipëria? Pavarësisht nga koha kur ka ndodhur, a nuk është gjithçka në diplomaci apo luftë, rezultat i dy qëndrimeve të pabarabarta? A nuk ekziston sot Shqipëria vetëm sepse në momentin vendimtar ata që ishin rrotull nuk influencuan dot deri në dominimin e atyre që e banonin këtë hapësirë? A nuk ekziston secili nga vendet fqinjë si kompromis në pikën ku lodhet rivaliteti, e kështu me radhë fqinj pas fqinji në një qark të mbyllur ekuilibrash deri në plotësimin e krejt puzzle-it administrativ të planetit? A nuk është hapësira e ajrit që kontrollojmë rezultat i të njëjtës lojë force? Dikush s’mundi të kontrollojë këtë që kemi ngase aty mbaronte forca e vet dhe ja ku u krijua hapësira që mbushëm ne. Nëse s’do të ishte këtu ku është, do të shtyhej pak më tutje. Kështu edhe për ujërat. Fillojmë aty ku mbaron graviteti i të tjerëve dhe aty ku zbehet pushteti ynë nis të sundojë dikush tjetër. Asgjë tragjike s’ka në këtë sistem universal ekuilibri dhe asgjë fatale gjithashtu. Të 300 kilometrat katrorë që “u falën” ishin thjesht një hapësirë ujore që më parë s’i takonte askujt dhe që Greqia përfitoi ta merrte pa shumë mundim ngaqë ne s’rezistuam.

Ne të gjithë dështuam të meritojmë më shumë. Produkti ynë politik, forca jonë ekonomike, dhuntia jonë diplomatike, cilësia jonë e gazetarisë, mprehtësia e kritikës sonë e gjithçka nga kreativiteti i fizikës deri tek melodia e muzikës. Gjithçka ne bëjmë s’ishte në lartësinë e duhur për të krijuar atë situatë fatlume ku fjala jonë ka peshë, kur ndikimi ynë bën efekt dhe kur mëria jonë shkakton stres. Të dashur shqiptarë të momentit, është kaq e thjeshtë. Ne s’ishim gati dhe humbëm përsëri.

Dhe tani hajt të shkojmë të pijmë e të dëfrehemi përsëri. Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe oburra ta shprehim sa fort e besojmë këtë duke trazuar eshtrat e të vdekurve jashtë shtetit a duke i hedhur një dorë bronz të shkrirë kallëpit standard që shërben për bustet tip “karafil me flokët me vizë anash” që u ngjajnë të gjithëve, nga Bill Klintoni e Xhon Kenedi, deri tek Pandi Majko dhe Erjon Veliaj.

***

Ajo ishte epoka e betejave të braktisura - tranzicioni ynë, nga një disfatë e vogël e përditshme me motive shqiptare. Tashmë ne jemi të gjunjëzuar. Një nga një i humbëm të gjitha çka mund të humbasë një komb i vogël që s’ka ç’të ekspozojë tjetër veç romantizmit të emrit dhe impresionizmit të peizazhit. Kujtohet një epokë e tingullt marrëzie e mbushur me eksploratorë yjesh tashmë të shuar dhe akullnajash imagjinare atje ku flamujt tanë s’arritën dot kurrë. Ishte koha e gëzimit të të tjerëve që si çdo dëshirë që ka nevojë për mungesë, të vret ngadalë teksa ia heton dritat e largëta të festës që nga mërzia e vetmisë tënde. Fill e për pe i deshëm të gjitha Amerikat, ato me metrazh të gjatë që na porositën t’i donim. Ç’të mbajmë mend nga ëndrra e keqe e këtyre 20 viteve kalimtarë ku miliona prej nesh dogjën adoleshencën, rininë e deri edhe pjekurinë e plotë? Ne do të mbajmë mend një pabesi të madhe. Do të mbajmë mend sesi vendi i shpërdoruar ku na lanë të jetojmë nuk ishte ai që dikur u mor në dorëzim me inventar.

Sindromë suicidale e albanicidit kronik, dhe këtu askush nuk ndjehet më rehat që nga intelektuali depresiv e deri tek kaubojsi (ç)etnik i bunkerizuar brenda offroad-it të vet, që ndonëse kokëtrashë ndjen befas të njëjtin shqetësim. E teksa një gjeneratë e re gatitet me neveri t’i zërë vendin të vjetrës, ja dhe Shqipëria që derdhet me shpejtësinë e çakërdisur të një treni të dalë jashtë kontrollit, nga tuneli i erës së zbulesave drejt një askundi tërësisht të ri.

1 Komente

Sindromë suicidale e albanicidit kronik, dhe këtu askush nuk ndjehet më rehat që nga intelektuali depresiv e deri tek kaubojsi (&ccedilsmileyetnik i bunkerizuar brenda offroad-it të vet...

Sokol, kjo dukej si parodi. Por s'eshte, apo jo?

Por meqe futa doren ketu, te detyrohem nje koment me cilesor, pasi te te lexoj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).