Alain Badiou - Domethënia e Sarkozy-së

Alain Badiou  - Domethënia e Sarkozy-së

Parathënie e botimit në gjuhën angleze.

Shumë nga miqtë e mi jashtë shtetit kanë ende një imazh të Francës të ravijëzuar me episodet më lavdiplotë të historisë politike dhe intelektuale: mendimtarët e mëdhenj të Iluminizmit në shekullin tetëmbëdhjetë,  të Revolucionit të 1792 – 94, të Kryengritjeve të punëtorëve dhe njerëzve të thjeshtë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, të ditëve të Korrikut 1830 dhe Komunës më 1871; mund të përmendja gjithashtu dhe Qershorin e 1848, formësimin e Frontit popullor në 1936 dhe kontributin e madh të dhënë për Brigadat Ndërkombëtare në Spanjë, Rezistencën, legjislacionin social të Çlirimit, lëvizjen e madhe filozofike dhe progresive nga 1950 deri më vitet ’70, Maj 1968 dhe pasojat që rrodhën… Rezultati i të gjithë kësaj është se kur një fakt i ngjashëm (politik, intelektual, ose të dyja së bashku) por me një karakter reaksionar të padiskutueshëm ndodhi në Francë, këta miq të mitë mbeten të habitur duke pyetur se c’është duke ndodhur. Në secilin rast më duhet t’ju sjell në kujtesë se Franca është po aq një vend thellësisht konservator, gjë e cila i përgjigjet pedisodeve revolucionare në historinë e saj me sekuenca të gjata të reaksionit të zi, dhe të atyre që erdhën në pushtet në këto sekuenca të dhimbshme të cilët nuk ndjenë kurrë mungesën e mbështetjes në numër të madh e të mirëfilltë  të klikave intelektuale. Ekziston një histori e dytë e Francës, më e gjatë dhe e lidhur ngushtë me strukturat e shtetit se historia e kryengritjeve e shkruar nga masa. Mund të mendojmë për Thermidoreanët pas 1794, në mbrojtje edhe pse jo duke praktikuar ndonjë terror të bardhë i cili do të kërkonte një numër më të madh viktimash sesa Terrori i të mëdhenjve Jakobinë; ose të Restauracionit pas 1815, me “miliardin” e paguar  në kompesim të të emigruarve dhe hakmarrjen e të privilegjuarve të çdo lloji; gabimin që solli Monarkinë Orleaniste në fuqi më 1830 me sloganin “pasuro vetveten” I cili u kthye në himn kombëtar; sundimin pafund të Napoleonit III dhe bankierëve të tij, i cili përvijoi nga revolucioni i shkurtit 1848 dhe masakra e punëtorëve të Parisit në qershor në të njëjtin vit; konsensusi rreth ekspeditave të tmerrshme koloniale, vëçanërisht marrja e Algjerisë; represioni i Komunës nga Versaja dhe masakra e tyre frenetike; thertorja e nacionalistëve gjatë 1914 – 18; menjëherë pas Frontit Popullor patëm Petain, menjeherë pas viteve të kuq më 1966 – 76 patëm Giscard d’Estaing. Dhe në çdo kohë një oborr i tërë intelektualësh në shërbim për të vlerësuar rithemelimin e rendit dhe grirosjen mbi “tmerret” e revolucionarëve. Lavdërues të rivendosjes së Monarkisë nën Luigjin XVIII, sahanlëpirës të Perandorisë së dytë, karrieristët – e penës të Versajës dehur mbi kufomat e punëtorëve, rioshat plot vrull të legjioneve anti – Bolshevike, Petainist-ë dhe bashkëpunëtorë…

Nuk duhet të ketë asnjë surprizë, pra, që në Majin e 1968 dhe pasojat që rrodhën një bandë mashtruesish zunë vend në skenë me tabelën bizarre të “filozofëve të rinj” të ngarkuar për të prezantuar, përsëri, neverinë nga revolucionarët,  lavdërimin e kapitalizmin, “demokracinë”parlamentare, forcat e armatosura të  SHBA-ve dhe perëndimit. Kjo ishte pikërisht vazhdimësia e invarianteve të mëdha të historisë tonë: shpërthime mbreslënëse të histerisë popullore, për të qenë të sigurtë, por dhe obsesione të kalbura reaksionare. 

Unë do të përpiqem të tregoj këtu se zgjedhja e Sarkozy-së është një përqendrim i kësaj historie të dytë të Francës, historisë së errët e të pamëshirshme të konservatorizmit. Kjo është arsyeja pse e kam quajtur principin e saj njërin prej “Petain-izmit transhendental”, duke i dhënë një emër me jehonë paksa historike. Gjithashtu përpiqem të tregoj si, kundër këtij “restaurimi të restaurimit”, është e nevojshme të kthehesh prapa tek pjesa më e madhe e principeve të përgjithshme e thelbësore, ato të cilat unë i quaj “hipotezat komuniste”, prej të cilave paraqes një interpretim të ndarë në periudha. Këto janë perspektiva afatgjata, të shkaktuara nga një episod që dikujt mund t’i duken relativisht të parëndësishme.

A duhet pra të dëshpërohem me bashkëqytetarët e mi? Siç e dimë, të hedhur tutje nga marramendja e frikshme e çorientimit politik, elektorati zgjodhi një karakter tek cili shumë shpejt pa se asgjë e mirë s’mund të pritej. Atëherë mundet që në fund të fundit “Sarkozy” do të shënojë fundin e zymtë të  këtij reaksioni ogurzi gjithnjë në rritje, që filloi në 1980 dhe nuk është ndalur së ndoturi substancën si dhe inteligjencën e vendit tonë. Le të shpresojmë në këtë drejtim.

Armiqtë e mi – dhe një numër mjaftueshëm i madh prej tyre të frikësuar siç janë nga kthimi i shpresës që një botë e ndryshme nga bota të cilës i shërbejnë është e mundur, insinuojnë se unë jam anti-semit: një kurth që e kanë shpikur dy apo tre vite më parë dhe e kanë përdorur kundër çdokujt që i ka irrituar. Jam krenar të sulmohem nga profesionistët e vërtetë të kësaj insinuate. [Akuzat për anti – semitizëm Badiou-s i janë bërë menjëherë pas publikimit të tekstit të tij nga Circonstances 3, Paris, Lignes Manifeste, 2005. Një nga shembujt më skandaloz të këtyre deklaratave është bërë nga Eric Marty në librin Une querelle avec Alain Badiou, philosophe (Paris: Editions Gallimard, 2007).]

 Qartësisht kur kritikoj politikat e shtetit izraelit, që është më e pakta, apo kur tregoj se si disa prej tyre, poshtërsisht u përulën në grumbujt e të vdekurve nga Shfarosja, duke u përpjekur për të ngjitur emrin “Çifut” në fatin e perëndimit dhe mjeshtrit të tij SHBA-ve, duke e shkulur kështu këtë fjalë nga tradita e saj e shkëlqyer revolucionare dhe duke e prostituuar atë në një mënyrë e cila s’është thjesht e urryeshme por në të vërtetë është e rrezikshme për ata të cilët e deklarojnë atë, i jap këtyre profesionistëve grurë për mullinjtë e tyre. E përsëris këtu, prapsëprap, ata profesionistë gjuha e të cilëve është anglishtja, që nëse kaloj në  rrugën e ndonjërit prej tyre, duke qenë se mbahem si kampion i veprimit të drejtpërdrejtë më shumë sesa i proceseve ligjore, do të marrin shuplakën që i takon përgojuesve torollakë.      
 

Për aq larg sa shkon libri në fjalë, do ta keni të vështirë të gjeni ndonjë gjë në të cilën të gozhdoni akuzën e poshtër të Anti – semitizmit. Asnjë përmendje e “çifutëve”, veçse si një aludim kalimtar? Pa problem! Kjo përbën pak më shumë se një vështirësi të vogël për të penguar informatorët profesionist e servil të cilët do të gjejnë gjithnjë diçka për të t’u turrur (edhe nëse për këtë i duhet të genjejnë ditën me diell). Një karakter i tillë padyshim me një inteligjencë të limituar, Imzot Assouline-i, kishte theksuar në blog-un e tij- ose je modern ose nuk je – që unë i kam quajtur Socialistët që iu bashkuan qeverisë së Sarkozy-së minj, dhe e kam pagëzuar vetë Sarkozy-në me “Njeriu – Mi”. Çdokush me minimumin e edukimit menjëherë duhet ta kishte kapur që po i referohem (jo pa një delikatesë retorike ata duhej me siguri ta lëvdonin) metaforës të minjve që jetonin në një anije të fundosur, në legjendën e Pied Piper-it i cili drejtoi minjtë për jashtë qytetit, dhe rastit të famshëm të Freud-it, Njeriu – Mi.  [Pierre Assouline është shkrimtar dhe gazetar që drejton një nga blog-et më të popullore të quajtur La République des Livre.]

A ka Imzot Assouline-i ndonjë pak edukim? Ai e di mjaftueshëm mirë ku do të dalë. Që nga lufta e fundit dhe Nazistët, deklaron ai (duke e ndjekur nga afër), askush nuk ka trajtuar dikë si mi. Nga ana tjetër, Sarkozy ka disa paraardhës çifut. Kështu që …. e sheh? Ok? E sheh me tërë mend?

Më e veçanta nga të gjitha është që lideri i këtyre intelektualëve mediatikë të përkushtuar ndaj Restaurimit, Bernard-Henri Levy, duhej të hidhej në anën e fitimtarëve ende pa cituar burimin e tij të padëgjuar. Si rrjedhim lexojmë në Le Monde:

Në librin e fundit  “De quoi Sarkozy est-il le nom” (The meaning of Sarkozy) Alain Badiou ka përdorur si sulm kundër asaj çka ai gjen si “të neveritshme” rivendosjen brenda fjalorit politik të këtyre metaforave zoologjike (“minj”, “Njeriu – Mi”) të cilat Sartre-i i ka paraqitur  pa ekuivoke, në parathënien e [Fanon's] The Wretched of the Earth nën shenjën e fashizmit. (“De quoi Sine est-il le nom?”, Bernard-Henri Levy, Le Monde, 21 July 2008)

Dhe ja ku jemi! Pierre Vidal-Naquet, një burrë që madhërisht mungonte, tashmë u shfaq, me njohuritë e tij të pafundme, si Bernard Henri Levy dhe ai ishte gjithashtu një profesionist i gafave dhe injorancës. Dhe Sartre-i gjatë gjithë esesë së tij thelbësore “Les Communistes et la paix” (Komunistët dhe Paqja) e shkruar në 1953 – 54, i referohet anti- komunistëve si “minj”. Ai padiskutim shkroi kështu duke qënë me një lloj humori të mirë, duke marrë parasysh që ai vetë u trajtua si “hiena që shkruan”, jo nga fashistët por nga aleatët e tij Komunistw.  I njëjti Sartre tha fjalinë e famshme që “çdo anti – komunist është një derr”. Kështu që vërehet se menjëherë pas luftës, kafshët ende përdoreshin nga të gjitha krahët... Unë pëlqej veçanërisht përdorimin kinez të shenjimit të dy armiqve të jashtëm të cilët janë përplotës të njëri – tjetrit  - ashtu siç ishin për Mao-n Bashkimi Sovjetik nën Khrushchev-in dhe SHBA-të nën Kennedy-n dhe unë mund të them të njëjtën gjë nga ana ime për Partinë Socialiste dhe Sarkozy-në përsa i takon ksenofobisë dhe legjislacionit për “sigurinë”.  Kinezët atëherë flisnin për “dy baldosa nga e njëjta kodër”. E dashuroj këtë imazh, dhe do ta përdor në këtë libër me referencë për faktin se lexuesit e mi anglishtfolës do ta vlerësonin: gjatë fushatës elektorale, të dy, Sarkozy dhe Segolene Royal e lavdëruan Tony Blair – Blair, blaireau [badger]... përktheheni si të mundeni! [shqip: baldosa] 

Kështu që i kam shtuar “metaforave zoologjike” një lojë të turpshme me fjalët. 

Unë mund të luaj vetëm të fajshmin dhe t’ia ekspozoj veten legjislacionit të Sarkozy-së për recidivizëm (legjislacion, le të themi kalimthi, që është haptazi kundër njerëzve të zakonshëm, dhe si rrjedhim i neveritshëm). Deklaroj të drejtën e përdorimit të “metaforave zoologjike” – nuk kam për t’ë hequr dorë prej tyre. Është karakteristikë e politikës që ekzistojnë armiqtë, edhe pse kapitalo – parlamentarizmi e shtyn dominimin e tij deri në pikën që të na bëjë ta harrojmë këtë. Dhe pse dreqin, nëse ka armiq real, s’duhet të lejohem t’i fyej ata? T’i krahasoj ata me grabitqarë, çakenj, zvarranikë, madje dhe minj pa përmendur hienat, që shkruajnë apo jo? Jo çdokush mund të krahasohet me një shqiponjë, si Bossuet-i, apo me një dem, si Republika e katërt e Kryemistrit Joseph Laniel, madje dhe me një dhelpër, siç krahasohej rregullisht Mitterrand-i. Dhe tani zonja dhe zotërinj, një prekje e lehtë humori. Nëse Sélogène Royal më bën të mendoj për një dhi të pikturuar, dhe kryeministri Fillon për një nuselalë të përgjumur, nuk ka nevojë të nxeheni.

Shijoni leximin, çfarëdo qoftë kafsha juaj e preferuar.
Paris, 22 Korrik 2008

Përktheu: Dejona Mihali

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).