A i patë të rinjtë?

Ndoqa me vëmendje emisionin “Opinion” të Fevziut me të rinjtë e politikës. I kushtova vëmendje sepse të rinjtë janë dimensioni i shpresës, i së ardhmes. Pa këtë dimension e tashmja që jetojmë, bëhet absurde do të thoja, sepse humbet kuptimi i vazhdimësisë së jetës. Mirëpo ndjenja që më la emisionoi ishte pikërisht ajo e një absurdi tragjik pasi ata politikanë të rinj nuk ngjallën tek unë asnjë shpresë, përkundrazi qenë një zhgënjim i madh që sikur ma mbylli shpresën e një të ardhmje më të mirë.
Kanë qenë të shumta komentet që kam dëgjuar pas emisionit që sintetizoheshin në thëniet: “E, a i pe të rinjtë te Fevziu? Të keqen e të vjetërve!”
Nuk ndaj këtë gjykim (“të keqen e të vjetërve!”) edhe pse ndaj ndjenjën e zhgënjimit me ata që e japin këtë gjykim. Shkaku kryesor pse nuk pajtohem është se të rinjtë, sipas meje, nuk duhet t’i mendojmë si diçka që bije papandehur në oborrin e shtëpisë sonë për të jetuar me ne. Ata janë produk i yni; ata janë rritur e selitur në oborrin tonë. Ata janë pasqyra jonë, e edukimit që u kemi dhënë në familje, e shkollave dhe e universiteteve që u kemi ndërtuar, e mësimeve e leksioneve që u kemi dhënë në këto shkolla e universitetete, e gazetave që u kemi ofruar për të lexuar, e ekraneve televizioneve që u kemi nxjerrë përpara për të parë, e vlerave që u kemi inspiruar me sjelljen tonë, e me rradhë. Ata reflektojnë thjesht dhe vetëm të ardhmen që ne kemi ndërtuar për veten tonë. Ata janë thjesht një zgjatim i yni, prandaj, nëse ata bëjnë punë të mira kemi të drejtë të mburremi edhe ne përgjysëm kurse nëse bëjnë keq duhet të ndjehemi përgjegjës më shumë se përgjysëm.
E vërtetë: të rinjtë tanë i pashë krejtësisht të paaftë për të dialoguar, për të dëgjuar tjetrin deri në fund e për t’iu përgjegjur me argumente racionale. I pashë krejtësisht të paaftë për të konceptualizuar probleme. I pashë të mos kishin tjetër model ne kokë veç liderit të partisë së tyre, Sali Berisha, Fatmir Mediu, Ilir Meta, Edi Rama. I pashë ta gjejnë të keqen vetëm e vetëm tek kundërshtari që kishin përballë. I pashë të jenë në gjendje vetëm të denoncojnë biografitë e njëri tjetrin e të demonizojnë njëri tjetrin, por pa arritur të shpjegojnë sadopak psenë e fenomenit që denonconin. I pashë të shtiren si atdhetarë të mëdhenj duke përdorur pikë për pikë të njëjtat sllogane që përdorin më të rriturit. Por, a nuk janë të gjitha këto karakteristika të klasës sonë politike më të rritur? Ata ishin një kopje e keqe e tyrja vetëm për shkak të përvojës më të pakët, por, ju siguroj, pas dhjetë vjetësh ata do të arrijnë të jenë në nivelin e të vjetërve dhe kjo është tragjedia. Për mua, spektakli i mjerueshëm që pamë me të rinjtë në Opinion ishte shprehja më eksplicite e asaj që ka shkruar Konica tre katër breza më parë se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por disa që kanë lindur më parë dhe disa që kanë lindur më prapa.”
Le të qëndrojmë pak tek kjo thënie e Konicës shkrimin e të cilit e kam lexuar dhe rilexuar, e kam komentuar edhe herë tjetër, madje. Konica i referohet një dallimi ideal midis të riut dhe të vjetrit që s’e ka bërë ai për herë të parë (e gjen edhe tek Francis Baconi psh.) e që, për fat të keq, nuk e gjen në Shqipëri. Konica shkruan më 1937 se “Të riut i ndizet méndia me ëndërra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémërave të pastëra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundrë shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak.”
Është e vërtetë: edhe sot ajo çka bije dramatikisht në sy tek të rinjtë tanë është mungesa e dy karakteristikave që sipas meje duhet të jenë thelbësore tek i riu. Së pari, një lloj vetëbesimi, quaje po deshe vetëmburrje e moshës që e bën të riun që, pasi zbulon eksitencën e tij në këtë botë, të thotë se ai nuk ka lindur kot dhe veçanërisht kurrsesi të përsërisë padrejtësitë e hipokrizinë e kësaj bote, por se ka një mision të veçantë, të vetin dhe më të rëndësishmin për ta ndryshuar atë. Kombinuar kjo edhe me besimin se ai do t’i arrijë synimet e tij. Së dyti, sinqeriteti i qëllimeve që e bën të gatshëm të vuajë e sakrifikojë për idealet. Ai mund të jetë edhe i marrë në synimet e tij, por është i sinqertë, beson vërtet në to.
Përshtypja ime është se në tërësinë e vet të rinjve tanë u mungojnë të dy këto karakteristika të të riut. Shumë prej tyre në vend të krenarisë dhe mosbindjes ndaj autoritetit e zëmëratës ndaj padrejtësisë i gjen të gatshëm të bëhen shqytarë të kalorësve dinakë e të padrejtë që gjejnë në rrugën e tyre. U mungon pra ndjenja e sfidës ndaj më të moshuarve të padrejtë e ndaj autoritetit të tyre në përgjithësi, përkundrazi dominohen nga gatishmëria për t’iu bërë urë më të mëdhenjve, për t’u përdorur prej tyre. Me këtë nuk dua të them se nuk ushqejnë ambicie. Por duket se këto janë më shumë për përfitime dhe karrierë sesa për ideale, prandaj dhe nuk i shpallin ato me sinqeritetin e moshës, përkundrazi duket se e dinë fort mirë se këto ambicie mund t’i realizojnë nëpërmjet shqytarllëkut. Dhe kjo lidhet ngushtësisht me mungesën e sinqeritetit. Duke qenë se në vend se të përballen atyre u duhet, që në krye të herës, të konformohen për të bërë përpara, dora dorës, edhe nëse e kanë, e humbasin sinqeritetin, gëlltisin mendimin që kanë ose që mund të kenë derisa arrijnë të mos kenë më asnjë mendim të tyrin sepse ai u është i pavlefshëm për të bërë karrierë. Marrin kështu, si pa kuptuar, pamjen e përshkruar nga Konica: “të ngrysur me sy të turbulluar nga djallëzitë”. Dhe prandaj vijmë në spektaklin e mjerueshëm që pamë ku politikanët tanë të rinj nuk flisnin që t’i dëgjonin njerëzit jetën e të cilëve ata thonë se aspirojnë të ndryshojnë, por liderët e partive të cilave u përkasin me shpresën se të nesërmen e emisionit do të merrnin ndonjë lëvdatë apo gradë prej tyre.
Por, për të kuptuar këtë fenomen, mendoj se përsëri duhet t’u referohemi të vjetërve, dmth modeleve të këtyre të rinjve. Për mua thënia e Konicës se në Shqipëri nuk ka të rinj, por vetëm ca që kanë lindur më parë dhe ca më prapa nuk duhet interpretuar vetëm ashtu siç e interpreton ai se në Shqipëri ka vetëm pleq. Për mua duhet shtruar edhe pyetja: “A ka të rritur shqipëria?” Le ta shpjegoj ç’dua të them me këtë. Një muzikant i njohur botëror emri i të cilit nuk më vjen ndërmend ka thënë: “Kur isha i ri thoja ‘vetëm unë’; kur u poqa edhe ca fillova të them: ‘Unë dhe Mozarti’; tani them ‘vetëm Mozarti’”. Tek kjo thënie mund të gjesh të sintetizuar tërë procesin e pjekurimit dhe mënçurimit të njeriut që rritet jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Nëse karakteristikë e të riut (idealist) është besimi se mjafton të rrahë krahët që ai të fluturojë e të arrijë gjithshka, të vjetrit përvoja e jetës i ka mësuar të njohë limitet e tij, që lidhen me limitet e qënies njerëzore në tërësi, por edhe me limitet e përcaktuara nga realiteti. Pra nëse i riu idealist ka deliret dhe paranojat e tij të moshës i vjetri i ka këmbët shumë më në tokë. Ai po ashtu, nëse është rritur vërtet, ka ditur të mësojë se çka ishte gabim në rininë e tij, në sjelljet ndaj tij, në vlerësimet e tij prandaj dhe të mendojë se çka duhet të ndryshojë në qëndrimin ndaj të rinjve. Ajo çka vërej si fenomenin më të përhapur në vendin tonë është ai i të vjetërve që nuk piqen, përkundrazi të cilët, sa më shumë u kalon mosha aq më shumë humbasin kontaktin me realitetin, që gjithnjë e më pak janë në gjendje të njohin limitet e tyre, që gjithnjë e më shumë thonë “vetëm unë” e që tek të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë nënshtrimin mu si kompensim të poshtërimeve që ata kanë pësuar në rininë e tyre nga më të rriturit. Dhe mu këto karakteristka i bëjnë të shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë me të rinj të parritur që me sjelljen e tyre shkatërrojnë brezin që vjen pas. Janë fenomene tipike të një shoqërie sa autoritare aq edhe e traumatizuar nga autoritarizmi. Pra fare mirë thënien e Konicës mund ta parafrazojmë e të themi se në Shqipëri nuk ka as të rinj në kuptimin e të rinjve të gatshëm të luftojnë e të sakrifikojnë për ideale e të revoltohen nga padrejtësisë dhe as të vjetër në kuptimin e muzikantit që arrin në pjekuri të thotë: “vetëm Mozarti”, por vetëm ca që kanë lindur më parë dhe ca më prapa. Çka do të thotë, në thelb, se kemi të bëjmë me një shoqëri që nuk është në gjendje të përparojë.
Rrugëdalja nga ky reth vicioz për mua duhet kërkuar në shkatërrimin e strukturave autoritare e mafjoze që mbretërojnë në shoqërinë tonë më një anë e në kultivimin e atyre vlerave e idealeve që do t’i bëjnë të rinjtë tanë më në fund të vazhdojnë “mendime të bukura pa interesë vetiak”, “të vuajnë për ideale”, “të dridhen nga padrejtësia dhe mbrapsen nga dinakëritë posi nga murtaja.”
Një punë që duket e vështirë, po të kesh parasysh se sa aktuale tingëllojnë sot fjalët e shkuara tre katër breza më parë nga Konica, por jo e pamundur. (Korrieri, 20 mars 2009)

8 Komente

Shume i goditur ky percaktim i Lubonjes. Sheh te rinjte ne Shqiperi sesi shpenzojne kohe pafund duke u llokocitur kafeneve, duke bere biseda te stergjata per subjekte te pakuptimta. MAdje sa me te pakuptimta subjekte, aq me shume kohe u dedikohet atyre. Modelet krysore ekzistuese jane fama e shpejte qe te jep nje audience televizeve, alla-big brother, shumica e te rinjve politikane qe sillen si skiftere ne studio televizive organizojne party te perbashketa dhe jane miq te mire pas kuintave, njelloj si te vjetrit te cilet duan te zevendesojne nje dite, dhe sjelljet e tyre reflektojne gjithcka pervecse idealizmit qe permend Konica dhe i referohet Lubonja.

Diplomat jane kthyer me teper ne marka luksi, te cilat shpeshhere perftohen poa kurrfare mundimi, mendime origjinale rralleher te rastis te degjosh, nese do te besh karriere ne administraten publike apo politike, duhet te jesh patjeter ose servili ose dashnorja e dikujt dhe dinjiteti njerezor konsiderohet si handikap. Jo me kot vazhdojme te mbetemi shkemb graniti ne kete cep te Evropen Juglindore sic ka thene Konica i madh, apo yrt i shkrete i Ilirise Perendimore, sic ka thene Imzot Fan Noli. Persa kohe qe keta te rinj perfaqqesues do vazhdojn te jene ne krye, si klonime te ustallareve te vjeter, replikimi i gjendjes aktuale dhe tranzicionit te pafund eshte i siguruar.

 

Po prit nje sekonde o z. Lubonja e mos i ndiz qiriun brezit tim menjehere se nuk ka vdekur me nje debat te shkare tek "Opinioni"... jeni share e jeni ofenduar edhe ju (me gjithe respektin) ne ate studio.

Prit or burr i dheut se ky kapercimi nga ata te gjashte tek "rinia shqiptare" si e tere eshte fluturim emotiv qe nuk i ka hije brezit tuaj te mençem.

Well, pas leximit te artikullit, mund te them keshtu :

Ngacmimi i pare ishte : a besoj une ne ndryshimin e thelbit te nje njeriu te rritur, psh 20 vjec ? E kam fjalen, a eshte i njejti njeri nje 20 vjecar, 40 vjecar, 60 vjecar ?

Per veten time, une jam reaksionar. NUK BESOJ ne ndryshimin e nje njeriu. Eshte e njohur thenia : sa me shume mplakemi, aq me shume vetvetja behemi. E kam fjalen qe ne nuk dalim nga ajo cka kemi bere me veten.

Per ta lidhur me grupin e derdellitesve, une besoj se toci mbetet toc. Ne kete kendveshtrim, te rinjte tane qe u vetepushkatuan nje nate marsi te vitit te nente te mijevjecarit te trete, jane perfundimisht te vdekur. Nuk ka bere vaki qe ndonje i vdekur te ringjallet, ose perndryshe ne perrallat me lugeter.

Jo per t'u mburrur por ka kohe qe i kam parashikuar keto gjera. Ne boten shqiptare qe eshte perqendruar perfundimisht ne duart e nje klike kryeqytetase, klike e cila ka gjetur "vetebekimin" e saj ne krahasimin me "hunjte" e zbritur maleve dhe "horrat" e hipur fushave, nuk krijohet asnje vlere. Organet e shtypit, radios, televizionit, internetit, gjithcka informative eshte perqendruar ne nje grusht njerezish qe e shohin veten, jo pa arsye, te plotfuqishem.

Keto shenja te kesaj mizerje te sotme jane ngrohur dhe kllockuar qe prej shume kohesh. Gjithkush mund te germoje ne kujtesen e vet plot e plot shembuj te skamjes mendore per hir te lumturise se dukjes.

Lubonja ka te drejte kur thote qe shpetimi gjendet nga krahu i shkaterrimit te strukturave mafioze.

Le te ndalemi pak ne kete term : struktura mafioze. C'ka ndermend Lubonja me kete ? Ndoshta kete :

Kam pase gjithmone mendimin qe mendesia shqiptare eshte nje mendesi ne thelb mafioze. Qe nga casti qe nje njeri fillon te mburret me bemat e kusheririt apo stergjyshit te tij, qe nga ketu ne kemi shkelur ne trojet e mafias. Nje mafioz vepron gjithmone i shtytur nga motive gjinore, farefisnore, apo dhe miqesore gati mistike. Ku e kam fjalen ? Ketu : NE SHQIPERI, ESHTE SHUME E VESHTIRE TE GJESH INDIVIDE. Ka njerez, por jo individe. Ka shoqeri, ka miqesi, ka familje, por jo INDIVIDE. Individi eshte i lecitur, mundesisht me ndonje pulle te kuqe nga pas. Ne nje shoqeri ku mbajtja e fjales paraqitet dhe shitet si burreri (dhe jo si nje virtyt i nje individi, pa asnje lidhje me burrerine qe shihet gjithmone ne lidhje me te tjeret), eshte e veshtire te gjesh nje INDIVID.

C'do te thote individ ? In + divid = i pandashem. Dikush qe nuk mund te ndahet me tej, nje qenie e plote, nje qenie unike, e paperseritshme dhe e pazevendesueshme. Por ne shoqerine tone, ndarja vazhdon e vazhdon dhe rralle here arrijme tek ky individ. Para nesh shfaqen gjithfarelloj shtresash dhe levozhgash qe e mbrojne kaq mire nje njeri sa individualiteti i tij nuk mund te gjendet me, si pasoje e tjetersimit te tij te gjate ne kusine e kolektivit.

A eshte nje individ Ajola Xoxe ? Per mua, jo. Thelbi i saj eshte qe t'iu perkase te tjereve dhe jo vetes se vet. Ajo nuk arrin te hyje ne guacken e asaj qe quhet UNE. Kur degjon Xoxen, dhe kur ajo thote "une", mos u genjeni, ajo ka gjithmone ne mendje fjalen "ne". Vetmia e ben me frike Ajolen. "Zhveshja lakuriq" e tmerron. Perse jeton Ajola Xoxe ? Thjesht per inerci. Asaj i eshte dhene per te jetuar dhe ajo deshiron te jetoje. Dhe kaq. Nje deshire sic e perjetojne dhe kafshet e trembura te xhungles kur i ikin luanit. Cfare qellimesh ka ne jete Ajola Xoxe ? Asgje tjeter pervec te ekzistoje. Dmth permes te tjereve. Ajo nuk ekziston ne vete. Ekziston PER te tjeret. Ekzistenca eshte ex-sistere : te dalesh dhe te shfaqesh perkundrejt nje origjine, te kesh nje largesi ne lidhje me veten. Jo me kot, e vetmja qenie qe provon ekstazen eshte njeriu : ne ekstaze, njeriu del nga vetja, jashte vetes.

Shkurt, Ajola Xoxe rri perfundimisht e qepur dhe e gozhduar pas vetes se vet. Ajo nuk arrin ta perjetoje ekstazen e te qenurit njeri.

Kam iden se 97 shkruan per mikun e tij.

Ta ka lene peshkun ne dere,X.Y.Z ?

Kjo eshte dhe frika ime, qe nje grup i thjeshte te rinjsh te perfaqesojne teresine e rinise shqiptare... Lubonja bie ne kete kurth dhe vazhdon me pergjithesime duke i futur te gjithe ne nje thes  >:/

Tani gjerat do vijne duke u kthielluar dhe sidomos pas debateve ne te "dy anet" perfshi dhe "mesin e arte" do shihet nje reflektim e argument me i arsyshem , se sa pershtypja qe la ne castet e para debati i "te rijve" . Vertet le shije te keqe , sidomos pozicionimi politik, pa platforme por vetem e tipit Mecani " te dua Parti se ti je nena ime". Mbetet per tu pergezuar kjo "gjetje" e Fevziut qe Ju dha mundesine te shprehen jashte podiumeve dhe korraces se Kryetareve. Pra e kuptuan qe nuk ishte kaq e  lehte kur te duhet te jesh "VETVETJA" , jashte kornizave te sigurise qe te jep e drejta per te lexuar spiche e folur podiumeve si zedhenese Partish . Ky emision dhe dhenia e publicitetit me te drejte ne shtyp si nje nga JEHONAT me te SPIKATURA te KOHES ....ju ka dhene te kuptojne se rritja behet me dhembje dhe jo pa deshtime . Besim tek kjo shtrese dhe mirkuptim ndryshe , shkojme te gjejme "individe" andej nga pyjet e Amazones.. smiley ,ose mund te perfytyrojme nje shoqeri me " te rroni JU me mua ne krye" smiley

Shume shkrim i bukur.

Eshte e kote qe Blendi perpiqet te mbroje rinine e sotme...  Gjithsesi, (sic na meson edhe Gerti Bogdani) e verteta eshte e hidhur...

Nuk do ta shikoja si nje shenje dorezimi. Une shpresoj qe shume shqiptare "te lindur me heret" qe kane punuar dhe studiuar ne jashte, te mund te gjejne kushtet te favorshme per tu kthyer ne Shqiperi qe ti japin nje gram vitalitet kesaj rinie.

 

Nje shkrim i perkryer! Nje pershkrim i vertete i nje rinie pa ambicie, pa dinjitet, pa karakter, pa ide, te paguximshem! Ndoshta s´mund te futen ne nje thes te tere, por jane te pakte ata qe mbeten jashte!

Keshtu qe, mos te te vije keq, Blendi, nga fjalet e z.Lubonja, por te vertetes se dukshme nuk i shpeton dot!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).