149 Street Grand Concourse

(Ripunuar pak nga versioni origjinal për përmbledhjen "Arkeologji në la minor"; çdo sugjerim i mirëpritur. Tani është tamam koha).

Dritan, ja dhe ripunimi:

149 Street Grand Concourse - version beta

Beatriçja iku.
Virgjili s’po duket.
Nga Grand Central në Grand Concourse
I vetëm po shkoj,
Me hartat e papërditësuara të MTA,
Udhërrëfyese
Që Purgatorin e stacioneve me emra të pashquar skllevërish
Keqas t’a ngatërrojnë.
- Të gjitha rrugët të çojnë në Ferr -
Paralajmërim afishet e grisura, me aktorë të gjymtuar,
Të cilëve duar të pamëshirshme
U prishin dhëmbët, u nxjerrin sytë,
Kumt
Që çdo vagon veçmas, pa nyje lidhëse,
As shquese,
Ta përcjell me ritëm metalik shinash
Në rezonacë vrastare
Me pejzat e hekurta të zemrës.

Ndryshk kohe si argjilë e tharë
Nëpër inde
Dhe mbi konstruktet metalike të metrosë,
Gërryer nga shkulmet e gjakut dhe shqotës.

Nëndhè i nënudhës:
Eteri jep shpirt në qiej katrorë blekberrësh,
Regëtima e fundit e jetës atje lart:
“Dyzetetre arsye për të bërë seks!“
Ngrirë në trupin e ftohur të e-mailit të mbramë,
Kumti i fundit i botes siperfaqsore.
Dyzetetre,
Shumë më tepër se ç'kujtoja.
Arsyet presin trenin dhe disa prej tyre
Janë tepër bindëse - dogma darviniste,
Epërsi e racës jo të pastër,
Pllenimit të kryqëzuar,
Poleneve kokëkrisur Magelanë,
Bashkëshoqërimeve fshatareske të luadheve me fara Esenini dhe Bërnsi
Flokë të huaj – xhungla paranormale
Ku fshihen botë të humbura
Dhe dinosaurë të Konan Dojlit.

Ku humbe melanina ime?
Diçka uturin nga thellësi e zezë,
Është treni i kohës që po vjen,
Mekanik, mellanik, metalik, wooh-wooh…
Me shkëndija të lodhura elektrike
Ejakuluar aty-ketu….
Ja portreti i saj triracësh
Latino-afro-aziatik,
Kontinentet e ndarë ribashkohen aty si dikur,
Ngjisin brigjet e buzëve dhe deltat e syve,
Saldojnë çarjet e pllakave tektonike mbi femrën,
Së cilës pjalmet e lules sime dua t’i dhuroj,
Lule Europe, kontinentit që asaj i mungon,
Ashtu si mua tre të sajët; a s’vjen pra
Ur-Boten rishtaz ta krijojme?

Të bie tek ty gadishujt e mi si zgjatje dëshirash,
Skandinavinë e ftohtë,
Pastaj Apeninet me sqimë,
Iberikun pasionant,
Më në fund Ballkanin tim të ndezur,
Vullkan në gjiret e tua të errët gjithë melaninë.

Shumëkombëshe, multiracore metroja si korporatat,
Dhe si tregu me marka hibride sedanësh e mushkash globale,
Si pub metropoli ku kokteilet mbi banakët alkoolikë të kohës
I përzjejnë amazonat shërbyese me korsè të lëkurta e sytjena hekuri,
Hibride gjithashtu, Coyote ugly & Madona,
Me kopsën e bardhë të dogmës mbërthyese
Mbi dekoltenë e gjinjve të ndezur,
Dogmës që duhet kuptuar e zbërthyer patjetër!

Wooh-wooh...
Befas,
Si bar i keq pas shiut,
Brof një fletëz kënge,
Këngë gramore,
Mbirë nga një farë e vjetër egjre,
Tagji ballkanase,
Lëpjetë Shqipërie,
Gjemb alidemi,
Luleshurdhë kushtrimi (i Lirisë),
Në brazdën e trurit që plugu
I një afere të fshehtë drojëturpe
Me Lije jevgën
E hapi,
Dikur,
Sa më hershëm,
Sa më larg,
Mundësisht
Në moshë negative,
Atë brazdën e njerkës,
Infestuar me krisje:
“Kot më thonë shokët mos u ngatërro,
Me mulaten,
Ti je i bardhë”.

Vagoni konservë me lëngje ngasjesh,
Me zemra epshesh hispanike,
Tërbim vithesh afrikane
Pingule si xhomolungma binjake
Që t’u bie dua me ashk terroristi,
Me zjarmì jeniçeri që godet pambarim
Portat e kështjellës, të rënda, të murrme,
Me plasën rozë mes kanateve të errët,
Djersitur me zagushi shekujsh primitivë
Pa ajër të kushtëzuar dhe fllad teknologjik;
Pigmente të huaj,
Proteina të ndryshme
Flokëthonjsh kthetrorë,
Me fallson e vërtetë,
Tatuazhe të lëtyrtë,
Akcente të paligjshëm,
Arratisur përmes çarjeve
Strategjike të dhëmbëve.

Barrok rimash xhamajkiane,
Figura kërcimesh në gjysëm metri katror,
Shpatull më shpatull plagosur nga batareja luftarake e shinave;
Agorà ku Sokratë të errët
Shpalosin apologjitë e tyre, pa i akuzuar kërkush:

“Ladies and gentlemen,
Centin e fundit,
Ma vodhën
Ëndrrën amerikane,
Ma trodhën,
Nju Jorku më nguli
Thikën pas shpine,
Teksa më mashtronte
Me gjethe dafine!
……….
…penduar jam
Si vajza
Për burrin
Zemërthyes,
Që sytë i mbylli
Para
Puthjeve dhe arsyes…..
………
Njerëz,
Ndihmëni të kthehem
Në LA nga erdha,
Te mitra që ngjiz
Të çmendurit me art,
Çdo cent i juaj
Më afron
Me wulvën,
Ulkonjën,
(Wooh-wooh)
Disa minuta
Dhe jardë …”

Në NYC lypsit gënjejnë bukur.
Gënjeshtrën përsëritur në vagonat e pafund
Të ditëve tërhequr nga lokomotiva të verbra
Askush s’e beson,
Përpos atyre vetë.

Këta s’janë lypës, por bardë
Që këndojnë me fare pak gabime
Dhe kadenca të ndershme
Këngë të Celine Dionit.
Lëmoshën kanë alibi
Për shoun që asnjë,
Broduej s’ua pranon,
Mjerimi i tyre nuk kërkon mëshirë,
As të drejtë, por vetëm
Pak vëmendje,
Pak pluhur La Scala
Si parmexhian grirë hollë
Mbi spagetit e ftohtë të dështimit;
Publiku shtegtar
Përfill “me krrëk”,
Sheh tutje...
Ndërsa brohorimat vijnë
Nga zhaurima metroje,
Uturima tunelesh,
Oshëtima shinash.

Famë nëntokësore e hidhët si tuber i paarrirë.
DJ “Simply nice”. For a great service and a low price.

Sytë e lypësit artist janë më të papërballueshëm
Se verbëri e Homerit.
Kërkojnë
Shikimet e flakur në kosh - me plehrat e ricikluara të vëmendjes.
Pasagjerëve me kompleksin e performancës së pakërkuar,
U dhembin qafat
Në këndet e panatyrshme
Te “shikimit tutje”
Ndrydhur.

149 Street Grand Concourse,
Ana e errët e hënës njujorkeze,
Teknologji e bardhë,
Mbeturina të murrme,
Yndyrë hispanike,
Mure të zeza leproze.
Shpirti im kthehet mbrapsht,
Si xhaketë proletare,
Si gjumë i shqetësuar,
Si ëndërr e kujtuar në hipnozë regresive;
Më shfaqet kasolle’ Bajram Patokut,
Veri’ Fitit,
Keno, Liu,
Të gjithë emra anglo-saksonë,
Është thjesht çështje theksi
Dhe këndvështrimi.

Pigmenti im brun bëhet befas albin,
Jam norvegjez në sistemin e ri të referimit,
Dhe shalët e të dashurave të mija u zgjatën edhe më,
Dhe emrat u ndryshuan në Inge dhe Ulrike,
Quka të reja u dolën rreth majucëve të hundëve,
Dhe akullsi skandinave
Nisa të shkrij atypari.

Shqipërimi i fjalës cleavage
Më mundon sërisht,
Grand Canyon hap në trurin tim,
Hemisferat i ndan
Me tektonikë neuronesh të hutuar,
Dhe luftën e ftohtë pa fitues
Mes tyre rinis.

Trenin e gabuar
Pres
Të vijë dikur.

Si pijanec
Të rrëzohet mbi brinjët e shinave,
Në kthesë të padukshme
Të prehemi të dy,
Tok nën tokë të na gjejnë
Si ata skeletet e përqafuar
Se aq shumë e urreva këtë varr
Sa detyrimisht fillova ta dua...

~o~o~o~o~o~o~o~o~o~o~o~o~o~

version alfa

Beatriçja iku.
Virgjili s’po duket.
Nga Grand Central në Grand Concourse
I vetëm po shkoj,
Me hartat e papërditësuara të MTA,
Udhërrëfyese
Që Purgatorin e stacioneve me emra të pashquar skllevërish
Keqas t’a ngatërrojnë.
- Të gjitha rrugët të çojnë në Ferr -
Paralajmërim afishet e grisura, me aktorë të gjymtuar,
Të cilëve duar të pamëshirshme
U prishin dhëmbët, u nxjerrin sytë,
Kumt
Që çdo vagon veçmas, pa nyje lidhëse,
As shquese,
Ta përcjell me ritëm metalik shinash
Në rezonacë vrastare
Me pejzat e hekurta të zemrës.

Ndryshk kohe si argjilë e tharë
Nëpër inde
Dhe mbi konstruktet metalike të metrosë,
Gërryer nga shkulmet e gjakut dhe shqotës.

"Dyzetetre arsye për të bërë seks!"
Subjekt i e-mailit të fundit,
Kacavjerrur në çastin e mbramë
Para se rrjeti i etertë i blekberrit
Të ndërpritej brutalisht
Nga nëntoka e nënudhës,
Kumti i fundit i botës atje lart,
Dyzetetre,
(Shumë më tepër se ç'kujtoja),
Dhe çdonjera prej tyre është aq bindëse,
Dogmë dixhitale darviniste
E epërsisë së racës jo të pastër,
Pllenimit të kryqëzuar,
Poleneve kokëkrisur Magelanë,
Bashkëshoqërimeve fshatareske të luadheve me fara Esenini dhe Bërnsi.

…kokteili mbi banakët alkoolikë të kohës,
Shërbyer
Nga amazonat me korsè të lëkurta e sytjena hekuri,
Hibride gjithashtu
Coyote ugly & Madona.

Befas,
Si bar i keq pas shiut,
Brof një fletëz kënge,
Këngë gramore,
Mbirë nga një farë e vjetër egjre,
Tagji ballkanase,
Lëpjetë Shqipërie,
Gjemb alidemi,
Luleshurdhë kushtrimi (i Lirisë),
Në brazdën e trurit që plugu
I një afere të fshehtë drojëturpe me Lije jevgën,
E hapi,
Dikur,
Sa më hershëm,
Sa më larg,
Mundësisht
Në moshë negative,
Atë brazdën e njerkës,
Infestuar me krisje:
“Kot më thonë shokët mos u ngatërro,
Me mulaten,
Ti je i bardhë”.

Kam qenë gati për NYC qysh te Petro Nini,
Dhe Ismaili,
Ose Partizani,
Apo Qemali,
Dhe sidomos te Samiu,
Gati kam qenë për këtë vagon
Mbushur me raca ndryshe,
Që më ysht me ngasje,
Me epshet hispanike,
Tërbimin e vitheve afrikane
Tek ngrihen të pingulta
Si xhomolungma binjake
Që dua tu bie me ashk terroristi,
Me zjarmì jeniçeri që godet pambarim portat e kështjellës,
Dyert e rënda të murrme
Me plasën rozë mes kanateve të errët,
Djersitur me zagushi shekujsh primitivë
Pa ajër të kushtëzuar;
Për këtë vodëvillë që më tepër më intrigon
Se vagoni ku u nënshkruan Kapitull-imet e Mëdha
Me stilografe muzealë,
Pendë arkeopterikse.

Këtu jam gati të nënshkruaj fitoren time të vogël të ditës
Mbi veten,
Që e kap gafil tek pëlqen pigmente të huaj,
Kimi të çuditshme organike,
Proteina të ndryshme flokësh
Dhe thonjsh kthetrorë,
Aq të vërtetë në fallson e tyre,
Tatuazhe të lëtyrtë,
Akcente të paligjshëm,
Arratisur nga gojë me buzë të trasha,
Duke përfituar
Nga të çarat strategjike të dhëmbëve.

Gati kam qenë për këtë vagon
Me art efemer,
Barrok rimash xhamajkiane,
Figura kërcimesh në gjysëm metri katror,
Shpatull më shpatull plagosur nga batareja luftarake e shinave,
Agorà ku Sokratë të errët
Shpalosin apologjitë e tyre, pa i akuzuar kush,
Me folje të zgjedhuara keq:

Ladies and gentlemen,
Më vodhën
Kuletën,
Centin e fundit,
Ëndrrën amerikane,
Nju Jorku më nguli thikën pas shpine,
Penduar jam
Si vajza që fjeti me dashje me burrin gabim
Dhe sytë i mbylli
Para puthjeve
Dhe arsyes.
Më ndihmoni të kthehem
Në LA,
Në mitrën që ngjiz njerëz të çmendur bukur,
Çdo cent i juaj disa jardë më afron
Me wulvën
Ulkonjën…

Në NY lypsit gënjejnë bukur,
Janë artistë dhe MTA
“Si nënë që i lindi u dha pavdekësinë”;
Gënjeshtrën përsëritur në vagonat e pafund
Të ditëve tërhequr nga lokomotiva të verbra
Askush s’e beson,
Përpos atyre vetë.

Këta s’janë lypës, por bardë
Që këndojnë me fare pak gabime
Dhe kadenca të ndershme
Këngë të Celine Dionit.
Lëmosha është alibia
Për shoun e tyre,
Të cilën asnjë Broduej s’ua pranon,
Mjerimi i tyre nuk kërkon mëshirë,
As të drejtë,
Por vetëm pak vëmendje,
Pak pluhur La Scala
Si parmexhian i grirë hollë
Mbi spagetet e ftohtë të dështimit;
Publiku shtegtar shpërblehet
Me mundësinë për shpirtmadhësi,
Ndersa lypësit brohorimat e munguara në këmbë i marrin
Si zhaurima metroje,
Uturima tunelesh,
Oshëtima shinash.

Lypësit e palarë, hobo të MTA.

Sytë e lypësit artist, më të papërballueshëm
Se verbëri e Homerit,
Pa mëshirë i vranë pasagjerët
Me kompleksin e performancës së pakërkuar,
Me qafat e dhembura
Në kënde të panatyrshme
Ndrydhur.

149 Street Grand Concourse,
Ana e errët e hënës njujorkeze,
Teknologji e bardhë,
Mbeturina të murrme,
Yndyrë hispanike,
Mure të zeza leproze.
Shpirti im kthehet mbrapsht,
Si xhaketë proletare,
Si gjumë i shqetësuar,
Si ëndërr e kujtuar në hipnozë regresive;
Më shfaqet kasolle’ Bajram Patokut,
Veri’ Fitit,
Keno, Liu,
Të gjithë emra anglo-saksonë,
Është thjesht çështje theksi
Dhe këndvështrimi.

Pigmenti im brun bëhet befas albin,
Jam norvegjez në sistemin e ri të referimit,
Dhe shalët e të dashurave të mija u zgjatën edhe më,
Dhe emrat u ndryshuan në Inge dhe Ulrike,
Quka të reja u dolën rreth majucëve të hundëve,
Dhe akullsi skandinave
Nisa të shkrij atypari.

Shqipërimi i fjalës "cleavage"
Më mundon sërisht,
Grand Canyon hap në trurin tim,
Hemisferat i ndan
Me tektonikë neuronesh të hutuar,
Dhe luftën e ftohtë pa fitues
Mes tyre rinis.

Trenin e gabuar
Pres
Të vijë dikur.

Si pijanec
Të rrëzohet mbi brinjët e shinave,
Në kthesë të padukshme
Të prehemi të dy,
Nën tokë të na gjejnë
Si ata skeletet e përqafuar
Se aq shumë e urreva këtë varr
Sa detyrimisht fillova ta dua..

21 Komente

 Në lexim të parë:

- kujdesu për formën. vargjet me rrokje të ndryshme e thyejnë ritmin etj

- kujdesu për figuracionin. bëj fine tuning të figurave, të ruash imazhet.

- kujdesu për llafet. poezia është edhe tingullim. lexoje edhe njëherë vetë me zë të lartë, po të ngjiti ty...

 

PS: po i shkruaj meqë the për sugjerimet, edhe meqë ti e ke marrë me gjithë mend këtë punë.

sugjeron ta lej?

ps. your thought counts.

 sugjeroj ta vazhdosh. por ky është vetëm mendimi im. në fund fare, siç thotë Markezi (pasi botuesi i mori prej koshit të plehrave "La Mala Hora" - "Ora e Ligë&quotsmiley -"Unë nuk besoj se çdo gjë që kam hedhur në plehra vlen, por kam mësuar që kur e hedh në plehra duhet ta shkatërroj mirë e mirë."

 Ama, "Ora e Ligë" ishte një nga sukseset e Markezit.

Të uroj suksese.

same to you

same to you X 1,000,000

...............

and again, very much the same to you!     smiley    

E cliret. Sikur te grumbullohen ndonjehere ne gryke disa vjete rutine trenash nen toke, t'a mbushin mollen e adamit me memento mori dhe prej nga thellesia me e nendheshme e qenies te bucon nje ze i qarte, i cliret, i sinqerte, i ndershem. Poezite e nentokes jane derdellima monotone e turmes njerezore dhe hallall Cimo, ke derdellitur cliret.

 Emo! Une them se poezia rreh pak a shume ketu. Te tjerat jane zbukurime!

 

Beatriçja iku.

Virgjili s’po duket.

Nga Grand Central në Grand Concourse

I vetëm po shkoj,

Me hartat e papërditësuara të MTA,

Udhërrëfyese

Që Purgatorin e stacioneve me emra të pashquar skllevërish

Keqas t’a ngatërrojnë.

- Të gjitha rrugët të çojnë në Ferr -

Paralajmërim afishet e grisura, me aktorë të gjymtuar,

Të cilëve duar të pamëshirshme

U prishin dhëmbët, u nxjerrin sytë,

Kumt

Që çdo vagon veçmas, pa nyje lidhëse,

As shquese,

Ta përcjell me ritëm metalik shinash

Në rezonacë vrastare

Me pejzat e hekurta të zemrës.

> >

Ndryshk kohe si argjilë e tharë

Nëpër inde

Dhe mbi konstruktet metalike të metrosë,

Gërryer nga shkulmet e gjakut dhe shqotës.

> >

"Dyzetetre arsye për të bërë seks!"

Subjekt i e-mailit të fundit,

Dyzetetre,

(Shumë më tepër se ç'kujtoja),

> >

Befas,

Si bar i keq pas shiut,

Brof një fletëz kënge,

Këngë gramore,

Mbirë nga një farë e vjetër egjre,

Tagji ballkanase,

Lëpjetë Shqipërie,

Gjemb alidemi,

Kam qenë gati për NYC qysh te Petro Nini,

Dhe Ismaili,

Ose Partizani,

Apo Qemali,

Dhe sidomos te Samiu,

Gati kam qenë për këtë vagon

Mbushur me raca ndryshe,

Që më ysht me ngasje,

Këtu jam gati të nënshkruaj fitoren time të vogël të ditës

Mbi veten,

Që e kap gafil tek pëlqen pigmente të huaj,

Kimi të çuditshme organike,

Proteina të ndryshme flokësh

Dhe thonjsh kthetrorë,

Aq të vërtetë në fallson e tyre,

Tatuazhe të lëtyrtë,

Akcente të paligjshëm,

Arratisur nga gojë me buzë të trasha,

Duke përfituar

Nga të çarat strategjike të dhëmbëve.

> >

Gati kam qenë për këtë vagon

Me art efemer,

Barrok rimash xhamajkiane,

Figura kërcimesh në gjysëm metri katror,

Shpatull më shpatull plagosur nga batareja luftarake e shinave,

(ketu mungon/duhet nje lidhje)

 

Trenin e gabuar

Pres

Të vijë dikur.

> >

Si pijanec

Të rrëzohet mbi brinjët e shinave,

Në kthesë të padukshme

Të prehemi të dy,

Nën tokë të na gjejnë

Si ata skeletet e përqafuar

Se aq shumë e urreva këtë varr

 

Futi edhe nje te rrujtme qafes dhe nje shpulle zverkut dhe "Meshnet! " poezine edhe librin smiley

Thanx, PF! Appreciate it!  smiley 

Lulian, ditto!

Qe te fitosh lexues per " te gjata" duhet ti kesh bere fansa me perpara me te shkurtra . Ke shume pak te shkurtra .Duhet shume shume shtrydhje e nje fare trendy...meditimet jane per specialiste pasi te kurorezohesh... Emigranti . As qe behet fjale per nivelin e te percjellurit tek nje lexues "tjeter. Nivel shume cilesor ...

Nga Grand Central në Grand Concourse
I vetëm po shkoj,
Me hartat e papërditësuara të MTA,
Udhërrëfyese
Që Purgatorin e stacioneve me emra të pashquar skllevërish
Keqas t’a ngatërrojnë.
- Të gjitha rrugët të çojnë në Ferr -
Paralajmërim afishet e grisura, me aktorë të gjymtuar,
Të cilëve duar të pamëshirshme
U prishin dhëmbët, u nxjerrin sytë,
Kumt
Që çdo vagon veçmas, pa nyje lidhëse,
As shquese,
Ta përcjell me ritëm metalik shinash
Në rezonacë vrastare
Me pejzat e hekurta të zemrës.........

Nje pershkrim kaq intrigus te kesaj ecejakje Tuajes kam bindjen e plote qe do ta lakmonte edhe nje AMERIKAN i Talentuar ne POEZI!

Idris, flm!

PF dhe Jerusalem,

kjo eshte fun. Kam pat nje bukosje para permbledhjes me poezi, nje mpirje qe nuk me linte me kap asgje, cer vlente ose cer nuk vlente. Sidomos me nje dore titujsh. Kjo ketu ishte njera prej tyre. Jo eksponentja, por prape (kryetorturuesja eshte "Security check", por anyway). Dhe vendosa me e testu ne publik, me be nje zmusim "on the fly". Un nuk i lexoj dot me ze poezite sic keshillon Jerusalem, dhe e keqja eshte se pa ze ato ngjajne bukur   smiley   

Por eshte fun. Really. Edhe pse e prish ate sakralen e nje krijimi, qe duhet ta dije vetem i zoti (nje poezi c'ka qene , c'eshte, dhe c'nuk do te jete), per pak-o tituj, thashe "qeni qepen te haje". Nejse. Per pak do e ve ketu pjesen me siper te ripunueme.

 

Shume i vecante je, si krijues por dhe si njeri, te pakten me aq sa te kam njohur ketu. Nje guxim prekes ne menyren si i ofron krijimet e tua. Une per vete, se kam ate guxim, por me pelqen kur e shoh tek te tjere. Poezia me lart, si dhe te tjera qe i kam lexuar me pare, kane nevoje vetem per pak ngjeshje dhe per fokusim me te madh ne motivet me te rendesishme. Other then that, jane te nje niveli shume te mire artistik e teknik. Nuk e di si eshte varieteti i temave ne total. Per ne qe rrojme larg atdheut, psh dendurine e motivit te mallit na e mbajne si difektin me te madh. Dhe nga njera ane kane te drejte, sepse nuk jetohet vetem me koken prapa. megjithate, si i thone nje fjale, pyet shtate a tete, e bej si di vete...

te uroj sukses.

Thanks, A!

Droja te del nga dy gjera:

- kur nuk e merr veten shume seriozisht;

- kur ben referime para nje audience te gatshme te te lincoje, pasi flitet per big $ prej verteti, dhe jo virtuale, si ketu.

PS Shume i pavolitshem redaktimi ketu.

hm, ka mundesi te jete e para smiley

thanks.

Hej, po e para eshte me e zorshmja...  smiley 

PS Jom ne qejf sot, se kom pas nji big success me nje prezantim me nji client, Mead - Johnson. Sot me erdh llafi zyrtar. Jam relativisht i ri ne kompanine aktuale ku punoj, dhe duhet icik ai "emri mire", biografia me i llaf, e kupton ti se c'du me thon, A.  smiley 

a duhet, mer duhet...si tha ajo: djalin e kemi te mire, por vetem ka nje ngjolle ne bjografii ...lol

urime per suksesin. me keto Foreign exchange merresh gje ti? si do i veje filli asaj pune??

Jo, jo, jam ne analytics, modele statistike; kjo ishte per marketing (si jane zaten 80% e projekteve ketu).

 

mire, ska problem, again all the best for you!

Thx, A!

Redaktimi i textit, sh. i veshtire. It took me 1/2 hour.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).