Zyrtarizimi i të ndjerit

Në Kosinë të Përmetit, atje ku në mars të vitit 2006 u tentua të falsifikoheshin eshtra civilësh shqiptarë e të shiteshin për eshtra ushtarësh grekë, ka jetuar deri para disa muajsh një Ali i konvertuar në Spiro.
Aliu Spiro është burrë i shkathët, tregtar i lindur. Suksesi i tregtisë në fshat i dha mundësinë të zhvendosej në Tiranë ku jeton e punon aktualisht. Kur ishte në fshat, Aliu Spiro merrej edhe me politikë. Kur e takova në shkurt të vitit 2008, rreth një sobe me dru në një nga kafenetë e Kosinës, ai ishte kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për fshatin.
Nëse nuk do ta kishte treguar me gojën e tij, nuk do ta kisha besuar historinë e "identitetit grek" të Spiros që më treguan fillimisht bashkëfshatarët e tij, ortodoksë arumunë që pretendojnë gjithashtu të jenë grekë.
Aliu i konvertuar në Spiro është me origjinë nga Berati (zyrtarisht). Gjyshi i tij duhet të ishte vendosur aty nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar në Kosinë të Përmetit, zonë që u shndërrua në arenë beteje gjatë luftës italo-greke. Në këtë luftë zë fill edhe identiteti grek i Aliut. Sipas tij, gjyshja beratase kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një oficer grek që qëndroi disa kohë në fshat dhe nga kjo lidhje kishte lindur i ati i Aliut.
E kur Spiroja thotë se i ati ishte "kopil", nuk ke ç‘i thua. Ai ndjehet grek dhe me këtë histori arriti të siguronte letra që i lejonin lëvizjen lirshëm në shtetin fqinj. Duke lëvizur lirshëm ai mundi ta shfrytëzonte talentin e lindur prej tregtari dhe të siguronte të ardhura për familjen, të ardhme për fëmijët.
Sa Spiro të tillë ka në Shqipëri? Me histori kaq të "bukur" sa ky i Kosinës mund të jenë shumë të rrallë, por Jugu i Shqipërisë është i mbushur me grekë që kuptuan se ishin të tillë vetëm pas viteve ‘90. Këtyre u referohet Bollano e të tjerë kur deklarojnë se minoriteti etnik grek në Shqipëri numëron disa qindra mijëra individë dhe kërkojnë me ngulm që regjistrimi i popullsisë të përfshijë edhe përkatësinë etnike e fetare dhe kjo e dhënë të merret në bazë të vetëdeklarimit.
Alinjtë që vetëdeklarohen Spiro dhe Bollanot që kërkojnë të rrisin numrin e grekëve në Shqipëri janë të justifikuar, sepse të parët e bëjnë nga halli, ndërsa të dytët e kanë për detyrë. Është e vështirë të gjesh arsye në deklaratën e dy ditëve më parë të Kryeministrit tonë, Sali Berisha, i cili shprehet i gatshëm të plotësojë kërkesën e minoritetit për të bërë regjistrimin me vetëdeklarim të përkatësisë etnike.
Nëse vetëdeklarimi do të jetë ndonjëherë i mjaftueshëm për të përcaktuar edhe zyrtarisht përkatësinë etnike të qytetarëve shqiptarë, grekët do të jenë shumë më shumë edhe nga sa pretendojnë më të guximshmit ndër përfaqësuesit politikë të minoritetit.
Heqja e regjimit të vizave nga ana e BE-së, edhe nëse ndodh shpejt, nuk ka për të zhdukur arsyet që i bëjnë shqiptarët të "ndjehen" grekë. Athina vazhdon të lidhë pensione për të moshuarit me kombësi zyrtare greke dhe për "vorio-epiriotët" që jetojnë në Greqi do të ketë lehtësi, edhe pas hapjes së kufijve.
Sa kohë që Shqipëria nuk do të jetë një "shtëpi" komode për të gjithë ne, ata që do të zgjedhin të jenë joshqiptarë nuk do të mungojnë. Nëse qeveria mendon se të ndjerit mund të ketë edhe vlerë dokumentare, mund të vetëdeklarohemi edhe kinezë, kur regjistrimi me vullnet të lirë të bëhet.

5 Komente

Ky spiro (aliu) i kosines te pakten paska gjetur nje alibi qe do e kishin zili dhe greket vete, per ti bere mercenaret shqiptar te ndiheshin vertet greker!!!

Greqia ka paguar me miliona euro ndaj shqiptarve te varfer me qellim qe keta te deklaroheshin artificialisht greke. Shpresoj qe kete fakt ta kete mesuar dhe EU qe i terhoqi veshin per shpenzimet e stermedhaja. Borxhi i Greqise po e çon ate vend ne falimentim, sipas gazetave. 

Falimentimi u erdhi nga qe blejne aeroplan per te konkuruar turkun dhe paguajne pensione nga 300 euro jo vetem per mercenaret e shqiperise por cmenduria ka arrit deri aty sa paguajne nja 200-200 mij pensione dhe ne gjeorgji!!!

Ore mire ky Aliu qe ka qef te quhet koplil, te behet grek,po arumunet si mund te quhen greke?

Ata flasin gjuhen vllahe qe eshte gjuhe e grupit latin dhe me e aferta me latinishten se te tjerat.Dihet qe jane shperngulur nga krahina e Vllahise se Rumanise dhe ka shume studiues qe i quajne keta si ilire te latinizuar.

Pra sido qe te vertitet muhabeti ata jane ose ilire ose dake te latinizuar dhe s'kane te bejne fare me greket.Si e justifikojne greket kete xhevahir te ri?

Apo ska problem,sic duket quajne greke ke ju do qefi atyre.E kam lexuar shume here qe Greqia dhe greket e sotem jane bere nga perzjerja e sllavo-maqedonasve,vlleheve dhe shqiptareve por ja qe edhe shteti grek i jep uje kesaj teorie.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).