Zbulohen rrenojat e nje kishe mesjetare ne Boville te Malesise se Tiranes

 Zbulohet një kishë mesjetare pranë Bovillës

                       NGA: FATMIRA NIKOLLI

                  TIRANE- Një kishë mesjetare me një gjatësi 50 metra e gjerësi
                  40 metra, është zbuluar vetëm pak ditë më parë në fshatin
                  Kumardhë, në afërsi të Bovillës në Tiranë. Lajmi bëhet i ditur
                  nga arkeologu i Institutit të Arkeologjisë, Skënder Muçaj, i
                  cili na rrëfen edhe detaje të tjera të këtij zbulimi. Me një
                  datim që shkon para shekullit të 13-të, kisha që mendohet të
                  ketë qenë mjaft e rëndësishme për zonën, pranë saj ka një
                  hapësirë prej tre dynymësh me varre të tipit të Komanit. E
                  njohur aktualisht me emrin kisha e "Shërmisë", në burime ajo
                  del me emrin kisha e "Shën Mërisë". Por siç na zbulon Muçaj,
                  para arkeologëve kisha është vizituar nga gërmuesit
                  klandestinë, të cilët duke përdorur detektorë (metalkërkues),
                  me sa duket kanë kërkuar në të objekte arkeologjike për të
                  furnizuar tregun e trafikimit të objekteve të tilla me vlerë.
                  Kisha
                  Në vijim të kërkimeve arkeologjike në rrethin e Tiranës,
                  Kavajës, Elbasanit dhe Krujës, në territorin që quhet
                  territori i Arbrit mesjetar, gjatë kohëve të fundit, kërkimet
                  janë përqendruar në zonën e Bendës dhe Kërrabës. Skënder
                  Muçajt, arkeolog pranë Institutit të Arkeologjisë, dhe pjesë e
                  ekipit që zbuloi kishën, tha për "Gazetën Shqiptare" se
                  rezultatet e këtyre kërkimeve kanë qenë befasuese edhe për
                  specialistët. "Në fshatin Kumardhë pranë rezervuarit të
                  Bovillës, në krahun e rrethit të Krujës, arritën të zbulojmë
                  një nga kishat më të mëdha të territorit të Tiranës. Ajo së
                  bashku me kishën e 'Shërmisë' në Kinostudio, atë të Priskës së
                  madhe, dhe kisha e Brarit, përbëjnë monumentet kryesore të një
                  pjese territori të Krujës, Tiranës dhe Elbasanit së paku deri
                  tani", - thotë Muçaj. Sipas arkeologëve, kisha e zbuluar së
                  fundi ka mundësi që më parë të ketë qenë kryeqendër, ose
                  peshkopatë e krahinës së Bendës. Nga pozicioni që ka, e
                  vendosur në rrëzën e malit, kjo kishë kontrollon të gjithë
                  hapësirën e Bendës. Arkeologët janë në dijeni të faktit që më
                  vonë, peshkopata e Bendës ka qenë e vendosur në Moisi. Nga
                  rrënojat që mund të shihen aktualisht, duket që kemi të bëjmë
                  me një kishë shumë të madhe, e cila është përafërsisht 40
                  metra e gjerë dhe 50 metra e gjatë. Afër saj ka edhe pjesë të
                  tjera të këtij kompleksi të krishterë. Sipas Arkeologut
                  Skënder Muçaj, pranë kishës gjendet edhe një varrezë e madhe
                  mesjetare, e ngjashme me varrezat e Komanit. Ata janë të
                  ndërtuara me pllaka guri dhe hapësira që zinte ajo ishte rreth
                  3 dynymë. Kjo kishë e cila gjendet shumë afër Tiranës, ka
                  rëndësi jo vetëm për historinë e Tiranës e të Krujës, por edhe
                  për atë të territorit të Shqipërisë.
                  Gjendja
                  Rrënojat e kishës janë të ruajtura në gjendje të mirë, por
                  syri vëzhgues i thesarkërkuesve, me sa duket ka qenë më
                  largpamës se ai i arkeologëve. Në fakt, kisha është vizituar
                  nga kërkuesit e paligjshëm të thesareve, që prej kohësh
                  dëmtojnë e dhunojnë pasuritë e monumenteve, varreve dhe
                  sajteve arkeologjike në mbarë. Si shqetësim është ngritur prej
                  kohësh, por deri tani asgjë konkrete nuk duket të jetë bërë
                  për të ndaluar trafikimin e objekteve arkeologjike dhe
                  dhunimin e dëmtimin e tyre. Në këtë kuadër, Skënder Muçaj
                  tregon se ku kanë ndërhyrë kësaj here thesarkërkuesit dhe
                  trafikantët e pasurive arkeologjike. "Për fat të keq, siç e
                  kemi thënë edhe herë tjetër, gërmuesit klandestinë nuk kanë
                  lënë vend pa gërmuar. Në këtë kishë ata kanë gërmuar një gropë
                  me një thellësi prej 2.80 metrash. Një gërmim me një thellësi
                  të atillë, ne arkeologëve do të na duheshin ditë të tëra për
                  ta bërë, duke treguar kujdes për mbrojtjen e objekteve që mund
                  të ketë aty. Gërmimi është bërë në një pjesë skajore të
                  kishës, në një ambient që ose ka qenë kullë e kishës, ose
                  kambanarja. Pra ajo mund të ketë qenë kullë e murit rrethues
                  nëse ka pasur të tillë, ose kambanarja e kishës. Akoma nuk
                  jemi të qartë për këtë, sepse ekspedita jonë nuk zgjati
                  shumë", - thotë Muçaj. Specialisti thotë se më parë kjo kishe
                  nuk njihej, sepse në shumë fshatra që janë banuar që prej
                  mesjetës mund të ketë rrënoja kishash, sepse çdo fshat kishte
                  kishë, por disa janë ruajtur e të tjera jo. Kjo kishë nuk
                  është vizituar më parë nga arkeologët, pra qe hera e parë që
                  vizitohet ky fshat, kjo varrezë e kjo kishë. "Ne i shikojmë që
                  të gjitha dhe shohim se çfarë mund të gjejmë. Këtu kemi të
                  bëjmë me një kishë të madhe. Banorët na thanë që aty afër ka
                  edhe një qytezë të vogël, por ishte e pamundur të vazhdonim
                  ekspeditën", - shpjegon arkeologu.
                  Datimi
                  Specialisti shton se akoma nuk është përcaktuar datimi i saktë
                  i kishës, sepse nuk është gjetur material i mjaftueshëm
                  arkeologjik. Materiali i gjetur është pak a shumë i njëjtë me
                  atë të Brarit. Dihet që kisha e Brarit dhe varri pranë saj i
                  takojnë vitit 1201, shekullit të 12-të, por mund të shtyhen
                  edhe më tej. Në kishën e gjetur në afërsi të Bovillës, në
                  fshatin Kumardhë nuk përjashtohet mundësia, duke u nisur edhe
                  nga varreza, që të ketë materiale të shekujve 7, 8, 9, 10, 11
                  dhe 12, e nëse kjo rezulton e vërtetë, do të ishte tepër
                  interesante për mesjetën shqiptare. Muçaj thotë se do të
                  shtoheshin pika të reja për të studiuar më mirë historinë e
                  popullit shqiptar gjatë mesjetës së hershme dhe asaj të mesme.
                  Kjo kishë, në burime të ndryshme quhet kisha e "Shën Mërisë",
                  ndërsa emri i saj vjen sot në formën Kisha e Shërmisë, emër me
                  të cilin e njohin banorët e tanishëm të asaj zone. Në vitet
                  1641, në relacionet e bëra nga peshkopi i Durrësit Mark Zgura,
                  ajo nuk përmendet, e kjo do të thotë që në atë kohë nuk ka
                  qenë e përdorur. Sipas Muçaj, ajo mund të jetë braktisur në
                  shekullin e 14-të, sepse edhe gjurmë popullsie e qeramike nuk
                  kanë dalë në dritë. Materiali i gjetur ishte i shekullit të
                  13-të. Mendohet se kjo ka qenë një kishë e rëndësishme, e kjo
                  kuptohet si nga arkitektura, edhe nga madhësia e saj.
                  (GSH/BalkanWEb)

2 Komente

 Kjo verteton dhe nje here se deri ne shekujt 14-15-16-17, Shqiperia ka qene e krishtere, dhe se myslimanizmi ka ardhur pas ketyre shekujve. 

Dhe c'far pastaj,

i bje qe kush te kete qene komunist apo ka perkrahur komunizmin para viteve 90 (qe me thene te drejten kane qene vertet shumica), su lind e drejta te behen demokrat tani, sic dhe ndodhi!!!

Per mua perkatesija ne nje besim fetar eshte njelloj si perkatesija  te nje parti politike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).