Zbrazet buxheti i rrugëve. Tuneli gllabëroi shumicën e fondit

Ministria e Transporteve ka harxhuar rreth 93% të buxhetit të saj në gjashtëmujorin e parë të këtij viti para zgjedhjeve të 28 qershorit për zërin “Ndërtim i rrugëve nacionale”, duke ndërtuar vetëm 50% të tyre, dhe duke rritur rreth 40% kostot e planifikuara për ndërtim. Ky fakt skandaloz, që çon drejt falimentimit buxhetin e këtij dikasteri dhe të krejt qeverisë shqiptare, zbulohet nga statistikat e kësaj ministrie.

Në Raportin e Monitorimit, paraqitur nga Ministria e Punëve Publike, Ministria e Financave vëren se për vitin 2009, në fondet buxhetore për 6-mujorin e parë të vitit 2009, kjo ministri ka harxhuar 73,2 të planit vjetor, duke tejkaluar në disa zëra kostot e planifikuara dhe duke çuar praktikisht në kolaps fuqinë paguese të këtij dikasteri për kompanitë shqiptare, për shkak të pagesave për kompaninë “Bechtel-Enka”.

***

Në tabelën 1 shihet buxheti i vitit 2009, struktura e tij dhe realizimet faktike të gjashtëmujorit të parë.

Në rreshtin me të kuqe, produkti “Rrjeti Nacional i rrugëve” është parashikuar për gjithë vitin 47.074 milionë lekë dhe vetëm në gjashtëmujorin e parë janë harxhuar 34.754 milionë lekë ose 73.8% e gjithë buxhetit vjetor.

Ky deformim në shpërndarjen kohore vjen nga sforcimi elektoral për të hedhur gjithë lekët në rrugë përpara fushatës. Por ky është problemi më i vogël. Çështja kryesore është tejkalimi i kostove dhe shpenzimeve, që çon në falimentim buxhetin e ministrisë. Referuar tabelës, shihet se në produktin “Rrjeti Nacional i rrugëve” kolona blu, që paraqet shpenzimet faktike është më e madhe se kolona vishnje, që tregon buxhetin për rrjetin nacional të rrugëve.

Rreth 92.2% të totalit të shpenzimeve faktike të kryera gjatë gjashtëmujorit të parë 2009, e zënë shpenzimet për programin “Rrjeti i rrugëve nacionale”, (Tabela 2) ndjekur nga shpenzimet për programin “ujësjellës-kanalizime”, me rreth 5.4%. Shpenzimet për programet e tjera variojnë nga 0.01% deri në 0.7% të totalit të shpenzimeve të kryera.

***

Problem mbetet tejkalimi i kostove për njësi në autostradën Rrëshen-Kalimash dhe në disa segmente të tjera rrugore. Tabela 3 paraqet tejkalimin e këtyre shpenzimeve në 8 tipet e rrugëve nacionale.

Pra rezulton se grupi i produkteve “Ndërtim rruge”, i shprehur në kilometra, gjatë gjashtëmujorit të parë 2009, është realizuar në rreth 62% të planit vjetor, që do të thotë 61 kilometra nga rreth 98 kilometra të planifikuara për deri në fund të vitit. Në këtë grup produktesh përfshihen:

- Ndërtim rruge me katër korsi. Shpenzimet për këtë grup produkti për gjashtëmujorin janë realizuar në masën 93% të planit vjetor, ndërsa nga ana sasiore janë realizuar 17 km nga 34 km të planifikuara si realizim vjetor. Në këtë grup përfshihen kryesisht rrugë me katër korsi si rruga Rrëshen-Kalimash, që zë pjesën më të madhe të realizimit të fondit, rruga Kukës-Morinë, Kalimash-Kukës, dhe bypass-i Plepa-Kavajë-Rrogozhinë.

Në relacionin e paraqitur nga ministria nuk janë dhënë shpjegime lidhur me arsyet e tejkalimit të kostos për kilometër/rrugë për këtë program, si dhe për tejkalimin e shpenzimeve.

Pra, e ritheksojmë, është realizuar vetëm 50% e planit, Ministria e Transporteve ka harxhuar 93% të lekëve, duke boshatisur praktikisht arkën e saj dhe duke lënë pa paguar gjithë kompanitë shqiptare.

Siç shihet nga Tabela 3, tejkalim të kostos për njësi ka edhe për tipin e rikonstruksionit të rrugëve.

Këtu përfshihen rrugë me kontrata të lidhura dhe ecuri të mirë punimesh si: sistemim/asfaltim rruga Gjiri i Lalzit, rruga Dardhë-Ura e Drinit, rruga Bajram Curri-Has, segmenti Rragam-Tropojë. Për rrjedhojë kostoja mesatare faktike përllogaritet në rreth 30 milionë lekë për km, nga rreth 22 milionë lekë për km e planifikuar, pra rreth 8 milionë lekë për km më e lartë.

***

Pas kolapsit që ka përfshirë ministrinë e Olldashit, shihet qartë se kryeministri Berisha e ka kthyer buxhetin e vitit 2009 në një piramidë, duke shpenzuar gjithçka para fushatës dhe duke lënë tashmë në mëshirë të fatit dhjetëra kompani shqiptare, me mijëra njerëz të punësuar në to.

Problemet e reja të hapura në Tunelin e Kalimashit dhe mungesa e rëndë e transparencës së qeverisë lidhur me fondet, që do të duhen akoma për të përfunduar kjo vepër e madhe inxhinierike, janë një ogur i keq për një menaxhim të sigurt të këtij buxheti dhe aftësitë tona reale për ta përballuar këtë krizë. Vetë ministri Olldashi në deklaratat e tij publike disa herë ka dhënë versione me diferencë të madhe për koston e së ashtuquajturës Rruga e Kombit…

Dhe në fund, nëse i hedh një sy këtyre statistikave dhe kilometrave të llogaritura për ndërtimin e rrugëve në vitin 2009, ato gjithsej shkojnë afërsisht në rreth 300 km.

Duke llogaritur që viti 2009 është viti më i suksesshëm dhe më i guximshëm në planifikimin e ndërtimit të rrugëve, del se që nga viti 2005 qeveria e zotit Berisha ka provuar të ndërtojë jo më shumë se 800 km rrugë, ndërkohë që ka mashtruar publikisht para fushatës elektorale, se ka ndërtuar 6 mijë kilometra rrugë.

4 Komente

Zoterinj qeveritar boll u morret me opoziten dhe liderin e saj duke e akuzuar per mafje, skicofren, dhunues etj. Meruni me popullin qe ju votoi, tregojini atij se jeni transparent dhe jo hajduter. Tregoini se sa ka kushtuar deri tani rruga e kombit qe Kryeja jone e inaguroje me shume se nje here? Ju te lodhni koken me shifra per gjera shume te vogla si meremetim shkolle, pastrim kanalesh kullues, mirembajtje hidrovori, apo shperblime per fatkeqesi natyrore, e nuk po ju shkoka ndermend te beni publike koston e rruges se kombit! Kaq shume e keni menderosur punen? Po mire a nuk e mendoni njehere se do te vije nje kohe qe keto gjera do te behen publike? Apo ju mendoni se do te sundoni perjete? Po ja ta zeme se do te sundoni derisa Saliu te jete ne jete, por ju te tjeret jeni shume te rinj ne moshe dhe kur ai te ndroje jete cfare keni menduar te beni? Do largoheni nga Shqiperia? Por bota tashme eshte shume e vogel dhe skeni ku ta fusni koken. Burgu ju pret per te kaluar vitet e burellekut, dhe ju uroj qe ta kryeni me dinjitet se i keni sherbyer nje udheheqesi vigan, pasardhes i Enverit.

"Po ja ta zeme se do te sundoni derisa Saliu te jete ne jete, por ju te tjeret jeni shume te rinj ne moshe dhe kur ai te ndroje jete cfare keni menduar te beni? Do largoheni nga Shqiperia? Por bota tashme eshte shume e vogel dhe skeni ku ta fusni koken. Burgu ju pret per te kaluar vitet e burellekut,"

prison, ketu nuk jam dakort me ty. Asnje gjemb ne kembe nuk do ti hyje askujt, kurre s'ka ndodhur te vendoset drejtesia ne shqiperi. Te gjithe do sistemohen me ndonje biznes ose thjesht do shijone frutet e hajdutlliqeve, kane bo aq shume pare sa kon siguru 3 breza, mos ja qaj hallin. Per burg as qe behet fjale, kush do ta beje???!!!

tuneli duhet riparuar, edhe po te vinte edi rama ne qeveri, to ishte shembur, e gjithsesi edhe ai do kishte dhene te njetat leke per ta riparuar !

Po te vinte edi ne qeveri, do te analizonte shkaqet e shembjes. Dhe nese shkaqet e shembjes jane per gabime te firmes ndertuese, nuk ka pse investitori/qeveria te akordoje fonde shtese. Ah, nese tuneli eshte urdheruar te hapet nga qeveria berisha ende i paperfunduar, atehere faji bie mbi qeverine. Fakti qe qeveria vendosi te akordoje fonde shtese verteton me se mire kete arsyetimin me lart.

Sidoqofte kur edi dhe ps-ja te vijne ne qeveri do ta analizojne dhe kete ndodhi me shume seriozitet dhe fajtoret sigurisht qe do te ndeshkohen. Per kete te garantoj une Elton, qe edhe ti atje ne Itali te flesh i qete naten dhe te punosh me pasion diten! Apo mos je si puna ime pa pune dmth freelance? Po ishe i tille, hajde me mire ketu ne atdhe, se papunesia kalohet me kendshem ketu, te garantoje une per kete. Apo nuk ke dokumente dhe ke frike se nuk kthehesh dot prape ne Itali? Mos u merzit se eshte vetem ceshtje muajsh, ne pranveren qe vjen edhe ne do te mund te levizim lirshem ne EU pa viza.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).