Viktimat nga A/H1N1, Kosova e para në rajon

Kosova vazhdon të prijë nga të gjitha shtetet e rajonit për nga numri i të vdekurve të personave nga virusi A H1N1, ose siç njihet, si gripi i derrit.

Mjekët mendojnë se kjo ndodh për shkak të ngelizhëncës që kanë qytetarët për t’u paraqitur me kohë pranë mjekut.

Por në këtë rast, Kosova ndryshon nga shtete e rajonit, kur është puna te personat e infektuar me këtë virus. Derisa numri i vdekjeve është më i lartë, ai i të prekuve nga virusi është më i ulti.

Shemsedin Dreshaj, drejtor në Kliniken Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKU), thotë se duhet të verifikohen të dhënat, për të parë nëse vdekja e dhjetë personave ka të bëjë me këtë virus.

Sipas rezultateve të marra nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se deri tani në Kosovë kanë qenë 10 raste të vdekjeve nga virusi A H1N1. Mirëpo, sipas tij, këto serume do të dërgohen nga instituti në Londër për analiza, për të parë se a kanë qenë rezultatet e sakta.

Ndërsa Faik Hoti, drejtor i zyrës për informim në MSH, sqaron se numri i të vdekurve në vendin tonë mund të jetë si rezultat i mesatares së lartë të popullatës së moshës së re që ka Kosova në krahasim me vendet e rajonit. Kështu, derisa Kosova mendohet se ka rreth 2 milionë banorë, numri i vdekjeve të konfirmuara nga gripi ka arritur në 10 persona.

Ky numër është shumë më i lartë në raport me shtetin fqinj, Serbinë, i cili ka rreth 7.5 milionë banorë dhe ka 22 vdekje të raportuara nga gripi, ndërsa Maqedonia që ka një numër të përafërt të banorëve me vendin tonë, ka një numër relativisht të ulët me vetëm 4 vdekje nga gripi A H1N1. Ndonëse me një numër mjaft të lartë të rasteve të konfirmuara si A H1N1 pozitive është edhe vendi tjetër fqinj, Maqedonia, ku janë regjistruar 781 raste të infektuara, deri më tani janë shënuar vetëm 4 raste vdekjesh.

Në një pozitë edhe më të mirë në këtë aspekt qëndron Mali i Zi, ku rasti i parë i vdekjes nga gripi i derrit është shënuar më 30 nëntor dhe për dallim nga Kosova, ku të vdekurit u kanë takuar grupmoshave të reja, viktima në Mal të Zi ka qenë një 65-vjeçar, që ka vuajtur nga diabeti dhe sëmundje të zemrës. Si raste të konfirmuara me A H1N1 deri më tani në Mal të Zi janë regjistruar 119 raste, ndërsa gjatë kësaj jave kanë humbur jetën edhe 6 persona. Një numër jo edhe aq të lartë të infektuarish me virusin A H1N1 e ka edhe Shqipëria, e cila deri tani ka vetëm një person të vdekur nga virusi H1N1.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).