Të diskriminuarit

Preferoj të mos shfrytëzoj  vetëm datat e shënuara për të thënë disa të vërteta që na mundojnë gjatë vitit. Sapo i lamë pas ceremonitë dhe aktivitetet të lidhura me ditën ceremoniale të të drejtave të njeriut. Personalisht, këto lloj aktivitetesh gjithmonë e më shumë më bëjnë pesimiste dhe më nxisin nevojën për t’u thelluar më shumë në analizën e pyetjes: çfarë nuk shkon, cilat janë ato parime që çuditërisht ne shqiptarët nuk i asimilojmë dot dhe na mbeten në stomak, duke na lënë me ulcer kronike?Duke kujtuar një nga shkrimet e publikuara në këtë gazetë disa ditë më parë, e çmoj opinionin e Drejtores së PNUD-it në vendin tonë, por dua të ndalem pak në një nga frazat e saj: “Në Shqipëri, tema e dhënies fund të diskriminimit dhe përqafimit të diversitetit ka një jehonë të veçantë. Shqipëria ofron një model për vendet dhe shoqëritë e tjera, për sa i përket tolerancës së vërtetë dhe mirëkuptimit reciprok dhe kjo vjen si shkak i harmonisë fetare mbresëlënëse që ekziston në këtë vend”. Është e vërtetë, një nga trashëgimet historike të këtij populli është toleranca fetare. Pa u ndalur në arsyet e saj, që vijnë nga shumë larg dhe janë mbështetur mbi histori mbijetese dhe konvertimesh, të gjithë tashmë e pranojmë këtë fakt dhe e çmojmë. Por kjo nuk shpjegon realisht nëse me të vërtetë jemi apo jo tolerantë. Jo,…shqiptarët nuk janë tolerantë, në të kundërt: ata janë diskriminues.
    Dua të tregoj shkurtimisht një histori reale të një njeriu dhe një familje që e vuan çdo minutë e çdo ditë diskriminimin.
    Hamdi Bylyku mbeti invalid tetraplegjik që prej vitit 1994, kur pas një aksidenti në punë iu dëmtua shtylla kurrizore. Në fillim ishte pakujdesia e mjekëve të Spitalit Ushtarak (fillimi i diskriminimit)) që nuk i kushtuan rëndësi aksidentit dhe ishin të paaftë t’i përcaktonin gradën e dëmtimit. Me ndërhyrjen e Caritas-it, Bylyku u dërgua në Itali, ku edhe iu tha se nëse do të kishte shkuar më parë, do të shpëtonte nga paraliza. Jetonte në katin e 5 të një pallati dhe gruas e fëmijëve iu duhej ta ngrinin në krahë. Ata e shitën apartamentin dhe paratë i futën në një nga firmat piramidale, ku edhe i humbën më pas. Ndërkohë, për t’u strehuar hyjnë në një pallat të Entit të Banesave në Laprakë, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Por apartamenti nuk është i tyre dhe i është dhënë nga Enti i Banesave një banori të Bovillës, për ta kompensuar për humbjen e tokës pas përmbytjes nga liqeni. Bylyku kërkoi ndihmën e Bashkisë së Tiranës që prej vitit 1995, ai vazhdon të kërkojë ndihmë çdo vit nga Bashkia dhe nuk merr përgjigje. Përpos pamundësisë për të lëvizur dhe dhimbjeve të mëdha, ai jeton bashkë me të shoqen me ankthin e përditshëm se një ditë do t’i largojnë me forcë nga shtëpia. Bashkia s’ka asnjë plan ta strehojë, megjithëse ka përpiluar disa here lista strehimesh. Ky është një nga rastet e ankesave ardhur në zyrën time, dhe njëkohësisht është një nga rastet më të pashpresa. E them këtë sepse në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me institucione dembele të shtetit, s’kemi të bëjmë vetëm me burokracinë, harresën, apo mungesën profesionale. Kjo që po ju tregoj e ka emrin diskriminim. Diskriminohet një person i cili është i paaftë dhe vetëm kërkon ndihmë. Të tjerë që kanë dhënë para nën dorë e kanë shumë të lehtë ta gjejnë atë që kërkojnë. Bylykun nuk e mbron dhe nuk e ndihmon askush. Shqiptarët kanë një marrëdhënie gati kriminale me konceptin e paaftësisë fizike: i përçmojnë, i fshehin, i nënvleftësojnë dhe i luftojnë këta njerëz. Kjo është shfaqje tipike e diskriminimit: mospranimi i të ndryshmes, përjashtimi i saj, madje vrasja e saj.
Me një hapje të vonuar ndaj botës së qytetëruar, nuk dua të fajësoj kryesisht njerëzit e thjeshtë, megjithëse besoj se opinioni qytetar është shumë i rëndësishëm për ndryshime të mëdha, por i fajësoj drejtpërdrejt institucionet e shtetit që nuk iu shërbejnë njerëzve në nevojë. Rudina, vajza e Hamdiut, ka vite të tëra që bredh nëpër zyra dhe portat i mbyllen me ashpërsi përpara syve. Bashkia me stafin e vjetër e të ri nuk e ka ndihmuar asnjëherë, nëpër ministri i thonë që është kompetencë e bashkisë e nuk ndërhyjnë: e gjithë kjo është një lojë qesharake mbi një jetë njeriu.
Shqiptarët janë diskriminues sepse nuk e pranojnë as romin të shkollohet, as veriorin të bëhet kryeqytetas, as të varfrin të kurohet, as homoseksualin të martohet, as tetraplegjikun së paku të ketë një karrocë. Ashtu si qytetari i thjeshtë, po aq “i thjeshtë” është edhe shteti: punonjësit e administratës janë po aq të paragjykuar ndaj njerëzve ndryshe. Dhe nuk kam dëgjuar ndonjë pushim nga puna apo vërejtje për ndonjë punonjës që nuk ka ditur të sillet me ankesën e ndonjë tetraplegjiku. Këtyre të fundit iu duhet të bëjnë greva për të fituar ndonjë ndryshim të lehtë ligji, apo një ngritje në sistemin e lëmoshës. Nuk është rastësi që ka strategji romësh pa buxhet, apo që nuk ka fare strategji vërtet implementuese për personat me aftësi të kufizuar.
  Përpara disa muajve, pamë një gjest të shëmtuar të një pseudoqytetari ndaj një gruaje të verbër, por s’patëm asnjë debat të vërtetë mbi këtë rast, që do kishte mjaftuar të ndryshonte edhe qeveri në një tjetër vend demokratik.
Diskriminimi i ardhur nga largësia e shekujve, i brumosur me dhjetëra dekada varfërie dhe diktature, është një psikologji e shtetit shqiptar, e institucioneve. Ne e jetojmë këtë fatkeqësi, pa e kuptuar se është një sjellje e natyrshme e jetës sonë dhe për më keq, është i mjerueshëm fakti që refuzojmë të flasim për të.

2 Komente

Dhe numri i komenteve ne kete shkrim e verteton edhe njehere kete mungese ndjeshmerie. Me vjen vertet shume keq, per te gjithe invalidet ne Shqiperi, aq me teper kur shikon kujdesin qe tregohet ketu. Shqiperia vazhdon te mbetet "na rrofsh per vere", se po pate ndonje hall dhe po s'pate leke, ik e mbytu me mire.

P.S. Perjashtoj ketu qeflite e sumes, se ato e kane per qejf e jo per hall. smiley

P.S. Perjashtoj ketu qeflite e sumes, se ato e kane per qejf e jo per hall

Ka shume njerez qe besojne se keta "qefllinjte" keshtu kane lindur dhe nuk eshte aspak ceshtje zgjedhjeje.  Me sa duket nuk kane njohur ndonje shqiptar qe t'i informoje se te qenit homoseksual eshte fyerja me e madhe qe i behet nje mashkulli "te vertete".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).