Surrugato-Diktatura jonë

Shumë vjet më parë, më 1929-n, Zogu i sapobërë mbret, i jep porosi Zef Kolombit t‘i bëjë një pikturë që ta paraqesë atë gjithë shkëlqim si gjithë mbretërit e vërtetë të Evropës. Nga ana e tij, Kolombi, që si shkodran i kënduar, e dinte se sa merrte vesh Zogu nga arti ndërkombëtar dhe, ca më shumë, sa merrnin vesh ata që do ta shihnin pikturën, i ra shkurt. Nga një revistë arti, mori një pikturë të Joachim Murat-it, mbret i Napolit në kohë të Napoleonit dhe e kopjoi duke i ndërruar vetëm veshjen dhe duke i vënë fytyrën e mbretit tonë matjan. Piktura bëri bujë të madhe dhe, shqipove të Zogut, u dukej sikur shihnin para syve një kryevepër që tejkalonte ku e ku ato të Evropës, si edhe u bëhej se po preknin me duar shpëtimtarin e njerëzisë.
80 vjet më pas, të njëjtën shaka të hollë e bën një tjetër mjeshtër, jo i penelit, por i penës. Andrea Stefani na dha para ca ditësh një përshkrim ngjasonjës mes Berishës së arnautëve dhe Hitlerit të teutonëve. Mirëpo e keqja është në faktin se shumë njerëz, ashtu si 80 vjet më parë Zogu u dukësh mbret evropian, vetëm pse e kishin kopjuar sipas një pikture evropiane, edhe sot mund t‘u duket Berisha diktator si Hitleri, vetëm pse të dy thërresin njëlloj.
Kushti i parë që të jesh një kalorës i madh, është të kesh një kalë të madh e të ushqyer mirë, ndërsa Berisha i ka hipur një kali të ngordhur e brinjëdalë, që ushqimin ia jep për mëshirë Evropa, ndërsa ai përpiqet t‘ia vjedhë kalit nga goja.

Ideja apo interesi?
Diktaturat e tipit Hitlerian, dalin që në nisje nga skema normale e ekzistencës për t‘i shërbyer materialisht apo financiarisht një klase të caktuar dhe, kthehen në diktate të një personi të vetëm në funksion të një ideje apo vizioni, që fle në kokën e tyre dhe që për realizimin e të cilit, ata sakrifikojnë çdo gjë reale. Do të fusja në këtë grup diktatorësh Hitlerin, Musolinin, Stalinin, deri diku Frankon dhe Pinocetin, Kim Ir Senin, Enver Hoxhën, e ndonjë tjetër të kësaj dore. Të tjerët, të vjetër e të rinj, janë vetëm surrogato diktatorësh, që pushtetin e kanë të lidhur me pasurimin real tokësor dhe jo me idera për përjetësi.
Ajo që Hitleri ngriti në Gjermani, nuk ishte në funksion të pasurimit material të atij vetë apo të grupit të ngushtë që e rrethonte atë. Nuk besoj se ka ndonjë që beson se Hitleri i ndërtonte autostradat e Gjermanisë (që janë edhe sot) me qëllim që të vidhte tenderin e rrugës; apo fuqizonte ushtrinë që të privatizonte fabrikën e prodhimit të këpucëve për ushtarët. Hitleri nuk e shpiku veturën familjare VolksWagen me qëllim që t‘ia jepte tenderin baxhanakut, por që çdo familje gjermane të arrinte një minimum mirëqenieje sociale, që do ta bënte atë të lidhur me Fyhrerin. Të gjitha këto ndërmarrje, e shumë të tjera titanike, ai i bënte për të jetëzuar vizionin e tij të deformuar për sundimin e dhunshëm të Gjermanisë mbi të gjithë botën.
Eshtë e natyrshme pastaj, që biznesi dhe sipërmarrja e madhe gjermane të përfitonin nga këto gjëra, njëri për të prodhuar betonin dhe asfaltin për autostradat, Krupp-i për të prodhuar topa e tanke, apo Ferdinand Porschi për të prodhuar VolksWagenin, por qëllimi i diktatorit nuk qe ky, këta qenë thjesht disa nga përfituesit. Hitleri nuk e ndërtoi Kancelarinë e re gjigante të Rajhut me qëllimin që dy apo tre ndërtues të fitonin pará nga ky ndërtim, por deshi të ndërtonte një godinë që të jetonte 1000 vjet, pastaj natyrshëm që nga kjo do përfitonin ndërtuesit që duhej ta konkretizonin vizionin e tij.
Ndërsa e keqja jonë, është që këtu shpiket dhe ndërtohet gjëja, vetëm e vetëm që ky apo ai person, apo grup personash të përfitojnë. Këtu edhe sallën e re të Parlamentit nuk po ja dalim ta ndërtojmë, apo edhe më keq, duam ta ndërtojmë mbi tarracën e një pallati, se kështu "do njoni që ka një pronë aty afër". Këtu gjylet u vendos të zbërtheheshin jo se duhej bërë kjo punë, po se duhej të mbushnin xhepat tre apo katër veta. Këtu edhe Rruga e Kombit u vendos dhe u bë, jo se do krijonim Rajhun e Ri Shqiptar, por që ta merrte tenderin Lena dhe ta vidhte Prena. E kuptuat diferencën, besoj.

Rend apo rrëmujë?
Një nga gjërat kryesore që i shtyn njerëzit normalë të tolerojnë vendosjen e diktaturave apo të pushteteve autoritare, është nevoja për rregull, disiplinë dhe rend, sidomos në momente kur këto, për shkaqe krizash, janë dobësuar. Ky është rasti tipik i Shqipërisë, që ka 20 vjet që përpëlitet në mes kaosit paligjshmërisë, mungesës së shtetit dhe të rendit. Ky ishte edhe rasti i Italisë së fillim-viteve ‘20, apo i Gjermanisë së fillim-viteve ‘30. Dhe, të dy diktatorët e këtyre vendeve, ia dolën që me dorë të hekurt t‘i rivendosnin vlerat e munguara dhe që ishin aspirimi i shtresave të gjera të popullsisë, që bash për këtë u dhanë edhe mbështetjen maksimale. Pastaj, se pasi arritën këto që ishin edhe dëshira e pjesës më të madhe të popujve të tyre, ata diktatorë vazhduan në rrugën e nisur deri në perversitetin vetë-shkatërrues, kjo është tjetër punë. Ende sot, pas gati 70 vjetësh, pleqtë në Itali thonë se "kur ishte Musolini, treni vinte në orar". Ende sot të gjithë ne shqiptarët, themi se "kur ishte Komandanti vajzat mund të dilnin natën pa frikë, apo që një polic mbante një qytet të tërë". Ende sot gjermanët kujtojnë se, "në kohën e Fyhrerit morali ishte i shenjtë dhe disiplina ishte e hekurt".
Por, pa më thoni, cilën nga këto vlera të diktaturës janë arritur nën këtë surrogaton tonë Saliane. Sa më shumë noton në kaos e paligjshmëri ky vend, aq më shumë shtohet e shumëfishohet kaosi e paligjshmëria sa herë që e merr pushtetin Saliu ynë, që ne tani po e krahasojmë edhe me Hitlerin. A mos është vendosur rendi e qetësia, apo mos është vendosur ligji e drejtësia, a mos funksionon shteti dhe zyrat e administratës, a mos është përmirësuar morali dhe feja, që të na bëjnë të thërresim: "Herr Sali, rrofsh e qofsh e mbretërofsh, se vërtet na i kufizove liritë, por na vure rend e ligj e siguri".

Sakrificë apo pazar?
Diktaturat "prej vërteti" ngjasojnë me njëra-tjetrën edhe në faktin që Diktatorët vënë në funksion të idesë së tyre (e çmëndur, kriminale, apo e padrejtë, është tjetër gjë pastaj) çdo gjë, të gjitha energjitë e kombit mbi të cilin sundojnë, madje duke filluar që nga familja (kur e kan&eumlsmiley. Mjafton të kujtoj që Hitleri thoshte se "nuk martohem dhe nuk bëj fëmijë, pasi nuk kam kohë, të cilën duhet ta harxhoj për ndërtimin e Rajhut Mijëvjeçar". Musolini dërgoi të birin, Brunon, në front ku ai edhe u vra. Po ashtu edhe Stalini e dërgoi të birin në front ku u zu rob nga gjermanët, të cilët e vranë pasi Stalini nuk pranoi ta shkëmbente.
Tani, a e imagjinoni dot Berishën që të çojë Shkëlzenin në Afganistan, bashkë me ata 70 shqiptarët e tjerë që luftojnë atje? Hitleri pushkatoi të vëllain e Eva Braunit për dezertim për t‘u dhënë shembull të tjerëve, ashtu siç edhe Musolini pushkatoi kontin Ciano, burrin shumë të dashur të së bijës Eda, për tradhti! Po ju a e imagjinoni dot Berishën duke pushkatuar apo futur në burg Jamarbrin për tradhti në çështjen e Studimit të Bregdetit të Jugut?!!! Besoj të më kuptojnë dhe falin qoftë Jamarbri apo Shkëlzeni, të cilëve u uroj jetë të gjatë.
Diktaturat reale janë tragjike, pikërisht se thelbi i tyre është impersonal dhe jomaterial, ndërsa surrogato-diktaturat janë groteske, pasi motoja e tyre është "merr e ik".

Forcë apo të fortë?
E vetmja pikë ku nuk më del hesapi, është ushtria. Të gjitha diktaturat, si ato prej vërteti (Gjermani, Itali, BRSS, Kili), ashtu edhe ato surrogato (Haiti, Salvador, Nikaragua) mbështeten mbi ushtri të forta, për të cilat shpenzohet një pjesë e mirë e buxhetit. Këtu ndër ne, kjo surrogato-diktatura jonë, nuk ngjet me asnjërin tip, as me diktaturat prej vërteti, e as me ato surrogato. Ne mezi harxhojmë 2% të buxhetit për ushtrinë dhe këto, më shumë se na i ka vënë me detyrim NATO-ja, se përndryshe edhe ato do i kishim bërë tendera rrugësh.
Diktaturat harxhojnë shumë për të mbajtur ushtrinë, pasi ajo u duhet për të mbajtur pushtetin. Ushtria u duhet herë për të sulmuar fqinjët në funksion të ideve dhe vizioneve të çmendura të Fyhrerit të radhës, si në rastin e Hitlerit a të Musolinit, e herë për të shtypur opozitat e brendshme, të cilat përpiqen t‘i përmbysin, si në rastin e Kóntrasve në Nikaragua, apo të Republikanëve në Spanjën e Frankos.
Në rastin e Shqipërisë, ushtria është e panevojshme për tri arsye të shëndosha. E para, sepse ushtria shqiptare në këta 97 vjet të shtetit shqiptar, nuk na ka zhgënjyer asnjëherë në bindjen tonë se ajo do të shkërmoqet që me pushkën e parë. E dyta, sepse diktatoruci ynë i sotëm nuk ka ndër mënt t‘i bjerë kujt në qafë jashtë kufijve, se e di sa i vlen lëkura. Dhe e treta, atij do t‘i duhej ushtria nëse do kishte përballë një opozitë si ajo e Kóntrasve apo e Aljendes, që dilnin malit me pushkë kundër regjimit. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që ja ka zënë sytë idealizma aq shumë, sa të mendojë se kundër Saliut mund të lënë kafenetë e Tiranës dhe të dalin malit Nard Ndoka, apo Avokati, apo shumë e shumë të tjerë, që kanë hallin e pallateve dhe bizneseve. Kjo e shpjegon pse rasti i surrogatos sonë diktatoriale, ndryshe nga të gjithë surrogatot e tjerë, nuk ka nevojë as për ushtri. Ky regjim mbahet më këmbë jo me forca të armatosura, por me të fortë, të cilët të shajnë nënë e babë dhe, po s‘mjaftoi kjo të thyejnë xhamat, pastaj të heqin ndonjë dru a të thyejnë kokën fare. Dhe këto t‘i bëjnë po s‘pate ndonjë biznes a pallat, për të ndërtuar se, po pate nga këto, e zgjidhin hallin duke të mbyllur biznesin apo duke të sekuestruar pallatin.

Diktaturë apo surrogato?
E bëra gjithë këtë analizë të gjatë, pasi e quaj shumë të gabuar t‘i japim vlera diktature, kësaj të Saliut të arnautëve. Do ishte shumë e gabuar, pasi kështu do t‘i vinim njerëzit në pozitën iluzore që ta pranonin dhe toleronin një gjë të tillë, me shpresën se do vinte rend, rregull e ligj. Do ishte shumë e gabuar, se njerëzit, përfshirë edhe unë që me këtë punë nxjerr bukën, do ishim dakord të kish më pak liri shtypi, por gjykatësi të ish i ndershëm, të kish më pak liri fjale, por shteti të binte era shtet, të kishim më shumë frikë nga polici, por polici të mos ish një injorant i palarë. Të gjitha këto, e shumë të tjera, do t‘i toleronim, po qe se kjo nuk do ish një surrogato, por një diktaturë.
Ndërsa kjo e jona, është thjesht sundimi momental i një bande dallkaukësh e aventurierësh, të cilët, të ardhur në krye të ngrehinës shpartallaqe të shtetit tonë përmes dhunës, mashtrimit, krahëve të shëndoshë të halabakëve dhe gishtave të shpejtë të dallaveraxhinjve, po shpejtojnë të mbushin xhepat e thasët, përpara se e gjithë baranga e kalbur që gjetën, të mos bier e t‘i zërë brenda. As kanë ndër mënt ta riparojnë për të mirën tonë që rrojmë brenda, e as u shkon mëndja ta bëjnë të mermertë që t‘u shkruhet emri në histori.

4 Komente

Ka qënë përpara dy ditësh në gazetë, normalisht, veç për këtë shprehjen:

Kushti i parë që të jesh një kalorës i madh, është të kesh një kalë të madh e të ushqyer mirë, ndërsa Berisha i ka hipur një kali të ngordhur e brinjëdalë, që ushqimin ia jep për mëshirë Evropa, ndërsa ai përpiqet t‘ia vjedhë kalit nga goja.

e meriton të lexohet. smiley

 

e reja qe mesova ishte per djalin e Musolinit te vrare ne front.

Kurse une mesova qe dhe Julit i interesokan budallalleqet.

ashtu siç edhe Musolini pushkatoi kontin Ciano, burrin shumë të dashur të së bijës Eda, për tradhti!

??????????????????????????????????????????????????????????????????????

Gazetar injorant.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).