Si janë monopolizuar nga Familja në pushtet tregjet më të rëndësishme në Shqiperi

Tregu i energjisë elektrike

Xhiro vjetore, mbi 556.4 milionë euro
- Në treg janë 3 kompani: KESH-384.5 milionë euro, OST-23.9 milionë euro, OSSH-147 milionë euro.

- “Prodhim gjenerimi” është monopol faktik, shtetëror, i kompanisë KESH (disa operatorë të vegjël gjenerimi arrijnë të prodhojnë vetëm 1.03% të energjisë elektrike).
- “Transmetimi” është monopol faktik, shtetëror, i kompanisë OST.
- “Shpërndarja dhe tregtimi” u transferua si monopol nga qeveria, kompania OSSH, te kompania private CEZ, në gjendje monopoli.
- “Importi i energjisë elektrike” është liberalizuar, por mbetet i kufizuar, për shkak të kapaciteteve tejet të kufizuara të linjave të importit në Shqipëri dhe në rajon (një linjë me Greqinë, një me Serbinë, ndërkohë është me vonesë 2-vjeçare një linje e re interkoneksioni me Malin e Zi; fakt domethënës është edhe ai, sipas të cilit linjat e transitit për importin e energjisë kalojnë nga Serbia, kapacitet e të cilave kufizohen edhe më gjatë tregtimit, duke ulur mundësinë e zgjedhjes së çmimeve më të mira të energjisë së importuar, duke kufizuar konkurrencën).
- Për këto arsye, “Tregu i energjisë elektrike” funksionon në kushtet e mungesës thelbësore të konkurrencës.
- “Tregu i shumicës” vepron në kushtet e kufizimeve të skajshme, aq sa është i pandjeshëm si treg i vërtetë.
- “Klientët e kualifikuar”, të cilët mund të prodhojnë e importojnë energji elektrike, në këtë fazë janë tejet të kufizuar (liberalizimi në këtë kategori do të hapte tregun, për të krijuar mundësinë e më shumë se një zgjedhje të burimit të furnizimit, në fillim për konsumatoret jo-tariforë, e më pas për konsumatorët tarifor&eumlsmiley.
- “Ndërmjetësit e tregut” nuk ekzistojnë (operimi i tyre në treg do ta bënte atë më funksional, duke e bërë tregun më të hapur në prodhimin, furnizimin me shumicë e pakicë me energji).

* Privatizimi i OSSH, një proces tejet i dyshuar si i ndikuar nga “vendimmarrja politike”, me probleme të mëdha kontraktuale, nuk u shoqërua me kufizime që do ta detyronin kompaninë të garantonte akses në rrjet për shoqëri të tjera, si mundësi alternative zgjedhjeje për furnizimin me energji elektrike në kushtet e një konkurrence reale.
** Qeveria ka marrë një sërë vendimesh për të shtuar numrin e kompanive prodhuese të energjisë elektrike në vend. Por procesi ka qenë në mënyrë ekstreme jotransparent, i korruptuar. Kjo ka bërë që prej dy vitesh, kudo ku ka pasur një burim natyror uji apo mundësi infrastrukturore alternative, të jepen leje koncesionare për kompani pa asnjë garanci financiare, mbi të gjitha pa asnjë përvojë në këtë fushë. Deri me sot asnjë kw energji nuk është shtuar në sistem. E gjithë kjo veprimtari ka bërë që të lindë një treg kriminal sekondar i tregtimit të akteve zyrtare të qeverisë. Qeveria ka marrë deri tani rreth 100 vendime të tilla.
*** Vendimmarrja ka qenë krejtësisht klienteliste, aq sa ka shpërndarë leje koncesionare shumëvjeçare te njerëz afër Familjes që na qeveris. Në një rast publik, familja e deputetes Albana Vokshi, atë kohë këshilltare e kryeministrit Berisha, ka përfituar dy leje koncesionare në dy vendburime të mëdha në jug të vendit. Kompania e kësaj Familjeje është në ortakëri të provuar nga dokumente zyrtare, me shtetasin Rrahman Selmanllari, edhe ky një njeri i afërt me Familjen që na qeveris.
Në një rast të dytë publik, Sali Berisha ka drejtuar KRRTRSH në një vendimmarrje skandaloze, me produkt miratimin e një masterplani në Porto Romano, mu mbi tokat e këshilltarit te tij, klient i studios së vajzës së tij, Damir Fazlliç.
**** Kjo situatë faktike monopoli në tregun e energjisë, ka bërë që shërbimi i furnizimit me energji elektrike të jetë i pasigurt, pa cilësi dhe gjithnjë e më i shtrenjtë, vit pas viti për konsumatorët tariforë e j- tariforë.

Tregu i hidrokarbureve

Xhiro vjetore, mbi 716.1 milionë euro.
Në nxjerrje janë 2 kompani: BANKERS-78 milionë euro, Albpetrol-56.6 milionë euro.
Në përpunim dhe tregtim 1 kompani: ARMO-182.6 milionë euro.
Në depozitim, transportim dhe përpunim 1 kompani: LA PETROLIFERA-32.4 milionë euro.
Në tregtim 6 kompani: KASTPETROL- 93.1 milionë euro, TAÇI OIL- 81.6 milionë euro, VITOIL- 76 milionë euro, GLOBAL-47.7 milionë euro, MAMIDOIL- 33 milionë euro, EKO A2-17.7 milionë euro.
Në tregtim gazi 1 kompani: KALAJA/V-16.9 milionë euro.

- “Kërkimi i naftës” faktikisht është në kushtet e një monopoli.
- Në këtë treg qeveria ka kontraktuar 3 kompani, por njëra, kompania zvicerane DWM Petroleum AG, ka fituar “marrëveshje qeveritare” me të drejta për të ushtruar aktivitetin e kërkimit në mbi 80% të territorit të vendit.
- “Nxjerrja e naftës” është e liberalizuar. Në këtë fushë operojnë 3 kompani, “Bankers Petroleum” (zona e Patos-Marinëz), “Stream Oil&Gas” (në 4 vendburime, Hekal, Cakran, Kocul, Delvin&eumlsmiley, Albpetrol (pjesëza të vendburimeve).
- “Përpunimi i naftës” brenda territorit të Shqipërisë praktikisht është monopol, i mbetur i tillë për shkak të një procesi privatizimi, që më tepër rezultoi “transferim monopoli” nga qeveria te privati, kompania AMRA OIL.
- “Depozitimi i naftës” rezulton përgjithësisht një shërbim i liberalizuar, megjithëse ekzistojnë dyshime të arsyeshme se një marrëveshje në fuqi, mes qeverisë dhe kompanisë Petrolifera italo-albanese, i jep kësaj kompanie fuqi ekskluzive në zonën e jugut të vendit, pjesën detare, për shkarkimin, depozitimin, transportin e naftës, duke shfrytëzuar impiantin e ngritur në Vlorë.
- “Tregtimi i naftës” rezulton një aktivitet i liberalizuar, por nën dyshime të herëpashershme për ekzistencën në treg të “marrëveshjeve të ndaluara” mes operatorëve, operacioneve tregtare të “përqendrimit, krijimit dhe përdorimit të pozitës dominuese” në treg, operacione të ardhura si pasojë e vendimeve antikushtetuese të qeverisë.

* “Kërkimi i naftës” i është dhënë si aktivitet koncesionar 3 kompanive, të tria kompani shumë të vogla, të cilat, për shkak të vendimmarrjes korruptive të qeverisë, kanë mundur konkurrencën e kompanive të përbotshme që kanë operuar në Shqipëri më herët.
** Kompania DWM Petroleum AG, e cila ka marrë nën aktivitet 80% të territorit tokësor të vendit, nuk është kompani e mirëfilltë kërkimi, pa potenciale financiare dhe kapacitete profesionale. Ajo është një kompani promocionale e krijuar vetëm në vitin 2005. Në janar të 2009, kompania kishte shpallur në shitje shumicën e aksioneve të saj në projektet shqiptare. Pavarësisht nga ky fakt, qeveria, 3 muaj më parë i miratoi dy marrëveshje të tjera për “kërkim nafte” në blloqet 2, 3 të zonës naftëmbajtëse. Shitja e lajmëruar në janar të këtij viti e kontratave me qeverinë shqiptare u realizua vetëm 8 ditë më parë. Fakt është se kjo kompani po mban të bllokuara të gjitha investimet në kërkim në tokë.
*** Në “Prodhim” kompania Albpetrol po humb tërësisht tregun, aq sa tani prodhon vetëm 20% të prodhimit vendas. “Bankers” dominon prodhimin vendas me gati 70%, duke shfrytëzuar barbarisht me investime minimale vetëm njërin burim.
**** “Stream Oil”, kompani e krijuar vetëm në 2006-ten, ka fituar nga qeveria një marrëveshje për të shfrytëzuar 4 vendburimet më të mira në Shqipëri. Investimet e parapara në kontratë për zhvillimin e vendburimeve nuk janë kryer dhe gjithë aktiviteti është përqendruar në shfrytëzimin barbar të vendburimeve. “Stream” është një kompani e Familjes së deputetes Albana Vokshi, e cila kontratat me qeverinë i ka marrë gjatë kohës kur zonja Vokshi kryente detyrën e këshilltares së kryeministrit Berisha.
***** Në “Përpunim”, operacioni i privatizimit të ARMO-s është dyshuar si operacioni më i madh korruptiv i qeverisë, që transferoi një monopol shtetëror tek një kompani private, kliente e qeverisë. Ky operacion tregtar është ende nën hetim. Periudha pas privatizimit ka treguar se ky proces nuk ka ndikuar fare në zhvillimin e industrisë përpunuese në vend; ARMO ka përpunuar në 2009 më pak se në 2008. Treguesit ekonomiko-financiar të saj janë përkeqësuar. Për këtë shkak, kompania “Bankers” ka lajmëruar se të gjithë prodhimin për vitin 2010 do ta eksportojë, ndërkohë që tani ka ndërprerë furnizimin me naftë bruto për ARMO.
****** Për herë të parë që nga viti 1920, Shqipëria në vitin 2010 do të varet në masën 90% nga importi i nënprodukteve të naftës. Ky element natyrisht që përbën alarm për elementët e sigurisë kombëtare.
******* Në “Tregtim”, privatizimi i ARMO-s i ka dhënë praktikisht monopolin blerësit Rezart Taçi në tregun e nënprodukteve të naftës dhe produkteve solar, mazut, koks, bitum i lëngshëm, holluesi, virxhina.
******** Vendimi i qeverise me nr. 1110, dt. 30.07.2008 “Për cilësinë e lëndës djegëse të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto vendase”, blerësit të ARMO, ju dha edhe monopoli i tregtimit të naftës D2. Ky vendim është shpallur si antikushtetues, por qeveria refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
********* Privatizimi i ARMO-s, si dhe “përqendrimi” i ndodhur përmes blerjes së aksioneve pak para nënshkrimit të kontratës së privatizimit të ARMO, mes Rezart Taçit dhe dy kompanive përbërëse të konsorciumit, ka forcuar shumë “pozitën dominuese”, me dyshimin e madh për keqpërdorimin e saj.
********** Për t’u mbrojtur në të tilla kushte, kompanitë e tjera tregtare të naftës janë hetuar dhe gjykuar në “marrëveshje të ndaluara” për fiksimin e çmimeve të tregtimit të produkteve të tyre.
*********** Kjo situatë, thuajse totalisht në kushtet e mungesës së konkurrencës, ka bllokuar investimet në kërkim, në prodhim, në përpunim; ka sjellë në treg cilësi të ulët të naftës së tregtuar, çmim vazhdimisht të lartë për të gjithë konsumatorët.

Tregu i telefonisë

Xhiro vjetore, mbi 492.3 milionë euro.
Në telefoninë fikse 1 kompani: Albtelekom-51.5 milionë euro.
Në telefoninë e lëvizshme 3 kompani: AMC- 206.4 milionë euro, Vodafone- 218.8 milionë euro, Eagle-nuk ka të dhëna.
Në tregtim kartash të telefonisë lëvizëse 1 kompani: INTERCOM-15.4 milionë euro.

- “Tregu i telefonisë fikse” praktikisht është në kushtet e një monopoli. Kompania Albtelekom sh. a., është operatori i vetëm i rrjetit publik fiks, me licencë të Klasës I.
- Procesi i privatizimit të Albtelekom sh. a, praktikisht rezultoi në një transferim të monopolit të qeverisë në një kompani private, Çalik.
- “Tregu i telefonisë së lëvizshme” praktikisht rezulton i liberalizuar. Në të janë në operim 3 kompani celulare, AMC, Vodafone Albania, EAGLE Mobile.
- AKEP ka dhënë licencën për operatorin e katërt celular GSM, “ MOBIL 4 AL”, me të drejtën për të përdorur për 15 vite brezin e frekuencave E-GSM dhe GSM 1800

* “Tregu i telefonisë fikse” vazhdon të mbetet monopol i Albtelekom. Një sërë operatorësh alternativë, kryesisht ruralë, nuk kanë arritur as nivelet më minimale të trafikut në këtë treg, duke mos cenuar asnjë çast monopolin e Albtelekom.
** Albtelekom është vënë nën hetim nga autoritet e konkurrencës për abuzim me “pozitën dominuese” në raport me operatorët alternativë dhe disa marrëveshje detyruese, diskriminuese, veçanërisht për sa i përket marrëveshjeve të interkoneksionit me ta.
*** “Tregu i telefonisë së lëvizshme” mbetet ende shumë i përqendruar, me gjithë hyrjen në treg të konkurrentit të tretë. Pjesët e ngjashme të tregut të AMC dhe VODAFONE AL në vit, janë tregues të qartë të simetrisë midis operatorëve dhe stimujve për të koordinuar veprimet mes tyre.
**** Pavarësisht hyrjes në treg të kompanisë së tretë, nuk ka pasur asnjë ndikim në të ardhurat dhe fitimet e AMC e VODAFONE për vitin 2008. Është e provuar se të ardhurat e dy operatorëve janë rritur ndjeshëm e po kaq ndjeshëm është rritur edhe fitimi neto i tyre: për AMC me 54%, për VODAFONE me 77%.
***** Normat e larta dhe të qëndrueshme të fitimit të dy kompanive, janë dëshmi e konkurrencës së ulët në këtë treg, si dhe të ekzistencës së stimujve për koordinim midis këtyre dy kompanive.
****** “Në tregun e telefonisë së lëvizshme” ka ende pengesa për hyrjen në treg të operatorëve të rinj, megjithëse pengesa ligjore nuk ka për ofruesit e pavarur të shërbimeve celulare me pakicë apo MVNO, aktualisht nuk ka asnjë hyrje në treg.
******* Procedura, në shkelje të plotë të ligjeve në fuqi, për shitjen nga qeveria, pas një gare të dështuar, me ligj te Kuvendit, të licencës së katërt celulare, po rezulton një dështim. Procedura e korruptuar, praktikisht caktoi përfituesit e licencës pa garë, kompani pa asnjë përvojë në fushën e operimit, pa kapacitete profesionale dhe pa mjetet e nevojshme financiare për të ngritur një rrjet të tille, por të njohur gjerësisht si klientë të Familjes që na qeveris, klani më i afërt me të, ekonomiko-financiar e mediatik. Në janar përfundon afati kontraktual i ngritjes së rrjetit të operatorit të katërt celular, ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë të dhënë të besueshme që ky rrjet të jetë ngritur. Procedura e korruptuar e shitjes së licencës po rezulton në bllokim të investimeve në këtë treg.
********* Kjo situatë në “tregun e telefonisë”, monopol në telefoninë fikse, me treg thellësisht të përqendruar, jo konkurrues e në dyshim të “marrëveshjeve të ndaluara” mes dy operatorëve të “telefonisë së lëvizshme”, me bllokim të investimeve të reja përmes një procedure klienteliste e të korruptuar në dhënien e licencës së 4 celulare, po sjell shërbim të kufizuar e në mënyrë të qëndrueshme të shtrenjtë, për konsumatoret, si dhe përfitime marramendëse të rritura jashtë çdo logjike normale tregu për operatorët në këtë treg.

Tregu i punëve publike

Xhiro vjetore për vitin 2008 - 768 milionë euro, vitin 2009 - 754 milionë euro.
Kompania Bechtel&Enka-321.8 milionë euro. Asnjë nga kompanitë e tjera nuk ka deklaruar në tatime xhiro mbi 15 milionë euro.
Në segmentin e “punëve publike me financim të huaj”, ka vetëm dy kompani që po punojnë: SCT, ALPINE.
Në segmentin e “punëve publike me financim të brendshëm: GENER2, ACMAR, SALILLARI etj.

- “Tregu i punëve publike” financohet totalisht nga buxheti i shtetit. Financimi ndahet në “financim i brendshëm” dhe “financim i huaj”.
- Financimi i “punëve publike” për vitin 2008 arriti në 8.6% të GDP, për vitin 2009 arriti në 8.4% të GDP.
- Si rregull, qeveria i shpërndan punët publike përmes procedurave të prokurimit publik.
- Përpjekjet e qeverisë për t’i bërë këto procedura sa më shumë transparente dhe konkurruese, kanë dështuar.

* Gjatë tre viteve të fundit, qeveria ka përqendruar financimin e “Tregut të punëve publike” kryesisht në infrastrukturën rrugore.
** “Infrastruktura rrugore” ka marrë gjatë këtyre 3 viteve 70-75% të financimeve të buxhetit për “Punët publike”.
*** Në 3 vite, qeveria ka krijuar një “përqendrim” të madh të këtij tregu.
**** Financimi i ndërtimit të përshpejtuar të segmentit Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morinë, ka marrë në tre vite 75-80% të parave të financimit të punëve publike në “infrastrukturën rrugore”. Vetëm për vitin 2009, financimi për këtë segment arriti në 3.4% të GDP, më i madh se sa financimi i gjithë sektorit të shëndetësisë.
***** Kontraktimi pa garë nga ana e qeverisë së kompanisë Bechtel&Enka për ndërtimin e segmentit më të kushtueshëm Rrëshen-Kalimash, ka realizuar një “përqendrim” të fortë të tregut të “punëve publike”. Kjo ka bërë që kompania Bechtel&Enka, për 2 vite rresht, të jetë kompania e listuar me xhiron vjetore më të madhe në vend.
****** Dështimi i qeverisë dhe enteve të saj për të organizuar procedura konkurrimi transparente dhe ligjore, për të kontraktuar punët publike, i ka kthyer këto procedura në formale, klienteliste, duke zhdukur konkurrueshmërinë në treg.
******* Në të dy segmentet e financimit të “tregut të punëve publike”, për shkak të procedurave të korruptuara, klienteliste e aspak konkurruese, është krijuar një listë prej 7-8 kompanish që kontrollojnë totalisht këtë treg, duke marrë thuajse 85% të kontratave qeveritare. Në 6 mujorin e parë të këtij viti, ka dyshime të arsyeshme mbi një sërë vendimesh korruptive të qeverisë për ta tkurrur “përqendrimin” e tregut në dy kompani të vetme, të dyja kliente të njohura gjerësisht të FAMILJES që na qeveris.
******** Qeveria ka marrë një sërë vendimesh administrative, kufizuese (siç është vendimi për kufirin e realizimit të kontratave ekzistuese, si kusht për të garuar për kontrata të reja apo, vendimet për shtyrjen në kohë të pagesave për punë të kryera nga kompanitë ndërtuese jashtë klientelës qeveritare) por garantuese të “përqendrimit” të krijuar në treg.
********* Ekzistojnë të faktuara tashmë dyshimet për ekzistencën e një tregu sekondar të shitjes së kontratave të qeverisë, atyre të fituara pa gara konkurruese e transparente, nga klientët e qeverisë tek nënkontraktorë të ndryshëm.
********** Ekzistojnë gjithashtu të faktuara dyshimet për “marrëveshje të ndaluara”, mes kompanive pjesëmarrëse në garat për kontratat qeveritare, për të fiksuar paraprakisht çmimet dhe ndarjen me marrëveshje mes tyre, të këtyre kontratave.
*********** Kjo situatë ka bërë që në treg të “përqendrohet” në kompani pa kapacitete teknike, profesionale e financiare, por thjesht komisionare apo tregtuese të kontratave qeveritare; qindra kantiere të mbeten të bllokuara; kostoja e ndërtimit për një km të rritet nga 35-200%, referuar raporteve audituese të ministrisë së Financave; pamundësia financiare e qeverisë për të paguar ritmikisht detyrimet financiare kontraktuale të shtohet; krijimin e një hapësire të madhe dhe mundësie po kaq të gjerë (për shkak të detyrimit verbal, vendosur nga qeveria ndaj ndërtuesve, për të përmbushur kontratat me paratë e tyre) për pastrimin e parave përmes punëve publike.

Tregu i importit të grurit, prodhimit dhe shitjes së miellit për prodhimin e bukës

Xhiro vjetore, mbi 80 milionë euro.

- Në “tregun e importit të grurit” dhe “tregun e prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë” 5 kompani: BLOJA-21.5 milionë euro; ATLAS-18.2 milionë euro, për 3 kompani të tjera, MIELL TIRANA, IAM, GLAN, nuk ka të dhëna të publikuara në listën e kompanive me xhiro mbi 15 milionë euro.
- “Tregu i importit të grurit” është një treg “shumë i përqendruar”, “oligopolistik”, në të cilin, 5 kompani zotërojnë 85.3% të tij.
- “Tregu prodhimit dhe i shitjes së grurit për bukë” është një treg “shumë i përqendruar”, “oligopolistik”, në të cilin 3 kompani zotërojnë 90% të tregut.

* Rezulton e faktuar se 5 kompani të mëdha janë të integruara vertikalisht në “tregun e importit të grurit” dhe “tregun e prodhimit e shitjes së miellit”. Si rregull, integrimi vertikal çon në uljen e kostove, rritjen e eficiencës ekonomike e për pasojë në uljen e çmimeve.
** Rezulton e provuar nga analiza në treg se, çmimet e shitjes së miellit nga këto ndërmarrje janë të larta.
*** Eficienca e përdorimit të burimeve ekonomike, integrimit të ndërmarrjeve, ka sjellë përfitime thjesht për kompanitë dhe ka ngritur barriera për hyrje të reja konkurruese në treg.
**** Rezulton e provuar ekzistenca e një “marrëveshje të ndaluar”, për fiksimin e çmimeve mes dy kompanive, të cilat zotërojnë mbi 50% të tregut, e cila ka sjellë rritje të çmimeve dhe mbajtje të tyre në nivele të larta.
***** Në njërën prej këtyre kompanive, qeveria përmes Ministrisë së Ekonomisë, është bashkaksionare.
****** Kjo situatë ka bërë që tregu oligopolistik të garantojë përfitime maksimale, abuzive për kompanitë në treg, si dhe çmime të larta, cilësi shpesh të ulët të produkteve për konsumatorët.

Tregu i duhanit

Xhiro vjetore, mbi 150 milionë euro (shifra e referuar i takon deklarimeve në organet tatimore)

- Në treg ka 5 kompani: PRIMALL-45.8 milionë euro, PHILIP MORRIS-43.4 milionë euro, INTER.DISTRIB.SERVICES-23.4 milionë euro, TOBAÇO HOLDINGS-16.3 milionë euro, BRITISH AMER.TOBACCO-15.3 milionë euro.
- “Tregu i duhanit” ka qenë dhe është tregu më informal në vend.
- Pjesa formale e këtij tregu përbëhet nga 5 kompani, të cilat kanë deklaruar në organet tatimore nga 15-45 milionë euro si xhiro vjetore.
- Në referencë vetëm të pjesës formale, tregu është tejet “i përqendruar”, me karakteristikat e një tregu “oligopolistik”.

* Rezulton tërësisht e provuar se “tregu i duhanit” është shumë më i madh se sa përmasa e perceptuar e tij, nisur nga xhirot vjetore të deklaruara në organet tatimore.
** Konsumi shumë i madh i duhanit në vend, vjen në rritje, duke përmbushur kërkesat e konsumatorëve dhe rritur tregun. Për shkak të ndarjes së tij mes kompanive, sjell si pasojë edhe rritjen e përqendrimit në të.
*** Paralel me tregun formal, konkurrues më të për shkak të shmangies së detyrimeve fiskale, ekziston i faktuar “tregu informal i duhanit”. Qeveria ka dështuar në vënien nën kontroll dhe eliminimin e këtij tregu. Organet e fiskut janë përfshirë në xhiron kriminale të këtij tregu dhe barrierat doganore e kufitare ekstra doganore, nuk ekzistojnë.
**** Është paradoksale, por 12 doganierë të Doganës së Tiranës, doganës ku faktohet edhe evazioni më i lartë, figurojnë financuesit më të mëdhenj të fushatës elektorale të partisë që qeveris vendin, partia e kryeministrit Berisha.
***** Kjo situatë ka bërë që tregu të jetë nga shumë informal, kriminal deri shumë “i përqendruar” tek pjesa formale e tij; i përmbytur nga evazioni fiskal; cilësia e ulët e produktit dhe çmime krejt të paqëndrueshme.

Tregu i çimentos

Xhiro vjetore, mbi 110 milionë euro
- Në treg ka 3 kompani të mëdha: FUSHË-KRUJË ÇEMENT-55.2 milionë euro, ANTEA ÇEMENT-28.1 milionë euro, EUROTECH-23.3 milionë euro.

- “Tregu i çimentos” është një treg tejet “i përqendruar”, me karakteristikat e dukshme të një tregu “oligopolistik”.
- Në treg operojnë 3 kompani të mëdha, që zotërojnë mbi 80% të “tregut të çimentos”.
- Vetëm njëra prej kompanive që pak vite më parë, përmes privatizimit, mori në zotërim një monopol shtetëror në vend, sot zotëron më shumë se 50% të “tregut të çimentos”.

* Qeveria është përpjekur gjatë dy viteve të fundit të mundësojë futjen e operatorëve të rinj në “tregun e çimentos”, me synim rritjen e konkurrueshmërisë në këtë treg.
** Qeveria e ka ndërmarrë këtë përpjekje, duke përdorur atributet e saj ligjore, kryesisht përmes praktikës së koncesioneve.
*** Si dhe në tregjet e energjisë elektrike e hidrokarbureve, qeveria ka shmangur tërësisht procedurat konkurruese në këto praktika koncesionare. Përmes një praktike bonusesh -në rastin më të mirë-qeveria ka paracaktuar përfituesit e lejeve koncesionare. Përmes tij, qeveria ka mundur të krijojë një listë të shkurtër klientësh si përfituesit kyç nga praktika e saj.
**** Rezulton e provuar se midis përfituesve gjenden kompani e individë të afërt me Familjen që na qeveris, ende pa kapacitete teknike, profesionale, financiare, për të marrë përsipër investime të tilla, që në dokumente parlamentare arrijnë deri në mbi 350 milionë euro. Njëra prej kompanive përfituese është GENER2, tek asetet e së cilës Familja që na qeveris banon.
***** Rezulton e provuar gjithashtu në formim, një treg sekondar i tregtimit kriminal të akteve të qeverisë por edhe i kuotave të ndotjes që kjo industri e licencuar tashmë, ofron për teknologjitë më të vjetruara që po largohen nga pjesa tjetër e Evropës që i nënshtrohet rregullave kolektive të BE

Tregu i transportit ajror

Xhiro vjetore, mbi 65 milionë euro.
- Në treg operojnë 12 kompani: BELLE AIR- 26.2 milionë euro, për kompanitë e tjera, ALITALIA, AUSTRIAN AIRLINES, LUFTHANSA, TURKISH AIRLINES, MALEV, BRITISH AIRËAYS etj nuk ka të dhëna në tatime në listën e subjekteve me xhiro vjetore mbi 15 milionë euro.

- “Tregu i transportit ajror” është një treg i liberalizuar
- Në këtë treg operojnë mbi 12 kompani ajrore, të cilat operojnë kryesisht në distanca të shkurtra. Këto 12 kompani mbuluan për vitin 2008 rreth 19200 fluturime me mbi 1300000 pasagjerë
- Struktura e tregut në vitin 2008 rezulton e tillë, ku një kompani zotëron tashmë mbi 37% të “tregut të transportit ajror” duke pasur një “pozitë dominuese”.

* “Tregu i transportit ajror” është tregu tipik që dëshmon për kapjen, përmes ndërhyrjes dhe vendimeve qeveritare.
** Kompania që sot ka “pozitë dominuese” në treg duke zotëruar gati 40% të tij, lindi nga përpjekja e dokumentuar e qeverisë, në shkatërrim të një kompanie tjetër shqiptare dhe marrjen e biznesit prej saj.
*** 3 vite pas kësaj ndërhyrje kriminale qeveritare, kompania e stimuluar nga qeveria ka fituar “pozitën dominuese” në treg duke mundur në mënyrë të pabesueshme konkurrencën e kompanive të përbotshme si ALITALIA, AUSTRIAN AIRLINES, LUFTHANSA, TURKISH AIRLINES, MALEV, BRITISH AIRWAYS etj
**** Kjo ka bërë që konsumatorët shqiptarë të marrin gjithnjë e më tepër një shërbim të limituar në cilësi, korrektësi, siguri, ndërkohë që kompania e stimuluar nga qeveria të sigurojë fitime të pa krahasueshme me dy vite më parë.

Tregu i shërbimit të automjeteve

Xhiro vjetore, mbi 18 milionë euro

- “Tregu i shërbimit të automjeteve” është një treg monopol. Prej disa muaj, qeveria ka zgjedhur të operojë vetëm një kompani e huaj.
- Kjo kompani fitoi të drejtën e operimit në këtë treg, vetëm këtë vit, pas një praktike koncesionare të ndërmarrë nga qeveria, Ministria e Transportit.

* Praktika koncesionare e aplikuar nga qeveria, realizoi thjesht transferimin e një monopoli shtetëror, materializuar përmes Drejtorisë së Shërbimit të Automjeteve, si monopol te një kompani private.
** Procedura qeveritare u provua si një praktikë tërësisht jo transparente, e korruptuar, me fitues të paravendosur dhe e atakuar publikisht nga pjesëmarrësit e tjerë të diskriminuar në garë.
*** Kjo ka bërë që “tregu i shërbimit të automjeteve”, të mbetet një treg monopol, me shërbime tejet të limituara, pjesërisht formale, të shtrenjta e në shumë raste të korruptuara.

Tregu i nxjerrjes dhe eksportit të kromit

Xhiro vjetore, mbi 32 milionë euro

- “Tregu i nxjerrjes dhe eksportit të kromit” faktikisht është një treg monopol në Shqipëri
-Pavarësisht se në këtë treg është lejuar e licencuar një numër i madh operatorësh privatë, përsëri një kompani, Albania Crome, zotëron mbi 85% të këtij tregu.
- Kompania me pozitën monopol në treg, e fitoi këtë pozitë pas një sërë operacionesh tregtare që kanë në origjinë një praktikë koncesionare të viteve më parë, të ndërmarrë nga qeveria e periudhës, që transferoi një monopol shtetëror te një kompani private.

* Tregu i kromit” u rikthye në qendër të interesit të biznesit, për shkak të rritjes së qëndrueshme të çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare
** I lidhur ngushtë me konjukturën tregtare ndërkombëtare, si dhe për shkak të një koncesioni, me kushte monopoli të dështuar, ky treg ka mbetur tërësisht i pazhvilluar dhe me kapacitete tejet të limituara.
*** Kjo ka bërë qe ky treg të jetë shumë i prapambetur, me kushte biznesi skandaloze, ngjarje tragjike e kriminale, përfitime marramendëse për kompaninë me “pozitën dominuese” në këtë treg.

Tregu i ilaçeve të rimbursueshme

Xhiro vjetore, mbi 40 milionë euro

- “Tregu i ilaçeve të rimbursueshme” është një treg nën juridiksionin dhe i financuar kryesisht nga buxheti i shtetit përmes ISKSH.
- Tregu rregullohet përmes kontratave që ISKSH lidh për kryerjen e këtij shërbimi me farmacitë, agjencitë farmaceutike.

* Tregu i ilaçeve të rimbursueshme” mbetet një treg i kufizuar. Numri i operatorëve farmaceutike në të përcaktohet ekskluzivisht nga kontratat e kufizuara të ISKSH
** Tregu i ilaçeve të rimbursueshme”, për vitin 2009, rezulton edhe më i kufizuar për shkak të një vendimi të fundvitit që shkoi, sipas të cilit, farmacive u lejohet të tregtojnë ilaçe me rimbursim deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve plus 2%.
*** Ky kufizim, për shkak të një vendimi administrativ, kufizon zgjedhjen e konsumatorëve, pasi, në rastet kur farmacia plotëson limitin e vënë, ajo automatikisht ndërpret shërbimin e tregtimit të ilaçeve me rimbursim për qytetarët.

Tregu i pullave fiskale

Xhiro vjetore, mbi 130 milionë euro

- “Tregu i pullave fiskale” është një treg monopol, aktualisht shtetëror, me një vlerë të rëndësishme që arrin deri në 40% të vlerës së gjithë “Akcizës” në buxhet
- Ligji “Për akcizat”, neni 24.4, sanksionon se “emetimi i pullave fiskale është monopol shtetëror”

* Qeveria në mënyrë haptazi të paligjshme ka ndërmarrë veprime administrative që synojnë kalimin e këtij monopoli shtetëror në një kompani private.
** Qeveria ka hapur një procedure konkurruese për të përzgjedhur kompaninë të cilës do t’i japë me koncesion monopolin e emetimit të pullave fiskale
*** Qeveria ka identifikuar një kompani përmes procedurës “Propozimi pa kërkuar”, tejet e pa njohur, e nisur në Zvicër e me aktivitet në Turqi, mbetur e vetme, pasi qeveria ka larguar çdo konkurrues kur i ka dhënë kësaj kompanie një bonus pikësh.
**** Qeveria po përpiqet të zgjerojë tregun e pullave fiskale, brenda këtij koncesioni, duke i dhënë të drejtën edhe të emetimit të pullave fiskale të barnave.
**** Duhet thënë se vetëm dy shtete janë ato që ofrojnë përvojën e emetimit të pullave fiskale nga kompani private, Turqia dhe Kanadaja.

11 Komente

O merooooooooooooooo

Na thuaj njehere ne se ato qe ke botuar per Edi Ramen jane te verteta apo jo e pastaj merru me te tjeret.

Nuk te besojme po nuk na e the kete gje

 

panoramike interesante. gjitha keto monopole per kater vjet. imagjino dhe 4 vjet te tjera. ai nano ishte nur para ketyre ujqerve persa i perket monopoleve. Kane te drejte qe merren me dashin kur ujku ben kerdine.

Informacion i mire. Kemi dhe disa numra.

Nuk e kuptoj politizimin e siperm, ne disa industrira monopolizimi eshte i lehte dhe i natyrshem. Nuk do kesh 30 kompani celulare.

Ketu peshqit perpeliten se jane pa Uje dhe e duan pak nga pak . Jo tu hedhesh gjyma me uje MIXHIZMI...do mbyten ose do ngordhinsmiley

Me seriozitet kjo prurje do ishte shume interesante te vinte pjese -pjese per te dale e qarte se kush eshte "familja e vertete e DON-ve" ne Shqiperi.

Keshtu si ka ardhur eshte e "rende" per luspat e demokratikasve  se nuk jane mesuar me ujra te ndotur Mixhiste qe i permbytin si Lumi Drin smiley

**** Është paradoksale, por 12 doganierë të Doganës së Tiranës, doganës ku faktohet edhe evazioni më i lartë, figurojnë financuesit më të mëdhenj të fushatës elektorale të partisë që qeveris vendin, partia e kryeministrit Berisha "

Vetem kaq ishte e mjaftueshme per te gjithe palluqat debatikas te Partise Demokratikase qe kane dyshim mbi Don Vucidol Berishen.

**** Është paradoksale, por 12 doganierë të Doganës së Tiranës, doganës ku faktohet edhe evazioni më i lartë, figurojnë financuesit më të mëdhenj të fushatës elektorale të partisë që qeveris vendin, partia e kryeministrit Berisha "

**** Është paradoksale, por 5 ndertuesit me te medhej te pallateve në Tiranë, bashkia ku faktohet edhe perqendrimi më i lartë ne pak duar i lejeve te ndertimit, figurojnë financuesit më të mëdhenj të fushatës elektorale të partisë që ka per kryetar po ate te bashkise Tirane , partia e kryetarit Rama "

Vetem kaq ishte e mjaftueshme per te gjithe palluqat debatikas te Partise Socialiste qe kane dyshim mbi Don Ramen.

Kemi perballe 2 grupe rivale te tipt mafioz, njeri qe influencon mbi Tiranen dhe tjetri qe ka nen kontroll gjithe teritorin e shqiperise (perfshi edhe ate detar). Njeri grup eshte beqar dhe tjetri me Familje. Si thua ti o tirona moderne e sotme (se ajo e vjetra dhe tradicionale jom vete) kush mafie eshte me e forte? Une them Familja, pasi edhe Mafja origjinale familjen ka ne themel te egzistences se saj dhjetra vjecare. 

tirona, je komplet gabim. Doganieret jane punonjes te shtetit dhe mbledhin para per shtetin, shkurt jane rrogtare. Ndertuesit jane biznesmene te ligjshem qe bejne para per vete dhe lobojne per ke ti doje qejfi. Edhe ne Amerike shume biznese lobojne (ne prapaskene) per cilendo parti qe preferojne ne varesi te interesave te veta, por po te bente vaki nje doganier te mblidhte para per vete apo ndonje parti, sigurisht do kalonte nje pjese te mire te jetes ne burg.

Perpiqu ta kuptosh diferencen.

mire mire po ky muhabeti i ndarjes se tregjeve ka kaluar kufirin , per ate Don Ramen nuk di gjo (jo se e mbroj )po ky cuni i kryeministrit po na ka zon dhe ketu ne skandinavi tregje !

Se morr vesh  mer plak se nuk ka nte ngopur burri merr jahu.

Mero .Ke harruar vetem nje treg pa permendur.

Tregun e shpifjes..............

Ne se ka nje njeri qe ka fituar miliona ne kete treg je ti o Mero.

Deri dje shpifje per Ramen dhe sot shpif per Berishen.

Sado qe te mundohen,kete treg ti nuk e leshon dhe e ke bere monopolin me te madh ne Shqiperi.

Meron per shpifes e kemi pas njohur, por ndonjehere keta qe kapercejne kamp fillojne e flasin te verteta ose gjysem te verteta, dhe te gjithe e dime qe klanet e biznesit gjithnje synojne ate qe i ka hip kalit. Ne kete rast don Vicidol Berisha

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).