Shënohet viktima e parë në Shqipëri nga AH1N1

Shpëton nga tumori, humbet jetën nga gripi i derrit

Shënohet viktima e parë në Shqipëri nga AH1N1. Vuante nga disa sëmundje, goditjen e fundit ia dha virusi

Në një kohë kur flitet për një krizë ekonomiko-politike, ajo që qytetarët shqiptarë u munduan të mendojnë larg vendit, ishte "flama" e gripit të derrit. Të paktën rreziku dukej larg, deri sa asnjë pacient brenda territorit të vendit nuk kishte gjetur vdekjen për shkak të virusit AH1N1. Një pacient 57-vjeçar, i cili vuante nga disa sëmundje, por i kishte bërë ballë edhe tumorit beninj në prostatë, gjen vdekjen si pasojë e prekjes nga gripi i derrit. Lajmi është konfirmuar menjëherë nga Ministria e Shëndetësisë. Bashkë me këtë njoftim "gri", përfaqësuesit e ministrisë kanë bërë publike një "paketë" këshillash për të gjithë qytetarët dhe mbi të gjitha kanë renditur kategoritë më të predispozuara për t‘u prekur nga gripi, por njëkohësisht për të pasur edhe më shumë komplikacione. "Evitoni ambientet me shumë persona", "të kenë kujdes të veçantë të gjithë pacientët kronikë, kryesisht ata që vuajnë nga zemra, tumoret, mushkëritë, apo edhe nga gripi i zakonshëm". Këto janë këshillat e fundit që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, autoriteti më i lartë i kujdesit për popullatën, menjëherë pas vdekjes së shqiptarit të parë brenda vendit, për shkak të AH1N1.

Pacienti

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje pasdite se një pacient me origjinë nga Sukthi, me moshë 57 vjeç, ndërroi jetë pas një infeksioni me virusin AH1N1. Pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive i spitalit të Durrësit dhe i hospitalizuar në spitalin universitar të sëmundjeve pulmonare "Shefqet Ndroqi", vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës, si dhe kishte kaluar edhe infarkt miokardi të një forme të agravuar. Diagnoza e infeksionit me AH1N1 u konfirmua brenda ditës pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Këshillat

"Duke sjellë në vëmendjen e publikut edhe situatën epidemiologjike të vendeve fqinje dhe vendeve të Europës, të cilët aktualisht kanë konfirmuar një numër të caktuar vdekjesh, ne konfirmojmë përfshirjen e vendit tonë në listën pozitive të vendeve me vdekje nga AH1N1, duke sjellë në vëmendjen tuaj dhe të publikut se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik AH1N1 është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore", tha drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Nën këtë këndvështrim, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjitha grupet e popullatës, të konsideruara si grupe risku nga OBSH-ja dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialistët në çdo rast që kanë shenjat klinike qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë. Nuk duhet të anashkalohet asnjë shenjë e virozës së stinës, e gripit të zakonshëm apo simptomat e ngjashme me ato të gripit të derrit AH1N1", ka përfunduar Piepro.

Gjysma e të sëmurëve me grip derri, pjesa tjetër me virozë të zakonshme. Asnjë rast me komplikacion

Në infektiv, çdo ditë 60 pacientë me infeksione

Çdo ditë, në shërbimin e infektivit paraqiten rreth 60 persona të prekur me gripin e zakonshëm, por edhe nga virusi AH1N1. Sipas statistikave të këtij shërbimi, të sëmurët e infektuar nga viruset në qarkullim ndahen 50 me 50. Sipas shefit të këtij shërbimi, Dhimitër Kraja, pacientët trajtohen ekzaminohen dhe rastet më të veçanta qëndrojnë për trajtim më të specializuar. Ndërkohë që deri tani ky shërbim ka pritur raste me komplikacione, por asnjë pacient nuk ndodhet në rrezik për jetën. Dje, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" është inauguruar pavijoni i reanimacionit në shërbimin e infektivit. Rikonstruksioni i këtyre ambienteve është financuar nga projekti i kontrollit të gripit të shpendëve dhe përgatitjes për parandalimin e pandemisë humane, me vlerën totale 600 mijë USD, si dhe nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore për qeverinë shqiptare. Në pavijonin e ri të specializuar, të gjitha ambientet janë të rinovuara, duke përfshirë edhe vendosjen e aparaturave të reja apo trajnimin e stafit mjekësor. Çdo boks individual është pajisur me shtrat reanimacioni, respirator, monitor, aparat inhalacioni, aspirator portativ, shiringë elektrike dhe perfuzor. Gjithashtu, për të gjithë reanimacionin janë instaluar pajisjet e hemogazanalizatorit, aparat rontgeni i lëvizshëm, fibrobronkoskop, defibrilator, laringoskop, panel reanimacioni.

Shërbimi i infektivit në qendrën "Nënë Tereza" është ndër më të angazhuarit, duke pritur çdo ditë jo vetëm rastet nga kryeqyteti, por nga i gjithë vendi. Në këtë shërbim merren çdo ditë mostra ekzaminimi të pacientëve që dyshohen se janë të prekur nga gripi i derrit.

1 Komente

Mire o mire keto jane vetem te dhenat zyrtare te nje shteti pa shtet dhe pa administrate. Por une ju them se gripi i derrit eshte tash,e midis nesh dhe po perhapet me shpejtesi, pasi dhe koha (temperatura, lageshtia) e favorizon. Prandaj i keshilloj te gjithe bashkeatdhetaret qe jane ne Shqiperi te shmangin/evtitojne sa te jete e mundur kontaktet e aferta me njerzit, udhetimet me autobuz, kinemate, klubet me dendesi te madhe, si dhe mitingjet popullore. Keto te fundit perbejne nje rezikshmeri me te madhe, pasi njerzit nga emocionet shperthejne ne thirrje dhe brohoritje duke ndjerre nga goja peshtyme, e cila mund te infektoje me virus te tjeret perreth. Edhe maskave qe shiten neper farmaci mos ju besoni, se nuk jane per tu mbrojtur nga marrja e virusit. Ato jane stoqe te ngelura per tjeter pune.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).