Shantazh biznesmenëve në Vlorë, kapen gjobëvënësit

Dy persona me precedentë penalë u arrestuan dje në Vlorë pasi kërcënonin tre biznesmenë ndërtimi në këtë qytet duke u kërkuar 20 mijë euro me dhunë. Nikollaq Taullaraj, 26 vjeç dhe Ardit Alushaj, 20 vjeç, kanë rënë në prangat e policisë dje, në kohën kur kishin lënë takimin për të marrë në dorëzim paratë që kërkonin prej një javë duke kërcënuar me jetë tre biznesmenë ndërtimi. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi mbrëmë se dy personat u kapën gjatë aksionit të koduar me emrin "Target". I arrestuari i parë, Nikollaq Taullaraj, lindur në Vlorë e banues në Tiranë, ishte dënuar më parë për shitje lëndësh narkotike ndërsa i arrestuari tjetër, Ardit Alushaj, lindur e banues në fshatin Armen në Vlorë, nuk kishte precedentë penalë.

Hetimi i gjobëvënies
Ata hetoheshin nga prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë për akuzën e "kanosjes për dhënie pasurie" pasi në datë 21 dhjetor 2009 kanë dërguar mesazhe kërcënuese në adresë të tre biznesmenëve duke u kërkuar atyre të paguanin nga 20 mijë euro secili. Sipas hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se nga data 21 dhjetor 2009 dhe në vazhdim, dy të pandehurit kanë dërguar dhjetëra mesazhe kërcënuese si dhe kanë kryer telefonata në adresë të biznesmenëve duke i kërcënuar me jetë nëse nuk paguanin nga 20 mijë euro secili. Pas këtyre kërcënimeve tre biznesmenët kanë bërë denoncim në policinë e Vlorës ndërsa është hapur dosja në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për akuzën e "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë". Organi i akuzës ka kryer një sërë veprimesh hetimore për të dokumentuar telefonatat dhe mesazhet që dërgonin dy gjobëvënësit ndërsa të ndodhur përballë shantazhit, biznesmenët kishin rënë dakord të dorëzonin dje në mesditë shumat e kërkuara.

Arrestimi
Policia nga ana e saj e vënë në dijeni nga prokuroria për komunikimin mes gjobë-vënësve dhe tre biznesmenëve ka marrë masat që të arrestojë dy autorët e ngjarjes në momentin që ata kishin lënë të takoheshin me të dëmtuarit për të marrë paratë. Dje rreth orës 12:00 shërbimet e policisë, konkretisht disa grupe agjentësh me rroba civile janë vendosur pranë lokalit ku ishte lënë vendtakimi mes gjobëvënësve dhe tre biznesmenëve. Në momentin që njëri nga sipërmarrësit e ndërtimit ka mbërritur aty për të dorëzuar paratë, policia ka ndërhyrë duke vënë në pranga dy gjobëvënësit. Gjatë arrestimit policia u ka bllokuar dy gjobëvënësve dy armë pistoleta, disa municione dhe pesë aparate celulare të ndryshëm që ishin përdorur për të shantazhuar biznesmenët. Menjëherë pas arrestimit, dy të dyshuarit janë transportuar në Tiranë për t'iu nënshtruar hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Tmerri i biznesmenëve
Njëri nga të arrestuarit e djeshëm, pikërisht Nikollaq Taullaraj është emër i njohur për policinë dhe prokurorinë në veprimtarinë kriminale të kërcënimit e gjobëvënies ndaj biznesmenëve. Në tetor 2007 Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka akuzuar të dyshuarin Nikollaq Taullaraj, për gjobëvënie në dëm të një tregtari mishi me iniciale B.V në Tiranë. Për këtë akuzë, Taullaraj është dërguar në gjyq në mesin e muajit tetor 2007, pasi sipas hetimeve të atëhershme i kishte kërkuar 300 milionë lekë gjobë biznesmenit të mishit duke e kërcënuar me jetë. Ngjarja kishte ndodhur në 5 maj 2007 kur biznesmeni i mishit ka marrë një letër kërcënuese në të cilën i kërkoheshin 300 milionë lekë të cilat nëse nuk i paguante rrezikonte jetën. "Nëse nuk dorëzon paratë do të marr peng fëmijët dhe do ti vras", ka qenë ultimatumi i të arrestuarit të djeshëm në Vlorë, dy vite më parë ndaj një tjetër biznesmeni në Tiranë. Në letër i dyshuari kërcënonte tregtarin e mishit duke i thënë të bënte kujdes që të mos lajmëronte policinë pasi jeta e tij dhe e fëmijëve do të rrezikohej seriozisht. Prokuroria e zbuloi këtë rast peng marrje me anë të ekzaminimeve daktiloskopike të letrës së dërguar tregtarit të mishit. Ekspertimi provoi se letra ishte shkruar nga i dyshuari Nikollaq Taullaraj ndërsa edhe gjurmët e gishtave në letër i përkisnin atij.

Të arrestuarit

1. Nikollaq Syrja Taullaraj, 26 vjeç,
i dënuar më parë me tri vjet burg
për "shitje të lëndëve narkotike"

2. Ardit Bashkim Alushaj, 20 vjeç
Provat e sekuestruara
Dy pistoleta
Krehër fishekësh me 14 copë fishekë
Pesë aparate celularë

2 Komente

Dy persona me precedentë penalë ...

Nderkohe me poshte:

...ndërsa i arrestuari tjetër, Ardit Alushaj, lindur e banues në fshatin Armen në Vlorë, nuk kishte precedentë penalë.

po kjo "biznesmene ndertimi" si me thone hidraulik apandesiti

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).