'Rrugë 2009', premtimet e pambajtura

Për vitin 2009, nga ana e qeverisë shqiptare janë planifikuar shumë ndërtime, rikonstruksione, sistemime dhe asfaltime rrugësh të ndryshme në të gjithë vendin, nisur edhe nga qëllimi i shpallur prej saj për përmirësimin e infrastrukturës. Në një kohë që pas tri javësh mbyllet ky vit, nga ana e gazetës "Shekulli" është bërë një "inspektim" lidhur me gjendjen në të cilën ndodhen këto punime: nëse kanë filluar, nëse po vijojnë apo nëse ende asnjë lopatë dhe nuk është hedhur në to. Informacioni i mëposhtëm është mbledhur nën bashkëpunimin e korrespondentëve të gazetës në rrethet e gjithë vendit.

Plepa - Rrogozhinë, premtimi i pambajtur

Ndër rrugët tashmë të njohura pothuajse nga të gjithë shqiptarët që jetojnë në vend, por edhe ato jashtë saj, aksi Plepa - Kavajë - Rrogozhinë vijon të mbetet kryesori. Kjo ka ndodhur akoma më tepër edhe për faktin se megjithëse punimet në të duhet të kishin përfunduar në 6-mujorin e parë të këtij viti, drejtuesit e automjeteve vijojnë të mallkojnë kë të munden, si dhe njëri-tjetrin në momentin që iu duhet të kalojnë në të. Oraret e pikut bëjnë që kalimi i këtij aksi rrugor të bëhet për 3 apo 4-fishin e kohës që do t'iu duhej nëse punimet do të kishin përfunduar. Të ndara në lote të ndryshme, puna nuk vijon njësoj në çdo pjesë. Kështu, në aksin rrugor të Shkëmbit të Kavajës punimet kanë arritur afër përfundimit, pak kilometra më tej ritmi i punës është më i ngadaltë, ndërsa ka sektorë të tjerë ku puna nuk ka filluar ende ose sapo ka filluar, gjë që shuan shpresat për përfundimin e shpejtë të të gjithë aksit rrugor Plepa - Rrogozhinë. Punimet janë shtyrë për muaj me radhë dhe afatet e punimeve nuk janë zbatuar nga firmat që kanë fituar tenderat e këtyre investimeve publike. Zgjerimi i rugës Plepa- Kavajë -Rrogozhinë duhej të kishtë përfunduar rreth 6 muaj më parë dhe pikërisht më datën 30 qershor, por punimet që vazhdojnë ende bllokojnë për orë të tëra trafikun në këtë aks i cili lidh jugun me veriun e vendit. Zgjerimi i segmentit kombëtar ishte parashikuar të përfundonte para sezonit turistik, por ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë projektet ndryshojnë gjatë zbatimit të tyre.
Një investim i madh po kryhet edhe në rrugën Durrës-Porto-Romano, rrugë e cila lidh qytetin jo vetëm me këtë zonë, ku banojnë rreth 30 mijë banorë, por është edhe rruga e varrezave të qytetit. Prej muajit maj, para fushatës elektorale, kanë nisur punimet, të cilat sipas kreut të qeverisë do të mbylleshin në fund të muajit shtator. Tani në këtë rrugë, megjithese po punohet, situata është alarmante, sepse firmat punojnë me pak punëtorë duke bërë që punimet të zvarriten. Në një segment prej 7 kilometrash gjatësi duhen rreth 60 minuta rrugë përmes baltës, pluhurit, gropave, inerteve dhe ujërave që kanë shpërthyer ngado.
E njëjta gjendje është edhe në rrugën që kalon mespërmes Shkozetit. Amortizimi i tejskajshëm i rrugës së vjetër dhe punimet që kanë kohë që kanë filluar dhe që nuk u duket ende fundi, është bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët që jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre në pluhur, por edhe për qarkullimin që bllokohet shpesh, sidomos në ditët me shi. Kjo bën që lagjja e Shkozetit të përmbytet sidomos tek zona e rrethrrotullimit ku kryqëzohet aksi në drejtim të Shijakut me atë të Plepave e Kavajës. Përmbytjet kanë bërë që të shkaktohen mjaft dëmtime të rënda tek automjetet. Persona që punojnë në pika servisi rrëfejnë se në një ditë shiu, 19 automjete kanë mbërritur tek ta për të rregulluar dëmtimet e shkaktuara nga kjo rrugë. Përqark rrethrrotullimit asfalti është dëmtuar rëndë dhe ka një numër gropash të thella, të krijuara pas shirave të fundit. Edhe pse drejtuesit e subjektit që po merret me riparimin e kësaj rruge nuk janë deklaruar për shkaqet e vonesës së përfundimit të punimeve, duket se mungesa e financave ka krijuar këtë situatë. Kjo ka bërë që rrugët e Durrësit të jenë të ngjashme me endjen e pëlhurës së Penelopës, domethënë që përurohen me bujë të madhe, ndërsa nuk arrijnë që të përfundohen asnjëherë në kohë. Ndërsa përsa flitet për sistemim-asfaltimin e segmentit Vorë-Maminas-Rrashbull, duke parë gjendjen kritike ku ajo ndodhet në terren, kjo as besohet të fillojë tani për tani.

Qafë -Thanë -Lin - Pogradec

POGRADEC -Në ditët e para të muajit qershor të këtij viti, kryeministri i vendit dhe ministri i Financave, Ritvan Bode, kanë prerë shiritin e përurimit të punimeve të Lotit të parë të aksit Qafë -Thanë -Lin e gjatë 4,7 km. Kryeministri Berisha do ta quante si rrugën më të bukur të Ballkanit, aksin nga Qafa e Thanës - Lin, e që më pas do të përfundojë në doganën e Tushemishtit. Kjo do të quhej si "autostrada e luleve", e cila do të kalonte përbri liqenit dhe do të kishte ndriçim dhe shumë vepra arti. Por kanë kaluar mbi 6 muaj punime që në kohën e fillimit të saj dhe ritmet kanë qenë me hapin e breshkës. Po t'i hedhësh një sy rrugës nga maja e Qafë -Thanës deri në fshati Lin, që është përcaktuar si Loti i Parë, atje ku preu shiritin kryeministri janë vetëm 1 km rrugë e veshur me çakull, por e paasfaltuar. Më pas, përgjatë rrugës janë hapur disa xhepa të vegjël nëpër kthesa dhe vetëm kaq. Në një kontaktim me inxhinierin e punimeve, Bledi Sharko, ai pranoi të fliste rreth punimeve, ritmeve dhe afateve. Por më pas një telefonatë ndërpreu bisedën. Kontakti me një gazetar të "Shekullit" nënkuptonte mosdhënien të asnjë detaji për volumet e afatet e përfundimit të Lotit të parë dhe fillimit të punimeve për Lotin e dytë. Gjithsesi, nga vëzhgimi i kryer në rrugë, duket se aty nuk është kryer as 20 për qind e punimeve. Madje edhe tenderi për Lotin e dytë nuk është kryer ende!

Elbasan, tri segmente rrugore

Dy segmente rrugore nacionale dhe një segment në Bashkinë Elbasan kanë mbetur pezull dhe firmat kanë ndalur punimet. Nga vëzhgimi i këtyre segmenteve, në aksin Librazhd-Stëblevë punimet kanë vazhduar deri në fshatin Zgosht ku edhe janë ndalur. Ndërkohë, asfaltimi është bërë në segmentin nga Drejtoria Arsimore Librazhd deri te kthesa e Dibrës. Nuk ka një tabelë që njofton afatin përfundimtar të punimeve, ndërsa fondi i miratuar është rreth 50 milionë lekë.
Ndërkohë, segmenti tjetër gjithashtu i financuar me fonde të buxhetit të shtetit Qukës-Qafë-Plloçë është lënë përgjysmë. Rruga është hapur deri në kantierin e firmës në Kakavec. Në tabelën e kësaj firme shënohet si afat kohor 12 muaj, por s'ka as datë fillimi dhe as mbarimi. Ky segment është tenderuar me rreth 45 milionë lekë.
Ndërkohë, një tjetër investim i lënë përgjysmë bën pjesë në territorin e Bashkisë Elbasan. Segmenti i Doganës i nisur në fillim të këtij viti pas lëvrimit të fondeve mbetet peng i fazës së dytë të fondeve që ende nuk janë lëvruar. Sipas kryebashkiakut Qazim Sejdini, moslëvrimi i fondeve ka penguar realizimin e këtij investimi mjaft të rëndësishëm për Bashkinë Elbasan.

Tropojë, anulohen disa projekte

Nga investimet e parashikuara për t'u kryer në rrethin e Tropojës, mësohet se i vetmi aks rrugor i përfunduar është ai Bajram Curri - Kam, punimet për të cilin janë mbyllur në muajin shtator. Ndërkohë, lidhur me sistemim-asfaltimin e rrugës Traget - Fierzë, i planifikuar për vitin 2009, mësohet se fondet janë anuluar nga ana e Ministrisë së Financave, me pretendimin se në vitin në vijim do të fillojnë punime në ndërtimin e rrugës Koman - Fierzë, Loti i Parë. Gjithashtu është anuluar sistem-asfaltimi i rrugës automobilistike sheshi i tragetit - Qendra e komunës Lekbibaj, pasi sipas kryetarit të degës së financës së kësaj komune, Pal Vukaj, edhe për të pritet ndërtimi i rrugës Koman-Fierzë. Një aks tjetër i paprekur është ai Kam Tropojë - Komuna Golaj Kukës. Lidhur me këtë drejtues të komunës Bytyç shprehen se punimet në të do të fillojnë e përfundojnë në vitin 2010. Lidhur me rrugën Dragobi - Valbonë (vazhdim), ajo nuk ka përfunduar rruga B.Curri- Dragobi, ku kanë përfunduar 70% e punimeve. Drejtues të komunës Margega, sqarojnë se punimet në aksin rrugor Dragobi -Valbonë do të fillojnë në vitin 2010.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).