Remzi Barolli, njeriu i CIA-s që luftoi për ta shembur komunizmin në Shqipëri

Një rrëfim autentik, i jetuar dhe i pazbukuruar, i nxjerrë nga kujtesa e skalitur, por jo e fjetur, e shqiptarit që ka përjetuar ferrin komunist, por që ka arritur të ikën nga ai ferr falë shkathtësisë e besimit të madh se vetëm duke dalë nga ai purgator mund të luftohet ai dimër i acartë, ajo mjegullnajë e skëterrshme që kishte mbuluar Shqipërinë cep më cep, do të lexoni në këtë shkrim për Remzi Barollin, të dënuarin me 101 vjet burg nga regjimi i Enver Hoxhës.

 

Katundi i fëmijërisë

Tresteniku, një katund i vogël i rrethit të Korçës, ku ka lindur 79 vjet më parë, zotit Barolli ia kujton katundin nga kishin ardhur të parët e tij, diku nga një pjesë e trojeve shqiptare, sot nën Serbi, nga ishin dëbuar me dhunë qindra e mijëra familje shqiptare, nja njëzet e ca vjet para fundit të shekullit XIX.

 

null
Remzi Barolli (djathtas) me autorin e shkrimit

 

Zoti Barolli e kujton edhe sot me mall atë katund korçar, ku e kishte kaluar fëmijërinë e tij të lumtur. Ditët e vegjëlisë kishin qenë të vetmet ditë që ai me familjen e tij kishin jetuar pa ndonjë brengë të madhe, pa ato telashet që do të pasonin, sidomos në vitet e sundimit të egër komunist.

 

Ishte koha e regjimit të mbretit Zog, figurën e të cilit historiografia shqiptare e ka vlerësuar në mënyrë tejet kontradiktore: herë si një satrap që ia ka pirë gjakun popullit, herë si një diktator në krye të një regjimi antipopullor e antikombëtar, herë si një mbret i ardhur në fronin shqiptar me ndihmën e fqinjëve sllavë, herë si një tradhtar që ia ka shitur Shqipërinë Italisë, herë si një burrë shteti në kohën e të cilit, Shqipëria, megjithatë ka shënuar një përparim, aq sa mund të përparonte një shtet në atë kohë varfërie e mjerimi në Ballkan.

 

Kohën e Mbretit Zog Barolli e kujton si një periudhë të mbarë jo vetëm për Barollinjtë, por edhe për gjithë popullin shqiptar të Shqipërisë së asaj kohe.

 

Edhe pse shteti shqiptar ballafaqohej me probleme të shumta, të trashëguara nga periudha e gjatë e sundimit turk dhe të grumbulluara gjatë atyre pak viteve të bërjes së Shqipërisë shtet (ndonëse ishte vetëm një gjysmë shtet), populli po shkundej pak nga pak nga ai myk oriental i sundimit pesëshekullor otoman dhe po i kthehej ngadalë Perëndimit, të cilit dhe i përkiste.

Lidhjet me Amerikën të kobshme për Barollinjtë

Kurbeti, kjo plagë e kamotshme e popullit tonë, për shumë shqiptarë kishte qenë e vetmja rrugë e mundshme për ta siguruar ekzistencën. Bukën e hidhur të kurbetit e kishin provuar edhe dy xhaxhallarët dhe babai i Remziut. Xhaxhai më i madh, Demiri, kishte marrë udhën e kurbetit që në vitin 1914 dhe ishte vendosur në Amerikë. Dy vjet më vonë udhën e këtejoqeanit e kishte marrë edhe i ati i Remziut, Rakipi, ndërkaq më 1917, kishte ardhur këtu edhe xhaxhai tjetër, Murati.

 

Vëllezërit Barolli kishin punuar në Amerikë për disa vjet dhe, pasi kishin krijuar njëfarë pasurie, më 1928, pra atë vit që Ahmet Zogu kishte shpallur Monarkinë Shqiptare dhe ishte emëruar Mbret i Shqiptarëve, kishin vendosur të ktheheshin që të tre në Shqipëri. Me kursimet e grumbulluara në Amerikë ata kishin blerë një çiflig të madh, një e treta e të cilit, pas luftës do të mbetej jashtë kufijve të Shqipërisë, në Greqi.

 

Barollinjtë ishin nga ato familje fisnike e bujare që nuk kënaqeshin vetëm me mirëqenien e vetvetes, por kujdeseshin edhe për të tjerët, madje shpeshherë edhe më shumë se për veten. Duke punuar tokën, ata kishin siguruar jetë të mirë jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për shumë bashkëfshatarë të tjerë dhe për një kohë të shkurtër do të bëheshin një nga familjet më të respektuara të Rrethit të Korçës. Si anëtar i një familjeje të tillë në zë, më 1932 xhaxhai i Remziut, Demiri, ishte emëruar nënprefekt i Rrethit të Korçës, kurse babai Rakipi, pak vjet më vonë do të shërbente oficer në ushtrinë e Zogut.

 

Pikërisht në kohën kur familja Barolli kishte marrë të mbarën, ishte lindur Remziu (më 23 shkurt 1930), njëri nga pesë djemtë e Rakip e Aishe Barollit. Fëmijëria dhe rinia e hershme janë dy periudhat e vetme të jetës që Remziu i ka kaluar në Shqipëri. Njëra, ajo e fëmijërisë, një nga më të lumturat të kaluara në Atdhe dhe tjetra, periudha që zë fill në fëmijëri të vonshme e përfundon në rini të hershme, një nga më të errëtat e jetës së tij.

 

Sot, ky burrë tashmë i thinjur, kështu i kujton ato dy epoka të ndryshme të jetës së tij: - Kur isha fëmijë e ndieja veten si një zog mali, që fluturon lirshëm dhe ashtu, duke fluturuar, ëndërron ta pushtojë botën... Mirëpo, erdhi një ditë tjetër, nga ato që nuk harrohen kurrë për të gjallë, u lëshua një mallkim djalli mbi gjithë popullin tim dhe e krodhi atë në një errësirë pa fund.

Filli i peripecive

Periudhën e një pjese të luftës, të asaj lufte që një lagje njerëzish e quajtën çlirimtare dhe të tjerë pushtuese, Barollinjtë e mbijetuan disi, ndonëse oguret e një stuhie kundër tyre ishin dukur që në fillimin e saj. Barollinjtë gjatë asaj lufte ishin rreshtuar në anën e atyre forcave që luftonin për një Shqipëri etnike, që do të shtrihej në kufijtë e saj të natyrshëm, për një Shqipëri demokratike perëndimore, për një Shqipëri të fortë ekonomike.

 

null

Kalvari për Barollinjtë kishte filluar para datës 29 nëntor 1944, ditë kjo kur “u çlirua” gjysmë-Shqipëria. Ishte janari i vitit 1944. Një ditë e ftohtë dimri. Megjithëse Korça me rrethinë kanë një klimë mesdhetare malore, ai dimër ishte më i egër se rëndom. Edhe më të egër, edhe më të ethshëm e bënin “forcat çlirimtare”, që ishin vënë në ndjekje të bandave tradhtare, siç quheshin ata që nuk pajtoheshin me vendosjen e rendit të kuq komunist në Shqipëri. Në mëngjesin e asaj dite të acartë janari, në derën e Rakip Barollit kishin trokitur partizanët komunistë. Ato krisma trishtuese në ag të asaj dite kishin qenë të rënda, sidomos për gjashtë fëmijët e Rakipit, pesë djem e një vajzë, më i madhi nga të cilët ishte veçse 15 vjeç. Ata mysafirë të paftuar nuk ishin zgjatur shumë: e kishin rrëmbyer me forcë Rakipin dhe e kishin nxjerrë zvarrë jashtë oborrit të shtëpisë. S’kishin bërë më shumë se 20 hapa nga dera e oborrit dhe ishin dëgjuar tri krisma pushkësh... Kur kishin dalë pas disa çastesh njerëzit e shtëpisë, Rakipin e kishin gjetur të mbytur në gjak afër pragut të derës së oborrit. Ky ishte vetëm fillimi i një tragjedie që po trokiste në dyert e Barollinjve.
Familja Barolli, dhe jo vetëm ajo, po jetonin me ankthin e pritjes se çfarë do t’u sillte e nesërmja. Ata sikur parandienin një stuhi të madhe në atë kohë plot të papritura. Kishin filluar të qarkullonin fjalë për bashkëpunimin e tyre me “armiqtë”. Jeta e tyre po bëhej gjithnjë e më e pasigurt. Lëvizjet kishin filluar t’i kufizonin. Në çdo hap ndiheshin të rrezikuar. Kështu, jeta e Remziut, që sapo kishte mbushur të katërmbëdhjetat dhe i cili, ndonëse ishte shumë i zgjuar dhe për shkak të rrethanave kishte arritur t’i mbaronte vetëm katër klasa të shkollës, po hynte në atë fazën që ai vetë e përshkruan si pjesën më të errët të jetës së tij.

Arrestimi i nënë Aishes

Ishin ditët në prag të “çlirimit” të Shqipërisë. Populli i shumëvuajtur shqiptar po shpresonte se me mbarimin e luftës edhe për të do të vinin ditë të mira. Atë ditë të shumëpritur, që për ironi të fatit përputhej jo rastësisht me ditën e çlirimit të ish-Jugosllavisë, disa shqiptarë e pritën me gëzim, porse ajo ditë që do të duhej të shënonte fillimin e një stine të re, po shënonte fillimin e një dimri të gjatë.
S’kishin kaluar veçse 9 muaj nga ajo ditë e kobshme kur komunistët kishin vrarë babanë e Remziut. Në tetor të po atij viti, derën e Barollinjve sa nuk e kishin thyer trokitjet e po atyre njerëzve me uniforma. E ëma e Remziut, nënë Aishja ishte vonuar derisa e kishte hapur dhe, pasi e kishte hapur derën ashtu e druajtur, sepse kishte hallin e fëmijëve të vegjël, njerëzit me uniforma ishin vërsulur brenda si bisha të egra: - Ti po fsheh dikë brenda, prandaj nuk deshe ta hapje derën, - i kishin thënë ata dhe pastaj, pasi e kishin bërë shtëpinë rrëmujë duke kërkuar “armiqtë” e strehuar aty, e kishin marrë me vete nënë Aishen, me akuzën se kishte fshehur armiq të popullit në shtëpinë e saj (edhe pse në momentin e kontrollimit, në shtëpi nuk kishte qenë kush, përpos asaj dhe gjashtë fëmijëve të saj).
Ajo ditë tetori për nënën e Remziut kishte qenë e fundmja në atë shtëpi. Edhe pse kishte arritur pleqëri të thellë, ajo kurrë më nuk kishte shkelur në pragun e asaj shtëpie, sepse fill pas arrestimit të saj, fëmijët ia kishin dëbuar nga shtëpia dhe shtëpinë ia kishin konfiskuar, ashtu siç kishte vepruar “pushteti popullor” me shumë shtëpi e katandi të “armiqve të popullit”.
E akuzuar për fshehje të armiqve të popullit në shtëpinë e saj, ajo ishte dënuar me 10 vjet burg. Pas 10 vjet vuajtjeje dënimi, do të akuzohej për një vepër tjetër, të cilën do ta pasonte edhe një tjetër e kështu me radhë...
Pjesën më të madhe të jetës, që nga viti 1944 deri në fund të vitit 1991 do ta kalojë në burg dhe në internim. Madje, edhe kur e kishin liruar (ishte koha kur kishin filluar lëvizjet për përmbysjen e komunizmit), kishte bërë kërkesë që ta mbanin në burg, ngase nuk kishte pasur ku të shkonte. Të gjithë Barrollinjtë, ata që kishin shpëtuar gjallë, ishin pa shtëpi. Edhe ata të familjes së saj nga babai kishin pësuar sikur Barollinjtë, kështu që vendstrehim të vetëm e kishte burgun, ku kishte kaluar gati gjysmë shekulli dhe ku ishte ambientuar aq sa nuk mund ta braktiste atë.
Kishte qenë hera e parë në jetën e nënë Aishes të miratohej një kërkesë në dobi të saj. Kishte qenë hera e parë që i kishin ofruar strehim dhe nuk e kishin dëbuar.

Duke kërkuar strehë

Atë ditë që ia kishin vënë prangat nënë Aishes (kishte qenë një ditë e ftohtë vjeshte, me një shi që binte sixhim dhe me një erë që të shponte, - e kujton sot Remzi Barrolli atë ditë, të cilën kurrë nuk mund ta harroj&eumlsmiley, gjashtë kalamajtë e saj i kishin dëbuar nga shtëpia duke u thënë: - Hupni, në Shqipëri nuk ka vend për ju!
U kishin dhënë urdhër që ta lëshonin shtëpinë pa u dhënë fare afat për të gjetur ndonjë zgjidhje. Dhe ç’zgjidhje mund të gjenin ata kalamaj të mbetur fillikat vetëm, pa mbështetjen dhe pa ndihmën e askujt. Ishte ajo dita kur do të fillonin vuajtjet e pafundme të Remziut e të fëmijëve të tjerë të Rakip e të Aishe Barollit, vuajtje të cilat edhe sot Remziu i kujton me trishtim. Të hutuar e të tronditur nga ajo e papritur, të mbetur në udhë të madhe, fëmijët nuk dinin nga t’ia mbanin. Ishin nisur për të kërkuar strehim te të njohurit, te të afërmit, porse asnjeri nuk kishte dashur t’ua hapte derën. Nuk kishin guxim, sepse mund ta pësonin si Rakip Barrolli, të cilin e kishin ekzekutuar te dera e shtëpisë, ose sikur nënë Aishja, të cilën me pranga në duar e kishin shpënë në drejtim të panjohur. Pas disa ditë bredhjesh, ishin vendosur te një kushëri. Që të mos binin në sy, ishin të shtrënguar të rrinin të ngujuar ditë e natë në atë shtëpi. Meqë Remziu ishte natyrë tepër e gjallë (shokët e thërrisnin me nofkën Furtuna) dhe e kishte vështirë të rrinte brenda, një ditë kishte dalë jashtë dhe, atë ditë, falë “vigjilencës” së bijve besnikë të partisë, i kishin hetuar dhe i kishin denoncuar në polici. Policia nuk i kishte arrestuar fëmijët, por u ishte kërcënuar se po t’i zinte edhe një herë, do t’i hante e liga.
Në kohën kur 6 fëmijët po bridhnin fshatrave të Korçës për të kërkuar strehë, policia e ushtria shqiptare ishin vënë në kërkim të Barollinjve të tjerë. Ishte koha kur komunistët partizanë po kremtonin me eufori “çlirimin” e Shqipërisë. Dhe, derisa festonin, ishin vënë në ndjekje të “bandave” armike, disa prej të cilave do t’i kapnin dhe pas një gjyqi formal “në emër të popullit”, ose pa gjyq fare, do t’u shqiptonin dënime nga më të rëndat, përfshirë edhe shumë dënime me vdekje. Do t’i kapnin edhe tre xhaxhallarët e Remziut: Demirin, Muratin e Kamberin. Të parin do ta vrisnin në burg pas 4 vjet vuajtjeje dënimi, kurse dy të tjerët do ta përfundonin jetën në burg. Murati ka vdekur në burg pas 30 vjet vuajtjeje dënimi, kurse Kamberi, po ashtu në burg, pas 35 vjet vuajtjeje dënimi.
Fëmijët vazhdonin të kërkonin vendstrehim, por ku të shkonin, kë ta rrezikonin?... Kishin vendosur të shkonin te daja. Ai sapo i kishte parë, ishte tmerruar nga frika: - Mund të na vrasin të gjithëve, - u kishte thënë tepër i shqetësuar dhe kishte dashur t’i dëbonte.
- Gruaja e dajës ishte një grua e mrekullueshme, një grua shumë e guximshme, - rrëfen Remziu. Ajo na mori, na futi brenda, me gjithë frikën e madhe që kishte daja.
Edhe aty kishin qenë të detyruar të qëndronin ilegalisht. Kishin ndenjur derisa i kishin zbuluar dhe përsëri ishin shtrënguar ta merrnin botën në sy. Para se të vinte policia, gjyshja i kishte marrë nga shtëpia e dajës dhe i kishte çuar në një fshat 5 km afër Pogradecit, te dy motrat e saj që ishin të martuara për dy vëllezër.

Puna vullnetare

As aty qëndrimi nuk kishte qenë i sigurt, sidomos për Remziun e “parehatshëm”. Pak muaj më vonë, ai ishte internuar dhe ishte dërguar për të punuar në të ashtuquajturin aksion të rinisë për ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi, punimet e së cilës kishin filluar më 1946. Edhe pse ishte i internuar, duke punuar në një aksion “vullnetar”, atë e gënjente shpresa se do të pushonin ndjekjet e tij dhe të vëllezërve e të motrës, të cilët vazhdonin të qëndronin ilegalisht te motrat e gjyshes.
Pas nja dy vjet pune për ndërtimin e asaj rruge, bashkë me aksionistë të tjerë “vullnetarë” shumica e të cilëve ishin nga familje “armike” dhe ku kushtet e jetës dhe të punës ishin shumë të rënda, Remziun (edhe ky bir i një familjeje armike) e dërgojnë në një aksion tjetër punues, kësaj here në ndërtimin e hekurudhës Peqin- Elbasan.
Edhe në këtë aksion të rinisë Remziu dhe aksionistët e tjerë po hiqnin të zinjtë e ullirit, sepse kushtet në të cilat punonin për hapjen e trasesë së hekurudhës dhe për kryerjen e punimeve të tjera ishin të mjerueshme. Përveç që punohej me mjete primitive, aksionistët kishin të caktuara norma të larta pune, të cilat ishin të detyruar t’i plotësonin patjetër.
Në kohën derisa Remzi Barolli bënte punë të detyrueshme nëpër aksione rinie, Barollinjtë e tjerë po arrestoheshin njëri pas tjetrit. Përveç pesë vëllezërve dhe motrës, në burg do të bien edhe shumë kushërinj të Remziut, të afërt e të largët, të gjithë të familjes Barolli, por nuk do të kurseheshin as familjet e tjera, të cilat kishin çfarëdo lidhjeje farefisnie me Barollinjtë. Remziu, që sapo kishte mbushur njëzet vjet, po bënte një jetë kolektive mes “aksionistëve” të rretheve të ndryshme të Shqipërisë, të internuar nëpër kampe pune. Aty Remzi Barollit gati çdo ditë i vinin njoftime për arrestimin e ndonjë të afërmi, kështu që ai çdo ditë e më shumë e ndiente veten të veçuar nga bota.

Dënime për sabotuesit

Regjimi komunist po ndiqte me vëmendje sjelljet dhe veprimet e të internuarve. Megjithatë, edhe në kushtet e një rrethimi të hekurt e të një mbikëqyrjeje të rreptë, të internuarit gjenin shteg për të vepruar. Pa përfunduar në tërësi hekurudha Durrës-Peqin, më 3 maj 1950, arrestohen një numër shumë i madh të internuarish, gjithsej 3.000 veta, të akuzuar për sabotim. Në mesin e tyre ishte edhe Remzi Barolli.
Kur e pyesim për shkakun e arrestimit të një numri kaq të madh njerëzish, zoti Barolli thotë: - Qeveria e atëhershme shqiptare ndihmonte komunistët grekë me të gjitha mënyrat e mundshme. Pos të tjerash, i ndihmonte ata për transportimin e pajimeve ushtarake në relacionin Durrës-Elbasan-Pogradec. Ne, të internuarit, nuk e shihnim me sy të mirë këtë veprim të autoriteteve shqiptare, prandaj, në pamundësi për të ndërmarrë diçka, mllefin kundër grekëve, po edhe kundër tanëve, e zbraznim duke i dëmtuar automjetet greke (duke ua shfryrë gomat, duke ua thyer xhamat e pjesët e drunjta, duke u hedhur zhavorr në motorë etj.) Policia kishte kapur njërin prej nesh dhe pastaj ai numër kishte arritur shifrën marramendëse - tre mijë.
Që nga dita e parë e arrestimit deri nga fundi i gushtit, të arrestuarit i kishin mbytur dajak, derisa i kishin detyruar të pranonin çfarë kishin bërë e çfarë nuk kishin bërë. Në muajin shtator kishte filluar gjykimi në Gjyqin Ushtarak të Korçës. Ishte një farsë gjyqësore që bëhej “në emër të popullit”, për ta dënuar popullin. Gjykoheshin disa qindra veta brenda një dite. Për tri ditë qenë gjykuar treqind të akuzuar nga Korça e nga Pogradeci. Të arrestuarit i sillnin në sallën e gjyqit lidhur me zinxhirë. Përveç që i kishin të lidhura me zinxhirë këmbë e duar, të burgosurit ishin të lidhur me zinxhirë edhe me njëri-tjetrin, prandaj e kishin vështirë të lëviznin dhe të ngriheshin në këmbë.

Për Remzi Barollin - dënim i përjetshëm

U ishin shqiptuar dënimet 11 të akuzuarve të parë. Ishin dënimet më të rënda të shqiptuara në atë farsë gjyqi. Këta 11 të akuzuar ishin dënuar me vdekje dhe ishin pushkatuar. Remzi Barollit i ishte shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm. Bashkë me Remziun ishin edhe dy Barollinj të tjerë, vëlla e motër, Nexhdeti e Fitneti, të cilët qenë dënuar përkatësisht me 35 dhe me 25 vjet burgim.
Shqiptimin e dënimit me 101 vjet ose burgim të përjetshëm Remzi Barolli e kishte përjetuar tepër rëndë. Ishte djalë njëzet vjeç, mosha më e mirë e njeriut dhe ai tërë jetën do ta kalonte në burg ose në kampe pune, që i quanin kampe të riedukimit socialist. Kjo ishte e tmerrshme për Remziun. I dëshpëruar thellë, në çaste ligështimi, në fillim s’kishte menduar tjetër, pos si t’i jepte fund jetës. Ishin çaste nga më të rëndat të jetës së tij. E ndiente veten të vetmuar, pa asnjeri në botë.
Pasi ua kishin shqiptuar dënimet, të burgosurit i kishin shpërndarë, varësisht nga dënimet, nëpër burgje të ndryshme ose (shumicën), në kampe pune. Të burgosurit ishin moshash e profesionesh të ndryshme. Kishte edhe intelektualë, por ata shumica vuanin dënimin në burgun famëkeq të Burrelit. Përveç shqiptarë, kishte edhe ndonjë të huaj (gjermanë, italianë e të tjer&eumlsmiley.
Të burgosurit punonin tërë ditën dhe punët që bënin ishin më të rëndat e më të rrezikshmet. Ndërtonin fabrika, apartamente, hapnin tunele. Remziu kishte punuar në ngritjen e Uzinës së Përpunimit të Naftës në Cërrik, në ndërtimin e Fabrikës së Tullave në Korçë, në hapjen e disa tuneleve e të tjera.
- Burgun e kam bërë në Korçë, në Tepelenë, në Pogradec e në Sarandë, - thotë Barolli. - Në Sarandë ka qenë burgu më i tmerrshëm. Ka qenë burg-kala. Ka qenë shumë ftohtë. Ka pasur shumë minj. Minjtë na e hanin edhe bukën, atë bukë me të cilën kurrë s’ngopeshim. Kam parë me sytë e mi kur një mi ia pati hëngër veshin një të burgosuri.
Dëshpërimit që e kishte kapluar në fillim Remziun, dalëngadalë po ia zinte vendin një fije shprese se, megjithatë, mbase mund të gjendej ndonjë rrugë tjetër. Ishte ideja për t’u arratisur, që i kishte lindur në kulmin e dëshpërimit, ajo që ia kishte ngjallur shpresat. Ishte një ide që dukej e pamundshme për t’u realizuar, por më mirë ta përpunonte atë ide, sesa ta privonte veten nga jeta.

Plani i arratisjes

Të burgosurit i transferonin shpesh nga njëri burg në tjetrin, ose nga njëri kamp i punës në tjetrin. Në fillim të vitit 1953 Remzi Barollin e transferojnë në burgun e Pogradecit. Aty po vuante dënimin edhe një kushëri i Remziut, djali i hallës, Haki Tare, i cili kishte gradë majori. Major Hakiu kishte bërë planin e ikjes, bashkë me një të burgosur tjetër, me majorin gjerman Frederik Fric Shmit, i cili ishte edhe mësues matematike dhe ua mësonte të burgosurve matematikën.
Ky plan ishte mjaft i vështirë për t’u realizuar dhe kërkonte kohë, por të dy majorët, njëri shqiptar dhe tjetri gjerman, pasi e kishin përpunuar në hollësi dhe, natyrisht, në fshehtësinë më të madhe, kishin vendosur ta jetësonin. Lidhur me këtë plan, Remziu rrëfen:
- Ishte një ditë e bukur pranvere, kur m’u afrua kushëri Hakiu e më tregoi për planin e arratisjes. Më pyeti në doja të ikja. Më tha: - Po pranove, mirë, po s’pranove varrosi këto fjalë. Unë, natyrisht, pranova. Planin për t’u arratisur e kisha përpunuar në kokën time një kohë të gjatë dhe rastin që po më jepej doja ta shfrytëzoja. Edhe kushëriri im, major Hakiu më trimëroi, duke më thënë: - Ti je i ri. Ashtu-ashtu të gjithë i ke në burg. Po të ikësh, nuk do të rrezikosh askënd. Major Hakiu vetë nuk do të ikte, sepse jashtë burgut kishte nënën, gruan dhe dy fëmijët, të cilët do ta përjetonin ferrin në rast se ai do të arratisej.
Sipas planit, do të arratiseshin tetë veta, dy prej të cilëve ishin majori gjerman Shmit dhe Remzi Barolli. Pasi ishin marrë vesh për çdo hollësi, ai grup prej tetë vetash, bashkë me major Hakiun, i cili do t’u ndihmonte deri në fund, kishin caktuar datën e ikjes: 29 nëntori ishte dita më e përshtatshme.

Ikja nga burgu

Dita a 29 nëntorit ishte zgjedhur si më e përshtatshmja për t’u arratisur, për arsyen e thjeshtë se festat e nëntorit do t’i festonin personeli i burgut, por “do të festonin” dhe të burgosurit. Do të kremtohej me të ngrëna e me të pira, do të krijohej tollovi, do të krijoheshin rrethana të përshtatshme për të ikur pa rënë në sy.
Remzi Barolli me shokët që do të iknin, prisnin me padurim ditën kur do të fillonte jetësimi i planit të ikjes.
Ditën e caktuar për fillimin e punimeve për hapjen e tunelit nëntokësor, të burgosurit kishin siguruar disa vegla (lopata, kazma, bela, shata), kishin bërë një shkallë druri dhe po prisnin momentin e volitshëm për të shkuar në nevojtoret, që gjendeshin në oborrin e burgut, nga do të fillonin gërmimin e tunelit nëntokësor. E gjithë puna po bëhej në një fshehtësi jashtëzakonisht të madhe. Do të mjaftonte një pakujdesi shumë e vogël, një gabim çfarëdo qoftë dhe, përveç që do të dështonte i tërë plani i përgatitur me muaj, të burgosurit që do të tentonin të arratiseshin mund të dënoheshin me vdekje pa gjyq fare.
Në kohën që kishin caktuar, nga tetëshja e të burgosurve, tre veta shkojnë në nevojtore, i ngrenë dërrasat e poshtme të nevojtores dhe me shkallë lëshohen në gropën e saj bashkë me veglat. Prej aty do të fillonte gërmimi i tunelit. Së pari e gropojnë një depo nëntokësore, për t’i lënë veglat dhe shkallën e pastaj nisin ta hapin tunelin e gjatë. Punonin çdo ditë, kryesisht natën dhe duke bërë vazhdimisht rojë. Punimet shkonin ngadalë, sepse puna, përveç që ishte e rëndë, ishe me rreziqe. Dheu i gërmuar duhej të nxirrej jashtë e të hidhej nëpër oborrin e madh të burgut dhe të maskohej për të mos u vënë re.
Ishin momente kur shkriheshin në një ndjenja e frikës, entuziazmi, vullneti, dëshira, - kujton sot Remzi Barolli dhe vazhdon:
- Gjakimi për të ikur nga ai burg-ferr na bënte të fortë. Ishim të gjithë të rinj (më i moshuari ishte majori gjerman, 30 vje&ccedilsmiley dhe, ndonëse më shumë të uritur, sesa të ngopur, nuk na mungonte fuqia. Punonim pa orar të caktuar. Lëshoheshim në tunel sa herë që na mundësonin rrethanat, sa herë që ishim të sigurt se s’do të na shihte kush.
- Për fatin tonë të mirë, punët po shkonin tamam siç i kishim planifikuar. Tuneli i nëndheshëm po zgjatej e po zgjatej. Nata e 28-29 nëntorit 1953 na gjeti me tunelin të përfunduar, i cili ishte i gjatë disa qindra metra, - vazhdon të rrëfejë Remzi Barolli. - Ato ditë festash vërtet qe bërë rrëmujë edhe në burg. Rojat dhe i tërë personeli i burgut dukeshin të shkujdesur, dëgjoheshin këngë, krisma armësh. Nata e 28 në të gdhirë 29 nëntori, kishte qenë shumë e përshtatshme për t’u arratisur. Ishte një natë e errët skëterrë, me një rrebesh shiu shoqëruar me vetëtima e me bubullima të thekshme.
Tetëshja e të burgosurve kishte caktuar edhe orën e ikjes: një orë pas mesnate. I vetmi njeri që u kishte uruar fat atë natë kishte qenë majori Haki Tare, i cili vetë kishte mbetur për ta vuajtur dënimin (ka qëndruar në burg plot 41 vjet dhe është liruar më 1991).
Pasi ishin siguruar se nuk do t’i vërente kush, të burgosurit kishin shkuar në nevojtore, i kishin hequr dërrasat sa për t’u përbiruar në gropë dhe, një nga një, ishin lëshuar poshtë në tunel, i cili e kishte daljen larg oborrit të burgut, diku te një lumë. Remziu kishte qenë i treti me radhë. Hap pas hapi dhe i ishin afruar fundit të tunelit. Ishin marrë vesh që në dalje i pari ta priste të dytin, i dyti të tretin e kështu me radhë, derisa të arrinin të gjithë te dalja, në mënyrë që rrugën e mëtutjeshme ta bënin bashkë, shkaku i terrenit të panjohur. Megjithatë, në dalje, një pakujdesi e vogël e njërit prej të arratisurve (mbase shkaku i gëzimit të papërmbajtur), dhe të arratisurit ishin hetuar. Ishin ndezur projektorët, kishin filluar të shtënat. Njërin nga të arratisurit e kishte plagosur roja, kurse dy të tjerë kishin rënë në duar të tyre. Pesë të tjerët, në mesin e tyre edhe Remzi Barolli, kishin arritur të iknin, megjithëse policia e ushtria u ishin vënë prapa dhe i kishin ndjekur, por nata kishte qenë aq e errët, sa të arratisurit mezi shihnin njëri-tjetrin. Kishte qenë një natë e ftohtë. Binte shi pandërprerë. Gjatë gjithë natës nuk kishte pushuar shiu, që për fat, u kishte ndihmuar që të mos linin gjurmë. Rrobat i kishin shumë të holla. Në këmbë kishin të mbathura opinga. Duhej ecur nëpër terren të vështirë. Niveli i lumit, të cilin duhej ta kalonin ishte rritur nga shiu i madh që s’po pushonte për orë të tëra. Megjithëse i ftohtë akull, të arratisurit kishin arritur ta kalonin lumin me not.
Edhe pse rreziku nuk kishte kaluar, pesë të arratisurit po e ndienin veten të lehtësuar. Kishin lënë prapa atë skëterrë të quajtur burg dhe larg prej atje, edhe po të vriteshin, nuk do t’u dhimbsej jeta. Rrugën e gjatë plot rreziqe drejt kufirit shqiptaro-jugosllav, diku ndërmjet Dibrës e Strugës, të arratisurit e bënin vetëm natën. Gjatë ditës strukeshin në ndonjë vend të sigurt dhe sapo binte nata, vazhdonin rrugën. Në ditët e para të dhjetorit, arritën ta kalonin kufirin dhe u strehuan në shtëpinë e një shqiptari, në një katund të Strugës (për fat të keq, zoti Barolli nuk e ka mbajtur mend as emrin e mikpritësit, as emrin e katundit).
I zoti i shtëpisë i kishte strehuar të ikurit e panjohur, por nuk i kishte lënë pa i qortuar, pse kishin lënë një burg, për të ardhur në burgun tjetër, të quajtur Jugosllavi.
Në atë shtëpi pesë të arratisurit kishin qëndruar një javë. I zoti i shtëpisë, me gjithë rrezikun se mund ta zbulonte policia serbo-maqedonase e ta arrestonte bashkë me mysafirët që po strehonte në shtëpinë e tij, i kishte pritur ata shumë mirë dhe u kishte ndihmuar që ta kalonin kufirin drejt Greqisë.

 

Në Greqi

Në prag të Kërshëndellave të vitit 1953, Remzi Barolli, bashkë me majorin gjerman dhe me tre shqiptare të tjerë, pas shumë peripecive, pas shumë rreziqeve që kishin ndeshur gjatë udhëtimit që e bënin vetëm natën (natyrisht me ndihmën e shqiptarëve të rretheve Strugë e Ohër, të cilët s’kishin dashur të dinin për rrezikun), kishin arritur ta kapërcenin kufirin e të futeshin në Greqi.
Ndonëse edhe në Greqi do të ballafaqoheshin me telashe të ndryshme (sepse kishin shkelur ligjin duke kaluar kufirin ilegalisht), ata për herë të parë pas atyre viteve të kaluara në burgjet e Shqipërisë, po e ndienin veten të lirë. Për katër të arratisurit shqiptarë ishte rrethanë lehtësuese fakti që me ta gjendej majori gjerman, i cili do t’i ndihmonte shokët e tij të burgut për të kaluar më lehtë tek organet policore greke gjatë procedurës tejet të gjatë të verifikimit dhe gjatë formaliteteve të shumta. Shqiptarët ishin në moshë të re, nuk njihnin ndonjë gjuhë të huaj, për ta ishte hera e parë që gjendeshin jashtë Shqipërisë, kështu që ndihma e mësuesit të tyre të matematikës, siç e thërrisnin në burg majorin gjerman, ishte e mirëseardhur.
Pas formalitetesh e verifikimesh të shumta, të arratisurit shqiptarë ishin lejuar që të shkonin jashtë Greqisë. Remziu kishte vajtur në Itali dhe pas disa muaj qëndrimi atje, kishte ardhur në SHBA. Majori gjerman ishte drejtuar në ambasadën gjermane në Athinë dhe prej atje kishte shkuar në Gjermani (Remzi Barolli ka qenë disa herë tek ai në Gjermani dhe korrespondencë me të ka mbajtur deri më 1983).

Në Amerikë

Ardhja në Amerikë ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij. Atë ditë të largët të vjeshtës së vitit 1954, kur kishte arritur dhe ishte vendosur në Nju Jork, Barolli e ka shumë të freskët: - Kur mbërrita në Amerikë, një kohë të gjatë nuk mund të besoja që isha i lirë. Dilja në oborr dhe çirresha aq shumë, sa fqinjët përreth apartamentit ku banoja kujtonin se kisha shkalluar. Ndoshta në atë mënyrë e nxirrja jashtë gjithë atë trysni, ndrydhje që kisha ndryrë në vete me vite të tëra, që nga fëmijëria. I gëzohesha lirisë, po ajo ishte e mangët. E paramendoja nënën time në burgjet e Shqipërisë. Në burg ishte edhe motra, në burg ishin edhe vëllezërit dhe plot kushërinj. Burgjet e Shqipërisë ishin përplot të burgosur shqiptarë, po edhe ata që ishin jashtë burgjeve mbaheshin të ngujuar në burgun e madh të quajtur Shqipëri. Ai shtet që mbante lidhje të ngushta me shtetin e Stalinit, ishte shndërruar i tëri në një burg kolektiv dhe të burgosur ishin shtetasit e tij.
Sa herë që e kujtonte Shqipërinë e katandisur si mos më keq, Remziu shqetësohej. Ishte një shqetësim që nuk e linte të qetë, që e çonte peshë shpirtin e tij të trazuar. I dhimbseshin gjithë ata njerëz të shpirtit që po jetonin çaste të rënda në kampet e në burgjet e Shqipërisë, prandaj liria që gëzonte në Amerikën demokratike i dukej si diçka e pavlerë. E njëmendtë ajo liri do të ishte sikur ta gëzonin edhe nëna e tij, edhe motra e tij, edhe vëllezërit e tij, edhe e gjithë Shqipëria.
Megjithatë, të mendonte për të tjerët, të bashkëjetonte me vuajtjet e të tjerëve do të mundte vetëm po qe se do ta siguronte veten. Duke pasur një energji të madhe e të pashtershme, ai i përvishet punës që në ditët e para pas mbërritjes në SHBA. Nuk kalon shumë kohë dhe do ta takojë edhe shoqen e tij të ardhshme të jetës, zonjushën Meri, një vajzë e lindur në Amerikë, me prejardhje nga Sllovenia, me të cilën është martuar në moshën 28- vjeçare e me të cilën jeton edhe sot.

null
Me Muhammad Ali

 

Fillimi, si çdo fillim në dhe të huaj, ishte i vështirë, por mjaftonte që këtu nuk i kishte mbi kokë policët e Enver Hoxhës.

 

Puna e parë që do të fillonte këtu ishte ajo e pjatalarësit në një nga hotelet e shumta të Nju-Jorkut. Punonte me zell e me vullnet të madh, i vetëdijshëm se rruga drejt suksesit ishte tepër e gjatë dhe tepër e vështirë.

Kontaktet e para me antikomunistë

Shumica e shqiptarëve që kishin ardhur në Amerikë në vitet ‘40-‘50 kishin ikur nga atdheu i tyre, nga Shqipëria, sepse nuk ishin pajtuar me regjimin komunist. Disa prej tyre jo vetëm që nuk ia kishin mbajtur krahun, por edhe e kishin luftuar, të vetëdijshëm se ajo murtajë e kuqe do t’i sillte vetëm vuajtje popullit të varfër shqiptar. Ata kishin pasur dy mundësi: ose të rrinin në Shqipëri e të kalonin nëpër filtrin e “gjyqit të popullit”, ose të linin shtëpi e katandi dhe të syrgjynoseshin, të merrnin botën në sy. Ata që kishin qenë më të vendosur, më të shkathët, më trima, ia kishin dalë. Kishte pasur edhe nga ata që e kishin gënjyer veten me shpresën se ajo fushatë e egër kundër “armiqve të popullit” do të pushonte sapo të ftoheshin kokat e trullosura nga ideologjia antikombëtare marksiste-staliniste. Por, ato koka nuk ishin ftohur për 50 vjet...

 

Kontaktet e para Remziu i kishte pasur me njerëz të “Legalitetit”, si Abaz Kupi e të tjerë, të cilët kurrë nuk e kishin ndërprerë luftën për rrëzimin e komunizmit. Duke parë te Remziu një djalosh të shkathët e të guximshëm, një luftëtar të denjë, antikomunist, anëtarët e “Legalitetit” do të kujdeseshin për shkollimin e tij, i cili në Shqipëri kishte arritur t’i mbaronte vetëm 4 klasa shkollë: dy para luftës dhe dy nëpër burgje. Kështu, përveç që bënte punë të ndryshme, R. Barolli që nga dita e parë i ishte përveshur mësimit të anglishtes. Këmbëngulja e tij kishte dhënë rezultate. Pas tre muajsh qëndrimi në Amerikë, ai kishte filluar të komunikonte mirë anglisht.

 

Pastaj kishte filluar të shkollohej. Kishte mbaruar shkollën e mesme në Nju-Jork dhe po bëhej gati t’u hynte studimeve. Matematikën e kishte dashur më shumë nga të gjitha lëndët, mbase edhe për shkak se mësues matematike kishte pasur majorin gjerman, të cilin e kishte dashur shumë.

 

Megjithatë, studimet mund të prisnin për më vonë. Ishte çështja e Atdheut të robëruar nga komunistët që priste ndihmën e bijve të tij, kështu që Remziu me gjithë qenien do të vihej në shërbim të Atdheut.

 

Pas kontakteve të para të tërthorta me njerëz të CIA-s dhe i bindur se vetëm nëpërmjet një agjencie të tillë të fuqishme do të mund të realizoheshin ëndrrat e shqiptarëve për ta shporrur komunizmin nga foleja e shqipeve, Remzi Barolli kishte vendosur të vihej në shërbim të saj me bindjen e thellë se një ditë edhe në Shqipëri do të valëvitej i lirë flamuri i demokracisë.

Në shërbim të CIA-s

Remziu ishte i vetmi nga familja Barolli që kishte pasur fatin të shpëtonte nga kthetrat e komunizmit. Të gjithë Barollinjtë e tjerë, po edhe farefis nga familje të tjera ose ishin nëpër burgje e kampe riedukimi socialist, ose ishin dënuar me vdekje e ishin ekzekutuar dhe për varret e tyre, edhe po të kishte kush të interesohej, nuk kishte as më të voglin guxim. Edhe këtu, në Amerikë, Remziu mësonte lajme të këqija: u arrestua akëcili kushëri, u pushkatua akëcili xhaxha, u dërgua të punojë në kamp akëcila kushërirë. Këto njoftime që depërtonin herë pas here tek ai, ishin si goditje thikash në shpinë të njeriut të mbërthyer me pranga. Ai, i tronditur thellë me fatin e gjithë atij numri të familjarëve që po përjetonin net ferri, ishte i detyruar të duronte, vetëm të duronte.

 

Kur iu hapën dyert e CIA-s, ai ishte i lumtur. Në mos për asgjë, për faktin se do të përleshej me ata njerëz, të cilët e drejtonin shtetin. Me ata njerëz që familjes së tij dhe atij vetë i kishin shkaktuar vetëm të këqija. Këtë nuk do ta bënte për të nxjerrë hak, se ata njerëz ishin futur aq thellë në mëkate ndaj Shqipërisë, sa ishte e pamundur të lanin borxh, por këtë ai dhe patriotë të tjerë të vërtetë e bënin se kishin detyrim moral, kishin borxh ndaj Atdheut. Duke luftuar kundër atyre njerëzve që po ia zinin frymën Shqipërisë, Remziu me shokë nuk po i kthenin dorë Atdheut, por po u jepnin grusht për t’i trandur ata shqiptarë, të cilët të dehur pas marksizmit e stalinizmit, të mbërthyer nga darët e ideologjisë për ndërtimin e shoqërisë pa klasa, po ia gërryenin palcën Shqipërisë së prapambetur, Shqipërisë, e cila ishte katandisur aq sa ishte e detyruar ta hidhte trastën shpinës.

 

Ndonëse Shqipëria asokohe konsiderohej një bunker ku nuk mund të futej kush dhe nga i cili nuk mund të dilte kush, me përkrahjen dhe me mbështetjen e pa rezerva të qarqeve të caktuara brenda saj, grupe të stërvitura në bazat amerikane të CIA-s në Greqi, në Qipro e gjetiu, kishte kohë që po futeshin brenda në Shqipëri dhe po kryenin aksione të shumta “diversante”, për përmbysjen e komunizmit.

Ilegalisht në Atdhe

Që nga viti 1954, kur kishte nisur të punonte për CIA-n, Remzi Barolli kishte hyrë shumë herë ilegalisht në Shqipëri. Edhe sot Remziu i kujton ato vizita ilegale në Shqipërinë e tij të dashur, në Shqipërinë kamp të Enver Hoxhës, në Atdheun nëpër burgjet e të cilit po dergjeshin gjithë farefisi i tij:

 

- Përgatitjet për të kryer aksione diversante e terroriste, siç i quante Enver Hoxha, bëheshin në fshehtësi shumë të madhe. Ishin përgatitje intensive që zgjatnin me javë, e nganjëherë edhe me muaj të tërë. Ushtrimet ishin të vështira dhe kërkonin angazhim të madh fizik e psikik, mirëpo ne kishim një vullnet të madh, kështu që i përballonim të gjitha. Në Shqipëri kam hyrë ilegalisht më shumë se 15 herë.

 

Të shumtën e herëve grupet “diversante” lëshoheshin atje me parashuta. Aksionet përgatiteshin mirë dhe ato i kryenin njerëz që nuk e njihnin njëri-tjetrin. Veprimet gjithnjë bëheshin në grupe, të pajisura këto me armët më moderne të kohës, aso që ishin përdorur në Luftën e Koresë (1950- 1953). Rreziku që të vriteshin, të kapeshin të gjallë e të arrestoheshin, ishte i madh. Sa herë niseshin në aksione, ishin të vetëdijshëm se mund të mbeteshin atje, qoftë të gjallë, qoftë të vdekur.

 

- Kur mendoj sot, - vazhdon rrëfimin Remziu,- çuditem me vetveten. Duhej të ishim të çmendur që ta pranonim atë detyrë. Natyrisht, qëllimet e larta na tërhiqnin andej. Përpos popullit të vuajtur, atje kisha gati tërë familjen dhe e dija fare mirë se në ç’gjendje ishin ata. Kisha qenë vetë në lëkurën e tyre. Sa herë që isha duke ngrënë, duke shëtitur ose duke u larë në det a në pishinë dhe mendja më shkonte te ta, më krijohej një lëmsh i madh në fyt. Megjithatë, e mbaja veten. Me vaj s’arrihej asgjë, prandaj bëja përpjekje që të ecja përpara, se ashtu ishte më mirë edhe për mua, edhe për ata. Nëse unë do të isha i fortë, edhe për fatin e tyre mund të shpresohej.

 

Në aksionet që kryente në Shqipëri, Remziu ishte i armatosur me mitraloz të vogël 8 mm, me 90 fishekë, një armë e lehtë dhe shumë e mirë e praktike për t’u përdorur në raste të tilla.

Përpjekjet për ta nxjerrë nënën

Gjatë atyre viteve të veprimtarisë ilegale, Remzi Barolli do të jetë pothuaj gjithnjë në lëvizje, në relacionin Amerikë-Greqi (ose Qipro) dhe anasjelltas. Sa herë hynte në Shqipëri, përpiqej të kontaktonte njerëz të njohur dhe të merrte informata për farefisin e vet. Kishte arritur të siguronte informatë të saktë për vendndodhjen e së ëmës. Ajo ishte në një kamp, diku në rrethin e Maliqit dhe Remziu, me gjithë rrezikun e madh, disa herë kishte bërë përpjekje për ta nxjerrë nënë Aishen nga kampi.

 

- Kam shkuar disa herë në Shqipëri për ta nxjerrë nënën nga kampi – rrëfen Remziu, - por pa sukses. E kam vështruar prej së largu dhe s’kam mundur t’i afrohem. Për ta nxjerrë atë më duhej ndihma e brendshme. Asnjeri s’kishte guxim të më ofronte ndihmë, por nuk ua zija për të madhe. Po të zbulohej ndonjë duke më ndihmuar, do ta pësonte shumë keq. Mund të dënohej edhe me vdekje, kështu që s’mund të kërkoja prej kurrkujt të pamundurën.

 

- Kur kam hyrë për të dytën herë në Shqipëri, - vazhdon rrëfimin Remziu, - kam shkuar në shtëpinë e dy vajzave të tezes. Jam futur fshehurazi në ashefin që gjendej afër shtëpisë dhe kam pritur. E dija se po i rrezikoja vajzat e tezes dhe familjet e tyre, e dija se po e rrezikoja edhe vetveten, por nuk kisha mundur të përmbahesha më. Doja me çdo kusht të takoja ndonjë njeri të njohur. Kur më pa njëra nga vajzat e tezes në ashef, u tmerrua fare:

 

- Si ke guxuar të vish? – m’u drejtua e lemerisur. Po ta marrin vesh komunistët se ti je në shtëpinë tonë, do të na përpijë e liga.

 

Me gjithë frikën e madhe që kishte, ajo nuk i kishte treguar kujt për Remziun. Ndërkaq, Remziun e kishte informuar për çdo gjë që dinte për Barollinjtë dhe për mbarë farefisin.

 

- Kur jemi takuar me të pas 40 vjetësh, - thotë Remziu, - ajo më ka thënë: plot dyzet vjet e kam ruajtur sekretin për vizitën tënde. As burrit s’i kam treguar. Net të tëra kam kaluar pa gjumë.

Vrasja e Kenedit - fundi i misionit të CIA-s

Tentimet e amerikanëve për ta rrëzuar komunizmin në Shqipëri ishin pjesë e një strategjie që lidhej me interesat amerikane në botë. Në të njëjtën kohë, perandoria e kuqe e Moskës po përpiqej ta zgjeronte fushën e saj të ndikimit në shumë vende të botës. Siç dihet, deri më 1960, Shqipëria ishte e lidhur me Moskën si mishi me thoin. Pas mbledhjes së Bukureshtit të përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve të kampit socialist (24-26 qershor 1960) dhe pas Mbledhjes së përfaqësuesve të 81 Partive Komuniste e Punëtore (10.11.-1.12.1960), Shqipëria do të prishej përfundimisht me Bashkimin Sovjetik revizionist, siç qe quajtur atëherë, për t’u lidhur me një shtet tjetër të kampit socialist, me Kinën e Mao Ce Dunit. Komunistët shqiptarë ishin betuar dhe bar të hanin, por nga komunizmi të mos hiqnin dorë.

 

Deri më 1963, vit ky kur në Dallas të Teksasit u vra kryetari amerikan Kenedi (John Fitzgerald Kennedy), CIA kishte bërë disa përpjekje për ta shembur komunizmin në Shqipëri, por pa sukses. Atentati kundër kryetarit Kenedi dhe ardhja në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kryetarit Xhonson (Lyndon Baines Johnson), shënojnë fundin e përpjekjeve amerikane për ta rrëzuar komunizmin në Shqipëri.

 

- Pas vrasjes së kryetarit Kenedi, - rrëfen Remzi Barolli, - interesimi i Amerikës për ta hequr qafe komunizmin në Shqipërinë e Enver Hoxhës u zvogëlua dukshëm. Të fundmin aksion e kemi ndërmarrë në maj të vitit 1964. Ishte një plan i bërë në kohën sa ishte gjallë kryetari Kenedi. Këtë plan amerikanët e mbanin në fshehtësinë më të madhe. Ishim gjithsej 4 mijë veta (të ndarë në disa divizione) që do të zbarkonim në Shqipëri. Caku ynë ishte kryeqyteti, Tirana. Sipas planit, do të sulmoheshin ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së, radiotelevizioni e të tjera, mirëpo edhe kjo përpjekje qe e pasuksesshme.

Aktiviteti në Amerikë

null
Me senatorin Jon Kyle (1999)

 

Ndonëse aksionet “diversante” në Shqipëri ishin ndërprerë, Remzi Barolli nuk do ta ndërpriste kurrë aktivitetin e tij patriotik, antikomunist. Luftën për vendosjen e një sistemi demokratik që domosdo do të ndërtohej një ditë mbi gërmadhat e sistemit komunist, zoti Barolli e zhvillonte në mënyra të ndryshme dhe atë e bënte në përshtatje me rrethanat dhe me momentin.

 

Gjatë një diversioni ilegal në Shqipëri, Remzi Barolli kishte lënduar kurrizin. Mjeku ia kishte ndaluar të bënte punë fizike. I kishte thënë: - Shkollohu, qeveria të paguan. Dhe Remziu i ishte përveshur mësimit. Kishte regjistruar kontabilitetin në Universitetin “Adelphi” të Nju-Jorkut. Studimet i kishte përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm dhe në janar të vitit 1969 kishte diplomuar. Kishte filluar të punonte nëpunës llogaritar. Një vit e gjysmë më vonë kishte nisur punën në Universitetin Shtetëror të Nju-Jorkut, ku për katër vjet e gjysmë kishte ligjëruar kontabilitetin. Pastaj kishte kaluar me punë në një universitet privat dhe ndërkohë (më 1976) kishte përfunduar studimet për financa, po në universitetin ku kishte mbaruar disa vjet më herët kontabilitetin.

 

Deri në vitin 1993, kur është zhvendosur nga Nju-Jorku në Feniks (Phoenix) të Arizonës, ai ka punuar në universitete të ndryshme të Nju-Jorkut, ku ka ligjëruar kontabilitet e financa, duke u bërë një kontabilist e një financier me zë në Nju-Jork e më vonë në Feniks.

 

Që nga viti 1966 ai ishte angazhuar në Shoqatën Fetare-Politike të Nju-Jorkut, e cila, më shumë se me veprimtari fetare, merrej me veprimtari patriotike. Shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri nga regjimi komunist dhe në Kosovë nga sunduesi serb ishin dy objektiva nga drejtohej veprimtaria e kësaj shoqate. Ishin 28 veta, në mesin e tyre edhe Remzi Barolli, që zhvillonin një veprimtari të dendur politike në kuadër të shoqatës, e cila kishte jo më pak se 25 mijë anëtarë. Dy ishin qëllimet politike të kësaj shoqate: të rrëzohej sistemi komunist me Enver Hoxhën ne krye dhe të çlirohej Kosova nga Serbia. S’kishte asnjë tubim të Shoqatës ku të mos zihej ngoje Kosova. Dy vjet më vonë Remzi Barolli ishte zgjedhur kryetar i Shoqatës, post të cilin e kishte mbajtur për 13 vjet.

Në mbështetje të vëllezërve nga Kosova

Ngjarjet në Kosovë këtu në Amerikë ndiqeshin me një interesim të jashtëzakonshëm. Shoqata zhvillonte një veprimtari të dendur, jo vetëm duke organizuar protesta që lidheshin me ngjarje që zhvilloheshin në Kosovë në kohën e sundimit të egër serb, si në kohën e Titos, ashtu edhe pas vdekjes së tij, por edhe duke u dërguar peticione organeve më të larta shtetërore të Amerikës, pastaj duke kontaktuar personalitete të shquara, përfshirë senatorë e kongresmenë amerikanë, të cilët bënin një punë të madhe në mbështetje të luftës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës për realizimin e të drejtave kombëtare.

 

Nja 90 për qind të demonstratave të Nju-Jorkut i ka organizuar kjo Shoqatë – thotë Remzi Barolli. Për t’u solidarizuar me demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, kemi organizuar 50 autobusë për të shkuar në protesta. Njëzet e tetë orë pandërprerë kisha vrapuar dhe të nesërmen kisha shkuar në punë.

 

Për të tubuar popullin, ne nuk i shprehnim simpatitë politike a fetare. Popullit gjithmonë i drejtoheshim me këto fjalë: - Në radhë të parë jemi shqiptarë, pastaj myslimanë, katolikë, ortodoksë...

 

- Në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990, 6 javë, çdo të shtunë e të diel, kemi protestuar para Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët e Amerikës gjithnjë janë solidarizuar me kërkesat e vëllezërve të tyre nga Kosova dhe gjithnjë kanë përkrahur e kanë mbështetur materialisht luftën që bëhej për rrënimin e komunizmit në Shqipëri. Mjaftonte një njoftim për organizimin e ndonjë proteste a çfarëdo tubimi me karakter politiko-patriotik dhe shqiptarët i gjeje në vendin që caktohej. Mjetet e informimit e kanë ndjekur me vëmendje veprimtarinë e Shoqatës dhe për ngjarjet në Kosovë kanë informuar kryesisht në mënyrë objektive, me përjashtime të vogla. Mjaft nga anëtarët e kësaj shoqate, ata më me ndikim, përveç që kanë pasur kontakte të shumta me zyrtarë amerikanë, kanë dhënë edhe një varg intervistash, të gjitha me qëllim që të sensibilizohej çështja shqiptare, jo vetëm te shtresa e njerëzve me ndikim në politikën amerikane, po edhe te qytetarët e rëndomtë, të cilët deri vonë nuk kanë ditur fare se ku gjendet Kosova.

Takimet me Leka Zogun

null
Me Leka Zogun (2005)

Lufta e shqiptarëve të Amerikës për shembjen e komunizmit në Shqipëri bëhej me program të caktuar dhe drejtohej nga njerëz me influencë. Njëri ndër ta ishte edhe Mbreti Leka Zogu, i cili ishte në kontakt të përhershëm me Remzi Barollin dhe me veprimtarë të tjerë shqiptarë të Amerikës, të cilët luftonin për një Shqipëri të lirë e demokratike në kuptimin e plotë të fjalës.
- Leka, trashëgimtar i Fronit Mbretëror Shqiptar, - thotë Remziu, - ka qenë disa herë këtu, në Amerikë. Sa herë që vinte, ishte mysafir në shtëpinë time, në Nju-Jork. Gjatë këtyre takimeve të shumta ne bisedonim për hallet tona të përbashkëta, për Shqipërinë që po ngryste ditët nën regjimin gjakatar komunist dhe për Kosovën, që po përgjakej nga sundimi barbar serb. Leka e ka ndihmuar shumë luftën tonë kundër të kuqve të Tiranës. Ndonëse ka jetuar në Republikën Jugafrikane, ai vinte në Amerikë sa herë që ishte nevoja për t’i koordinuar punët rreth luftës sonë antikomuniste. Bëheshin përpjekje për t’i bashkuar të gjitha forcat e djathta antikomuniste dhe për të krijuar një front të përbashkët antikomunist që do ta luftonte komunizmin me të gjitha mjetet e me të gjitha mundësitë. Një regjim totalitarist si ai në Shqiperi, ku pjesa më e madhe e buxhetit derdhej për ngritjen e qindra-mijëra bunkerëve anekënd Shqipërisë, për armatim, për propagandë kundër “imperializmit amerikan”, për botime vëllimesh të shumta luksoze të veprave të Enver Hoxhës e të klasikëve të marksizëm-leninizmit, për përhapjen e “rrezeve të socializmit” në të katër anët e globit, për mbajtje kongresesh e konferencash të Partisë së Punës të Shqipërisë e të tjera, ishte vështirë të lëkundej pa bashkimin e të gjitha forcave, ndonëse kjo varej në masë të madhe nga lëvizjet politike në botë, nga interesat e fuqive të mëdha.

 

Për herë të parë në Atdhe

Kur shumë shtete të ish-bllokut socialist po i flaknin përfundimisht prangat e robërisë komuniste dhe kur në Shqipëri sapo kishin filluar lëvizjet për t’i dhënë fund diktaturës gjysmëshekullore komuniste e kur shembja e komunizmit ishte vetëm çështje ditësh, Remzi Barolli si një ithtar i flakët i ndryshimeve demokratike, po bëhej gati t’i dilte ndihmë atdheut të tij që për 50 vjet kishte mbartur mbi supe peshën e rëndë të diktaturës së kuqe.
Në kohën kur Ramiz Alia ishte ende në fuqi, Remzi Barolli me një grup shqiptarësh nga Nju-Jorku, për herë të parë pas afro gjysmë shekulli, po e vizitonte Tokën Shqiptare, në të cilën deri dje kishte mundur të shkonte vetëm ilegalisht. Kishte qenë kjo një ngjarje nga ato që rrallë ndodhin në jetën e njeriut dhe të cilën Remziu e kishte pritur si diçka shumë, shumë të veçantë. Po shkonte për herë të parë pas afro dyzet vjetësh, lirshëm në Atdheun e tij të dashur.
Gjatë jetës shumëvjeçare në mërgim, larg Atdheut, Remzi Barolli gjithnjë e kishte përfytyruar ditën kur do të shkonte në Shqipëri, pa qenë i detyruar që të lëshohej tinëzisht me parashutë, ose ta kalonte kufirin në ndonjë vend ku mund ta linte jetën. Ajo ditë kishte ardhur dhe ai e kishte pritur atë me gëzim e mallëngjim njëkohësisht, Do ta shihte Shqipërinë e tij të dashur, për të cilën kishte rrezikuar jetën sa e sa herë gjatë hyrje-daljeve ilegale atje. Do ta shihte nënën, të cilën zor se do ta njihte, sepse po bëheshin gati pesëdhjetë vjet pa e parë, do t’i shihte të afërmit, ata që kishin arritur të shpëtonin gjallë.
- Unë kam qenë i pari shqiptar i ikur që jam kthyer në Shqipëri, - thotë zoti Barolli. Kam shkuar atje me një grup shqiptarësh nga Nju-Jorku. Qëllimi i vizitës sonë kishte qenë që ta ndihmonim ekonominë shqiptare. Ramiz Alia ende ishte në fuqi. Ai nuk kishte pranuar të takohej me ne, edhe pse ne kishim kërkuar ta takonim.
- Gjithkund na pritën jashtëzakonisht mirë, - vazhdon rrëfimin Remziu. Vizituam Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Korçën. Kudo na bënë pritje madhështore. Kur shkova në fshatin tim të lindjes, në Trestenik të Devollit, autobusin u detyruam ta linin larg fshatit, ngase ishte e pamundur të depërtonim nga turma e madhe e njerëzve që kishte dalë për të na pritur. Ishin momente tepër prekëse takimet me të afërmit, me kushërinj të parë, me bashkëfshatarë. Nuk e njihnim njëri-tjetrin. Pyesnim cili i kujt është. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi nuk ishin më gjallë. Në fytyrat e të gjithëve vërehej vuajtja e madhe. Varfëria kishte lënë gjurmë të thella në fytyrat e njerëzve, në trupin e tyre, në shpirtin e tyre.
Për nënën nuk kishte mundur të siguronte kurrfarë informate. E dinte se gjendej diku në ndonjë burg a në ndonjë kamp pune, por kurrkush nuk kishte ditur ose nuk kishte dashur t’i jepte informacion të saktë.

null
Remzi Barolli

Shqipëria kishte nevojë për ndihmë

Pas ardhjes së Sali Berishës në krye të shtetit shqiptar, Remzi Barolli e viziton Shqipërinë me një delegacion shqiptaro-amerikan. Pritja që i ishte bërë këtij delegacioni kishte qenë jashtëzakonisht e mirë. Mysafirët nga Amerika kishin vizituar shumë qytete e vendbanime shqiptare dhe kudo ishin pritur me lule. Shqiptarët, ndonëse të varfër e të përvuajtur, e kishin ruajtur shpirtin e tyre fisnik. Gjatë takimeve të shumta me ta, delegacioni shqiptaro-amerikan ishte informuar për hallet e tyre dhe u kishte premtuar se do të bënin çmos për t’i ndihmuar, natyrisht në rrugë institucionale.

 

- Jemi takuar edhe me Sali Berishën, - thotë Barolli. - Katër orë kemi biseduar në zyrën e tij. Me një grup ekspertësh amerikanë kam punuar për të ndihmuar në çështje të bankës, çështje ekonomike, çështje kontabiliteti dhe kompjuteri. Në vitin 1993 Sali Berishës i dërgova 300 faqe model pune, por përgjigje s’mora asnjëherë.

 

- Pas çdo vizite në Shqipëri, kthehesha shumë i zhgënjyer. Nuk mund të besoja se Shqipëria vetëm ishte shkatërruar, asgjë s’ishte ndërtuar. Komunizmi vërtet ishte shembur, por ai komunizëm ia kishte gërryer themelet Shqipërisë, së cilës i duhet kohë tepër e gjatë për t’u ngritur në këmbë. Kështu ishte nja 20 vjet më parë, gjatë vizitave të mia të para në Shqipëri. Edhe sot gjërat pak kanë ndryshuar në Shqipëri. Në vend që të shkonte përpara, në vend që të demokratizohej, Shqipëria sot është zhytur në një kaos, pothuaj e ka restauruar komunizmin dhe populli, shumica, po jeton aq keq sikur në kohën e Enver Hoxhës – thotë tepër i zhgënjyer Remzi Barolli.

Takimi i parë me nënën pas 50 vjetësh

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, nga Departamenti i Shtetit Amerikan i kishin telefonuar Remzi Barollit:

 

- Mund të nxjerrësh njerëz nga Shqipëria. Kë të duash e sa të duash.

 

- Kjo më gëzoi shumë, - thotë Remziu, - sepse kisha parasysh faktin se në ç’gjendje të rëndë ekonomike ishin ata pak të afërm të mi që ende ishin gjallë, por edhe duke qenë i vetëdijshëm se, ndonëse në krye të shtetit shqiptar kishte ardhur një qeveri e djathtë demokratike, ndryshimet nuk mund të bëheshin shpejt. Një shteti të shkatërruar nga komunizmi për një gjysmë shekulli do t’i duhej një kohë e gjatë për ta marrë veten, kurse gjurmët që kishte lënë regjimi i egër antikombëtar, sidomos në psiken e shqiptarit, vështirë se mund t’i shlyejë edhe një shekull i tërë. Natyrisht, në radhë të parë ishte nëna, pastaj të tjerët. Nxora nga banka 32 mijë dollarë dhe shkova në Ambasadën Amerikane në Rumani. Atje ndenja 5 javë e gjysmë. Nga Shqipëria nxora motrën, vëllanë, nipin dhe disa të tjerë, gjithsej 16 veta.

 

- Për ta nxjerrë nënën time nga kampi (ajo, edhe pse ishte liruar, ende qëndronte në kamp, ngase s’kishte ku të shkonte, shtëpia ishte shkatërruar), kam qenë i detyruar të vrapoj shumë,- thotë Remziu.

 

Një nëpunëse në Departamentin e Shtetit Amerikan, Suzana quhej, ishte e para amerikane që kishte shkuar në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Ajo kishte biseduar me Ramiz Alinë dhe kishte kërkuar lirimin e nënës së Remziut, por ai i ishte përgjigjur:

 

- Unë jam kryetar shteti dhe s’mund të merrem me individë. Suzana kishte qenë këmbëngulëse dhe, pas disa bisedash, kishte arritur ta nxirrte atë nga kampi.

 

Ajo kishte hipur në avion dhe ishte nisur për në Zvicër, ku do ta priste i biri. Gjatë gjithë rrugës kishte qarë... Remziu kishte shkuar nga Amerika në Zvicër, në aeroportin e Cyrihut, për ta pritur nënën të cilën s’e njihte dhe e cila po ashtu, s’e njihte. Meqë nënë Aishja shoqërohej nga një teze e Remziut të cilën ky e kishte nxjerrë nga Shqipëria, kur ishin takuar në aeroport, Remziu e kishte marrë me mend se ishte e ëma, ndërkaq ajo nuk kishte mundur të bindej gjatë se ai ishte i biri.

Angazhimi për bashkimin e shqiptarëve të Arizonës

Ishin vitet e fundit të qëndrimit të tij në Nju-Jorkun e zhurmshëm. Tashmë ishte në një moshë kur i duhej pak më shumë qetësi, por jo dhe pushim, se ai kurrë nuk e ka ndërprerë aktivitetin në dobi të çështjes shqiptare. Ai ka vuajtur shumë në fëmijërinë e tij të vonshme dhe në rininë e hershme, prandaj nuk mund të bënte sehir kur një bashkatdhetar i tij ishte keq dhe kishte nevojë që t’ia shtrinte dikush dorën e ndihmës. Dhe, atë dorë të ndihmës Remziu nuk ia shtrinte kujt nga mëshira, por ngase ka një shpirt tepër fisnik.

 

Pas qëndrimit afro dyzetvjeçar në qytetin më të madh të SHBA-ve, në Nju-Jork dhe pas një veprimtarie të frytshme në atë qytet të stërmadh, Remziu vjen e vendoset në Arizonë, një vend me klimë shumë të nxehtë, por të përshtatshme sidomos për moshën e tretë. Bashkë me të shoqen Meri me të birin Rakipin, që mban emrin e babait të vrarë të Remziut, vendosen në Feniks (Phoenix). Këtu Remziu ka punuar në kolegjin International Institute of the Americas (ka ligjëruar kontabilitet e financa), deri më 2006, kur është pensionuar.

 

Më vonë familjes Barolli do t’i bashkëngjitet në Feniks edhe e bija më e madhe e Remziut, Aishja, së cilës ia ka lënë emrin e së ëmës, pasi që kjo kishte lindur në kohën kur nuk dihej në ishte gjallë apo jo nënë Aishja. Ndërkaq, vajza tjetër e Remziut, Veronika po ashtu jeton në Feniks.

 

- Në Feniks kam ardhur në vitin 1993, - rrëfen zoti Barolli. Atëherë këtu kanë qenë vetëm 17 familje shqiptare, kryesisht nga Dibra. Ata gati të gjithë punonin nëpër piceri dhe gati nuk merreshin me kurrfarë aktiviteti, duke u arsyetuar se nuk kishin kohë. Ata, shumica, vërtet punonin ag e terr, mirëpo ashtu siç ishin, të paorganizuar fare, ishin krejtësisht të padobishëm. Bashkë me Petrit Çamin, një shqiptar nga Dibra, u përpoqëm të bënim diçka. U deshën gjashtë muaj përpjekje për t’i bindur shqiptarët që të formonim komunitetin. Komunitetin e themeluam më 1995 dhe e pagëzuam me emrin simbolik “Shqipja e Arizonës”. Menjëherë pas themelimit bëmë piknikun e parë. Pastaj festuam 28 Nëntorin dhe aktiviteti ynë dalëngadalë filloi të zgjerohej.

 

Themelimi i komunitetit shqiptar të Arizonës, në krye të të cilit u zgjodh Remzi Barolli, është i një rëndësie të veçantë, në radhë të parë për vetë shqiptarët e Feniksit, qytet ku janë të vendosur gati të gjithë shqiptarët e Arizonës, por edhe për ta ndihmuar çështjen e Kosovës. Para se të organizoheshin në komunitet, shqiptarët e Arizonës kontaktonin me njëri-tjetrin kryesisht në bazë të lidhjeve farefisnore dhe informatat që merrnin për ngjarjet në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare ishin më shumë individuale. Me themelimin e komunitetit, filloi gjallëria. Shqiptarët mbanin mbledhje, kontaktonin me njëri-tjetrin, organizonin piknikë të përbashkët, ku nuk mungonin as miq të shumtë amerikanë.

Në mbështetje të luftës së Kosovës

Në kohën kur shpërtheu lufta në Kosovë, shqiptarët e Arizonës u mobilizuan. Në krye të tyre ishte Remzi Barolli, i cili krah të djathtë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara që nga dita e parë e themelimit të komunitetit, kishte bashkëshorten, zonjën Meri.

 

- Puna e parë që bëri komuniteti ynë pas fillimit të luftës në Kosovë, - thotë Remzi Barolli, - ishte mbledhja e ndihmave për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim ndihmat i mblidhte Shahin Berisha (një shqiptar nga Prishtina, doktor shkence, profesor në Gateway Community College). Më pastaj mjetet i dërgonim në Fondacionin “Vendlindja thërret”. Mblidheshin prej 15 deri në 80 mijë dollarë, sipas mundësive. Më së shumti ndihma kanë dhënë Bardhyl Kosovrasti dhe Abedin Ollomani, që të dy pronarë picerish.

 

Në vitin 1998, po sidomos në dimër-pranverë të vitit 1999, atëherë kur lufta në Kosovë kishte arritur kulmin, Komuniteti kishte organizuar disa demonstrata të suksesshme. Në to, përveç shqiptarëve, merrnin pjesë edhe shumë amerikanë, në mesin e tyre edhe studentët e Remzi Barollit. Kishte edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera që u bashkëngjiteshin protestuesve shqiptarë. Pos që organizonte protesta, komuniteti kontaktonte me shumë kongresmenë nëpërmjet postës elektronike, me telegrame të shumta e me letra të ndryshme.

 

- I kemi shkruar zonjës Olbrajt – thotë Remziu, - dhe kemi kërkuar nga ajo që të angazhohej maksimalisht për çështjen shqiptare. Zonja e senatorit Mc Cain, me ftesën tonë ka qenë pjesëmarrëse në një mbledhje të komunitetit tonë dhe i ka përkrahur kërkesat tona, domethënë kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës. Demonstratat tona i ndiqnin gati të gjitha radiostacionet dhe televizionet e Arizonës, si dhe gazetat kryesore të këtij shteti. Jam takuar me mjaft personalitete të jetës politike, por edhe me të tjerë, si me boksierin e njohur Muhamed Ali, i cili po ashtu është angazhuar për çështjen e Kosovës.

 

Punët kryesore rreth organizimit dhe mbajtjes së protestave i kryenin Remzi Barolli dhe bashkëshortja e tij, Meri. Ajo i shkruante në kompjuter tekstet e pankartave, ftesat qe do t’u dërgoheshin personaliteteve të shquara amerikane të Arizonës, telegramet e shumta që dërgoheshin në Uashington, dërgonte letra elektronike etj. Remziu siguronte lejen për protestat, njoftonte mjetet e informimit, siguronte flamuj shqiptarë e amerikanë, si dhe flamuj të Arizonës.

Duke pritur refugjatë nga Kosova

Shumë shqiptarë nga ai lumë i pafund të ikurish nga Kosova në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi, pas një qëndrimi të shkurtër te vëllezërit e tyre, të cilët kishin hapur për ta edhe zemrat, edhe dyert, kishin marrë udhë për në shtete të ndryshme të botës. Një numër relativisht i madh kishte ardhur këndej oqeanit, në Amerikë. Këtu ishin shpërndarë në të 50 shtetet amerikane.

 

Ne kryeqytetin e shtetit Arizona, në Feniks, familjet e para nga Kosova kishin arritur më 12 maj 1999. Për t’i pritur në Aeroportin “Sky Harbor” kishin dalë, përveç një numri të madh shqiptarësh, edhe shumë qytetarë amerikanë dhe gazetarë të shumtë të radiotelevizionit e të shtypit. Ishte Remzi Barolli, që kishte organizuar pritjen e familjeve të para dhe të familjeve të tjera që vazhdonin të vinin njëra pas tjetrës deri nga fundi i gushtit të atij viti, kur pasi forcat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë, ishte ndërprerë programi për refugjatë nga Kosova.

 

Gjithnjë i palodhshëm, gjithnjë vital, Remziu i ndihmuar nga disa kisha sponsoruese amerikane dhe nga individë amerikanë, kishte organizuar shqiptarët e Feniksit jo vetëm për t’i pritur të ikurit nga lufta, por edhe për të organizuar vendosjen e tyre dhe për t’i ndihmuar ata në mënyra të ndryshme, derisa ta merrnin veten. Veç kësaj, Remziu kishte njoftuar të gjitha mediet e Arizonës, sa herë që këtu arrinin refugjatë nga Kosova, kështu që një numër i madh i tyre, sa herë që në aeroportin e Fenikist vinin familje a individë të ikur nga Kosova, i shihje në aeroport, bashkë me shqiptarë.

 

Ditët e para pas arritjes në Feniks do të ishin shumë më të vështira për shqiptarët nga Kosova, po të mos ishte Remzi Barolli, i cili bashkë me zonjën e tij, Meri gati çdo ditë ishin me ta. Në fillim përkujdeseshin për vendosjen dhe për sistemimin e refugjatëve, pastaj për pajisjen e banesave të tyre me çdo gjë të nevojshme, u ndihmonin për t’i rregulluar dokumentet e ndryshme dhe kontaktonin shoqata humanitare e individë të shumtë. Institucionet humanitare grumbullonin ndihma (veshmbathje, të përdorura e të reja, orendi, pajime kuzhine, televizorë, lodra fëmijësh, pajime shkollore, mjete higjienike, ushqime e të tjera) dhe i dërgonin te Remzi Barolli. Dy garazhet e tij ishin shndërruar në depo grumbullimi ndihmash humanitare të shoqatave e të qytetarëve amerikanë.

 

Për ndihmat e grumbulluara në shtëpinë e zotit Barolli më tej kujdesej zonja Barolli, nëpër duart e së cilës kalonin të gjitha ndihmat që u dedikoheshin refugjatëve shqiptarë. Ajo i evidenconte mjetet e grumbulluara, i sistemonte e, në rast nevoje, i paketonte dhe kur refugjatët nuk kishin mundësi të shkonin e t’i merrnin, ajo bashkë me të shoqin ua shpinin atyre nëpër banesa, gjithnjë duke mbajtur evidencë për sasinë dhe për llojin e ndihmave të shpërndara.

 

Remziu, ndërkaq, si një djalë i ri, gjithnjë i papërtueshëm, shkonte nga njëra familje te tjetra dhe interesohej për hallet e tyre të çdoditshme. I udhëzonte, tamam si një prind i mirë, për gjithçka që ata duhej të dinin, sepse gati të gjithë ata që kishin ikur nga Kosova nuk dinin anglisht dhe kudo që shkonin kishin nevojë për dikë që do t’i shoqëronte e që do t’u ndihmonte për të komunikuar anglisht.

Duke jetuar të kaluarën

Sot Remzi Barolli, pensionist bën një jetë të qetë në Feniks, por pa e harruar kurrë të kaluarën, sidomos atë periudhën më të errët të jetës së tij, të kaluar në burgjet komuniste të burgut të madh të quajtur Shqipëri. Ai ka një urrejtje të madhe për komunizmin, për këtë murtajë, virusi i së cilës për fat të keq vazhdon edhe sot t’i infektojë shqiptarët.

 

Remziu shpeshherë e përmend shifrën 349. Janë 349 vjet burg e internim për Barollinjtë, të cilët nuk mund të shlyhen lehtë nga kujtesa. Është i madh numri i anëtarëve të familjes Barolli dhe i anëtarëve të familjeve të tjera farefis me Barollinjtë, që e kanë provuar ferrin komunist të Shqipërisë. Janë shumë vjet dënime që kanë marrë Barollinjtë, nisur nga nënë Aishja, e cila ka qëndruar gati 50 vjet në burg e në internim. Xhaxhai Demiri është pushkatuar pas 4 vjet vuajtjeje dënimi, xhaxhai tjetër Murati ka vdekur në burg pas 30 vjet vuajtjeje dënimi, xhaxhai Kamberi, po ashtu ka vdekur në burg pasi e ka shijuar atë për 35 vjet, kurse gruaja e tij, Nazimja ka mbajtur 16 vjet burg dhe motra e kësaj, Halidja 6 vjet burg (për fëmijët e saj të vegjël ishte kujdesur vëllai). Një djalë halle i Remziut, Ibrahim Tare ka mbajtur 14 vjet burg dhe është pushkatuar, babai i tij Seiti, bashkë me të birin tjetër, vëllanë e Ibrahimit, janë pushkatuar në burg, nëna e Ibrahimit, Esmaja ka vdekur në kamp pas 15 vjet internimi. Pasi është ekzekutuar babai i Remziut, Rakipi, më 1946 janë pushkatuar edhe burri i tezes së Remziut, Rifati me të birin. Djali i axhës së Remziut, Nexhmiu ka vuajtur 41 vjet në kamp, bashkë me të shoqen (tre fëmijë të tyre kanë lindur në kamp). Motra e Remziut, Hiqmeti, i ka kaluar 9 vjet në kamp, djali i xha Muratit, Fiqriu ka vuajtur 17 vjet e gjysmë burg, Haki Tare, djali i hallës, ka qëndruar në burg nga viti 1946-1991, nipi i këtij, Seati, pas 22 vjet vuajtjeje dënimi është çmendur në burg dhe është verbuar, një kushëri tjetër i Remziut, Zeqiri ka qëndruar në kamp nga viti 1949 dhe është vrarë më 1961 gjatë tentimit për të ikur. Një tjetër kushëri (nga nëna) i Remziut, Skënder Sheholli, i akuzuar si diversant, kishte vuajtur 34 vjet burg, i biri i xha Demirit, Fahriu dy vjet burg e kështu me radhë. Disa emra të të burgosurve nuk i mban mend dot as Remziu, sepse janë shumë. Disa prej tyre, pasi janë liruar nga burgjet ose nga kampet pas shembjes së komunizmit, kanë vdekur në këta 17-18 vjetët e fundit, shumica në varfëri të plotë dhe pa kujdesin e kurrkujt. Disa nga të afërmit e Remziut, me ndihmën e tij, kanë ardhur në SHBA. E ëma e Remziut, vitet e fundit të jetës i ka kaluar tek i biri, Remziu, ku edhe ka vdekur.

 

Zoti Barolli edhe sot është aktiv e i pranishëm në çdo veprimtari, në çdo tubim të shqiptarëve të Arizonës. Në tubime festash, si në Ditën e Flamurit a në Ditën e pavarësisë së Kosovës atë e shek tek vallëzon tok me të tjerët tamam si një djalë i ri, ndonëse po u afrohet të tetëdhjetave.

 

Nga Hajro Hajra, Arizonë, SHBA

3 Komente

Leka Zogu tek fotoja ne artikull duket si junkie smiley

Jeteshkrimi i Remziut, ishte interesant dhe nuk do te ishte keq te behej film, per te ngelur ne mendjet e gjith brezave. Vetem tek ajo pjesa e jetes se tij e lidhur me CIA-n, une (po te isha regjizor) do perfundoja me vdekjen e Remziut, sepse koha dhe historia provoi se te gjithe ata qe punuan per CIA-n si diversante apo çlirues, harxhuan kohen kot. Edhe vet jeta e Remziut e provoi kete, kur ai iu fut studimeve te kontabilitetit, dhe jetes shoqerore ne dobi te çeshtjes shqiptare. Dikur CIA, konsiderohej nga mua dhe ter kundershtaret e regjimit te E.H. si nje drite, mirpo koha provoi te kunderten, se ai organizem ishte mbushur me torrollaker, megallomane, te hurit e litarit, tamam si sigurimi shqiptar, per te mos thene me keq.

Ndihma qe ai ka dhene per shqiptaret e emigruar ne USA, eshte per tu lavderuar dhe gdhendur ne historine e diaspores. Zhgenjimin qe ai ka pesuar ndaj Sali Protopapes dhe rregjimit "demokratik" te tij, une e ngushelloj se nuk eshte vetem ai i zhgenjyer, por jane me mijra e mijra shqiptare te zhgenjyer nga ai e klika e tij.  

 Shpresoj qe Remziu ta kete kuptuar, se ai e ka ndihmuar çeshtjen shqiptare, me shume me shkollen qe beri se sa me bashkpunimin me CIA-n.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).