Rama: Na falni për zgjedhjet e vitit 2005

Ndjesa publike e kryetarit të ri të PS-së për mënyrën e qeverisjes dhe sfida e tij për të pastruar qeverinë. Të pathënat e Edi Ramës, nga politika, familja e deri tek abstraksioni i pikturave. Ndjesitë për Shqipërinë dhe takimi i fundit me një mik të mirë

Marrja e drejtimit të Partisë Socialiste në vitin 2005 është sfida më e madhe e kryebashkiakut të asaj kohe. Socialistët vinin nga një disfatë e çuditshme. Të majtët nuk kishin humbur, por më katër korrik e gjetën veten në opozitë. Kundërshtari i tyre nuk kishte marrë më shumë vota, por sërish ata kishin më pak deputetë. Ndasitë brenda vetvetes kishin dërrmuar votën e majtë, ndërsa mënyra e qeverisjes kishte lënë në baltë këdo që e kishte votuar. Për katër vite, Partia Socialiste ishte kthyer në një gërmadhë të vjetër, ku dhe muret e kalbura pikonin korrupsion kryeministror. Për këtë gjë ajo ishte kundërvotuar dhe shqiptarët e kishin kuptuar këtë gjë, 3 korriku 2005 ishte humbja e Nanos dhe jo fitorja e Berishës.
Në këto kushte nisi të zbatohej politika e re e Ramës. Ai e nisi me gjestin më qytetar, duke u kërkuar falje të gjithë socialistëve, të gjithë atyre që e kishin votuar, por më së tepërmi të gjithë shqiptarëve. Duke përmendur të gjitha defektet e qeverisjes socialiste, Rama nisi të krijojë platformën e re.

Fjalimi i Ramës pas zgjedhjes si kryetar i PS-së

Kam dashur me të gjithë forcën e shpirtit që të mos vinte kjo ditë, kur na duhet të flasim si të mundur në një betejë, të cilën s'mund ta fitonte kundërshtari ynë, por mund ta humbitnim vetëm ne, kam dashur me të gjithë forcën e zemrës që ta shmangnim këtë ditë aspak të lehtë për familjen tonë politike, duke shmangur humbjen e zgjedhjeve, të cilat tashmë i kemi humbur në mënyrën më të palavdishme, kam dashur me të gjithë forcën e mendjes të përfytyroj një histori tjetër nga kjo që ne shkruam symbyllur, padashur të shikojmë se armiku ynë më i madh u be vetvetja, kam folur kur dhe sa kam mundur, por fatkeqësisht asgjë me shumë s'kam mundur të bëj për të mos u gjendur sot në mes të një krize nga ku ne duhet dhe do të dalim duke parë në sy të vërtetën, popullin shqiptar dhe njëri-tjetrin.
Më 3 korrik ne humbëm një betejë me një rezultat të paralajmëruar për të paktën dy vjet me radhë, megjithëse kundërshtari ynë nuk fitoi votat e shumicës së shqiptarëve. Ky fakt është edhe më tronditës sesa vete humbja, kjo e vërtetë e thjeshtë nuk është ngushëllimi, por fakti kokëfortë që tregon se ne nuk kemi humbur normalisht një beteje normale politike me kundërshtarin tonë, por kemi humbur vendin në zemrën e këtij populli. Faji ynë i madh nuk është që nuk kemi rinovuar mandatin për të qeverisur, por që kemi zhgënjyer një popull të tërë, të cilit tjetër gjë i kishim premtuar dhe tjetër gjë i dhamë me modelin tonë qeverisës, me reformat tona gjysmake, me rezultatet tona të pamjaftueshme.
Unë e ndiej sot për detyrë, që, në emër të të gjithë atyre mijëra socialistëve që më kanë dhënë pa kursim mbështetjen e tyre në këtë nismë, të ulem në gjunjë përpara shqiptarëve e t'u them:
Na falni!
Na falni për modelin me të cilin ju qeverisëm, duke e kthyer arrogancën në stil komunikimi, cinizmin në thelb të sjelljes politike, indiferencën ndaj njeriut në mënyrë të të jetuari të qenies sonë në pushtet.
Na falni për varfërinë që e luftuam kryesisht me llafe e me strategji që as vete nuk i lexuam kurrë, duke e transformuar këtë kauzë të madhe ekzistenciale të së majtës në një shtojcë të rëndomtë të fjalimeve tona demagogjike, ndërkohë që në terrenin ku jetojmë varfëria thellohej.
Na falni për polarizimin galopant të shoqërisë e për shtetin social që e kthyem në një farsë, për papunësinë që e pranuam pasivisht si një bashkudhëtar të paprekshëm në rrugën e atdheut tonë dhe për dembelizmin, parazitizmin që ushqyem me politikat tona sociale tërësisht fiktive.
Na falni për armiqësinë, me të cilën e trajtuam rëndom sipërmarrjen e lirë shqiptare, duke e ndrydhur me qëndrime arbitrare të kthyera dalëngadalë në sistem dhe duke e sulmuar me hordhi taksidarësh të paudhë, që u mësuan të trokisnin dyerve të biznesmenëve të mëdhenj e të vegjël me dy thasë në krah, një për shtetin e një për pushtetin.
Na falni për natyrën e keqtrajtuar, për plehrat që kalben e kutërbojnë në anët e çdo rruge të Shqipërisë, për lumenjtë e gërryer egërsisht nga shitësit e inerteve, për pyjet e sakatuara nga druprerësit e paligjshëm, për plazhet e sulmuara nga epidemia e betonit që po shkatërron resurset e mrekullueshme turistike të vendit tonë, për varrezat e ububushme të makinave që shtrihen në tokat e bukës bashkë me ngrehinat e kudondodhura të stacioneve të shëmtuara të karburantit, për mungesën e rëndë të ndjeshmërisë sonë në këtë drejtim.
Na falni për nivelin e korrupsionit shtetëror, e, mbi të gjitha, për përpjekjet krejt të pamjaftueshme që qeveria jonë bëri kundër kësaj kryefjale të luftës së të gjithë kundërshtarëve ndaj nesh, të cilët i ndihmuam bashkë me vetë korrupsionin, duke krijuar një mjedis të ndyrë, asfiksues e dëshpërues, akuzash e shantazhesh brenda nesh, për llogari të ambicieve e të delireve të shfrenuara personale për pushtet, të cilat e katandisën Partinë Socialiste në skenën e estradës më vulgare që shqiptarëve u ka rënë rasti të shohin.
Dhe sigurisht, e fundit fare, na falni që ju rihipëm në kurriz Sali Berishën me shpurën e shërbëtorëve të tij.
Më 3 korrik ka pasur veteranë të luftës që nuk e kanë votuar Partinë Socialiste e kanë ndenjur në shtëpi zemërthyer e të hidhëruar deri në kockë me të, ka pasur militantë, simpatizantë të orëve të para, gra a burra plot dinjitet e vetëdije politike që, të revoltuar nga sjellja jonë me pushtetin e me njëri-tjetrin, kanë parapëlqyer të na sfidojnë me shuplakën e tyre, duke e çuar votën gjetkë, por jo te Berisha, ka pasur të reja e të rinj që as kanë dashur t'ia dinë se ka votime në Shqipëri, sepse pas kontributit të tyre me votë për Partinë Socialiste në vitin 2001, kanë ndjekur si bashkëfajtorë pa faj sherret e paturpshme e të pafundme në familjen tonë dhe na kanë kthyer shpinën. Të tërë këta njerëz të ndershëm e të interesuar për një Shqipëri më të mirë, nuk janë të marrë, por kanë qenë krejt të kthjellët në vendimin e tyre për të na dhënë shuplakën e 3 korrikut.
Shqiptarët janë zhgënjyer me ne, ky është faji ynë i madh, shqiptarët nuk kanë iluzione për këtë qeveri, ky është konfirmimi i fajit tonë të madh dhe këtu, mbi zhgënjimin prej nesh dhe mungesën e iluzioneve për qeverinë e zotit Berisha, duhet lidhur filli i arsyetimit tonë për të ndërtuar opozitën që kërkojnë shqiptarët e që i nevojitet Shqipërisë. Duke e filluar nga vetja, sigurisht. Ndjesa e thellë që unë kërkova qysh në fillim të kësaj fjale, nuk ka vlerë nëse nuk është shprehje e vetëdijes se kjo është ora e ndryshimit tonë të madh, për të mos ecur më tej në rrugën pa krye të arratisjes prej opinionit publik e prej problemeve të rënda që duhet të zgjidhë vendi në rrugën e integrimit evropian, por për të filluar kthesën e madhe, duke çelur rrugën e një transformimi shumëpërmasor në jetën a familjes sonë politike, duke filluar nga reforma historike e kalimit të vendimmarrjes në duart e anëtarit të partisë përmes jetësimit të parimit një anëtar dhe duke vendosur kështu një standard të ri jo vetëm në jetën e partisë, por në jetën politike të vendit.

Gjatë ditëve të trazuara, kur merrte kreun e PS-së, Edi Rama vazhdonte që të pikturonte në bllokun e tij. Këtë herë, piktura ishte më ndryshe. Në vend të shumëngjyrëshit karakteristik, piktura është vetëm kuqezi.

"Këto janë zgjedhjet tuaja, jo të miat"

Kur Edi Rama premtonte reformim të Partisë Socialiste, shumëpak njerëz mendonin se do t'ia arrinte deri në këtë pikë ku ndodhemi sot. Lista e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 qershorit tregoi më së miri vendosmërinë e atij njeriu për të prodhuar politikën e re. Vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve, ai i drejtohej elektoratit me anë të një letre.
"Një popull që e do vendin e tij mund ta ndryshojë. Nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme për të provuar këtë të vërtetë të madhe, duke mos lënë bosh vendin që i takon secilit prej nesh në këtë betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës.
Zgjedhjet e 28 qershorit të ardhshëm nuk janë zgjedhjet e mia, po zgjedhjet tuaja. Fitorja e tyre ka të bëjë me sfidën time personale, aq sa ç'ka të bëjë edhe me sfidën e secilit prej jush. Nuk na duhet një fitore për të çuar në pushtet disa njerëz në vend të disa të tjerëve, por një pushtet që të na çojë në fitoren e sfidave që s'mund t'ua lëmë në dorë të tjerëve.
Me këtë besim po ngrihet në të gjithë Shqipërinë Rrjeti i Vullnetarëve të Bashkimit të Ri.
Përpara nesh është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë histori!
Kjo është mundësia Juaj. Mos e lini të kalojë pa lënë gjurmën Tuaj në historinë e re që po fillon.
Përzemërsisht, Edi Rama".

 

Parashikimi
Berisha do manipulojë zgjedhjet e vitit 1996

Prilli i vitit 1996 ishte i mbushur me tension për shkak se një muaj më pas do të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare. Qeveria e djathtë kërkonte rikonfirmim pas dështimit që kishte pësuar në referendumin për Kushtetutën, ndërsa opozita e majtë synonte fitoren. Edi Rama ishte një ndër njerëzit që kundërshtuan regjimin komunist dhe morën pjesë në protestat studentore. Tashmë Rama gjendet në një pozicion komod, jashtë politikës dhe shkruan një letër, ku shpreh dyshimet e tij për zgjedhjet që po vijnë.
"Në këto katër vjet, Sali Berisha dhe partia e tij kanë vepruar dukshëm në disfavor të idealit demokratik, me politikën e tyre arbitrare e të çoroditur ata kanë minuar shumë rrezikshëm terrenin rrëshqitës të tranzicionit, duke hapur nga të katër anët precedentë antidemokratikë. Imagjinata ime nuk më ndihmon të kuptoj se çfarë mund të ndodhë në pragun e finishit të mandatit të tyre, sepse, në fjalët që thonë dhe në veprimet që kryejnë, nuk ndiej as vullnetin më të vogël për të pranuar humbjen e sigurt që i pret e për të dorëzuar pushtetin paqësisht, si rezultat i verdiktit të zgjedhjeve. Në qofshin vërtet të lira dhe të respektuara si të tilla, zgjedhjet që kemi në prag do të jenë guri i parë i palëvizshëm në themelet e një shteti demokratik shqiptar, ndërsa në të kundërt, pra, në rastin që klani në fuqi do të kërkojë të dhunojë vullnetin e popullit me manipulime e grabitje të votave, atëherë këto zgjedhje do të jenë pa asnjë dyshim precedenti më i rrezikshëm e antidemokratik që ky pushtet plot vese të trashëguara nga e kaluara i hap së ardhmes së afërt të Shqipërisë.

 

Ana e pasme e medaljes

Duket i rëndë, i zymtë. Shpeshherë acarues, me një ironi therëse. Ndonjëherë duket si një makinë infernale pune që nuk ka asgjë njerëzore përveç paraqitjes. Duket si një prej monstrave të çuditshëm me ngjyra dhe forma të pakuptueshme që ka pikturuar në bllokun e tij të shënimeve, por Edi Rama ka një anë tjetër. Një anë shumë më njerëzore se sa ajo që shfaqet në pamjen e parë.
Teksa lexon faqet e librit të tij të çuditshëm, nis e kupton dalëngadalë se si funksionon ai njeri, kupton si nguliten në mendjen e tij fjalë, njerëz, ngjarje, por dhe fatkeqësi të të gjitha llojeve.
Teksa flet me mbesën krijon një figurë abstrakte në libër; teksa largohet nga Tirana për në Paris qan për atë që lë pas; teksa lexon agjendën ditore pikturon pallatet e ardhshme..., e kështu me radhë. Libri i tij është si një ditar që shpjegon ditët e Edi Ramës në emigracion, ditët si kryetar bashkie, ditët tejet stresuese të sëmundjes së të birit apo problemet teksa merr përsipër të drejtojë një PS të lënë në pikë të hallit, në ditë të zezë.
Ai shfaqet ndryshe teksa komunikon me mbesën Chris, apo kur i shkruan Gregorit të vogël. Ndryshe nga pallatet e tij shumëngjyrëshe, fasada që Rama ka zgjedhur të mbajë për veten është e zymtë, por teksa shfleton librin kupton që ajo është vetëm një fasadë. Ana e pasme e medaljes është shumë ndryshe, është shumë më e butë, është një njeri i thjeshtë, por me shumë ide, ku secila prej tyre është e veçantë dhe nuk ka lidhje me peizazhin tradicional shqiptar. Aty e kupton mllefin e tij për politikën shqiptare (edhe pse vetë është një ndër dy politikanët më të rëndësishëm); aty e kupton se brenda tij është ngjizur politika e re për ndryshim që do të shpërthejë më pas me "krasitjen" e grupit të plakur socialist me dhjetëra emrat e rinj në listat për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
***
Teksa largohet nga Shqipëria, në korrik të vitit 1995, gjendja e tij emocionale është e rënduar. "Kësaj radhe ikja nga Tirana ishte plot trishtim. Nuk e di, ndoshta nuk doja t'i bindesha një ndjesie të fshehtë që më thoshte se kësaj radhe ishte shumë më ndryshe. Asnjëherë nuk kam ikur për kaq gjatë dhe duke e njohur veten e ndiej që një vit mund të më bëjë të mos kthehem më. Pikërisht kjo më dukej e rëndë teksa avioni i binte anepërqark Rinasit për të marrë turrin e fluturimit. E ngjesha fort fytyrën pas xhamit të rrumbullakët, në përpjekje për të ndalur një ardhje të papritur imazhesh gjysmëtransparente që përshkonin sytë e mi, duke u mbivendosur mbi peizazhin e thatë përreth aeroportit. Fytyra miqsh, pamje të dashura, fragmente takimesh, bisedash, momente varfërie të thellë, sherre të kota, buzëqeshje të sinqerta, lot, dilnin nga nënqepallat, rrëshqisnin puthitas me syrin dhe futeshin nën sy, duke u mbledhur të gjitha komb në fyt. Një qen i vogël dhe i bardhë u shfaq dhe u zhduk në syrin e xhamtë të avionit teksa ecte në të kundërt dhe tundte bishtin duke i marrë erë tokës. Tek ajo krijesë e përhumbur në rrugën e vet pa krye përmes pluhurit dhe vapës, kishte shumëçka nga pamja e botës sime, nga realiteti im dhe i miqve të mi", - shkruan Rama. Ai po nisej për në Paris, ku do të qëndronte për një kohë të gjatë.
***
Janë të shumtë njerëzit që e takojnë çdo ditë. Ndoshta jo të gjithë lënë gjurmë tek kryetari, por një pjesë e mirë lë gjurmë tek sekretarja e tij, Denada, e cila shënon me korrektësi gjithçka. E teksa në fund të ditës Rama rilexon atë që ka ndodhur, nis e ngjiz pikturën e tij të radhës. Vetë ai ka shpjeguar se, duke pikturuar, arrin të ndjekë më mirë njerëzit që takon.
Një pjesë e hallit të tyre kthehet në një copëz pikture; një ide zë një vend tjetër në fletë dhe kështu me radhë, deri sa plotësohet mozaiku i çuditshëm.
Humbja e një miku të mirë lë një shënim të vogël, por shumë kuptimplotë në librin e tij. "Pamja e fundit që kam nga Teodor Keko është duke zbritur rrëpirën e gjelbër të një restoranti në të dalë të Parkut të Liqenit. Iku drejt makinës që e priste pa e kthyer kokën mbrapa, pasi kishim folur rreth një orë e ca për vdekjen, që Dori e mbante prej disa kohësh në krah si një mike, me të cilën, pasi kishte flirtuar vite të tëra në distancë me letra e me gjeste ekspresive, e kishte marrë pranë për ta njohur me shokët e të afërmit përpara sesa të merrnin së bashku arratinë",- shënon Rama në bllokun e tij për shkrimtarin Teodor Keko, më 18 gusht të vitit 2005.
Pak ditë më pas, ai mban shënim një titull: "Katër vjet akull mes Edit dhe Fatosit". Është pikërisht koha kur do të marrë kreun e PS-së, një parti e lodhur dhe e dërrmuar nga zgjedhjet e korrikut. Sfida e tij e radhës, rindërtimi i një partie pa ide dhe rikthimi i saj në pushtet 28 qershorin e katër viteve më pas.


 

12 Komente

Mos e pyet.Kam qare me lot e me qurra kur e kam lexuar.

sot eshte koha e Poneve qe kane dy gisht tul ne balle dhe dalin para mikrofonave me krenarine qe karakterizon pergjithsisht hajvanet si puna e tij per te stigmatizu nje si puna e Edit.Tham se duhet te triumfojme me cdo kusht ndaj kesaj rrace,nqoftese duam te mos i humim shpresat per te gatuar te ardhmen tone

 

smiley   Pone me 2 gisht tull. I modh hahahahahaha

pjetri pse nuk e shkruan shqip ate qe do te thush, se kshu spo tmarr vesh

Po na mbushet mendja qe fajin per gjendjen e krijuar nuk na e ka Edi Rama por Sali Berisha,deshi vota ja dhame,deshi blerje komisioneresh ja bleme,deshi kryeminister u be,tani cfare do tjeter?

Sali Berisha po e tregon perdite qe nuk eshte ne gjendje te beje detyren e tij per te cilen e ka votuar populli.Derisa Shqiperine po e bejne zullumhi Koco Kokedhima e Tan Dulaku tregon qe ky kryeminister nuk i meriton votat tona,derisa ky kryeminister nuk eshte i zoti te beje zap nje palo Kokedhime jo vetem qe nuk i meriton votat tona por jazek i paste,derisa nuk eshte i zoti ti marri keto plehra dhe ti dergoje per gjah atehere duhet ta dije qe koha per te dale per gjah ai vete po afron.

Poshte Agron Llakaj!

Megjithate, fjalim te tille nuk ka mbajtuar asnje politikan shqiptar deri me sot.

Sa keq kur populli eshte i dashuruar dhe magjepset mbas vdekjes, mbas vete-tortures. Kur te mungon truri, dhe kur ate pak tru qe ke nga natyra e masakron me drogera te ndryshme, varferi, skamje, roitje masive, budallallek poligonal(shumecepesh), e ardhmja venitet/katandiset ne nje shprese te bazuar ne HIC.

PS: AM, thenkju per prurjen. beri beri insajteful.

 Ai fjalimi i Rames para disa viteve, me pelqeu, por do te ishte me mire qe Rama tani tu kerkonte te falur elektoratit te vet, per kete humbje, ku nje pjese e fajit i bie dhe atij. Per 2005, duhej Nano tu kerkonte te falur elektoratit dhe jo Rama, mirpo Nano gjith jeten keshtu ka vepruar, si i papergjegjeshem. 

Pjero, tani, jo t'u kerkoje te falur, po te shkoje ne France, se populli ka mbi koke pikerisht ate qe meriton! Po te donte ndryshim populli, nuk i jepte me asnje vote Berishovicit. Tani veten pacin ne qafe, e ishalla u shperblehet vota tamam ashtu si kane votuar!

Po c'radikal mer jahu? Ky eshte reagim i natyrshem fare. Nuk u ke thene as ti, e as une shqiptareve per ke te votojne.  Populli, sido qe ta marresh, perseri vete e ka te ardhmen ne dore, iu vodh apo jo vota. Pse votojne per arrogantin, per cinikun, per mashtruesin, per Berishovicin apo per kedo tjeter, kjo eshte puna e tyre. Kete mbollen, kete dhe te korrin! Mos pacin mbjelle mina toke thuaj, se do t'i korrin sic i korren ne 97! Do me vinte keq per ate te njomin qe digjet me te thatin, po; do me vinte keq per ate qe perdor trurin edhe per detaje te parendesishme si puna e votes, sepse atij i ze rrota bishtin; po per budallenjte qe votojne? Hic more fare! Ndoshta ka ardhur koha te nderrohet gjaku dhe njehere mo, ku i dihet; ndoshta eshte koha te cintoksikohet dhe njehere gjaku i atij populli...

meqi ra llafi, kush esht kjo denada? ka kush naj foto? e bukur do jet po he ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).