Qeveria shpall pavarësi financiare

Pas paralajmërimit të Bankës së Shqipërisë se ekonomia është ngadalësuar dhe se qeveria duhet të bëjë kujdes e të marrë parasysh “realitetin ekonomik”, vetë qeveria mori vendimin e radhës që rrit deficitin buxhetor. Dhe gjithçka ndodhi brenda pak orësh... Ekzekutivi po jep sinjale të qarta të një autonomie absolute në vendimmarrjen ekonomike

Tashmë është bërë traditë institucionale që, nëse Banka e Shqipërisë shprehet e shqetësuar për ndonjë aspekt ekonomik, qeveria do të bëjë hapin e gabuar pikërisht në atë drejtim. Zakonisht është një procedurë që konsumohet brenda pak muajsh - së fundmi brenda ditësh - nga paralajmërimi i BSH deri te gjëma përkatëse e qeverisë. Kësaj radhe ritmet janë disi më të ndryshme. Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, publikonte shqetësimet e radhës mbi ekonominë, disa qindra metra më tutje në bulevard, përgatitej salla ku Këshilli i Ministrave do të merrte vendimin e radhës, që lidhej pikërisht me shqetësimet e BSH.

BSH ndërkohë ishte shqetësuar për bilancin e pagesave dhe rritjen e borxhit. “Qëndrueshmëria afatgjatë e bilancit të pagesave kërkon një vëmendje më të madhe të politikëbërësve, duke parashikuar edhe marrjen e masave politike apo të reformave strukturore”, - tha Fullani. Reforma e kërkuar nga BSH lidhet me stokun e borxhit të brendshëm. “Banka e Shqipërisë gjykon se përmbushja e objektivit afatmesëm fiskal për reduktimin e borxhit publik (në terma relativ&eumlsmiley duhet të jetë udhërrëfyesi i politikës fiskale për periudhën e ardhshme”, - theksoi guvernatori. Në rastin konkret, shqetësimi i këtij të fundit lidhet direkt me stabilitetin financiar dhe posaçërisht me borxhin.

Gjithashtu, guvernatori theksoi se përmbushja e objektivit afatmesëm fiskal për reduktimin e borxhit publik (në terma relativ&eumlsmiley duhet të jetë udhërrëfyesi i politikës fiskale për periudhën e ardhshme. “Ky objektiv duhet të materializohet në praktikë nëpërmjet ndjekjes së politikave fiskale të kujdesshme dhe gjithnjë të rakorduara me zhvillimet e ekonomisë reale”, - vërejti Fullani.

I menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë. Vetëm dy orë pas kësaj deklarate, Këshilli i Ministrave miratoi në fakt një akt normativ me fuqinë e ligjit, që i lejon Ministrisë së Financave të marrë pará borxh për të shlyer shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe të punësuarit në sektorin publik. “Me aktin normativ bëhet i mundur disbursimi i një shume të madhe prej 50 milionë dollarësh të shpenzimeve kapitale, bëhet e mundur mbajtja në limite të pranueshme e deficitit buxhetor, nga 4.2 do të jetë 4.5, bëhet i mundur ose vjen si rezultat i një kontrolli, do të thosha të plotë të inflacionit”, - tha kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Shpërfillja e ekzekutivit ndaj shqetësimeve të bankës së Shqipërisë është shumë domethënëse. Pas largimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), armiqësimit me një sërë institucionesh ndërkombëtare që kanë mbetur në vend, vënies nën kontroll të Institutit të Statistikës (INSTAT) dhe së fundmi, injorimit publik të Bankës së Shqipërisë, qeveria shqiptare ka fituar një pavarësi financiare të paprecedent. Ajo mund të ndërmarrë çfarëdolloj aventure të rrezikshme financiare, pavarësisht kambanave të alarmit që së fundmi sa vijnë e me zor dëgjohen.

 

Hera e dytë!

 

Kjo është të paktën hera e dytë që qeveria i bën këtë “shaka” Bankës së Shqipërisë. Veç pak muaj më parë, një skenar i ngjashëm ndodhi, kur guvernatori i BSH i bëri thirrje qeverisë që të bënte kujdes me deficitin buxhetor. “Politika fiskale ka vijuar të ruajë karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke u reflektuar në rritjen e nivelit të deficitit buxhetor dhe të konkurrencës së sektorit publik për mjete monetare. Kjo politikë ka ndikuar në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe, por ajo është reflektuar edhe në rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme. Për këtë arsye, ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim”, - vërejti Guvernatori.

Ndërkaq, pas disa ditësh nga ky paralajmërim, Këshilli i Ministrave ndryshoi ligjin e buxhetit të shtetit përmes një vendimi, duke rritur deficitin buxhetor. Qeveria e rriti deficitin nga 50 miliardë lekë në rreth 74.8 miliardë lekë, duke rezultuar në një rritje prej 24.8 miliardë lekësh ose në një afro 250 milionë dollarë. Ndërkaq, vendimi i fundit i qeverisë e thellon edhe më tej deficitin buxhetor, duke rritur edhe borxhet.

 

Të ardhurat shkojnë “për dreq”

 

Në muajin shtator u bë publik fakti se deficiti i të ardhurave në buxhetin e shtetit, duke filluar nga janari, kishte arritur në 21 miliardë lekë (nën planin), në një kohë që deri në fund të vitit ishte parashikuar një deficit maksimal prej 20 miliardë lekësh, sipas skenarit më pesimist të mundshëm. Por, muaji nëntor solli një surprizë të re. Deficiti buxhetor deri në këtë muaj u llogarit në 31 miliardë lekë ose e thënë ndryshe rreth 11 miliardë lekë mbi skenarin më pesimist të mundshëm. Por gjërat nuk janë tamam kështu, të paktën jo zyrtarisht. Së fundmi, qeveria bëri një rishikim të të ardhurave të planifikuara dhe pas “rishikimit” në fjalë, i uli pritshmëritë në mbledhjen e të ardhurave, duke e çuar deficitin e nëntorit në rreth 22 miliardë lekë. Por, sipas planifikimit “sterrë” të fillim-vitit, deficiti qëndron sërish në nivelin 31 miliardë lekë.

Me gjithë këtë paraqitje tepër të dobët të 2009-ës, për vitin 2010, Ministria e Financave ka parashikuar 361 miliardë lekë të ardhura, përkundrejt 253 miliardë lekë të ardhura të parashikuara për buxhetin 2009, shifër që duke parë ecurinë e deritanishme, ka gjasa të rezultojë ndjeshëm më e ulët në buxhetin faktik. Pavarësisht optimizmit të qeverisë në parashikimin e të ardhurave, FMN ka paralajmëruar me kohë se qeveria duhet të bëjë kujdes me buxhetin dhe të ketë parashikime realiste për vitin që vjen. “Është imperative të vendosen objektiva realiste të të ardhurave. Nuk mund të presim që të kemi sërish ritme shumë të larta të rritjes që janë vënë re në 2007 dhe 2008, por ashtu duhet edhe programi realist i shpenzimeve”, - u shpreh disa muaj më parë Gerwin Bell, shef i misionit të FMN për Shqipërinë. Sipas FMN, deficiti buxhetor ka kapur nivelin 6.5 për qind të GDP, ndërsa borxhi publik ka arritur në 60 për qind të GDP. Fondi paralajmëroi se nëse qeveria nuk do të parashikojë një buxhet realist, vitin e ardhshëm mund të ketë probleme për ekonominë shqiptare.

Por sakaq, Fondi nuk është më aktor i rëndësishëm në monitorimin e ekonomisë shqiptare, ndërsa roli i Bankës së Shqipërisë po zbehet përballë praktikës shpërfillëse të “faktit të kryer” nga ana e ekzekutivit. Në këtë pikë, qeveria ka fituar një vendimmarrje financiare totalisht të pavarur përkundrejt një të ardhmeje shumë të pasigurt.

2 Komente

O Qafe,

Po ti me teremend e ke qe BSH eshte e shqetesuar dhe kritikon qeverine per borxhin e brendshem? Po mire a di ti te me thuash se kush e detyron Z. Fullani apo BSH te financoje qeverine me para te krijuara nga hici? Vetem sot, ne ankandin e radhes, BSH bleu bono thesari pra i dha borxh qeverise vetem 14 miliard leke ose pak a shume 100 milion Euro me para te krijuara elektronikisht. Te gjitha ligjet qe jane ne fuqi e ndihmojne, e mbrojne dhe e urdherojne Z. Fullani qe te mos e beje kete veprim. Dhe ai, prape e ben, megjithse e ben duke u ankuar.

Me dhimbje me dhimbje por kam qejf kur ma fut Sali-u - thote Fullani

Pranej dashka PSja me sjell prap FMN-iun ne Shqypni eee? Me i vu lakun ne gryk ktyne eee?(dmth mos me i lone me hudh lek kot?)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).