Prezantim me Terri Pratchett

Duke marrë shkas nga fryma e fundit nëpër peshk (Sjellja në shqip e pjesëve nga autorë të huaj të preferuar), si edhe nga dëshira për t'ju dhuruar gaz këtë fundviti, vendosa të sjell disa thënie të shkrimtarit tim më të preferuar, Terri Pratchett

Nuk e di nëse është përkthyer në shqip apo jo, por di që kam rënë në dashuri me librat e tij që në fakultet dhe nuk më është zvjerdhur asnjëherë. E adhuroj faktin që sa herë lexoj librat e tij gjej një shaka të re që nuk e kam kuptuar më parë, mënyrën sesi luan me gjuhën, ngrohtësinë në përshkrimin e personazheve, si edhe faktin që filozofia e tij është e thjeshtë dhe pa pretendime.

 

Këtë vit Terri Pratchett u diagnostikua me sklerozë, duke thyer kështu jo vetëm zemrën time por edhe të miliona lexuesve të tjerë të cilët tmerrohen nga mendimi se nuk do të gjejnë më libra nga ai në raftet e librarive. Por ndërkohë shijojmë ato që kemi.

Jam munduar të ruaj me sa të mundem humorin e stilin sarkastik të thënieve të mëposhtme. Çdo gabim është i imi, dhe çdo kritikë është më  se e mirëpritur.

Thëniet e mëposhtme janë marrë nga kjo faqe www.lspace.org/ftp/words/pqf/pqf

 

Ata që mendojnë se historia e lashtë fillon me serinë e parë të Star Trekut (Udhëtim mes Yjeve) duhen duruar se nuk është faji i tyre që njohuritë i kanë marrë në shkollë.

        -- (Terry Pratchett, alt.books.pratchett)

Natyrisht që do ta merrja më me qejf nxitjen e të menduarit jashtë kutisë, nëse do të kisha prova se edhe brenda saj kishte mendime.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

Duhet vënë një tabelë të madhe para se të fillojë filmi që thotë: “Ky film është klasifikuar si film për fëmijë të Shoqëruar nga Prindi. Di të lexosh apo jo? Ti je Prindi. E kupton ç’do me thënë Shoqërim? Apo je dhe ti nga ata trevjeçarët që mendojnë se janë të pjekur vetëm sepse janë në moshë madhore dhe, për dreq, iu punojnë organet seksuale në rregull? Çfarë, të duhet aprovim nga komiteti për çdo veprim që bën? Mblidhe veten o burrë! Dhe mbyllja gojën atij dreq kalamani!”

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 Mendoj se një nga problemet më themelore që kemi është se po përpiqemi të zbërthejmë sekretet e universit me anë të një gjuhe që është shpikur për t’i treguar njëri-tjetrit cili frut është më i miri.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 Mendoj se parrulla më efektive për qendrat arsimore do të ishte:

'Apo ke qejf të mbetesh Gomar?'

       -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

Të sëmurët e Ank-Morporkut (një nga kryeqytetet e botës imagjinare krijuar nga Terri Pratchett) e kanë më mirë të shkojnë tek veterineri sesa tek doktori. Ndihen më të sigurt atje, meqë veterineri duhet ta kryejë punën e vet patjetër mirë. Njerëzia ngushëllohen me “Aq e kishte ymrin” kur iu vdes gjyshja, por bëhen si bisha kur iu ngordh lopa.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 Ka një dallim tepër të rëndësishëm ndërmjet evropianëve dhe amerikanëve. Evropianët pyesin: “Pse nuk jam i aftë ta kuptoj këtë?” kurse amerikanët pyesin: “Pse s’është ky i aftë të ma shpjegojë këtë?” 

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 Kur më pyetën në shkurt, u thashë (që libri) do të dilte në nëntor. Kur më pyetën në mars, u thashë që do të dilte në nëntor. Në prill vura në dukje se faktikisht nëntori ishte muaji kur libri im i ardhshëm do të dilte. Në maj, në çdo vend që më pyesnin kur dë të dilte Maskerada, u përgjigjesha: “në nëntor.” Libri do të botohet në nëntor. I njëjti nëntor që përmenda gjatë muajve të mëparshëm.

        -- Terri, kur do të dalë 'Maskerada'?

           (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

 Bognor më është dukur gjithmonë si simboli i bregdetit anglez (para se të fillonte ky muhabeti i ngrohjes globale), që nga ngarja e makinës nëpër shi për të arritur atje, shëtitja nëpër shi kur je atje, si edhe ngarja e makinës nëpër shi për t’u kthyer në shtëpi…

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 Nuk i bën dot njerëzit të lumtur me zor. Për shembull, po t’i pyesje njerëzit para dyqind vjetësh: “ A do të ishit të lumtur në një vend ku ka kujdes shëndetësor për të gjithë, pastërti në çdo shtëpi, informacion, muzikë e ushqim nga tërë bota në banesat tuaja me çmim të lirë, udhëtimet e gjata kryen tëk e fëk, lindja nuk është vdekjeprurëse as për nënën as për fëmijën, nuk vdes nga infeksionet e dhëmballës dhe ku nuk ke pse t’i bindesh agait”, ata do të mendonin se po flisje për parajsën mbi tokë dhe do të përgjigjeshin “Patjetër!”.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 Shiko, Elizabetianët kishin kaq shumë fjalë për organet gjenitale femërore saqë sot nuk shqiptojmë dot një fjali të plotë pa përmendur të paktën tre nga to.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

Më duket se Stonhenxhi u ndërtua nga ekuivalenti i Mikrosoftit të asaj kohe, kurse Avbëri është padyshim rreth i prodhuar nga Epëll.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

Hmm, po pse të mos bëhem edhe unë model? Natyrisht që nuk ia kam hiç haberin dhe do të dilja për ibret po të modeloja vetë, prandaj do të punësoj dikë që të dalë nëpër pasarela për mua. Por pa diskutim që modeli jam “unë”.

        -- Terri mëson se Naomi Kampbell ka shkruar libër.

           (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

'Ata mund të na marrin jetën por jo lirinë!'

Ai që e ka krijuar këtë thirrje beteje, nuk do ketë qenë esëll atë ditë...

        -- Braveheart

           (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

Ka shumë njerëz që duan “të kishin shkruar”.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

  Tetë vjetë përvojë me industrinë nukleare më kanë mësuar që pikërisht në atë moment kur çdo gjë shkon vaj dhe çdo problem ka edhe një zgjidhje, ka ardhur koha për të blerë shtëpi në kontinentin ngjitur.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

Dhe para se të më shani gramatikën, kini parasysh se jam kaq i çoroditur nga avionat sa duart nuk i kam ende në një meridian me mendjen...

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

Tani,...tek HOGFATHER ( Plaku i Derrave - libër i autorit) ndodhin disa therje, dikush vritet nga një njeri i bërë me thika, dikush vritet nga terri, dhe dikush vritet nga dollapi. Duket që është libër për magjinë e fëmijërisë.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

Më bën kurioz fakti që plakat e librave të mia rinohen kur pasqyrohen nëpër kopertina…më duket diskriminim ndaj personave me zhvillim kronologjik.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

Lexues: Terri, çfarë dreqin ndodh në fund të librit Strata? E rilexova përsëri mbarimin dhe më ka dalë edhe një zgjidhje tjetër e mundshme. Deri tani më kanë dale një dyzinë syresh!

TP: E sheh? Shkrimtarët e tjerë të japin vetëm një, shumë shumë dy zgjidhje për çdo fund libri. Hallall paratë them unë.

        -- (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

 

 

3) Nuk ve autografë nëpër pjesë trupi, edhe nëse nuk janë të shkulura.

        -- From Terry's Rules of Book Signing

           (Terry Pratchett, alt.fan.pratchett)

Perdita mendonte se thyerja e rregullave ishte “cool”. Agnes mendonte se rregulla të tilla si “Ruaju nga kurthet plot hunj të mprehtë” kishin edhe ato vlerat e tyre.

        -- (Terry Pratchett, Carpe Jugulum)

 

Hoxhaaaaargh ishte rrëfimtar tepër original dhe i profilizuar. Për shembull, nëse ai do të tregonte historinë e Luftës Sorteane, do të të rrëfente për zogjtë në fushë, numrin e pelikanëve, cilësinë e pulëbardhave, vendodhjen e saktë të çdo korbi pas betejës, si edhe ngjyrat e puplave të arabeckave. Natyrisht që dikur dhe diku kishte dhe ca burra me mburoja mbi të cilët kishin ndaluar korbat.

        -- (Terry Pratchett, Carpe Jugulum)

Rinsuindi (personazh kryesor i librave të Terri Pratchett) është një nga ata njerëz që e pengojnë vetë lumturinë e tyre. P.sh. nëse do binte shi puthjesh nga qielli, ai do të ishte i vetmi njeri me çadër.

        -- (Terry Pratchett, CIX Pratchett Conference)

 

Ai nuk dinte ç’të bënte kur njerëzit silleshin ashtu. Kur makineritë çoroditeshin, në fillim i vajoste, pastaj i çvidhoste dhe vidhoste prapë, dhe nëse prapë nuk merrnin vesh, i godiste me çekiç. E keqja ishte se nomëve nuk u bënte fajde kjo kurë.

       -- (Terry Pratchett, Diggers)

 

E keqja e mbajtjes së mendjes hapur është se të tjerët gjithmonë përpiqen ta mbushin me sende.

        -- (Terry Pratchett, Diggers)

 

Universi për kafshët klasifikohet qartësisht në sende:

(a) për t’u ndërzyer, (b) për të ngrënë, (c) për t’iu ruajtur, dhe (d) gura.

        -- (Terry Pratchett, Equal Rites)

 

Ank-Morporkun nuk e kishin pushtuar kurrë armiqtë. Domethënë “teknikisht” e kishin pushtuar shpesh, por qyteti i priste krahëhapur pushtuesit barbarë dorëshpuar. Çuditërisht fitimtarët zbulonin që pas disa ditësh kuajt nuk i kishin më të tyret, e pas disa muajsh ishin shndërruar në një minoritet më shumë me restorante e simbole murale.

        -- (Terry Pratchett, Eric)

 

- "Çfarë është mekanika kuantike?"

- "Më duket se ajo gruja që riparon kuantika."

        -- (Terry Pratchett, Eric)

"Shumë pikëçuditëse," vazhdoi ai duke tundur kokën, "janë shenjë e sigurt e mendjeve të sëmura."

        -- (Terry Pratchett, Eric)

 

UNË JAM VDEKJA, JO TAKSAT. UNË TA MARR SHPIRTIN VETËM NJË HERË.

        -- (Terry Pratchett, Feet of Clay)

 

Fëmijë! Amargedoni është i rrezikshëm prandaj mos e provoni në shtëpi.

        -- (Terry Pratchett & Neil Gaiman, Good Omens)

 

Ai vrau mendjen se ç’mund të ndodhte nëse pyeste murgeshat ku ishte banja e burrave. Ndoshta Papa do t'i dërgonte vërejtje me shkrim.

        -- (Terry Pratchett & Neil Gaiman, Good Omens)

 

 

 

 

11 Komente

Flm Blete, nje autor qe s'e njihja.

 

Keshtu ne veshtrim te pare po me duket mjaft i afert me Vonnegut, po ndoshta gabohem.

 

Gezuar Vitin e Ri.

 Ha, ha, ha. Pak humor i zgjuar anglo-sakson ishte ajo qe na duhej ne fund te vitit, dhe jo trishtimi psiko-metafizik francez. 

Gezuar vitin e Ri.

Kur te kem kohe do shtoj edhe une pak humor, po nuk te ngeli hatri.

pervec te tjerave paska dhe kuti smiley

Natyrisht që do ta merrja më me qejf nxitjen e të menduarit jashtë kutisë, nëse do të kisha prova se edhe brenda saj kishte mendim.

hahaaha

rrofsh blete, ta bofte zoti mbare smiley

Ka një dallim tepër të rëndësishëm ndërmjet evropianëve dhe amerikanëve. Evropianët pyesin: “Pse nuk jam i aftë ta kuptoj këtë?” kurse amerikanët pyesin: “Pse s’është ky i aftë të ma shpjegojë këtë?” 

 

Pse me beri pershtypje kjo.

Shyqyr dicka per te qeshur ne mes zymtise Berisha-Rama-komunizmi peshkist. Flm bleta

Terri Pratchett është Kurt Vonnegut dhe Douglas Adams lite. Ndërsa Vonnegut është gjithmonë depresiv, dhe Adams gjithmonë i pamëshirshëm, Pratchett është më njerëzor e më i thjeshtë nga të gjithë. Nuk e merr kurrë veten seriozisht dhe as që pretendon se librat e tij mbartin ide të thella filozofike ose mesazhe madhështore për njerëzimin. por...gjithmonë e ka një moral.

Thënia ime e preferuar është kjo:

Ank-Morporkun nuk e kishin pushtuar kurrë armiqtë. Domethënë “teknikisht” e kishin pushtuar shpesh, sepse qyteti i priste krahëhapur pushtuesit barbarë dorëshpuar. Çuditërisht fitimtarët zbulonin që pas disa ditësh kuajt nuk i kishin më të tyret, e pas disa muajsh ishin shndërruar në një minoritet më shumë me restorante e simbole murale.       -- (Terry Pratchett, Eric)

 

 

 Blete, desha te di si e fute artikullin ketu, vete apo nepermjet adm. Dhe a ekziston mundesia ti futesh vete artikujt ketu, se kam pershtypjet se disa i fusin vete, te pakten tek disa rubrika, jo tek kjo kollona kryesore. 

 Une e postoj dhe pastaj artikulli pret radhen deri sa ta aprovoje administratori. Ndonjehere ata e postojne ne vendin kryesor se iu pelqen. Ndonjehere nuk ma varin hic. Po s'prishemi se edhe une kam me teper qejf kur me lexojne nje apo dy sesa shume qe nuk me kupojme hic.

Blete, thenie interesante! Rrofsh qe i prure ketu, ato (theniet) dhe autorin. Ne se do te mund te beja nje verejtje te vogel, do te thosha se disa prej tyre eshte me mire te mbeten ne anglisht te mos perkthehen, se sa te transformohen ne ate pike sa i bejne te pakuptueshme, si p.sh:

"Çfarë është mekanika kuantike?"

- "Më duket se ajo gruja që riparon kuantika."

Ne origjinal, "What're quantum mechanics? - I don't know. People who repair quantums, I suppose", Terry ka luajtur me dykuptimesine e fjales "mechanics": si nje nendisipline e fizikes, dhe si ata qe riparojne makina. Kjo s'mund te behet ne shqip ngaqe per keto dy kuptime ka fjale te ndryshme. Edhe ne origjinal ndertimi nuk eshte korrekt, ngaqe normalisht pyetja duhet te ishte ne njejes: "What is quantum mechanics?", jo "What are quantum mechanics?" Eshte bere thjesht me qellim t'i jepet kuptim humoristik thenies. Cdo pershtatje qe mund t'i behet do ta ndryshonte mesazhin e synuar.

"Ka një dallim tepër të rëndësishëm ndërmjet evropianëve dhe amerikanëve. Evropianët pyesin: “Pse nuk jam i aftë ta kuptoj këtë?” kurse amerikanët pyesin: “Pse s’është ky i aftë të ma shpjegojë këtë?"

ndoshta fjala amerikaneve mund shume mire te zevendohej me fjalen shqiptareve edhe si proamerikane qe jemi

Duket i ngjashem me Douglas Adams si stil.

Blete cfare libri do sugjeroje per te lexuar te parin per ate qe eshte i ri me T.Pratchet?

Te pakten Discworld ka nje mori sequels e prequels e nuk merret vesh nga ta fillosh smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).